1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Të ushqyerit hallall

Më të lexuarat

Allahu e ka nderuar njeriun duke e bërë atë mëkëmbës të Tij në tokë, duke krijuar gjithçka e rrethon në shërbim të tij, duke krijuar mirësi e begati të panumërta që ai t’i përdorë. Kjo bujari dhe mirësi e Allahut tregohet në shumë ajete kuranore. Së bashku me këtë njeriut i tregohet qartë dhe rreth asaj që njeriu e ka të lejuar apo të ndaluar ta përdorë.

“O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.” (Kuran, 2:168). Më tej gjejmë një tjetër ajet ku besimtarëve u tërhiqet vëmendja në përdorimin e ushqimeve të lejuara: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (Kuran, 2: 172)

Të ushqyerit hallall, apo me të lejuarën, është një temë shumë e rëndësishme në jetën e një besimtari. Përveç ajeteve e haditheve të shumta ku vërehet qartë rëndësia e kësaj teme, mund të themi se sot, në kohët moderne, ka studime të shumta që tregojnë ndikimin e ushqimit te njeriu. Vendosja e kufijve në jetën e besimtarit nuk shikohet si privim, por si liria e vërtetë që i jepet njeriut. Në fakt, vendosja e këtyre kufijve nga vetë Zoti i gjithësisë, është një nga begatitë më të mëdha që i është dhënë njeriut. Kurani është fjala e Allahut dhe këshillat, mësimet dhe urdhrat që gjenden në të janë për të gjithë njerëzimin e për të gjitha kohërat. Se ç’është e mirë dhe ç’është e dëmshme për shpirtin dhe jetën e njeriut, një besimtar mund ta mësojë shumë lehtë në parimet universale të skicuara qartë në Kuranin Famëlartë. Këtë e vërejmë qartë në ajetin: “Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Kuran, 7:157). Lejimi i të mirave e ndalimi prej të këqijave në vetvete fsheh shumë mësime. Në këtë ajet, njeriut i thuhet qartë se ato që Zoti ka urdhëruar të bëhen, janë të mira, e ato që ai ndalon janë të këqija. E kuptojmë apo jo ne urtësinë e shumë prej urdhëresave apo ndalesave që ndodhen në Kuran, ky është një parim që çdo besimtar duhet t’i besojë palëkundshmërisht. E njëjta vlen dhe në aspektin e të ushqyerit. Zoti ka krijuar ushqime, fruta, pije e begati të panumërta. Përveç aspektit të sprovimit (sprova mund të ishte dhe me ndalimin e njeriut nga diçka jodomosdoshmërisht e dëmshme) Ai e di ç’është e mirë dhe ç’është e dëmshme për njeriun. Kjo ka vlejtur shekuj më parë, kur mjekësia nuk ishte aq e zhvilluar sa ç’është sot. Por do të vlejë dhe në të ardhmen. Kjo sepse shkenca e mjekësisë, thjesht do zbulojë urtësitë e këtyre ndalimeve të të ushqyerit me gjëra të caktuara.

Në Islam, një nga çështjet që i tregohen me imtësi besimtarit, është dhe çështja e të ushqyerit. Ç’është e ndaluar dhe ç’është e lejuar. Kjo nuk ka thjesht kuptimin material, por kthehet dhe në një adhurim. Të veprosh atë që urdhëron Zoti e të largohesh prej asaj që Ai ka ndaluar është përgjigje ndaj thirrjes së bërë prej Zotit.

Në një ajet të gjatë rreth kësaj çështjeje Zoti na thotë: “Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë. (Kuran, 5:3)

Përveç atyre që përmendëm më lart, të cilat janë të ndaluara në themel, mishi i derrit, alkooli, kafsha e ngordhur, kafshët e therura për nder të idhujve, mishi jo i prerë në emër të Zotit, mund të kthehet në ushqim i ndaluar (haram) dhe nga mënyra se si është fituar ai ushqim. Pra një ushqim i fituar jo në mënyrë të lejuar kthehet në ushqim haram për përdoruesin. Për këtë arsye, një besimtar që do të ushqehet hallall, nga një anë duhet të ketë kujdes se çfarë ushqimi konsumon, nga ana tjetër duhet të ketë kujdes rrugët se si ai e fiton këtë ushqim. Ryshfeti, vjedhja, hilja në tregti, etj., janë elemente që e kthejnë në haram atë ushqim të fituar prej këtyre akteve.

Allahu ka krijuar aq shumë begati e mirësi sa njeriu nuk ka nevojë të bjerë në gjynah për t`u ushqyer. Krenaria e njerëzimit na tregon rëndësinë e të mjaftuarit me të lejuarat kur lutet “O Allah, ma mbush shpirtin e zemrën me begatitë hallall, sa të mos ia hedh sytë haramit”. Një dijetar e përkufizon shumë bukur këtë mjaftueshmëri të begative duke thënë: “Rrethi i të lejuarës është i gjerë e mjafton për të kënaqur.”

Po të mendosh sasinë e ushqimeve të ndaluara, vërehet lehtë se ato janë shumë pak në krahasim me çka lejuar Krijuesi i Gjithësisë. Shumë prej sëmundjeve të përhapura gjerësisht në botë sot, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me mënyrën e të ushqyerit. Madje mund të thuhet se jo vetëm sëmundjet fizike, por shumë prej sëmundjeve shpirtërore kanë në pikënisje mënyrën e të ushqyerit.

Profeti Muhamed thotë: “Do të vijë një kohë që njeriu nuk do të vërejë (nuk do t’i japë rëndësi) asaj që merr nëse është hallall apo haram”. Pra, pakujdesia në të ushqyer, nëse ushqehemi hallall apo jo, është një nga shenjat e prishjes së njeriut e shoqërisë. Nga kjo mësojmë se një besimtar i mirë është i kujdesshëm me atë që ushqehet.

Në një rast tjetër Profeti ka thënë: “Kërkimi i hallallit është vaxhib (obligim) mbi çdo mysliman.”

GAZMEND AGA

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit