4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Telenovelat turke dhe spanjolle që janë përhapur shumë në kanalet televizive çfarë gjykimi kanë – A duhet t’i shikojë ato muslimani?

Më të lexuarat

Në fillim përpara se të përgjigijem do të thoja se telenovelat turke në veçanti nuk përfaqësojnë popullin muslimanë turk, sepse ata janë të njohur për moralin e tyre, dashurinë e fesë dhe qëndrimin e tyre pranë çështjeve të muslimanëve kudo dhe këto telenovela nuk paraqesin vetëm një segment të rënë të shoqërisë turke.

Shikimi i këtyre telenovela qofshin ato turke apo spanjolle apo edhe të tjera është haram, e ndaluar. Nuk duhet që një musliman apo një muslimane që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit të ulet pranë ekranit të TV në kohën që këto telenovela janë duke u transmetuar, ashtu siç nuk duhet të lejojë që pjesëtarët e famijes t’i shohin për të mbrojtur veten e tij dhe pasardhësit e tij nga arsyet e devijimit dhe metodat e vesit dhe imoralitetit.

Allahu thotë në Kuran: “O ju që besuat! Ruani veten tuaj dhe familjen tuaj prej zjarrit..” [Tahrim: 6]

Nuk ka asnjë dyshim që ato telenovela janë të mbushura me shumë prej gjërave që janë në kundërshtim me fenë Islame duke filluar që nga tematika e këtyre telenovelave e cila thërret për imoralitet; muzika dhe instrumentet muzikore që shoqërojnë intervalet e këtyre telenovelave, gra të stolisura pa mbulesë dhe me tualet …etj, dhe të gjitha këto janë të ndaluara në Islam.

Po kështu aktorët që luajnë në këto telenovela mund të ndikojë negativisht te shikuesi, për tu magjepsur pas bukurisë së aktorit ose aktores, duke u bërë pre e shejtanit për t’i marrë këta artistë idhuj në jetën e tij. Ashtu siç mund të ketë edhe skena që janë haram shikimi i tyre.

Është detyrë e çdo muslimani që të ulë vështrimin nga ajo që Allahu ka ndaluar, ashtu siç Allahu thotë në Kuran:

“Thuaju besimtarëve që të ndalin shikimin e tyre (prej haramit) , të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ata. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Dhe thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimin e tyre dhe të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre” [Nur: 30-31].

Më poshtë do të përmend edhe mendimet e dijetarëve për keto telenovela.

  1. Është pyetur Shejkh Ibn Uthejmin –Allahu e mëshiroftë- për të tilla telenovela dhe ëhtë përgjigjur:

“Shikimi i tyre është një humbje kohe dhe ndoshta është shkak që njeriu të shikojë pamje që janë haram vështimi i tyre.”

  1. Ndërsa Ibn Baz –Allahu e mëshiroftë- kur është pyetur për shikimin e telenovelave në të cilat gratë janë të pambuluara, është përgjigjur:

“Shikimi i këtyre telenovelave është haram për shkak të  rrezikut të madh që mund të shkaktojë si: sëmundje të zemrës dhe vdekjes së xhelozisë së burrit dhe ndoshta mund ta zvarritë atë të bëjë atë që Allahu ka ndaluar, qoftë shikuese femër apo mashkull. Zoti i dhëntë të gjithëve sukses për atë më të cilën fitohet Kënaqësia e Tij dhe sigurimi nga arsyet e Zemërimit të tij”

  1. Ndërsa Shejkh Salih El- Feuzan është përgjigjur:

“Muslimani duhet të ruajë kohën e tij dhe ta shfrytëzojë në dobi të tij dhe në atë që përfiton prej saj në këtë botë dhe në botën tjetër; sepse ai është përgjegjës për kohën e tij dhe për çfarë e ka shfrytëzuar? Allahu thotë: “Po a nuk u dhamë juve jetë aq sa ai që ka dashur të mendojë gjatë kësaj kohe, ka mundur të mendojë gjatë kësaj kohe” [Fatir: 37].Dhe në hadith është transmetuar që njeriu do të pyetet për kohën ku e kaloi atë…

Shikimi i këtyre telenovelave është humbje e kohës; muslimani nuk duhet të merret me shikimin e tyre dhe nëse ato telenovela përfshijnë munkerat (morale të këqija) si p.sh, gra të zbuluara, muzikë dhe këngë, shikimi i tyre është haram, Gjithashtu është haram edhe shikimi i atyre telenovelave që mbartin ide kundërshtuese të fesë dhe moralit, edhe atyre telenovelave, të cilat përfshijnë skena të turpshme që e prishin moralin. Të gjitha këto lloje të telenovelave është haram (e ndaluar) shikimi i tyre”

Dhe nëse këto telenovela tematika e tyre është përbuzje e Islamit dhe përçmimi i ligjeve fetare të fesë, atëherë ndalimi për shikimin e tyre është akoma edhe më i madh.

Së fundi: këshilloj çdo motër muslimane që është sprovuar me këto telenovela që t’i lerë ato për Hir të Allahut, të mos bëhet pre e shejtanit dhe të humbasë kohën e saj të çmuar në gjëra që nuk do të përfitojë, por do të jenë llogari e rëndë për të Ditën e Gjukimit. Unë jam e bindur që nëse do të zëvendësohen këto telenovela me emisione fetare do të gjendej akoma më qetësi dhe do të ndjeheshe akoma më mire shpirtërisht.

Allahu na mundësoftë që të shfrytëzojmë kohët tona në ato gjëra që Zoti është i kënaqur me ne dhe larg Zemërimi të Tij!

Shkroi: Adelina Kuçana

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit