1.6 C
Pristina
Monday, December 2, 2024

Si nënkuptohet fjala e Allahut të Madhëruar: (Jakubi) tha: “Unë i paraqes vetëm Allahut ankesat dhe pikëllimin tim, e nga Allahu e di atë që nuk e dini ju”. (Jusuf:86)

Më të lexuarat

Përgjigje:

Komentuesit e Kuranit kanë përmendur kuptime fisnike që ndërlidhen me besimin, lidhjen e zemrës vetëm me Të, mendimin e mirë, si dhe mbështetjen e sinqertë tek Ai.

Kjo ndodhi kur Jakubi (alejhi selam) mori lajmin për Beniaminin – djalin e tij, të cilin Jusufi e mbajti pranë vetes, pikëllimi i tij arriti kulmin dhe iu shtua dhimbja për Jusufin, duke ia rikthyer kujtimet dhe plagët e së kaluarës. Ai u largua nga fëmijët e tij dhe tha: “Ah, dhimbja ime për Jusufin!”. Sytë e tij u zbardhën nga mërzia dhe pikëllimi, d.m.th. u verbua nga keqardhja që ndjeu për të.

Kur fëmijët e tij e qortuan për dhimbjen e thellë, përkujdesjen dhe mërzinë e vazhdueshme për Jusufin, duke e këshilluar se një pikëllim i tillë do ta shkatërronte, ai u përgjigj:

“Unë i paraqes vetëm Allahut ankesat dhe pikëllimin tim, dhe unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini” (Jusuf: 86).

Ai donte të thoshte: Unë nuk ankohem tek ndonjëri prej jush, apo tek dikush tjetër, ankesa ime është vetëm tek Zoti im, duke iu lutur Atij dhe duke u mbështetur tek Ai. Më lini të qetë me ankesën time.

Ky është kuptimi i largimit nga ata dhe kthimi i tij drejt Allahut për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin. (Shih: “Tefsiri i Bagaviut”, 2/509 dhe “Tefsiri i Zemakhshariut”, 2/499).

Dijetari El Kasimi thotë: Thënia, “Unë i paraqes vetëm Allahut ankesat dhe pikëllimin tim” – d.m.th. dhimbjen dhe gjendjen time. Unë nuk ankohem tek ju apo tek të tjerët, por vetëm tek Zoti im, duke iu lutur dhe mbështetur Atij. Më leni mua dhe ankesën time, sepse unë e di prej Zotit, se ai që i drejtohet Atij me ankesë, se Ai ia largon atij ankesën që kërkon ti hiqet. Kjo më bën të kem mendim të mirë për Të, sepse Ai është me mendimin që robi i Tij ka për Të.  (“Tefsiri i Kasimiut”, 6/211).

Së dyti:

Ky moral i lartë dhe fisnik i Jakubit, me një etikë të lartë ndaj Allahut të Madhëruar, duke ia paraqitur pikëllimin, shqetësimin dhe duke iu ankuar vetëm Atij, e jo krijesave, bart mësime të rëndësishme për myslimanin, i cili dëshiron të ndjek udhëzimin e tyre dhe do të bart moralin dhe edukatën e tyre. E ndër ta:

  1. Mendimi i mirë për Allahun:

Transmetohet nga Katade se ka thënë: Na është transmetuar se pejgamberi Jakub nuk përjetoi asnjë fatkeqësi, përveçse se e njëjta pasohej me mendim të mirë për Allahun.

Ndërsa nga Haseni transmetohet se: Asnjëherë, për as një çast as ditën e as natën, nuk ka pasur mendim të keq për Allahun.

  1. Çdo nevojë dhe shqetësim duhet t’i paraqitet vetëm Allahut, duke kërkuar ndihmë në largimin e  belave vetëm se nga Ai.

Haseni thotë: Jakubi tha: “Unë i paraqes vetëm Allahut pikëllimin tim.” – d.m.th. kërkesa dhe shqetësimi im janë drejtuar vetëm për Allahun.

  1. Mos të shfaqësh dobësi përballë njerëzve:

Talha bin Musarif tha: Shmang përmendjen e këtyre tre gjërave: Mos anko për sëmundjen tënde, mos anko për fatkeqësinë tënde dhe mos e lavdëro vetveten.

Shejh-ul-Islam Ibn Tejmije thotë: Ankesa tek Allahu nuk e kundërshton durimin e bukur. Transmetohet se Musai lutej: “O Allah, Ty të takon falënderimi dhe tek Ti është ankimi, Ti je ndihmuesi dhe tek Ti mbështetem.”

Ndërsa nga duatë e Muhamedit (sal-lAllahu aljehi ue sel-lem) ishte: “O Allah, Ty të ankohem për dobësinë e forcës sime, mungesën e mundësive të mia dhe poshtërimin tim para njerëzve. Ti je Zoti i të dobëtëve dhe Ti je Zoti im. O Allah, kujt po ia lë çështjen time? A një të largëti që më përbuz, apo një armiku që ia ke dorëzuar çështjen time? Nëse nuk je i zemëruar me mua, atëherë unë nuk shqetësohem, por falja dhe mëshira Yte janë gjithçka që dëshiroj. Kërkoj mbrojtje tek drita e Fytyrës Sate, që ndriçon errësirat dhe me të cilën janë rregulluar çështjet e dynjasë dhe të ahiretit, që të mos zbresë mbi mua zemërimi Yt, e as të mos më kaplojë ndëshkim Yt. Ty të takon lavdia derisa të jesh i kënaqur.”

Në dallim me ankesën ndaj krijesave, i është lexuar Imam Ahmedit në sëmundjen e tij të fundit se Tavusi e kishte urryer rënkimin e të sëmurit. Tha: Kjo është një formë ankese, dhe nuk rënkoi derisa ndërroi jetë.

Sepse ai që ankohet, zakonisht nënkupton se kërkon ose largimin e një dëmi apo sjelljen e një dobie, ndërsa robi urdhërohet që t’ia drejtojë kërkesat Zotit dhe jo krijesave. Thotë Allahu i Madhëruar:

” E, kur ta kryesh njërën punë, filloja tjetrës. Dhe, vetëm te Zoti yt përqendro synimin!!” (El-Inshirah: 7-8)

I Dërguari ﷺ i tha ibn Abbasit:

” Kur të lutesh, lutu vetëm Allahut, dhe kur të kërkosh ndihmë kërko vetëm prej Allahut! “

E pyetën ibnTejmijen rreth personit që është i sëmurë dhe, kur dhimbja e rëndon, kërkon ndihmë nga Allahu dhe qan. A e kundërshton kjo durimin e urdhëruar apo është një formë lutjeje dhe kërkim strehimi?

Ai u përgjigj: “Lutja Allahut, kërkimi i ndihmës prej Tij dhe ankimi tek Ai, nuk e kundërshtojnë durimin e urdhëruar. Ajo që e kundërshton durimin është ankesa tek krijesat. Jakubi tha: “Durimi im është i bukur” dhe gjithashtu tha: “Unë ankohem vetëm tek Allahu për brengën dhe pikëllimin tim.”

Po ashtu, është përcjellë nga Tavusi se e kishte urryer rënkimin e të sëmurit, duke thënë se kjo është një formë ankese. Kjo i është lexuar edhe Imam Ahmedit në sëmundjen e tij të vdekjes dhe ai nuk rënkoi derisa ndërroi jetë.

Është transmetuar nga Seri es-Sakatiu se ai e konsideronte thënien e të sëmurit: “Ah” si një përmendje të Allahut(dhikr), nëse kjo ndodh mes tij dhe Allahut. Kjo siç është transmetuar për Omer ibn Hattabin, që gjatë faljes së namazit të Sabahut lexoi ajetin: “Unë ankohem vetëm tek Allahu për brengën dhe pikëllimin tim”, dhe qau derisa iu dëgjua dënesja e tij nga rreshtat e fundit.

Kështu, rënkimi dhe të qarit nga frika e Allahut, përulja dhe ankimi tek Allahu i Plotfuqishëm janë veprime të pëlqyeshme, ndërsa ato që janë të papëlqyeshme mbeten si të tilla. Allahu e di më së miri.

(Mexhmu’ el-Fetava, 24/284)

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ankesa është dy lloje:

Ankesa tek Allahu, dhe kjo nuk e kundërshton durimin, siç tha Jakubi: “Unë ankohem vetëm tek Allahu për brengën dhe pikëllimin tim” dhe në të njëjtën kohë tha: “Durimi im është i bukur.”

Po ashtu, Ejjubi tha: “Më ka goditur belaja” ndërkohë që Allahu e cilësoj atë si durimtar.
Një shembull është edhe duaja e zotërisë së durimtarëve, Muhamedit ﷺ: “O Allah, Ty të ankohem për dobësinë e forcës sime dhe mungesën e mundësive të mia…” (pjesë nga hadithi).

Dhe thënia e Musait: “O Allah, Ty të takon falënderimi, Ty të drejtohet ankimi, Ti je Ai që ndihmon, tek Ti kërkohet ndihmë, Ty të mbështetemi, dhe nuk ka fuqi e as forcë përveçse me Ty.”

Lloji i dytë: Ankesa e të sprovuarit përmes paraqitjes së  gjendjes së tij apo përmes fjalëve. Kjo nuk përkon me durimin, përkundrazi, e kundërshton dhe e mohon atë.

(“Uddet es-Sabirin”, 1/25)

Përshtati nga arabishtja: Senad Ramadani / https://www.rizgjimi.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit