9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Stresi dhe ankthi te prindërit me fëmijë të hospitalizuar

Më të lexuarat

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En Nahl, 97).

Asnjë prind nuk dëshiron t’i shohë fëmijët e tij me dhembje, dhe, sigurisht jo në spital.

Prindërit kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e shëndetit të fëmijëve të tyre, duke qenë agjentët kryesorë të përfshirë në kujdesin e drejtpërdrejtë, duke siguruar qasje në shërbimet shëndetësore dhe duke siguruar sjelljet që ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve.(1)

Stresi, ankthi, frika dhe shqetësimet që shoqërojnë shtrimin e fëmijëve në spital janë provë për aftësitë përballuese të prindërve, fëmijës dhe të gjithë familjes.

Komunikimi i lajmit se fëmija duhet të shtrihet në spital te prindërit është një gjendje alarmi dhe shqetësimi, pra një rimendim se diçka është duke ndodhur me familjen/fëmijën. Fëmijët që hyjnë në spital ballafaqohen me shumë elemente të jofamiljarizimit, shohin një numër të fytyrave jofamiljare; aty ata dëgjojnë tinguj dhe aroma jo të zakonshme. Gjithashtu, procedurat jofamiljare, siç janë: ekzaminimi i shenjave vitale, kryerja e analizave të gjakut, si dhe procedurat tjera, fëmijën e konfrontojnë me mjedisin spitalor, dhe kjo mund të shfaqë një ankth te fëmija, por gjithashtu edhe te prindërit.

Me pranimin e fëmijës së tyre në spital të gjithë prindërit do të përjetojnë stres. Disa studime kanë gjetur rritje të stresit në familjet e fëmijëve me sëmundje të ndryshme, të tilla si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës dhe patologjitë tjera kronike.(2) Ndërsa, ekzistojnë një varg hulumtimesh që sugjerojnë se stresi i prindërve ka pasoja shumë serioze në shëndetin dhe rezultatin e sjelljeve të fëmijëve. Niveli i ankthit dhe stresit dallon edhe në bazë të llojit të sëmundjes që ka pacienti. Kujdestarët e fëmijëve të shtruar në spital për sëmundjet e buta akute perceptojnë një nivel më të ulët të stresit dhe ankthit në krahasim me kujdestarët e fëmijëve të shtruar në spital për sëmundjet kronike. Mirëpo, sot mjekët janë të mendimit se një vetëpërmbajtje e qetësisë dhe vetëbesimit është thelbësore për mbrojtjen nga efektet e stresit. Një natyrë e qetë dhe paqësore e njeriut është e mundur të arrihet vetëm përmes të jetuarit sipas Kuranit. Pikërisht për ketë në shumë ajete të Kuranit është shpallur se Allahu i dhuron qetësi besimtarëve. Premtimi i Zotit tonë për besimtarët është shpallur si në vijim: ”Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En Nahl, 97).

Stresi dhe llojet e tij

Stresi sot është bërë një çështje shumë e popullarizuar. Të gjithë ne, kohë pas kohe, përjetojmë stres. Por çka është stresi? Stresi është përjetim i ngjarjeve si rrezikim i mirëqenies fizike dhe psikologjike. Këto ngjarje janë të njohura si stresuese, kurse reagimet e njerëzve ndaj tyre quhen reagime ndaj stresit.(3)

Në një klasifikim më të përgjithshëm, stresi ndahet në: Eustres-stresi pozitiv, ose i dobishëm; dhe Distres-stresi negativ ose i dëmshëm. Por, në varësi të kohës, kemi edhe stresin afatgjatë dhe stresin afatshkurtër. Stresi afatgjatë është shumë i dëmshëm, madje shkakton edhe dëmtime dhe çrregullime në pjesë të ndryshme të organizmit. Shtrohet pyetja se sa ka ndikim stresi te ne? Stresi mund të ketë ndikim serioz në shëndet, sidomos nëse ai bëhet kronik. Ai godet sistemin nervor, zemrën dhe qarkullimin e gjakut, sistemin imunitar, derivon ankth dhe vështirësi në të kuptuar, etj. Por, nëse kemi pak stres, është normale, madje edhe e nevojshme për të pasur një jetë të ndryshueshme. Përgjithësisht, përgjigja ndaj stresit mund të jetë e dobishme kur reaksioni i shpejtë ndaj tij bëhet i dobishëm.

Përballimi i stresit

Stresi është i pashmangshëm në jetë, por ajo që ne mund të bëjmë është përpjekja për ta menaxhuar atë. Menaxhimi i stresit ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll të shkallës së stresimit në të cilën ndodhemi, si dhe me ndikimin drejt zvogëlimit të tij. Në fushën e menaxhimit të stresit përmendet lloj-lloj strategjie e teknike, ndërmjet të cilave janë analizuar e verifikuar si efektive, veçmas: përkrahja emocionale nga të tjerët, meditimi dhe relaksimi. Krizat jetësore, tragjeditë, e po kështu edhe stresi, përballohen më lehtë kur ndahen me të tjerët. Format e ndryshme të meditimit gjithashtu janë dëshmuar si efektive në përballimin e stresit. Ato janë shfrytëzuar fillimisht te popujt e Lindjes, e sot janë marrë dhe shfrytëzohen dendur edhe në Perëndim.

Zotërimi i relaksimit të muskujve është një shkathtësi e vlefshme për kontrollimin e stresit dhe zvogëlimin e dhembjes që shkakton ai. Stresi dhe relaksimi nuk mund të koekzistojnë. Relaksimi është thelbësisht çlirim nga stresi, me ç’rast trupi vjen në gjendje pushimi dhe mund të këndellet.(4)

Ankthi

Me gjithë vështirësinë e një përkufizimi, ankthi mund të shquhet si një ndjenjë e vagët dhe e pakëndshme frike, mërzie dhe shqetësimi për të ardhmen. Fjala ankth rrjedh nga fjala “mare”, që në anglishten e vjetër kishte kuptimin e një pele, kali femër, e që në kuptim figurativ lidhet me një demon mitologjik ose një ngacmues që mundonte të tjerët me ëndrra të frikshme.(5)

Secili që pret lajme të rëndësishme, ose që jeton në një situatë të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme, mund të ndiejë ankth. Kjo është një gjendje e përgjithshme tensioni psikologjik ose shqetësimi.(6)

Simptomat e ankthit dhe kontrollimi i tij

Shkaktari i saktë i çrregullimit të ankthit është i panjohur, ndërsa shkencëtarët mendojnë se është pasojë e ndryshimeve në tru, si dhe stresit të jashtëm. Simptomat varen nga lloji i çrregullimit të ankthit. Megjithatë, ekzistojnë disa simptoma të përgjithshme si: ndjenja e panikut, frikës dhe shqetësimit, mendimet e pakontrolluara, mendimet e përsëritura të ndonjë përjetimi traumatik, ëndrrat e këqija, sjelljet ritualiste, p.sh.: larja e përsëritur e duarve, problemet me fjetje, duar ose këmbë të ftohta, frymëzënie, palpacione, tharje goje, mpirje apo ndjesi shpimi në duar apo këmbë, nauze, tension muskulor, marramendje, diagnostikim, etj.(7) Të gjithë përjetojmë ankth në momente të caktuara të jetës, sidomos në çaste kritike: kur kemi të sëmurë ndonjë anëtar të familjes, etj. Pra, ankthi është pjesë e jetës tonë.

Mënyrat për menaxhimin e ankthit janë:

Mos i lejoni ankthit të zaptojë gjithë orët e ditës suaj

– Nëse një pjesë të mirë të ditës ia dedikoni mendimeve ankthioze, atëherë është shumë e vështirë që të jeni produktiv dhe të funksiononi shëndetshëm. Për të arritur këtë, caktoni një orar dhe një vend për t’ia dedikuar ankthit (le të themi 6:00-6:20, në dhomën e gjumit)! Gjithashtu, sigurohuni që orari nuk është afër orarit të gjumit, se përndryshe mund të keni problem me gjumin!

– Mësohuni si të qetësoheni dhe të relaksoheni – Ankthi nuk është vetëm psikologjik, pra shkaktohet dhe shoqërohet edhe me reagime fiziologjike. Për t’i përvetësuar sa më mirë këto teknika është mirë që një pjesë të mirë të ditës të fillohet me 30 minuta ushtrime relaksimi. Me kalimin e kohës këto teknika bëhen të natyrshme, dhe aftësia për t’u relaksuar gjatë përjetimit të ankthit rritet.

Kujdesuni për veten – Një stil jetese i balancuar dhe i shëndetshëm gjithashtu ndihmon në menaxhimin e ankthit dhe simptomave të tij. Është e rëndësishme që gjatë ditës të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme, duke ngrënë vakte të shpeshta por të vogla në sasi.(8)

Krejt kjo hyrje shërben sa për të pasur idenë mbi ankthin dhe stresin, sidomos në vazhdim, kur do të paraqesim edhe një hulumtim që kemi bërë gjatë vitit të kaluar. Qëllimi i këtij studimi është hetimi i perceptim mit të nivelit të stresit dhe ankthit te prindërit që i kanë fëmijët e hospitalizuar. Hulumtimi është bërë në Spitalin Rajonal në Ferizaj, në departamentin e Pediatrisë.

Objektivat tona ishin: matja e shkallës së nivelit të ankthit dhe stresit te prindërit që i kanë fëmijët e hospitalizuar; sa është niveli i stresit dhe ankthit te nëna dhe sa te babai, sipas gjinisë së fëmijës; diferenca e shkallës së stresit dhe ankthit në bazë të numrit të fëmijëve, etj. Hulumtimi që kemi bërë është i bazuar në grumbullimin e të dhënave kuantitative, pra është përdorur metoda deskriptive prospektive. Mbledhja e të dhënave është bërë me pyetësor të strukturuar dhe plotësisht anonim, ndërsa në hulumtim janë përfshirë 50 prindër, dhe është realizuar gjatë periudhës shkurt- prill2014. Të dhënat e fituara janë grupuar sipas pyetjeve të parashtruara, dhe pastaj është bërë përpunimi statistikor i tyre. Nga analizat statistikore janë llogaritur: frekuenca, përqindja, devijimi standard, mesatarja aritmetike dhe signifikanca.

Siç edhe e thamë, në hulumtim kanë marrë pjesë gjithsej 50 participues, prindër. Nga analizimi i participuesve sipas gjinisë, vërehet se 27 ose 54 % ishin baballarë, kurse 23 ose 46 % nëna.

Në klasifikimin e të anketuarve sipas vendbanimit, nga gjithsej 50 të anketuar, kuptojmë se 31 ose 62 % janë nga fshati, kurse 19 ose 38 % janë nga qyteti.

Prindërit pjesëmarrës në këtë hulumtim kanë treguar se 37 ose 74 % të fëmijëve kanë qenë të hospitalizuar një herë, ndërsa 9 ose 18 % prej tyre dy herë, pastaj 2 ose 4 % tri herë, dhe po ashtu 2 ose 4 % kanë qenë të hospitalizuar katër herë. Shihet pra se shumica e fëmijëve kishin hospitalizimin e parë. Nga rezultatet e fituara konkludojmë se në mes numrit të hospitalizimeve kemi një dallim signifikant. Gjithashtu kemi prezantuar edhe numrin e fëmijëve që kanë prindërit pjesëmarrës. Nga gjithë pjesëmarrësit, 15 ose 30% kanë vetëm një fëmijë; 12 ose 24 % kanë dy fëmijë; 9 ose 18% kanë tre fëmijë; 8 ose 16% kanë katër fëmijë; 3 ose 6% kanë pesë fëmijë; dhe një ose 2 % kanë nga gjashtë, shtatë apo tetë fëmijë.

Rezultatet e fituara nga pyetja se cili fëmijë me radhë është i hospitalizuar, japin këto të dhëna: 18 ose 36 % të prindërve janë përgjigjur se e kanë fëmijën e parë; 15 ose 30 % fëmijën e dytë; 9 ose 18% fëmijën e tretë; 6 ose 12 % fëmijën e katërt; një ose 2 % fëmijën e pestë dhe, gjithashtu, edhe një apo 2% fëmijën e gjashtë.

Është paraqitur edhe numri i anëtarëve që jetojnë në një familje, ndërsa minimumi i anëtarëve është 3, e maksimumi është 17. Kurse mesatarja nga kjo është 7 anëtarë, e Devijimi Standard 2.8. Gjithashtu është prezantuar edhe përqindja e të ardhurave për një muaj për secilën familje. Nga analizimi i të dhënave kemi kuptuar se: 21 ose 42% të pjesëmarrësve kanë të ardhura të ulëta; 18 ose 36% të ardhura të mesme; dhe 11 ose 22% të ardhura të larta. Fatkeqësisht, shihet se përqindja pak me e madhe e pjesëmarrësve i takojnë familjeve me të ardhura të ulëta, por nuk shihet dallim singnifikat me familjet me të ardhura të mesme.

Janë prezantuar edhe statistikat përshkruese të moshës së fëmijës, numrit të anëtarëve të familjes si dhe numrit të fëmijëve. Mosha e fëmijëve, më e vogla, është një vjeçare, dhe më e madhja dhjetë vjeçare, ndërsa mesatarja është tri vjeçare. Numri i anëtarëve që jetojnë në familje minimumi është 3 anëtarë, e maksimumi 17, ndërsa mesatarja është 7. Numri i fëmijëve minimumi është 1 fëmijë, e maksimumi 9 fëmijë, ndërsa mesatarja është 3 fëmijë.

Është paraqitur edhe niveli i stresit në bazë të gjinisë së fëmijës. Mesatarja e nivelit të stresit te vajzat është 57.8, ndërsa te djemtë është 60.1, kurse devijimi standard është 5.4 te vajzat dhe 4.9 te djemtë. Duke analizuar stresin e raportuar te prindërit sipas gjinisë së fëmijës së hospitalizuar, kemi konkluduar se nënat që i kanë fëmijët vajza të hospitalizuar e kanë nivelin e stresit pak më të ulët sesa kur i kanë fëmijët meshkuj, edhe pse nuk shihet dallim i madh singnifikant. Për të vërtetuar nëse gjinia e fëmijës nuk ndikon në përjetimin e stresit te prindërit, është përdorur MANOVA (2×2) (gjinia e prindit x gjinia e fëmijës). Nënat kanë raportuar nivel të stresit më të lartë te djemtë, me vlerë 60.4, kurse për vajzat 55.85, kurse baballarët kanë raportuar nivel pak më të lartë të stresit për vajzat, me 60.32, në krahasim me djemtë, ku ka dalë 59.20. Baballarët, për dallim nga nënat, kanë raportuar nivel më të përafërt të stresit për të dy gjinitë.

Është paraqitur edhe ankthi sipas numrit të hospitalizimeve, dhe na bën të kuptojmë se prindërit që kanë pasur për herë të parë fëmijën hospitalizuar kanë pasur mesataren e shkallës së ankthit diku rreth 5,9, dhe devijim standard 3.4. Ata që kanë pasur për herë të dytë e kanë pasur shkallën e ankthit 7.5, dhe devijimin standard 3.2, e për herë të tretë kanë pasur shkallën e ankthit 10.00, dhe devijim standard 4.2. Kurse, prindërit që i kanë pasur fëmijët e hospitalizuar për herë të katërt shkallën e ankthit e kanë pasur 5.5, dhe devijim standard 4,9. Nga gjithsej 50 pjesëmarrës, mesatarja e përgjithshme e ankthit del se është 6,4, dhe devijimi stadard 6,54.

Nga analizimi i rezultateve të fituara konkludojmë se prindërit që kanë pasur fëmijët e hospitalizuar për herë të 3-të kanë pasur nivel me të rritur të ankthit. Nuk është gjetur lidhshmëri në mes të ankthit dhe numrit të hospitalizimeve.

Është paraqitur gjithashtu edhe korrelacioni në mes të numrit të fëmijëve dhe të ardhurave në familje.

Nga të dhënat e fituara kuptojmë se korrelacioni është signifikant, me besueshmëri 0.01. Variabla jonë shpjeguese është gjinia e prindit. Prindërit e gjinisë mashkullore dhe ata të gjinisë femërore janë analizuar për lidhshmërinë me stresin e përjetuar gjatë periudhës së hospitalizimit të fëmijës. Duke i krahasuar këto grupe kemi gjetur se baballarët që kanë fëmijët e shtruar në spital kanë raportuar ankthin në vlerat (M=60, DS=5.0), ndërsa nënat (M=58.4, DS=5.5). Ndërsa, për të testuar hipotezën që gjinia e prindit është e lidhur me nivelin e stresit të përjetuar është përdorur t-testi.

Duke bërë analizimin e stresit të raportuar sipas moshës së nënës dhe moshës së babait, mund të konkludojmë se të dy prindërit ka_në raportuar stres të njëjtë, dhe kanë një korrelacion të lartë, ku r = 0.80 te mosha e nënës, dhe r = 0.90 te mosha e babait.

Pasi kemi bërë analizimin në mes të numrit të anëtarëve të familjes, numrit të fëmijëve, dhe të ardhurave materiale, kemi fituar këto rezultate: r = -081 te numri i antarëve, r = -121 te numri i fëmijëve, si dhe r = 063, të ardhurat, që konkludon në një korelacion të fortë në mes të numrit të anëtarëve dhe numrit të fëmijëve, kurse me të ardhurat materiale në një korrelacion të mesëm. Ankthi i përjetuar prej prindërve është në korrelacion pozitiv me stresin, në mënyrë signifikante, që do të thotë se sa më i madh ankthi, aq më i madh është edhe stresi i përjetuar te prindërit.

Nga gjithsej 50 prindër pjesëmarrës, si dhe nga analizimi i të gjithë participuesve sipas gjinisë, mund të kuptojmë se numri më i madh i takojnë gjinisë mashkullore. Ky rezultat konludon në rritjen e numrit të kujdesit të baballarëve ndaj fëmijëve të tyre, që është një rezultat pozitiv për vetëdijesimin e shoqërisë tonë.

Gjithashtu, kur kemi bërë analizimin e nivelit të stresit dhe ankthit në bazë të gjinisë së fëmijës dhe gjinisë së prindit, kemi vërejtur ndryshime. Në hulumtimin tonë kemi gjetur se baballarët kanë nivel pak me të lartë të stresit dhe ankthit kur i kanë fëmijët vajza të hospitalizuara sesa kur i kanë fëmijët meshkuj. Kjo është një dukuri që edhe mua më ka befasuar, duke pasur parasysh se në vendin tonë shumë baballarë dëshirojnë që patjetër ta kenë një fëmijë mashkull në familje, dhe, kur djemtë sëmuren, gjer tani ata çdoherë kanë paraqitur një gjendje shqetësimi më të madh, e nganjëherë edhe të përcjellë me lot, për dallim që kur i kishin fëmijët vajza të sëmura shumë shpejt, me disa fjalë, mund të gjenin ngushëllim. Fatmirësisht, në rezultatet tona të fituara nga ky hulumtim kemi vërejtur se kjo dukuri është ndryshuar. Pra, tash prindi është më i stresuar edhe kur e ka fëmijën vajzë të hospitalizuar, për dallim që më parë nuk ishte. Në anën tjetër, ekziston edhe një arsyetim për këtë. Duke qenë se vajza është e dedikuar të dalë nga shtëpia-martohet, për prindin gjithmonë është brengë në vete ruajtja e saj, e shëndetit dhe gjendjes së saj.

Allahu, Shëruesi Absolut i çdo sëmundjeje

Ajo çka ishte karakteristike gjatë plotësimit të pyetësorëve është fakti se shumica e prindërve, edhe përkundër ankthit që e kishin fëmijën në spital, e kishin një mbështetje te Zoti, dhe kështu shpreheshin: “Po Zoti kështu ka thënë.” Gjatë plotësimit të pyetësorëve, një nënë që kishte djalin e hospitalizuar, e që e kishte pas tri vajzave, me la mbresa me një shprehje që ma tha derisa isha duke e ndihmuar në plotësimin e pyetësorit.

Pyetja ishte: “A mendon se nuk të do askush?”, ndërsa përgjigjja qe: “Edhe nëse nuk më do askush, e di që Zoti më do.” Kjo më asocoi në faktin se, edhe përkundur stresit dhe ankthit që kishte, ajo kishte gjetur të ngushëllonte veten te Zoti, shëruesi Absolut i çdo sëmundjeje, dhe kështu kishte gjetur një mbështetje për të mos rënë në depresion. Ndërsa tashmë veç është dëshmuar se besimi në një fuqi absolute largon çdo stres dhe ankth.

Për shkak se besimtarët janë psikikisht të shëndoshë, ata nuk janë pre e stresit, dhe kështu trupat e tyre janë gjithmonë të përgatitur dhe të shëndoshë. Efektet pozitive të nënshtrimit të tyre ndaj Allahut, besimi në Të, pastaj qëndresa duke kërkuar të mirën në çdo gjë, të pranuarit e asaj që ndodh me shpresën në premtimet e Tij, përgjithësisht reflektohen në gjendjen fizike të secilit person. Kjo sigurisht se vlen vetëm për ata që jetojnë sipas vlerave morale të Kuranit, dhe që me të vërtetë kanë kuptuar fenë. Zoti xh.sh., thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…” (Ta Ha, 124).

Pa marrë parasysh se sa keq ju e perceptoni situatën tuaj, si depresive apo të dëshpëruar, nuk duhet menduar si zgjedhje të hequrit dorë nga Allahu, nga besimi në Të. Po vepruat ashtu, vepra juaj është e barasvlershme me mosbesim.

”…e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun!” (Jusuf, 87),

Kur ju ndiheni të zhytur plotësisht në stres, përmendeni Allahun, dhe do ta shihni se do të ketë efekt!

“Dhe Zoti juaj thotë: “Më thirrni Mua, Unë do të përgjigjem!” (Gafir, 60).

Duke u mbështetur vazhdimisht në Allahun xh.sh., është një pjesë e brendshme e jetës tuaj që është shumë stabile, dhe assesi nuk lë stresin të mbisundojë në ju.

lbn Mesudi transmeton se Muhamedi a.s., ka thënë: “Nëse ndonjë shërbëtor i Allahut është i goditur me ankth apo hidhërim, le ta bëjë këtë lutje, e lutja e tij do të pranohet: “O Allah, unë jam shërbëtori Yt, bir i shërbëtorit tënd, bir i shërbëtores sate. Balli im është në dorën Tënde. Komanda Juaj për mua mbizotëron, dhe vendimi Juaj për mua është i vetëm. Bëj thirrje te Ti nga çdonjëri nga emrat e bukur me të Cilët Ju keni përshkruar Veten, ose që ke reveluar në librin Tuaj, ose që e ke mësuar dikë prej krijesave Tua, ose që e ke zgjedhur për të mbajtur njohurinë e padukshme me Ju, për të bërë Kuranin kënaqësinë e zemrës time, dritën e gjirit tim, dhe mbartësin e brengave të mia, dhimbjes dhe mundimit”. Nga një lutje me këto fjalë Allahu do të përgjigjet. Allahu do ta largojë pikëllimin e dikujt dhe ta zëvendësojë atë me gëzim dhe lumturi.”(9)

Të jetojmë pa stres dhe ankth!

Nga hulumtimi i gjertanishëm mund të nxjerrim propozimet në lidhje me nivelin e stresit dhe ankthit te prindërit që i kanë fëmijët e hospitalizuar. Ndër pikat propozuese që do të mund të kishim përmendur janë:

Më e rëndësishmja është besimi në Zot. Besimi se çdo gjë ndodh me caktimin e Tij, dhe vetëm Ai mund të na ndihmojë në përmirësimin e gjendjes së fëmijës;

Për të parandaluar ankthin dhe stresin duhet të kemi psikologë klinikë në secilën qendër të Pediatrisë. Pra, propozimi ynë është që në secilën qendër të Pediatrisë të ketë psikologë;

Të promovojmë një stil të jetës pa stres dhe ankth; Krijimi i dhomave për takim me personat tjerë që kanë fëmijë të hospitalizuar, dhe bashkëbisedimi mes tyre, sepse duke u shprehur njeriu e largon stresin;

Çdo spital pediatrik të ketë një dhomë me lodra, ku fëmijët e hospitalizuar do të mund të kalojnë një pjesë të ditës, dhe, prindërit, duke i parë fëmijët e tyre pranë lodrave dhe të hareshëm, do ta ulnin nivelin e stresit dhe ankthit;

Prindërit e fëmijëve të sëmurë në vazhdimësi duhet të marrin njohuri rreth rrugëve dhe mënyrave të trajtimit të fëmijëve të tyre, për të rritur dhe zgjeruar aftësitë dhe kapacitetet e tyre për t’u përballur me sëmundjet e fëmijëve të tyre.

Mbështetja emocionale e prindërve nga ana e personelit shëndetësor, duke i bërë të ndiejnë se nuk janë vetëm, por edhe duke i njoftuar edhe me prindërit e tjerë që kanë fëmijë të sëmurë, apo duke i këshilluar se do të bëhet mirë.

Të menduarit pozitivisht, se fëmija do të shërohet shumë shpejt… etj.

__________________________

(1) Bonichini S, Axia G, Bornstein MH: Validation of the Parent Health Locus of Control Scales in an Italian Sample. ltalian journal of Pediatrics 2009, p.35.

(2) Greer AJ, Gulotta CS, Masler EA, Laud RB. Caregiver stress and outcomes of children with pediatric feeding disorders treated in an intensive interdisciplinary programjournal of Pediatric Psychology. 2008;33(6):612-620. dol:10.1093/jpepsy/jsm116.

(3) Pajazit Nushi, Neki Juniku, Dashamir Bërxulli, Psikologjia 11, Libri Shkollor, Prishtinë, 2006, f. 75

(4) Po aty, f. 76.

(5) Liberman, Anatoly (2005). Word Origins And How we Know Them. Oxford: Oxford University Press. Retrieved 29 March 2012. p. 87.

(6) P.N., N.J., D.B., Psikologjia 11, Libri Shkollor, Prishtinë 2006, f. 204.

(7) http://www.shiptarja.com/shendetesi/2712/ si të rregullojmë çrregullimet e stresit dhe ankthit të sjelljes sociale. Data, 12.04.2015.

(8) http://www.telegrafi.com/shendetesi/vuani-nga-ankthi-ja-si-te-çliroheni-prej-tij-56-108.html Dr. Enila Cenko Psikologe. Data 12.04.2015.

(9) http://theislamicworkplacecom/stress/ Burimi: Transmetuar nga Ahmedi dhe Ibn Hibban data 13.04.2015.

Msc. Ass. Teuta Borovci-Jaha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit