8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Si tu përgjigjemi dilemave kryesore të ateistëve?

Më të lexuarat

DYSHIMET E ATEISTËVE DHE PËRGJIGJET NDAJ TYRE:
1-Pse ekziston e keqja?
Përgjigja:
a) Jo çdo gjë që na duket e keqe është me të vërtetë e keqe.
b) Të kuptohet vlera e të mirës.
c) Të ndërgjegjësohen të prishurit.
d) Të ndëshkohet i keqi në botën tjetër dhe të shpërblehet ai të cilit i është bërë keq.
e) Të shpërblehet në botën tjetër ai që është ruajtur nga e keqja dhe të ndëshkohet ai që nuk është ruajtur.
2- Pse ekzistojnë fetë e ndryshme?
Përgjigja:
Allahu ka shpallur vetëm një fe, atë që i shpalli; Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe Muhamedi, paqja qoftë mbi ta, por janë njerëzit ata të cilët më pas e shtrembëruan fenë e vërtetë dhe u përçanë në disa fe të ndryshme.
3- Pse ekziston xhehenemi kur Zoti duhet të jetë i mëshirshëm?
Përgjigja:
a) Ekzistenca e xhehenemit nuk bie ndesh me mëshirën e Zotit. Ashtu sikurse Zoti është i mëshirshëm ashtu është dhe ndëshkues. Ashtu sikurse është krijuar xheneti për të shpërblyer njerëzit e mirë dhe për të mëshiruar mëkatarët që i pranojnë mëkatet e tyre dhe pendohen, ashtu është krijuar dhe xhehenemi për të ndëshkuar mëkatarët që janë arrogantë dhe kriminelë. Përderisa ekziston e keqja ekziston dhe xhehenemi për të ndëshkuar ata që zgjedhin të bëjnë keq.
b) Xhehenemi është krijuar gjithashtu për të manifestuar atributin e Zotit të ndëshkimit. Zoti është mëshirues dhe për këtë krijoi xhenetin, dhe është ndëshkues dhe për këtë krijoi xhehenemin. Pra,xhehenemi është për të manifestuar atributin e ndëshkimit ndaj atyre që zgjedhin të bëjnë keq.

4- Pse i krijoi Zoti njerëzit e këqinj kur Ai e dinte se ata do të ishin të këqinj?
Përgjigja:
a) Nëpërmjet të këqinjve kuptohet vlera e njerëzve të mirë.
b) Zoti ka disa atribute që manifestohen te krijesat e Tij dhe një nga këto atribute është dhe ndëshkimi. Andaj Ai i krijoi të këqinjtë që përmes tyre të manifestohet atributi i Tij i ndëshkimit. Ai nuk i detyron ata të bëhen të këqinj por janë ata vetë që zgjedhin të bëhen të atillë, edhe pse Zoti i paralajmëron nëpërmejt profetëve dhe librave të shenjtë.
5- Pse nuk shikohet Zoti dhe pse duhet t’i besojmë pa e parë?
Përgjigja:
a) Njeriu dhe krijesat e tjera nuk e kanë kapacitetin që ta shikojnë Zotin, sepse shqisa e shikimit të krijesave në këtë jetë nuk e përballon shikimin e Tij. Musai i kërkoi Zotit që ta shihte dhe Zoti i tha që ai nuk mund ta përballonte dot shikimin e Tij. Ndaj i tha të shikonte malin që ishte aty pranë, dhe nëse mali do ta përballonte dritën e Zotit atëherë Musai do mundej ta shihte Zotin. Por kur Zoti i shfaqi malit një pjesë të dritës së Tij, ai nuk e përballoi dot dhe u bë çikë e thërrime. Allahu i Madhëruar thotë: “Atë nuk e kapin shikimet…”| El En’am: 103.
b) Besimi në ekzistencën e Zotit pa e parë është pjesë e besimit të botës së padukshme përmes së cilit dallohet besimtari nga jobesimtari. Pra, pamundësia për ta parë Zotin në këtë jetë është pjesë e sprovës.
c) Ne besojmë në Zot sepse krijesat dëshmojnë për ekzistencën e tij. Ashtu sikurse ndërtesat dëshmojnë për ndërtuesit e tyre, ashtu dhe kjo gjithësi dëshmon për krijuesin e saj.
d) Profetët e Zotit përgjatë gjithë kohërave dhe si librat hyjnorë na kanë njoftuar për ekzistencën e Zotit të Madhëruar.
6- Jeta e përtejme nuk ekziston sepse ne nuk e shohim!
a) Fakti që shqisat tona nuk e kapin jetën e përtejme nuk vërteton se ajo nuk ekziston, sepse ka shumë gjëra që shqisat tona nuk i kapin dhe ne i besojmë, si p.sh.; mikrobet, qelizat, atomet, planetet, yjet e largëta… etj. Por edhe pse nuk i shohim ne besojmë në ekzistencën e tyre, ngase shkencëtarët na kanë lajmëruar se ato ekzistojnë. Ashtu siç i besojmë gjërat që nuk i shohim me sy duke u mbështetur te fjala e shkencëtarëve të cilët janë të besueshëm në fushën e tyre, në të njëjtën mënyrë besojmë në jetën e përtejme duke u mbështetur tek fjala e profetëve të cilët ishin të dërguar nga ana e Zotit dhe ishin të besueshëm në çështjet e fesë.
7- Pse duhet të adhurohet Zoti?
Përgjigja:
a) Çdo gjë që ekziston e ka një funksion dhe një qëllim për të cilin është krijuar, dhe qëllimi i krijimit të njeriut është njohja dhe adhurimi i Zotit. Adhurimi i Zotit përfshin të gjitha normat dhe rregullat të cilave duhet t’iu përmbahet njeriu në jetë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Njerëzit dhe xhindët i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” | Edh Dharijat: 56. “A mendon njeriu se do të lihet i lirë pa kurrfarë përgjegjësie?!”| El Kijameh: 36.
b) Adhurimi i Zotit është mënyra e vetme që e bën njeriun të disiplinuar dhe të devotshëm. Allahu i Madhëruar ka thënë: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj që u krijoi juve dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!” | El Bekare: 21.
8) Kush e krijoi Zotin?
Përgjigja:
a) Zoti është vetekzistent, nuk ka fillim e as mbarim dhe nuk ndikohet nga koha. Fillimi dhe mbarimi dhe ndikimi nga koha janë veti të krijesave, kështu që nuk mund ta përkufizojmë Zotin me vetitë dhe me tiparet e krijesave. Zoti duke qenë se nuk ndikohet nga koha e cila është krijesë më vete, për rrjedhojë nuk ka as fillim e as mbarim por është vetekzistent.
b) Mendja e njeriut i përkufizon dhe i shpjegon gjërat sipas ligjeve të kësaj bote dhe sipas përvojës që përfiton nga eksperimentet që mbështeten në materie dhe në standartet e kësaj jete. Zoti është përmbi ligjet e natyrës dhe standartet që njeh njeriu, prandaj Ai nuk mund të përkufizohet apo shpjegohet përmes tyre.

 

Përgatiti: Rexhep Milaqi
https://udhaebesimtareve.com/

The post Si tu përgjigjemi dilemave kryesore të ateistëve? appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit