20.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Si rrejtën Putini e Trumpi në Helsinki

Më të lexuarat

Putini dhe Trumpi janë shumëfish të ngjashëm: të dy e duan pushtetin, nuk e duan demokracinë parlamentare dhe zemërohen kur dikush i bën përgjegjës për diçka. Edhe njëri, edhe tjetri rrejnë pandërprerë, por stilin e rrenës e kanë të ndryshëm.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë, dy presidentët përdorën stile të ndryshme turbullimi. Mohimet dhe shtrembërimet e Trumpit tingëllojnë histerike, kurse Putini krijon një mbresë të një irealiteti të mërzitshëm e të pashpresë. Dy kryetarët kanë diçka të përbashkët. Të dy e duan pushtetin, por asnjërit nuk i intereson qeverisja. Të dy u druajnë sfidave ndaj legjitimitetit dhe asnjëri nuk i duron gazetarët kur i kërkojnë llogari për deklaratat dhe veprimet. Të dy e kanë shprehi të gënjejnë për të shfaqë pushtet dhe për ta errësuar të vërtetën. Por, siç e dëshmoi konferenca e përbashkët për shtyp që mbajtën në Helsinki, stilet i kanë të ndryshme. Të dy reagojnë ndaj pyetjeve me agresivitet, por, ndërsa Donald Trumpi i shmanget pyetjes dhe pyet vetë, Vladimir Putini sulmon dhe kërcënon.

Dallimi mund të vërehet më së qarti në mënyrat si Trumpi dhe Putini iu përgjigjën çka thelbësisht ishte e njëjta pyetje: Kujt i besoni? (Ah, ç’ironi — e ç’kotësi — me i pyetë rrencat kronikë se kujt i zënë ata besë!) Trumpi nisi të flasë përçart: «Ke grupe që po mendojnë pse FBI-ja kurrë nuk e konfiskoi serverin. Pse s’e kanë marrë serverin? Pse i kanë thënë FBI-së që t’i lëshojë zyrat [qendrore të Partisë Demokratike]?». Trumpi projekton dhe krijon huti: nuk e dimë se për ç’server e ka fjalën, ose për ç’incident po flet, dhe kemi përshtypjen se as ai nuk e di. Njëmend, ndërsa vijoi çirrja e tij krejt e shlirët, ankesa kryesore që u shfaq qe mungesa e informatave — që supozohet se kanë qenë në emailat e zhdukur të Hillary Clintonit.

Putini, duke u përgjigjë në një pyetje të mëhershme, ishte edhe më i pagdhenur: «Sa i përket pyetjes se kujt mund ose mund t’i besohet dhe se a mund t’i besohet gjithkujt: askujt nuk mund t’i besohet. Ku e morët idenë se presidenti Trump më beson mua ose se unë i besoj atij plotësisht? Ai i mbron interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë i mbroj interesat e Federatës Ruse». (Përkthimi, nga rusishtja, është i imi.) Me fjalë të tjera, Putini po thoshte, ne të dy rrejmë strategjikisht. E vërteta nuk ekziston. Dijenia është deluzion.

Duke e vënë në pah se çkado që thotë mund të jetë rrenë, Putini pastaj mohoi ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore amerikane. Sikur Trumpi, edhe ky po krijonte një ndjenjë irealiteti, por, për dallim nga Trumpi, ai i kishte bërë të qarta qëllimet e veta që në fillim.

Putini po ashtu tha, përkundrazi, mësa duket, për asgjë dhe për gjithçka, «kam punuar në inteligjencë, dhe e di se si përpilohen këto dosje». Kjo ishte një tjetër fjali që synonte të dëshmonte se asgjë nuk mund të besohet — përfshi, me sa duket, punën që Putini ka bërë kur ka qenë spiun. Vetëm Putini mund ta dijë ç’ka qenë e vërtetë atëherë ose tani — kuptohet, duke zënë se ai mund t’i besojë vetes.

Pastaj Putini u duk sikur po pranon diçka të jashtëzakonshme: se kishte dashë që Trumpi t’i fitonte zgjedhjet e 2016-s. A po pohonte diçka që e kish mohuar prej kohësh? Jo, aspak. Ai po bënte atë që e ka bërë më parë, veçmas kur e pranoi praninë e trupave ruse në Ukrainë pas një viti mohimesh. Putini po dëshmonte se asgjë s’është e vërtetë përveç aftësisë së tij për të thënë çfarëdo që dëshiron dhe kurdo që dëshiron.

Ai mundet, për shembull, të pretendojë se biznesmeni amerikano-britanik Bill Browder, arkitekti i disa sanksioneve kundër Rusisë, ia ka dhuruar 400 milionë dollarë fushatës së Hillary Clintonit. Kjo ishte një gafë trashanike si pretendimet e Trumpit për madhësinë e turmës në inaugurimin e tij dhe për milionat e imigrantëve të paligjshëm që gjoja kanë votuar në zgjedhje. Por për dallim nga Trumpi, Putini i servoi rrenat me ton të plogët e byrokratik. Mohimet dhe shtrembërimet e Trumpit tingëllojnë histerike, kurse Putini krijon një mbresë të një irealiteti të mërzitshëm e të pashpresë. Kjo i ndihmon Putinit të tingëllojë çuditërisht kompetent, dhe e bën atë të duhet sikur larg më me vetëbesim e autoritet se Trumpi.

Duke e marrë sinjalin prej Putinit, mediet ruse përdorën gjuhë të thatë e byrokratike në raportet për samitin, duke trumpetuar fitoren e Putinit në fraza patetike që të kujtojnë lajmet e kohës sovjetike. Kjo në vetvete tregon se Putini e ka jetësuar atë që e ka premtuar prej kohësh, duke rikthyer Rusinë në madhështinë e moçme të sipërfuqisë — dhe duke e bërë kryetarin amerikan bashkëpunëtor në transmetimin e një tregimi cinik, të pashpresë, dhe qëllimisht të rremë.

Përkthye nga Getoar MJEKU

Masha Gessen, gazetare e revistës «The New Yorker», ka shkruar disa libra, përfshi, më të riun, «The Future Is History: How Totalitarianism Reclaimed Russia» (E ardhmja është histori: Si totalitarizmi u rikthye në Rusi), i cili është shërblyer me çmim në SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit