8.8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

TËRMETET NË BOTËKUPTIMIN SHKENCOR TË HERSHËM ISLAM – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

Tërmetet kanë qënë një pikë e hershme diskutimi në mesin e studiuesve muslimanë. Muslimanët kanë dhënë kontribute të vyera për zbulimin dhe shpjegimin e shkaqeve natyrore të tyre.

Nuk ka dyshim se çdo gjë në këtë gjithësi është krijim i përsosur i krijuesit të qiejve dhe të tokës. Çdo gjë në qiej dhe në tokë ndodh në përputhje me vullnetin e zotit, sipas caktimit të të dijshëmit të urtë. Zoti e ka krijuar këtë botë dhe çdo gjë që ndodh në të është në përputhje me shkaqe dhe ligje natyrore, të cilat vetë zoti i ka vendosur, për të lundruar çdo gjë në këtë gjithësi të gjerë në një ekuilibër apsolut.

Për lexuesin kam zgjedhur disa fjalë të shkurtra dhe brilante të shejhulislam Ibën Tejmijes rreth urtësisë hyjnore dhe shkaqeve natyrore të tërmeteve. Në përgjigje të një pyetje të drejtuar për fenomenet e bubullimës, shiut dhe tërmeteve ai përgjigjet duke thënë:

“Tërmetet janë nga shenjat me të cilat Allahu i frikëson robtë e tij, po ashtu siç i frikëson me eklipsin apo me shenjat e tjera. Këto fenomene kanë shkaqe dhe urtësi. Fakti që ato ndodhin si shenja me të cilat Allahu i frikëson robtë e tij vë në pah urtësinë e tyre.

Ndërsa në lidhje me shkaqet e tyre, një prej shkaktarëve të tyre është trysnia e gazrave të ngrohtë në brendësi të tokës, ashtu siç vihet nën trysni gazi dhe uji në një vend të ngushtë. Kur ato (gazrat e ngrohtë) ndodhen nën presion kërkojnë dalje dhe kështu çajnë dhe trondisin (tokën) në zonat afër saj (trysnisë).

Disa njerëz kanë thënë që demi e lëviz kokën e tij duke shkaktuar lëkundje toke. Kjo është injorancë, edhe pse mund të jetë përmendur nga disa njerëz (studiues). Pavlefshmëria e një mendimi të tillë është e qartë, sepse po të ishte kështu, kishte për t’u lëkundur e gjithë toka (jo vetëm një pjesë e saj), ndërkohë që realiteti dëshmon të kundërtën, e Allahu është më i ditur”. Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes e shkëputur nga përbledhja e fetvave të tij, vëll. 24, f. 264.

Këtë shpjegim të shkaktarëve natyrorë të të tërmeteve e kanë përmendur edhe studiues të tjerë. Këtë fenomen, nga ana shkencore e kanë trajtuar edhe Havarizmiu, Kazveniu, Ibën Rushdi (Averosi), etj. Ibën Sina (Avisena) në librin e tij “Esh shifa” rendit disa shkaktarë të tërmeteve. Ai e përkufizon tërmetin me këto fjalë:

“Lëvizje që ndodh në një zonë të pjesshme të tokës për shkaqe nëntoksore. Ky shkaktar, sigurisht që vihet në lëvizje dhe këtë lëvizje ia përçon sipërfaqjes së tokës. Trupat që vënë në lëvizje pjesën nëntoksore të tokës mund të jenë gaze të ngrohta me tym, shumë të fuqishme ashtu si stuhitë, ose trupa në gjendje të lëngshëm që rrjedhin, ose gazra (të ftohtë), ose në formë zjarri (llava) ose trupa tokësorë (të ngurtë)”. Shiko librin “Esh shifa” të Ibën Sinës.

Edhe Ibën Hajani me Kazveniun e trajtojnë këtë teori. Të tjerë kanë shtuar edhe një shkak tjetër që kthehet te erozioni i tokës, i shkaktuar nga rrëzimet e shpellave dhe zgavrave nëntoksore, të cilat futen në thellësitë e maleve dhe të tokës dhe gërryen nga ujrat nëntoksore. Në fakt, disa lloje tërmetesh të vogla është vërtetuar të ndodhin nga shkaqe të tilla edhe në shkencën bashkëkohore.

T’i kthehemi edhe njëherë fjalës së Ibën Tejmijes. Jo më kot përzgjodha të paraqes fjalën e tij. Shpeshherë mbizotëron ideja se dijetarët e islamit janë të shkëputur nga kërkimet dhe arritjet shkencore. Ata injorojnë dhe anashkalojnë teoritë shkencore që përpiqen të sqarojnë fenomenet e ndryshme që ndodhin në natyrë.

Në të vërtetë, realiteti është tërësisht ndryshe. Fryma që mbizotëron në trajtimet e dijetarëve islamë është një frymë shkencore, në pajtim me arritjet shkencore të kohës së tyre. Në citimet e mësipërme, Ibën Tejmija nuk shikon asnjë përplasje mes fetares dhe shkencores, përkundrazi ato janë dy aspekte që plotësojnë njëra-tjetrën. Nëse aspekti fetar vështron nga këndvështrimi i urtësisë së zotit në ndodhjen e këtyre fenomene, ai shkencor e vëzhgon fenomenin nga aspekti i shkaktarëve dhe shkaqeve që vetë zoti i ka krijuar. Asnjëri këndvështrim nuk përjashton tjetrin, përkundrazi janë në një harmoni të plotë.

Në anën tjetër vërejmë që Ibën Tejmija, anën natyrore të fenomenit e trajton sipas arritjeve të shkencës në kohën e tij. Ai, Ibën Tejmija, e kthen atë që është fushë e fesë te feja dhe atë që është fushë e shkencës te shkenca. Ai i kundërvihet me forcë bestytnive dhe botëkuptimeve të kota mitike të të paditurve, që e përfytrojnë tokën të mbajtur mbi një dem apo mbi një elefant. Madje, në këto fjalë të shkurtra, ai paraqet shkurtimisht edhe një kundërpërgjigje ndaj mitikes. Në njërën anë kemi mitiken dhe në anën tjetër kemi binomin fe-shkencë që i kundërvihet mitikes dhe supozimeve të saj.

Kjo përplasje mes të vërtetës dhe të kotës mitike vihet re edhe në fjalën e profetit tonë (sallallahu alejhi ue sellem): “Dielli dhe hëna janë dy mrekulli prej mrekullive të Allahut, nuk eklipsohen për shkak të vdekjes së askujt”. Pra ato janë shenja të cilat Allahu ua rikujton robve të tij për të rifreskuar bindjen e thellë të tyre në madhështinë dhe fuqinë e pafund të krijuesit. Gjithësesi, kjo pikë ka nevojë për një trajtim të veçantë, që largon dyshimet dhe paqartësitë që akoma vazhdojnë t’i kanë shumë njerëz sot.

Në anën tjetër, ky shpjegim i hershëm i tërmeteve, të cilin e përmend shehislam Ibën Tejmija në fjalën e tij, nuk është i pabazë në të gjitha aspektet. Edhe sipas shkencës moderne, tërmetet janë disa llojësh. Ato më kryesoret janë tërmetet tektonike, të cilat në parim shkaktohen nga lëvizja e pllakave tektonike. Në të vërtetë, pllakat tektonike nuk lëvizin në mënyrë automate, por diçka i vë ato në lëvizje. Sipas shkencës moderne, është pikërisht presioni i jashtëzakonshëm i llavës në brendësinë e tokës ai që shkakton edhe lëvizjen e këtyre njësive toksore (pllakave tektonike) për t’u përplasur me njëra-tjetrën në forma të ndryshme.

Thelbi i kësaj teorie duket qartë edhe në fjalën e Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili me fjalë të shkurtra na paraqet qartë disa koncepte thelbësore të kësaj teorie. Në fjalën e tij ai përmend trysninë dhe presionin (el indigat – الانضغاط), gazin e ngrohtë (el buhar – البخار). Të tjerë përmendin edhe zjarrin nëntoksor (llavën). Ibën Tejmija e kthen qartë shkakun e tërmeteve te presioni që shtresa nëntoksore e tokës ushtron ndaj asaj të sipërme duke shkaktuar çarje e shpërthme (vullkane) dhe tronditje. Ai shprehet qartë kur thotë: “… dhe trondisin (tokën) në zonat afër saj”, pra pranë presionit dhe trysnisë nëntoksore.

Sipas Ibën Tejmijes, duke qënë që tërmetet janë lokale, edhe forcat nëntoksore që shkaktojnë trysninë janë lokale, rrjedhimisht edhe tërmetet nuk mund të shkaktohen nga lëvizja e demit të supozuar në mitologji. Nëse një supozim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë tërmetet do të ishin gjithëpërfshirëse dhe totale, jo të lokalizuara në zona të ngushta. Në fakt ky është një arsyetim shkencor të cilin Ibën Tejmija e përdor për të hedhur poshtë botëkuptimet mitike.

Si mbyllje, mund të themi që teoritë moderne të shpjegimit të tërmeteve nuk janë totalisht të shkëputura nga ato të vjetrat, siç mund të kujtojë ndokush. Përkundrazi, ato janë zhvillim i mëtejshëm i tyre, duke hedhur poshtë disa anë të tyre dhe pasuruar anë të tjera, por pa hedhur poshtë thelbin e trajtimit në tërësi. Edhe shpjegimet dhe toeritë bashkëkohore përbëhen nga ato që janë fakte të padiskutueshme shknecore dhe të vërtetuara empirikisht (që realisht nuk janë të shumta) dhe ato që janë diskutueshme dhe të mundshme, mbase të cilat, njeriu në një të ardhme jo të largët do t’i hedhë poshtë apo do t’i modifikojë për t’i zhvilluar akoma më shumë, e Allahu është më i ditur.

Hoxhë Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit