3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shqipëria synon të frenojë ikjen e mjekëve duke ua bllokuar diplomat

Më të lexuarat

Është akoma e pavendosur për specializimin që do të ndjekë, për shkak të, siç thotë, pasigurisë për atë që ofrohet pas këtij kualifikimi.

“Ky do të jetë momenti kur do të vendos për të qëndruar këtu në vendin tim apo për t’u larguar. Shumica prej shoqeve dhe shokëve të mi kanë nisur kurse të gjuhëve të huaja, me qëllimin për të ikur”, thotë Justina për Radion Evropa e Lirë.

Prej vitesh, studimet në mjekësi apo infermieri shihen nga të rinjtë si mundësi për ta shndërruar diplomën në një “pasaportë” për t’u larguar nga Shqipëria.

Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë – 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.

Ata ankohen kryesisht për kushte jo të mira në spitale, mungesa medikamentesh dhe paga të ulëta.

Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro. Për krahasim, paga e pataksuar e mjekut në Gjermani arrin deri në 4.000 euro.

Autoritetet shëndetësore deklarojnë se Shqipëria, tash për tash, nuk vuan për mjekë dhe personel shëndetësor, por që kjo të mos ndodhë, kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, tha më 18 tetor se duhet të merren masa.

Rama: Diploma pasi t’i shërbesh vendit

“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama.

Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”– Edi Rama

Ai sqaroi më vonë se diploma do të bllokohet për tre vjet. Se kur do të nisë së zbatuari kjo masë, nuk është e qartë.

Rama tha se mjekët në shumë vende nuk i marrin diplomat menjëherë, por nuk specifikoi se për cilat e ka fjalën.

“Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”, tha ai.

Në Shqipëri, specializimi në mjekësi bëhet me vetëfinancim. Pagesa nga shteti bëhet vetëm për një numër specializantësh, që përcakton Ministria e Shëndetësisë për nevojat e sistemit shëndetësor.

Edhe për studimet e përgjithshme në mjekësi, studentët paguajnë vetë.

Rama tha se do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që t’ia kthejë mbrapsht investimin e Shqipërisë.

“Duan t’i marrin [mjekët] në Gjermani, t’i marrin, por duhet ta kthejnë investimin. E kam fjalën që Bashkimi Evropian duhet ta gjejë formën që të kthejë diçka… Nëse ne kemi mundësi edhe për vete, edhe për Evropën, nuk ka problem. Ama, ne nuk mund të jemi në këtë pozitë pasive, kjo është çmenduri”, tha Rama, duke mos shpjeguar se çfarë do të kërkojë konkretisht nga vendet e BE-së.

Sinani: Si mund të ndalohet marrja e diplomës?

Për studenten e mjekësisë, Justina Sinani, kjo nismë e tij nuk është e drejtë.

“Nuk jam aspak dakord. Si mund të ndalohet marrja e diplomës? Madje, mendoj se nëse zbatohet, do të ketë impakt negativ. Mjekësia kërkon disa vite studime, ka shumë shpenzime dhe në fund të mos na jepet diploma? Unë jam që të vendoset me vullnet të lirë, të përmirësohen kushtet, pagesat, por në asnjë mënyrë të detyrohemi të qëndrojmë duke na mbajtur peng diplomën”, thotë Sinani.

Arjon Kuçuku, një tjetër student i mjekësisë në Tiranë, e cilëson këtë nismë si “shkelje flagrante” të të drejtave të njeriut dhe të rregullores së Universitetit.

“Personalisht kam vendosur të qëndroj në Shqipëri, por ky është vullneti im. Nuk është zgjidhje mosdhënia e diplomës. Zgjidhja më e mirë: përmirësimi i kushteve në spitale dhe rritja e pagës, por rritje serioze, jo qesharake”, thotë Kuçuku, student i vitit të 3-të për mjekësi.

Edhe për mjekun Ilir Allkja, i cili punon në urgjencën e një spitali privat në Tiranë, mosdhënia e diplomave për studentët e mjekësisë do të ishte shkelje flagrante e së drejtës universale të diplomimit.

“Në dijeninë time, kjo nuk ndodh askund”, thotë Allkja për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se mjekët duhet të ndihen të lirë të punojnë në Shqipëri.

“Ata duhet të mbështeten në karrierën e tyre, e cila duhet të jetë sa më larg politikës”, thotë Allkja.

Allkja, sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, u pushua nga puna në Urgjencën e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dy vjet më parë, pasi denoncoi mangësitë në sistemin shëndetësor në Shqipëri, përfshirë mungesat e maskave, dorezave, aparaturave të oksigjenit etj.

Dollenberg: Profesionistët duhet të vendosin vetë

Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg, presidente e Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, thotë se, në pamje të parë, duket e padrejtë që Evropa merr një produkt të gatshëm, ndërsa Shqipëria varfërohet çdo ditë e më shumë nga brezat e rinj, të aftë për të punuar në sektorin shëndetësor.

Ajo vlerëson faktin se Qeveria shqiptare, sipas saj, po shqetësohet për ta ndryshuar këtë fenomen, por, nga ana tjetër, thotë se strategjitë duhen diskutuar me shumë kujdes.

“Në Gjermani, pagat janë disa herë më të larta, kushtet më të mira, ofrohen kualifikime pa burokraci. Kështu që shteti shqiptar duhet të investojë në mbajtjen e mjekëve të rinj në vend, duke konkurruar me këto shtete që po thithin mjekët, infermierët. Por, vendimi u takon profesionistëve të qëndrojnë apo të ikin. Askush nuk mund t’i detyrojë të qëndrojnë dhe askush nuk mund të pengohet në marrjen e një diplome, që është e parashikuar me ligj”, thotë Dollenberg.

Nuk u thua dot studentëve: nuk ju japim kartonin e diplomës”–Aurora Meta

Ajo shton se me investime dhe masa konkrete për përmirësim kushtesh dhe rritje pagash, mjekët e rinj mund të mbahen në Shqipëri.

Ky është skenari që, sipas saj, “jep sukses”.

Aktivisti i shoqërisë civile në Shqipëri, Adriatik Lapaj, njëherësh avokat, e sheh si të nxituar propozimin e Ramës.

Sipas tij, kjo do t’i nxisë të rinjtë në Shqipëri që edhe studimet për mjekësi të përpiqen t’i kryejnë jashtë vendit.

“Nuk u thua dot studentëve: nuk ju japim kartonin e diplomës”.

“Çfarë u ka dhënë shteti dhe Qeveria atyre që thinjen në shkollë?”, pyet Lapaj.

Me ikje mjekësh, për arsye të ngjashme, është duke u përballur edhe Kosova.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova në periudhën 2018-2021. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit