12.2 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

S’KA MA TURP! Fabian Zhilla

Më të lexuarat

S’KA MA TURP!
Fabian Zhilla

Në vitin 1987, Robert Pattison “profetizoi” përthyerjen e kulturës nga prurjet e reja kryesisht muzikore, të cilat sipas tij po sillnin një ridimensionim të moralit publik. Format e reja muzikore, siç ishte rroku i viteve ‘60 në SHBA, po orientonin pritshmëritë e shoqërisë në një kulturë pa substancë, pa identitet dhe pa përbërës ndërtues dhe edukues. Jo pa qëllim Pattison-i e fillon librin e tij me një koment të Barbara Tuchman në vitin 1980 mbi rënien e cilësisë së gazetës “New York Times”. Tuchman do të shprehej: “Kjo është epoka e vulgaritetit. Shkolla ka mbaruar përgjithmonë. Ata po kërcejnë në rrugë. Dashuria është zhvendosur në një ndërtesë nën zgjarr. Çfarë po ndodh kështu? Ka triumfuar vulgariteti. Vulgariteti ka triumfuar.”

Edhe pas kaq vitesh, teza e Pattison-it duhet lexuar me kujdes në kontekstin e një shoqërie e cila por asocializohet nga ndikimi kapilar i teknologjisë dhe mediave sociale. Qasja e Pattison-it rreth vulgaritetit të artit dhe kulturës mund të reflektohet fare mirë në atë se çfarë po ndodh sot me disa programe reality show në Shqipëri.

Ky shkrim është përshtatje e një artikulli të botuar në gusht të vitit 2022, i cili kishte si objektiv kritikën ndaj disa programeve reality show në moralin publik dhe kryesisht të rinjve. Artikulli në fjalë u bë shkak që më pas një grup intelektualësh të ndërmerrnin një nismë qytetare të quajtur “S’KA MA TURP!” e cila u shtri gjatë muajve gusht-tetor 2022. Kjo nismë vetëm për dy muaj arriti të mblidhte mbi 10 000 firma në qytetet kryesore të vendit. Peticioni i kërkonte institucioneve zyrtare të ushtronin funksionet e tyre në lidhje me kufizimin e këtyre pasojave negative mbi kulturën dhe qasjen mbi vlerat pozitive. Qëllimi kryesor i kësaj nisme është ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi përmbysjen e vlerave, rrezikun e ridimensionimit të artit dhe kulturës, shtyrjen në periferi të cilësisë dhe sjelljen në qendër të artit pa art. Shqetësimi i nismës qytetare “S’KA MA TURP!” tashmë po gjen përkrahje edhe në media, shoqëri, intelektualë të njohur dhe platforma intelektuale, siç është dhe revista “Medius”, të cilat i konsiderojnë vlerat kulturore si element mjaft të rëndësishëm të zhvillimit të një shoqërie të civilizuar. Në këtë kontekst, ky shkrim do të risjellë edhe një herë artikullin i cili u bë shkak për këtë nismë të përshtatur në një format më akademik.

Gjatë debateve publike mbi pasojat negative të disa emisioneve reality show, shumë syresh do të sillnin si argument se evokimi i turpit në shoqërinë moderne është i pamjaftueshëm, madje shumë romantik. Sipas kësaj qasjeje ndryshimi vjen vetëm nëpërmjet mjeteve ligjore. Shoqëria moderne ka kaluar nga shoqëria e moralit tek shoqëria e ligjit dhe mjeti i cili i apelon sot njerëzimit në lidhje me parandalimin e pasojave negative është ai ligjor. Sigurisht, njësimi i moralit me ligjin, pra çfarë është e ligjshme është dhe e moralshme, është tipari dallues midis shkollës pozitiviste të ligjit nga ajo e shkollës natyrore. Por, ashtu sikurse kanë argumentuar dhe autorë të tjerë, në thelb debati në lidhje me cilësinë e civilizimit shoqëror nuk është thjesht karakteri normativ, por është më i gjerë se kaq. Ai është debat që prek qasjen tonë mbi institucionet që zhvillojnë kulturën dhe edukimin e shoqërisë dhe më pas ky debat do të prekë dhe ligjin si instrumenti rregullator përfundimtar. Në këtë shkrim evokohet teza e Robert Pattison-it (1987), i cili ishte mjaft kritik ndaj muzikës (rrokut) apo artit modern në shoqërinë amerikane në vitet ‘60 e cila sipas tij po shkiste drejt vulgaritetit dhe si një proces i cili po dëmtonte seriozisht procesin e formimit të kulturës. Pattison-i shkon deri aty sa të parashikojë se tashmë shoqëria moderne ka hyrë në fazën ku vulgariteti po triumfon dhe se filtrat e rëndësishëm të formimit të kulturës dhe artit po ravijëzohen dhe se autoriteti i bërjes së tyre po humbet. Në epokën e teknologjisë ky ravijëzim është bërë edhe më kritik. Tashmë kushdo mund të prodhojë art dhe kulturë dhe sot dallimin midis artistit të vërtetë dhe atij mediokër nuk e bëjnë më profesionistët, por shikueshmëria ose, thënë ndryshe, turma. Dhe kjo sipas Pattison-it e ka vulgarizuar kulturën duke e konsideruar këtë ridimensionim të tij si një hap degradues.

Ta kufizojmë me ligj apo me turp?

Në diskutimet që shoqëruan nismën “S’KA MA TURP!” disa zëra kritikë e shikonin nismën si shumë moraliste e cila rrezikonte të mos ndërgjegjësonte publikun dhe palët e interesuara. Sipas këtyre zërave, mënyra më efikase për ndalimin e një fenomeni negativ në shoqëri është ajo nëpërmjet instrumenteve ligjore. Qëndrimi ynë ndaj kësaj qasjeje nuk është kundërshtues, por komplementar duke u nisur nga fakti se morali është standard më i lartë se ligji. Ligji është mjeti i fundit për të rregulluar apo kufizuar një shqetësim apo dëm social.

Një nga thëniet më të njohura profetike është se kush “nuk ka turp, mund t’i bëjë të gjitha”. Është interesante të theksohet se kjo thënie nuk përfshin termin ligj apo rregull, duke i dhënë mungesës së turpit një karakter shumë më të gjerë sesa shkeljes së ligjit. Në dallim nga ligji, i cili është instrument institucional që kërkon procedurë dhe institucione për ta vërtetuar dhe zbatuar atë, turpi është një marrëdhënie tërësisht personale me vlerat, virtytet dhe parimet. Ndërsa ligji është rregullimi i shoqërisë mbi një normë të gjithëpranuar si kriteri minimal i vendosjes dhe ruajtjes së shtetit ligjor, turpi, apo morali, sipas shkollës natyrore të ligjit, është standard më superior i marrëdhënies së njeriut me veten dhe shoqërinë, sipas të cilit individi përfshihet në një cikël ndërgjegjësimi dhe vetëgjykimi përpara se të ndërmarrë një veprim i cili mund të ketë pasoja më pas për të, familjen dhe shoqërinë më gjerë. Nëpërmjet ndjenjës së turpit njeriu ka lirinë të jetë më kritik me veten sipas parimeve të cilat mund të kenë karakter universal, por dhe thellësisht kontekstual duke pasur kështu më shumë mundësi për të ruajtur kohezionin social në mënyrë horizontale, apo vertikale.

Ligji, për vetë natyrën e tij konsesuale kolektive, është i limituar në mbrojtjen e mirëqenies së vlerave të përgjithshme, të cilat shpesh mund t’i mbivendosen ndjeshmërive personale, komunitare dhe shpesh edhe duke mos pasur mundësinë që t’i mbrojë ato. Nga ana tjetër, procesi i të pasurit turp është dinamik dhe e shoqëron individin jo vetëm në finalizimin e veprimit, por në të gjitha proceset e tij, duke filluar që në gjenezë, me idenë, konceptualizimin, zhvillim dhe më pas në kryerjen e tij. Në ndryshim nga ligjshmëria që më shumë merret me pasojën e aktit, ndjenja e turpit merret edhe me moralin e shfaqjes, dukjes dhe estetikës së kryerjes së një veprimi. Ndërkohë që shqetësimi i ligjit kufizohet vetëm tek rregulli publik, ndjenja e turpit ka si qëllim mbrojtjen e dinjitetit të viktimës dhe më të dobëtit, reflekton mbi pasojat jo vetëm materiale, por mbi të gjitha ato psikologjike të cilat lidhen kryesisht me vlerat dhe parimet. P.sh., nëse dikush do ta vlerësonte një akt si ligjor ose jo mbi kritere tërësisht racionale, ndjenja e të pasurit turp plotëson mozaikun e vlerësimit të sjelljes njerëzore duke e filluar analizën shumë më herët që tek parimet, vlerat dhe qëllimet e kryerjes së një akti të cilat mund të jenë më të larta sesa qëllimet e ligjit.

Ndërsa vlerësimi i ligjshmërisë së një akti apo veprimi është pasiv dhe kërkon në mënyrë të detyrueshme shkak dhe pasojë, si dhe rreket që të mbrojë individin dhe shoqërinë nga dëmi, pasja turp është më sublime duke tejkaluar efektin shkak-pasojë, por duke e ruajtur atë në kufijtë reflektimit personal, të vetëgjyqësisë kundrejt vlerave. Të paturit turp është pasqyra ku individi sheh dhe gjykon veten në raport me parimet pa nevojën e ndëhryjes së institucioneve apo shoqërisë. Mbrojtja nga turpi është në fakt paradhoma e mbrojtjes nga shkelja e ligjit.

Le t’i kthehemi shpërfaqjes së denatyralizimit apo reflektimit të vulgaritetit të disa programeve televizive reality show në publikun shqiptar të cilën e kemi quajtur “pornografi artistike”.

“Pornografia” artistike

Pattison-i nënvizon se “triumfi i vulgaritetit nuk nënkupton shfarosjen e kulturës elitare, por ridimensionimin e saj në një format populist….Nëse vulgariteti nuk evidentohet, atëherë qytetërimi humbet, sepse triumfi i vulgaritetit është i sigurt… vulgariteti nuk është gjë tjetër veçse një reflektim i asaj që tani po i mbivendoset kulturës elitare.”. Pikërisht përfshirja e hiperseksualizmit në programet reality show nuk është gjë tjetër veçse një ridimensionim i artit duke e zhveshur atë krejtësisht nga sqima, finesa, kumti, mesazhi, estetika dhe edukimi.

Pornografia artistike prezantohet nëpërmjet programeve televizive si pjesë e një skenari dhe programi artistik. Ku paçka se programi në vetvete nuk është pornografi, kjo e fundit instrumentalizohet dhe zë një vend të rëndësishëm në program dhe madje është elementi më tërheqës i programit. Ky i fundit është kulturalisht dhe artistikisht tërësisht i varfër dhe ajo çka mbetet nga të tilla programe janë thjesht shfaqjet erotike të aktorëve.

Esenca e programit është shfaqja dhe dukja, veshjet e shtrenjta, jeta surreale ku dominojnë pamjet e forta seksuale të cilat mund të tërheqin audiencë. Aktorët e këtyre programeve janë të gatshëm të shkëmbejnë privatësinë e tyre kundrejt famës dhe pagesës pa marrë parasysh pasojat apo ndikimin e tyre. Në përgjithësi mesazhet që përcillen në këtë programe, të cilat duken spontane, në fakt janë të gjitha të inxhinieruara për t’i apeluar një mase sa më të madhe shikuesish të cilët sigurisht i përkasin një fashoje me kulturë të limituar ose një moshe relativisht të re. Programi orientohen jo pa qëllim drejt argëtimit për t’i dhënë lirinë vetes për të ndërtuar ose orientuar debate dhe diskutime vulgare. Më pas regjisorët e këtyre programeve veçojnë dhe shkëpusin pamje apo dialogë, të cilët në formë skupi, zgjojnë kuriozitetin e masës, i cili në fakt është instiktiv dhe jo racional.

Pra të tilla programe manipulojnë një nga instinktet e njeriut, siç është kurioziteti dhe e orientojnë atë drejt vulgaritetit. Shikuesit nuk i shikojnë apo nuk i lexojnë mesazhet e këtyre emisioneve për vlerat e tyre, por për kuriozitetin që ato përcjellin. Sigurisht që vulgariteti provokon kuriozitet dhe si rrjedhim prodhon shikueshmëri, e cila më pas komercializohet nga këto programe. Por numri i lartë i shikimeve të tyre nuk lidhet aspak me vlerat e tyre, por me të kundërtën. Fatkeqësisht, parimi “lajmi i keq është lajm i mirë” është reflektuar në këto emisione në “vulgariteti nxit shikueshmëri”.

Në një kontekst ku mjetet e pasurimit të shoqërisë me vlera, si besimi fetar, leximi, shkrimi, dhe shkollimi po shtyhen në periferi, vulgarizimi i artit dhe kulturës, siç nënvizon dhe Pattison-i po kthehet në kulturën dominuese. Dhe ky vulgarizim kulturor do të prodhojë një qytetar vulgar i cili do t’i reflektojë zgjedhjet dhe pritshmërite e tij vulgare dhe në politikë. Prandaj sot nuk duhet të na duket çudi pse vulgariteti ka filluar të përfshijë çdo sferë të rëndësishme të shoqërisë, siç është edhe qeverisja. Për ta përmbyllur, vulgariteti i kulturës është në thelb një tregues i rëndësishëm i degradimit të qytetërimit i cili nuk mund të linte pa prekur edhe Shqipërinë. Nisma qytetare “S’KA MA TURP!” në fakt nuk ishte gjë tjetër vetëm se një psherëtimë qytetare për të tërhequr vëmendjen drejt degradimit i cili kryesisht fillon tek arti dhe kultura dhe më pas shtrihet në çdo fibër të shoqërisë.
Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit