11.9 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Shkurtimi i salavatit dhe selamit në s.a.v.s. (pyetje)

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet dhënia e selamit me vetëm “selam”, sidomos në formë të shkruar, në vend të Es-selamu alejkum. Unë nuk kam hasur diçka kështu në Sunnetin autentik, mirëpo shoh këtë duke e përdorur disa vëllezër, por edhe disa hoxhallarë. Si dhe a lejohet që në vend të es-selamu alejkum, të shkruajmë s.a., dhe në vend të sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, s.a.v.s..
Këto përdorime janë të përhapura tek shumë besimtarë po edhe hoxhallarë.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Këtë përgjigje do ta sqarojmë në tri pika:

Dërgimi i salavateve dhe selameve Pejngamberit tonë Muhamedit, salallahu alejhi ve selem, është një adhurim me të cilin na ka urdhëruar Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin fisnik. Ai thotë: “Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij i dërgojnë salavate të Dërguarit (Muhamedit). O besimtarë, dërgoni salavate për atë dhe përshëndeteni me selam!” (Ahzab, 56). Pastaj ky adhurim është pjesë e pandashme e namazeve ditore të besimtarit.
Gjithashtu ekzistojnë edhe disa citate të cilat porosisin besimtarin që kur ta përmend emrin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ose e dëgjon emrin e tij, që të çoj salavate mbi të.

Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë:

– “Është koprrac ai i cili kur të përmendem në prezencën e tij, nuk çon salavete mbi mua”[1].

– Ndërsa në një hadith tjetër meleku Xhibril ka bërë lutje para Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kështu: “Qoftë i poshtëruar ai njeri i cili nuk dërgon salavate mbi ty, kur të përmendesh në prezencën e tij” dhe Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Amin!”[2].

2. Në lidhje me shkurtimin e kësaj lutje që e bëjmë për të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, pas shkrimit të emrit të tij me shkronjën “s”, ose “s.a.v.s”, etj., dijetarët Islam në lidhje me këtë kanë folur, jo vetëm tani por edhe në të kaluarën. Dijetari i mirënjohur Abdulaziz bin Baz, Allahu e mëshiroftë, kur kishte bërë një sqarim në lidhje me këtë praktikë, ka mbledhur sqarimet e disa dijetarëve të vjetër që kanë tërhequr vërejtjen në lidhje me këtë praktikë jo të mirë.

Ai e përmend dijetarin e njohur Ebu Amër Ibën Salahin[3], Allahu e mëshiroftë, i cili në librin e tij rreth shkencës e terminologjisë së hadithit të njohur me titull: “Mukadimetu Ibën Salah”, kur flet rreth mënyrave të shkrimit të hadithit thotë:

“E nënta: Duhet të ketë kujdes (shkruesi i hadithit) ta shkruaj salavatin dhe selamin mbi të Dërguarin, salallahu alejhi ve selem, kur ta përmend atë. Mos të bezdiset ai nga përsëritja e kësaj, pasi që kjo është një nga dobitë më të mëdha për nxënësit e haditheve dhe shkruesit e tyre. Vërtet kush e shpërfill këtë, privohet nga një mirësi e madhe”.

Ai njëjtë porosit që edhe gjatë përmendjes së emrit të Allahut, mos të shkurtoj frazat sikurse”Azze Ve Xhel-le”, “Tebareke ve teala”, etj., por ti shkruaj ato tërësisht.

Pastaj në vazhdim tërheq vërejtjen konkretisht për dy shkurtesa të cilave duhet ti largohet shkruesi i hadithit, ato janë:

a) Që në vend të lutjes së plotë (slavateve), të shkruaj shkronjat e para (pra në vend të salallahu alejhi ve selem ta shkruaj p.sh. s.a.v.s.)

b) Ti dërgoj vetëm slavat mbi të dhe jo edhe selam (pra të thotë vetëm: salallahu aljehi).

Ekzistojnë edhe dijetarë tjerë të hershëm përveç Ibën Salahit që tërheqin vërejtjen nga shkurtimi i lutjes ndaj Muhamedit, salallahu alejhi ve selem, me shkronjat e para. Ndër ta është edhe Shemsudin Sahaviu[4] në librin e tij të njohur “Fet`hul Mugith”, pastaj Xhelaludin Sujutiu[5], në librin “Tedribu Rravi”, etj.

Ndërsa nga dijetarët bashkëkohor të shumtë janë ata që kanë folur në lidhje me këtë çështje dhe të gjithë ata ose e kanë ndaluar ose e kanë urryer shkurtimin e lutjes: salallahu alejhi ve selem. Mirëpo për të qenë korrekt, themi se disa janë më liberal në këtë, megjithëse edhe ata kushtëzojnë që nëse nuk shkruhet, lexuesi detyrimisht duhet ta thotë atë (salavatin e selamin) gjatë leximit.

3. Gjithashtu në këtë hynë edhe shkurtimi i përshëndetjes eselamu aljekum, pasi që kjo në Islam nuk është vetëm përshëndetje, por është edhe lutje. Prandaj nuk duhet të jemi koprrac dhe të përtojmë ta shkruajmë gjatë bisedave të ndërsjella në internet. Ndoshta kjo do të ishte e arsyeshme gjatë situatave kur jemi në diktim ose gjatë shkrimit të mesazheve në telefona mobil (SMS-ve), për shkak të kufizimit të shkronjave. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

[1] Shënon Nesaiu, Tirmidhiu dhe Albani e cilëson të saktë në Sahihul Xhami.

[2] Shënon Tirmidhiu dhe Albani e cilëson të saktë.

[3] U lind në vitin 577 sipas hixhretit dhe ishte muhadith i njohur i kohës së tij.

[4] U lind në vitin 831 sipas hixhretit, gjithashtu edhe ky ishte muhadith i njohur.

[5] Edhe ky është nga dijetarët të njohur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit