5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Shqipëria, vendi më bujqësor në Europë, por ka prodhimin më të ulët të qumështit për frymë

Më të lexuarat

Ndonëse Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me rreth 19% të prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), kundrejt 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian, ajo mbledh dhe përpunon shumë pak qumësht.

Eurostat ka publikuar të dhënat vjetore mbi prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij në vendet e Europës, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Vendi ynë arrin të mbledhë mesatarisht 100-120 mijë ton qumësht në vit.

Në raport me popullsinë, Shqipëria me kapacitetet aktuale arrin të prodhojë mesatarisht 41 kg në vit për qytetar qumësht të papërpunuar. Krahasuar me 36 vendet e marra në shqyrtim, sasia që vendi arrin të mbulojë është ndër më të ulëtat.

Shtete si Irlanda, Danimarka, Holanda, Estonia renditen të parat në listë sa i përket qumështit të prodhuar për qytetar në vit, me shifra që arrijnë deri në gati 1900 kg për frymë në vit. (Shiko grafikun: prodhimi i qumështit të papërpunuar në vit)

Shqipërisë i ulet me 30% numri i gjedhëve në krahasim me 2001-n

Shqipëria ka prodhuar 114 mijë ton qumësht të papërpunuar gjatë 2021. Në raport me popullsinë prej 2.79 milionë banorë, prodhohet në 3.4 kg qumësht i papërpunuar në muaj.

Industria e përpunimit të qumështit në vend po kalon një situatë të vështirë për shkak të rritjes së kostove. Prodhuesit ankohen se ju është shtrenjtuar lënda e parë, energjia elektrike kushton më shtrenjtë, çmimi i gazit, çmimi naftës dhe materialeve paketuese është rritur çka po vështirëson çdo ditë e më shumë sektorin e përpunimit.

Faktori tjetër i rëndësishëm është rënia e blegtorisë, e ndikuar dhe nga emigracioni, që ka ulur disponueshmërinë e lëndës së parë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i gjedhëve ka rënë me 30% nga viti 2001, duke zbritur në rreth 200 mijë në 2021-n “Problematika më e madhe është mungesa me rreth 15% e qumështit lëndë e parë në vend.

Vështirësia për të gjetur sasinë e duhur të qumështit nga fermat rrjedhimisht ka prishur ekuilibrat e çmimit. Sot çmimi me të cilin po blihet qumështi në derën e fermës e kalon çdo shtet të Europës.

Të mos harrojmë që lënda e parë qumësht është rreth 65% e kostos totale të produktit final dhe një ndryshim në këtë kosto ka ndikim shumë të madh në koston totale”, pohoi . Taulant Pupa administratori i kompanisë “Vita 2001”.

Rënia e prodhimit dhe shtrenjtimi i çmimeve nga ata që janë prodhuesit e parë të këtij produkti ka bërë që fabrikat të hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët. çka mund të përkthehet në mungesa në nënproduketet e tjera.

Këta dy faktorë kanë nxitur rritjen e ndjeshme të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për nëngrupin qumësht, djathë dhe vezë shënoi një rritje rekord prej 24.3% në tetor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qenë grupi i dytë me rritjen më të lartë, pas vajit dhe yndyrave.

Bashkimi Europian, stabilitet në prodhimin e qumështit

Situata në vendet e Europës duket më e qëndrueshme. Fermat e BE-së prodhuan rreth 161 milion ton qumësht të papërpunuar përgjatë vitit 2021 ose 0.7 milion ton më tepër se një vit më parë.

Ky stabilitet në prodhim mbështet nga prodhimi i lartë për frymë nga fermat në Irlandë me 1,888 kg/frymë, Danimarkë me 962 kg/frymë, Holandë më 879 kg/frymë në vit.

Rendimenti mesatar i qumështit për lopë në BE arriti në 7,682 kg në 2021 ndërkohë që çmimi i prodhimit të qumështit në BE u rrit ndjeshëm rreth +7,4% krahasuar me vitin 2020. Ndër nënproduktet e tjera u prodhuan 2.3 milion ton gjalpë nga 44,4 milion ton qumësht i plotë; 10.4 milion ton djathë nga 61.4 milion ton qumësht i plotë dhe 16.4 milion ton qumësht i skremuar.

Sipas Eurostat, Gjermania prodhon sasinë më të lartë të qumështit, gjalpit, kosit dhe djathit krahasimisht me çdo shtet tjetër anëtar. Kjo e fundit së bashku me Spanjën, Francën, Italinë dhe Poloninë përbëjnë rreth dy të tretat e qumështit të prodhuar në BE në vitin 2021.

Ndërkohë që Holanda ishte prodhuesi i dytë më i madh i produkteve të kosit dhe i katërti më i madhi i djathit, ndërsa Irlanda ishte prodhuesi i tretë më i madh i gjalpit dhe e pesta më e madhe e kosit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit