1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Testamenti (el-vesijetu), rregullat dhe dispozitat e tij në Islam (3)

Më të lexuarat


Në shkrimin paraprak kemi folur për ruknet, -shtyllat e testamentit dhe kushtet e tij. Në këtë punim do të flasim për testamentin në përfitime dhe mënyrën e realizimit të testamentit.

Testamenti për përfitime

Të gjithë dijetarët islamë (katër shkollat juridike-fetare- medhhebet) pajtohen që lëndë e testamentit mund të jenë edhe përfitimet e ndryshme. Me përfitimet, të cilat mund të realizohen përmes testamentit, tek hanefinjtë nënkuptojmë shërbimet e ndryshme, si: banimi, shfrytëzimi i qerasë, shfrytëzimi i tokës ose i rendimenteve të saj, plantacionet, frutat e plantacioneve e të ngjashme.

Vlerësimi dhe llogaritja e përfitimeve

Më herët kemi sqaruar se testament i lejuar, që mund të realizohet, është ai që kap vlerën e një të tretës së pasurisë së trashëgimlënësit. Nëse testamenti lihet në pasuri të patundshme-paluajtshme, siç janë shtëpitë, objektet, toka e të ngjashme, atëherë kjo pasuri vlerësohet dhe llogaritet në vetën e saj, dhe testamenti është i vlefshëm në një të tretën e pasurisë. E nëse testamenti lihet në përfitime, atëherë, sipas medhhebit hanefij dhe atij malikij, vlerësohet dhe llogaritet pasuria e patundshme, nga përfitimet e së cilës është lënë testamenti, pa marrë parasysh se sa është kohëzgjatja e përfitimeve. Dhe, nëse patundshmëria kap vlerën e një të tretës së pasurisë, atëherë testamenti i lënë nga përfitimet e kësaj pasurie, është i vlefshëm dhe realizohet, e nëse patundshmëria është më shumë se një e treta e pasurisë, atëherë realizohet testamenti në përfitimet e vetëm një të tretës së saj, e përfitimet nga ajo që është më shumë se një e treta, realizohen vetëm nëse një gjë të tillë e lejojnë trashëgimtarët. Pra, llogaritja dhe vlerësimi bëhet në vetë patundshmërinë nga e cila përfitohet, e jo në vlerën e përfitimeve. P.sh., nëse testamentlënësi ka lënë testament shfrytëzimin apo përfitimet e një hektari tokë, ndërsa vetëm gjysma e këtij hektari kap vlerën e një të tretës së pasurisë së tij, atëherë testamentmarrësit i lejohet që të shfrytëzojë vetëm përfitimet e gjysmës së hektarit e jo më shumë.(1)

Mënyra e shfrytëzimit të përfitimeve

Ekzistojnë dy mënyra për shfrytëzimin e përfitimeve: E para: Që testamentmarrësi të shfrytëzojë vetë patundshmërinë, përfitimet e së cilës i janë lënë testament,dhe e dyta; Që testamentmarrësi të japë me qira atë patundshmëri, dhe përfitimet nga qiraja e saj t’i marrë për veten e tij. Mënyra e shfrytëzimit të përfitimeve të lëna testament ndryshon varësisht nga fakti se si është përcaktuar në testament. Nëse testamentlënësi nuk ka përcaktuar në testamentin e tij ndonjë mënyrë të veçantë për shfrytëzimin e përfitimeve, atëherë, me pajtim të të gjithë dijetarëve, testamentmarrësi ka të drejtë të shfrytëzojë përfitimet me cilëndo mënyrë që ai dëshiron, t’i shfrytëzojë vetë duke banuar në shtëpi, apo duke e punuar tokën etj., ose t’ia japë me qira dikujt tjetër dhe të përfitojë nga qiraja e tyre. E nëse testamentlënësi i ka përcaktuar testamentmarrësit mënyrën e shfrytëzimit të përfitimeve, atëherë testamentmarrësi duhet t’i përmbahet mënyrës së përcaktuar. Si p.sh., nëse testamentlënësi ka lënë testament banimin, testamentmarrësi ka të drejtë të banojë vetë në atë shtëpi e jo t’ia lëshojë dikujt tjetër me qira. Ndërsa, e kundërta, nëse i ka lënë testament shfrytëzimin e qirasë, atëherë sigurisht se ka të drejtë edhe të banojë vetë në të.(2)

Koha e shfrytëzimit për përfitime

Nëse në testamentin e lënë të përfitimeve është caktuar koha, p.sh. prej fillimit të këtij viti deri në fund të vitit, atëherë testamentmarrësit i lejohet shfrytëzimi i përfitimeve vetëm brenda asaj kohe. Nëse koha e caktuar kalon para vdekjes sëtestamentlënësit, atëherë testamenti bëhet i pavlefshëm dhe nuk realizohet. E nëse ka kaluar një pjesë e kohës së caktuar para vdekjes së testamentlënësit, atëherë i lejohet shfrytëzimi i përfitimeve në kohën që ka ngelur. Ndërsa, nëse testamenti për përfitime ka caktuar një kohë të pa definuar, si p.sh një vit, pa e cekur se cili vit, atëherë ajo periudhë fillon që nga koha e ndarjes së pasurisë. Vlen të përmendet se pronarit të patundshmërisë, përfitimet e së cilës janë lënë testament, nuk i lejohet asnjë veprim me patundshmërinë, si: ndërrimi, shitja e të ngjashme, përgjatë kohës së testamentit. Dhe çdo veprim në këtë rast është i ndërlidhur me lejen e testamentmarrësit. Gjithashtu vlen të theksohet se në kuadër të testamentit për përfitime mund të llogariten edhe dhënia e disa të drejtave-mundësive. P.sh. e drejta-mundësia për qasje ndaj ujit, për bartjen e tij përmes kanaleve, e drejta- mundësia për udhëkalimin e të ngjashme.

Përfundimi i testamentit për përfitime

Testamenti për përfitime përfundon-shpallet i pavlefshëm në këto raste:

a) Nëse koha e caktuar e përfitimeve kalon para se të vdesë testamentlënësi.

b) Nëse testamentmarrësi vdes para se të fillojë koha e shfrytëzimit të përfitimeve, sepse përfitimet e lëna me testament nuk trashëgohen.

c) Nëse testamentmarrësi heq dorë nga e drejta e shfrytëzimit të përfitimeve, dhe këtë të drejtë ua lë trashëgimtarëve, qoftë me kompensim ose pa të.

Rastet kur testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve

1. Nëse testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve për shkak të pengesës së një a më shumë trashëgimtarëve. Në këtë rast penguesit e testamentmarrësit obligohen t’ia kompensojnë atij-testamentmarrësit vlerën e përfitimeve për aq kohë sa është e përcaktuar me testament. Njësoj veprohet edhe në rastin kur testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve për shkak të pengesës nga të gjithë trashëgimtarët. Pra, të gjithë trashëgimtarët obligohen t’ia kompensojnë vlerën e përfitimeve. Në të dyja rastet testamentmarrësit nuk i lejohet të kërkojë një kohë tjetër për shfrytëzimin e përfitimeve, pas kalimit të kohës së caktuar.

2. Nëse testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve për arsye të tjera dhe jo për shkak të pengesës nga ana e trashëgimtarëve. Në këtë rast trashëgimtarët nuk kanë asnjë detyrim ndaj tij.(3)

Mënyra e realizimit të testamentit

Nëse trashëgimia-pasuria e testamentlënësit është e tëra e pranishme dhe nuk mungon ndonjë pjesë e saj, e as nuk I është dhënë borxh dikujt tjetër, atëherë testamenti realizohet nga tërë pasuria, pa marrë parasysh nëse testamenti është vlerë monetare apo patundshmëri. Pra, llogaritet trashëgimia-pasuria e tëra dhe testamentmarrësi e realizon të drejtën e tij me testament në vlerë të një të tretës së tërë pasurisë. Ndërsa, nëse një pjesë e trashëgimisë-pasurisë së testamentlënësit është e pranishme e pjesa tjetër e saj mungon, ose është dhënë borxh, atëherë mënyra e realizimit të testamentit ndryshon varësisht nga gjendja dhe situata, si në vijim.

Veprimi në rastet kur një pjesë e trashëgimisë-pasurisë nuk është e pranishme-mungon, ose është dhënë borxh:

1. Nëse testamenti është i përcaktuar në vlerë monetare, si p.sh. fjala vjen një mijë euro, atëherë vlerësohet dhe llogaritet, e nëse kjo shumë-testamenti kap vlerën e një të tretës së pasurisë që është e pranishme, atëherë testamenti realizohet nga pasuria që është e pranishme. Veprimi në këtë mënyrë konsiderohet se nuk i dëmton trashëgimtarët, sepse atyre u mbeten dy të tretat e pasurisë që është e pranishme. E nëse vlera monetare e lënë testament është më shumë sesa një e treta e pasurisë që është e pranishme, atëherë testamentmarrësi merr vetëm një të tretën e pasurisë që është e pranishme e pjesa tjetër u takon trashëgimtarëve. Dhe nga secila pjesë e pasurisë së munguar, e cila kthehet, testamentmarrësit i takon një e treta e saj. Kështu veprohet derisa testamentmarrësi të plotësojë të drejtën e tij-testamentin.

2. Nëse testamenti është i përcaktuar për patundshmëri të caktuar, si. p.sh. testamenti për shtëpi të veçantë, tokë ose plantacion të veçantë, atëherë, sipas hanefinjve, testamentmarrësi e realizon testamentin nga patundshmëria e caktuar në vlerë të një të tretës së pasurisë që është e pranishme, e pjesa tjetër e patundshmërisë së caktuar mbetet pezull. Dhe, nga secila pjesë e pasurisë që kthehet, testamentmarrësi merr prej patundshmërisë së mbetur të caktuar vlerën e një të tretës së pasurisë që kthehet. Kështu veprohet derisa testamentmarrësi të plotësojë tërë patundshmërinë e caktuar me testament. E nëse pasuria që nuk është e pranishme, humbet-shkatërrohet, atëherë pjesa e mbetur e patundshmërisë së caktuar hyn në pronësinë e trashëgimtarëve.(4)

3. Nëse testamenti është i caktuar për një lloj të caktuar të pasurisë, si p.sh. testamenti për një të tretën e pasurive-mallrave tregtare, ose testamenti për një të tretën e borxheve që u janë huazuar tregtarëve etj., në këtë rast, nëse pasuria për të cilën është lënë testament, është e pranishme, testamentmarrësi merr hisen e tij një të tretën e saj, nëse vlera e testamentit është sa një e treta e saj-llojit të pasurisë që është e pranishme. E nëse vlera e testamentit është më shumë sesa një e treta e pasurisë që është e pranishme, atëherë testamentmarrësi merr një të tretën e llojit të pasurisë që është e pranishme, e pjesa tjetër u takon trashëgimtarëve. Dhe nga secila pjesë e pasurisë që kthehet, testamentmarrësi merr nga lloji i caktuar i pasurisë së lënë me testament, në vlerë të një të tretës së saj – të pasurisë që kthehet. Kështu veprohet derisa testamentmarrësi të plotësojë të drejtën e tij-testamentin mbi atë lloj të pasurisë.

4. Nëse testamenti nuk është i caktuar për llojin e caktuar të pasurisë. Në këtë rast, me pajtim të të gjithë dijetarëve (shkollave juridikofetare-medhhebeve), testamentmarrësi është pjesëtarë i përbashkët me trashëgimtarët i tërë pasurisë, asaj që është e pranishme dhe asaj që mungon ose është dhënë borxh. Testamentmarrësi merr një të tretën e pasurisë që është e pranishme (nëse testamenti është në vlerë të një të tretës së pasurisë), dhe një të tretën e secilës pjesë të pasurisë që kthehet. Kështu veprohet derisa testamentmarrësi të plotësojë hisen e tij që i është lënë testament. (vijon)

1) Sipas medhhebit shafiij dhe atij hanbelij llogaritja dhe vlerësimi i testamentit për përfitime bëhet në vlerën e përfitimeve të lëna testament e jo të patundshmërisë nga e cila përfitohet. Hanbelinjtë kanë edhe një shpjegim tjetër rreth kësaj çështjeje. (Shih: El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez zuhejli, v.10, f.7522-7525, bot.4.2002, Darul Fikr, Dimeshk.

2) Redul muhtar ala ed-durril muhtar, Muhamed emin-Ibn Abidin , v.10, f.397 399, bot.2.2003, Darul kutub el-ilmijetu, Bejrut. Sipas shafiinjve dhe hanbelinjve testamentmarrësi ka të drejtë t’i shfrytëzojë përfitimet e lëna testament në çfarëdo mënyre që dëshiron, t’i shfrytëzojë vetë ose t’i japë me qira, pavarësisht përcaktimit të testamentlënësit. (Shih: El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof. dr.Vehbet Ez-zuhejli, f.7526-7527).

3) Sipas shafiinjve, nëse testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve për shkak të pengesës nga të gjithë trashëgimtarët, testamentmarrësi ka të drejtë të zgjedhë një kohë tjetër për shfrytëzimin e patundshmërisë, përfitimet e së cilës i janë lënë testament, ose të kërkojë kompensimin e vlerës së përfitimeve. E nëse testamentmarrësit i pamundësohet shfrytëzimi i përfitimeve për shkak të testamentlënësit, si.p.sh. nëse testamentlënësi e ka dhënë me qira për një kohë të caktuar objektin, përfitimet e të cilit janë lënë testament, dhe ka vdekur para se të përfundojë koha e qirasë. Ose i është pamundësuar shfrytëzimi i përfitimeve për ndonjë arsye përsonale, si.p.sh. është jashtë vendit ose është i burgosur. Në këtë rast testamentmarrësi ka të drejtë të shfrytëzojë patundshmërinë, përfitimet e së cilës i janë lënë testament, në një kohë tjetër. (Po aty, f.7529-7535.).

4) Sipas malikinjve, në këtë rast veprohet sikurse në rastin e parë. Testamentmarrësi merr pjesën e patundshmërisë së caktuar në vlerë të një të tretës së pasurisë që është e pranishme, e pjesa e mbetur e patundhsmërisë hyn në pronësinë e trashëgimtarëve. Ata mendojnë se pjesa e mbetur pezull nga patundshmëria e caktuar vonon ndarjen e trashëgimisë, e vonimi mund t’u sjellë dëm trashëgimtarëve. Ndërsa, me hyrjen e pjesës së mbetur të patundshmërisë së caktuar në pronësinë e trashëgimtarëve, nuk dëmtohet as testamentmarrësi. Sepse atij do t’i kompensohet vlera e patundshmërisë së mbetur duke marrë një të tretën e secilës pjesë së pasurisë që kthehet, derisa ta plotësojë testamentin e tij. (Shih: El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez-zuhejli, f.7550-7551).

Mr. Fitim Gashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit