12.3 C
Pristina
Tuesday, May 28, 2024

Suu Kyi: Nevojitet kohë për zgjidhjen e problemit të Arakanit

Më të lexuarat

Në një deklaratë për gazetarët, Suu Kyi ka thënë se qeveria e cila filloi punën para një viti e gjysmë është duke punuar për mbrojtjen e jetës së muslimanëve të Arakanit

BANGKOK (AA) – Ministrja e Jashtme e Mianmarit dhe Ministrja e Presidencës Aung San Suu Kyi ka thënë se nevojitet kohë për zgjidhjen e problemit të Arakanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetarët, Suu Kyi ka thënë se qeveria e cila filloi punën para një viti e gjysmë është duke punuar për mbrojtjen e jetës së muslimanëve të Arakanit.

“Megjithatë, është e paarsyeshme që të pritet nga ne që brenda 18 muajve të zgjidhim çdo gjë”, ka shtuar ajo.

Suu Kyi më tej është shprehur se janë duke pritur me padurim të zbatojnë rekomandimet e Komisionit Këshillimor të Arakanit të kryesuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Kofi Anan.

“Ne po punojmë aq sa mundemi që të përparojmë shpejt në sferën e zhvillimit, sepse një nga problemet tona më të mëdha është pamjaftueshmëria e resurseve”, ka thënë Suu Kyi.

Peticion për marrjen e Çmimit Nobel nga Suu Kyi

Në ndërkohë, në faqen e internetit Change.org ka nisur peticion për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe nga Suu Kyi, së cilës çmimi iu dha në vitin 1991 për “përpjekje kundër dhunës në favor të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Peticioni me qendër në Indonezi deri më tani ka arritur të tubojë mbi 366 mijë nënshkrime, kurse në të thuhet se ” Liderja de fakto e Mianmarit Suu Kyi nuk ka bërë pothuajse asgjë për të ndaluar këtë krim kundër njerëzimit në vendin e saj”.

Komiteti i Nobelit në përgjithësi nuk anulon çmimet Nobel, duke marrë parasysh punimet dhe proceset e nobelistëve para ndarjes së çmimit.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se mbi 146 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit