2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Si t’i zhvillojmë “Shprehitë fetare” tek fëmijët

Më të lexuarat

Paralelisht me nxitjen dhe zhvillimin e shprehive higjienike, të punës dhe kulturës së sjelljes, tek fëmijët duhet zhvilluar edhe shprehitë “fetare”.

Me këtë nënkuptohet leximi i Bismelës para ushqimit, veshmbathjes ose para fillimit të çdo pune të mbarë, leximi i lutjeve të shkurtra e deri te falja e namazit dhe të praktikuarit e agjërimit.

Në Islam, zhvillimi i shprehive fetare është në lidhje të ngushtë me shprehitë higjienike (larja e duarve para dhe pas ngrënies, larja e dhëmbëve pas bukës, larja e trupit, marrja e abdesit). Në shprehitë fetare bën pjesë edhe edukata e bukur, komunikimi dhe sjellja me të tjerët, të folurit dhe sjellja e bukur, si dhe kryerja e obligimeve të caktuara, që do të thotë se shprehitë fetare përfshijnë shprehitë higjienike, të sjelljes së kulturuar, si dhe shprehitë e punës, andaj për këtë nevojitet t`i kushtohet kujdes i veçantë, përpos arsyes kryesore, gjegjësisht formimit të personit të qëndrueshëm dhe të nënshtruar ndaj ZOTIT.

Duke u nisur nga hadithi, i cili thotë se të gjithë fëmijët lindin në natyrshmërinë islame, mund të përfundojmë me të drejtë se ky është mendim i shkëlqyer për formimin e shprehive fetare tek fëmija nga vegjëlia, gjegjësisht që ALLAHU i Madhërishëm, prindërve u ka lehtësuar në masë të madhe edukatën (fetare) te fëmijët e tyre. Pra, fëmijët në natyrën (fitoren) e tyre e kanë të mbjellë ndjenjën e dhuruar nga ZOTI dhe nevojën për besim në një ZOT, gjegjësisht bazën në të cilën më vonë do të ndërtojmë dhe forcojmë besimin e fëmijës.

Pra, si parakusht për formimin e suksesshëm të shprehive fetare te fëmijët, mbeten vetëm prindërit dhe shprehitë e tyre fetare. Pasi që shembulli individual i prindërve është mjeti edukues për zhvillimin e cilësive pozitive të personalitetit tek fëmijët, kështu nga shprehitë dhe kryerja e rregullt e obligimeve fetare të prindërve, varet edhe zhvillimi i traditave fetare tek fëmijët.

Preferohet që sa më herët fëmijëve t`u mundësohet t`i shikojnë prindërit përderisa marrin abdes, duke i imituar. Prapëseprapë, në vetëdijen e fëmijëve do të regjistrohen lëvizjet të cilat i bëjnë prindërit e tyre, kështu që me lehtësi edhe vetë do t`i imitojnë e në fund do t`i kryejnë në mënyrë të pavarur ato obligime. Preferohet që prindërit, përderisa marrin abdes, me zë të flasin për atë që bëjnë – sa herë dhe si duhet larë duart, fytyrën këmbët, etj. Më vonë, munden me zë t`i lexojnë lutjet gjatë marrjes së abdesit. Në ndërkohë, që të mos ndihet i tepërt fëmija, përderisa prindi merr abdes, ai mund t`ia japë sapunin, pastën për dhëmbë, t`ia mbajë peshqirin dhe gjëra të ngjashme, duke i ndihmuar kështu prindit. Fëmija në këtë mënyrë ndihet i rëndësishëm dhe pjesëmarrës i një situate, pra nuk është i privuar dhe pasiv. Dikur më vonë, prindi mund t`i propozojë fëmijës që së bashku të marrin abdes. Ngjashëm është edhe me formimin e shprehive tjera higjienike.

Në lidhje të ngushtë me shprehitë higjienike, janë edhe ato të punës, sepse pasi të rritet pak, mund të kujdeset për furnizimin e shtëpisë me pastë të dhëmbëve, sapun, detergjent, etj. Në këtë mënyrë, të fëmija formohet rregulli dhe ndjenja e përgjegjësisë. Me kujdes të përhershëm për vete dhe mjedisin jetësor, prindërit duhet t`i japin fëmijës udhëzimet për sjelljet e ardhshme të tij. Kur babai ose nëna veshin rroba të pastra, fëmijës mund t`i shpjegojmë se KRIJUESI ynë – ALLAHU i Madhërishëm, e do pedanterinë, pastërtinë dhe bukurinë. Fëmijës duhet t`i tërhiqet vërejtja se kjo pedanteri nuk bëhet për pëlqimin e të tjerëve, por për atë se ZOTI ynë dëshiron që me pamjen e bukur t’u japim shembull të tjerëve. Pra, shprehitë higjienike dhe fetare gërshetohen.

Prindërit duhet t`ia tërheqin vëmendjen fëmijës edhe në obligimin që para kryerjes së namazit duhet të jemi të pastër, si në petka ashtu edhe në vendin ku falemi. Kështu, dalëngadalë, e fusim fëmijën në parakushtet e kryerjes së namazit.

Krahas me mësimin e këngëve të shkurtra, numërimit, etj. fëmijëve duhet t’u mësojmë kaptina të shkurtra nga KUR`ANI fisnik. Para kësaj, fëmijës i nevojitet të mësojë përshëndetjen islame duke e praktikuar në shtëpi. Është tejet me rëndësi që fëmija, sa më herët të mësojë fjalën BISMIL-LAH para bukës dhe ELHAMDULIL-LAH pas bukës.

Në shprehitë fetare bën pjesë edhe dhënia e përparësisë anës së djathtë në kryerjen e punëve të dobishme, p.sh. gjatë ushqimit, veshjes, hyrjes në shtëpi, në gjumë, etj. Prindërit, një sjellje të tillë të duhet ta lavdërojnë, bile edhe ta shpërblejnë, në mënyrë që fëmijës t`i hyjë në qejf. Kryerja e rregullt e namazit nga ana e prindërve, është themel që fëmijët të mësohen herët me këtë obligim fetar.

Posaçërisht atmosfera festive gjatë Ramazanit do të ngulitet në mendjen e fëmijës dhe më vonë do të kontribuojë në të praktikuarit e agjërimit.

Meqë, tek fëmija mbillet ndjenja dhe dashuria ndaj Islamit, këtë vetëm duhet kultivuar dhe rezultati, në dhëntë ZOTI, nuk do të mungojë.

Fëmijëve duhet dhënë shpjegime racionale

Në shprehitë fetare bën pjesë edhe largimi i të gjitha gjërave të palejuara në Islam. Kështu, fëmija që nga vegjëlia mësohet se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të konsumojnë, të punojnë, të bisedojnë, etj. Prindërit, të cilët mësojnë fëmijën se në Islam është e ndaluar ajo çka është e dëmshme, e në atë rast vetë konsumojnë nikotinë, janë kundërthënës dhe mund të shkaktojnë konfuzion në kokën e fëmijës. Mjerisht, shumë prindër në pyetjen përse është i ndalura konsumimi i mishit të derrit, nuk dinë të japin shpjegime. Për këtë, vetë prindërit duhet në mënyrë të përhershme të edukohen dhe të mundohen që fëmijëve të tyre t`u shpjegojnë gjërat në mënyrë adekuate.

Në anën tjetër, kjo nuk do të thotë se fëmijët duhet izoluar tërësisht nga ndikimet e jashtme. Përkundrazi, me shembuj fëmijëve duhet dhënë argumente dhe shpjegime racionale si dhe përgjigje relevante lidhur me ndalesat e caktuara në Islam. Sepse, nëse fëmijës i përsëritet vazhdimisht diçka që është e ndaluar dhe që nuk duhet bërë, duke mos i dhënë për këtë kurrfarë shpjegimi, përpjekjet tona të tilla që fëmijës t’i mësoni diç, mund të shkaktojnë vetëm efekt të kundërt.

Traditat fetare janë pjesë përbërëse e moralit të njeriut, personalitetit gjithëpërfshirës së tij, mënyrën se si sillet ndaj të tjerëve, cilësitë pozitive të personalitetit që ka ndërtuar, sepse mu këto janë themel i veçantë për të gjitha këto.

Vetëm fëmija, i cili nga vegjëlia është mësuar të bëjë detyra të caktuara dhe këto bëhen pjesë përbërëse e ekzistencës së tij, më vonë do të jetë rezistues në të gjitha ndikimet negative të shoqërisë. Dhe sado që jeta e tij ndoshta do të lëvizë në kahje tjetër, kur të rritet, ai përsëri do të kujtojë fëmijërinë, do të kujtojë fjalët të cilat ia ka thënë babai dhe nëna, si janë sjellë ata dhe do të turpërohet të tradhtojë mundin e tyre. Për këtë është me rëndësi jetësore që prindërit të sillen me shembull dhe t`i kryejnë obligimet e tyre, sepse nga kjo në masë të madhe varet se si do të sillen fëmijët e tyre kur të rriten.

Përgatiti: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit