4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shkaku i Ebu Bekrit (ose zbritja e tretë) – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Prof. Rudian Zekthi

ESBABI I EBU BEKRIT  (ose zbritja e tretë)

Forma e Vetme, apo Forma Unike, apo Forma Autentike e Kuranit, është ndarja dhe renditja në 114 Sure dhe në mbi më shumë se 6000 ajete, sipas rendit që e gjejmë në çdo mus’haf e të shprehur tek Pasqyra e Lëndës. Dhe arsyet pse kjo formë është pikërisht përpikmërisht kështu, janë gajb, të pazbuluara dhe të panjohura për mendjen e njeriut. Por ne mundemi të interpretojmë natyrën e Kësaj Forme, modesisht siç kemi bërë tek ligjëratat “Leximi me Zë” dhe  “Dy Zbritjet”.

Fakti që rendi historik sesi Kurani ka zbritur, është i ndryshëm nga rendi me të cilën janë të renditura ajetet dhe suret në Formën Autentike të Kuranit, na ka ndihmuar të kuptojmë përse Forma e Kuranit nuk është e organizuar tematikisht: sepse pra ai nuk është një libër studimi por parasëgjithash një libër zbulimi dhe inspirimi imediat në ndërveprim në kohë reale me realitetin e besimtarit. Kjo bëhet e qartë po ta krahasojmë me burimin tjetër të Udhëzimit të Zotit, Sunetin e Profetit a.s., hadithet e të cilit janë përmbledhur prej njerëzve dhe nga sa dimë karakteristikë zhanrore e të cilave është renditja tematike e tyre: ato kanë atë formë që kanë sespe forma e tyre është njerëzore, përputhtas me nevojën e dijetarëve për të orientuar asocacionet dhe referencat së pari gjatë studimit të tyre në funksion të një doktrine koherente dhe shteruese dhe së dyti në dhënien e opinioneve ligjore për rastet e veçanta. Përtej njëmijë përfitimeve që ka kjo formë e organizimit të Librave të Hadithit, sjell si efekt anësor (apo më saktë lehtëson si efekt anësor) një lloj neglizhimi të njohjes së Formës Autentike të Fjalës së Profetit a.s., formë e cila sigurisht që ekziston (dhe që nuk është asfare tematike) dhe që për nga natyra është e anasjellta e Formës Autentike të Fjalës së Zotit, pra ngaqë se është kronologjike, e thënë ndryshe Historia e Jetës së Tij, ajo që quhet Sira e Profetit.

Por ndërsa mosbartja e esbabeve -sebepeve të zbritjes së ajeteve në përputhje me momente të veçanta të jetës së Muhamedit a.s. nuk e dëmton, por përkundrazi është element i përkryerjes së Formës Autentike të Kuranit, e njëjta mosbartje tek Librat e Haditheve, pra tek Forma Konvencionale e Fjalës së Profetit a.s., ka ndikuar siç thamë si efekt anësor, në mosdhënien e vëmendjes së duhur Sirës së Profetit, përkatësisht një lloj pavetëdijshmërie që Sira është Forma Autentike e Fjalës së Profetit, e nga vetë ky fakt burim i drejtpërdrejtë i Udhëzimit të Zotit, krahas Kuranit dhe Sunetit.

Pra Fjalën e Profetit Muhamed a.s. e kemi të organizuar praktikisht në dy forma, Formën

Autentike të organizuar kronologjikisht sipas Sirës së Profetita.s. dhe Formën e Prejardhur apo Konvencionale (fryt i një marrëveshjeje njerëzore) të organizuar tematikisht. Përkundrazi Fjalën e Allahut e kemi në Vetëm një Formë, pra Formën Autentike (jokronologjike) të përcaktuar nga Allahu dhe përcjellë nga Xhibrili a.s.

shoqëruar potencialisht në mendjen e atij që e lexon, nga tri përvijime të mundshme: 1. rendi i zbritjes kronologjike (ajo që në fjalën e Profetit a.s. ishte Forma Autentike), 2. grupimet tematike (ajo që në fjalën e Profetit a.s. ishte Forma  Konvencionale), 3.rendi i kronologjisë së jetës së besimtarit që e lexon (për të cilën do flasim posaçërisht më poshtë).

Pra u  nisëm edhe njëherë  nga fakti i ditur, por jo i njohur mirë, që ashtu siç Kurani është i renditur, nuk është sipas rendit kronologjik të zbritjes së ajeteve dhe sureve, por sipas një renditje tjetër të udhëzuar rast pas rasti Muhamedit a.s. prej Xhibrilit a.s. Kjo do të thotë që çështja e formës së Kuranit si Tekst, nuk është  çështje e

vetëkuptueshme  – do të ishte ndoshta e tillë, nëse do të përputhej radha e zbritjes së njëpasnjëshme të ajeteve dhe sureve, me radhën e renditjes së tyre në Tekst (shënuar tek pasqyra e lëndës). Po ashtu, do të thotë se as nuk është e parëndësishme, përderisa jo vetëm Teksti si i tillë, si Përmbajtje- tërësi mesazhesh, por dhe Kompozimi i Tekstit (apo Forma e Tij) është i zbritur- i zbuluar si pjesë e Shpalljes Hyjnore. Dhe njohja e Formës, apo një shpjegim pse Forma është ashtu (pra  se nuk është rastësisht por domosdoshmërisht e tillë), pra kuptimi i formës së Formës, është detyrim për mbërritjen e Plotësisë dhe Thellësisë së kuptimit të Përmbajtjes së Fjalës së Zotit.( Nëse nuk përkushtohemi në gjetjen e kuptimit të kësaj forme të Formës, do të thotë se në mënyrë të pavetëdijshme mendojmë se Forma e Kuranit është rastësore apo jo e rëndësishme dhe rreziku i këtij mendimi është i njëjtë me rrezikun e gjërave  tashmë të njohura si më të rrezikshme.)

 

Në pamje të parë, Kjo Formë  e Kuranit siç e njohim ose thjesht Forma, sugjeron epërsinë e  të përhershmes, të përgjithshmes dhe jorrethanores a johistorikes – ndryshe universales, (pra asaj vlera dhe përcaktimi i të cilës përbën një ligj), ndaj të përkohshmes, specifikes dhe rrethanores a historikes- ndryshe individuales, (pra asaj që nuk mund të shndërrohet në ligj) (pasiqë Forma autentike e Kuranit nuk  përkon me kohën e zbritjes, që në thelb ka qenë e kushtëzuar nga jeta e Muhamedit a.s., nga historia e veçantë e jetës së tij, në vendin e vet, në popullin e vet,  në shekullin e vet, në kulturën e vet). Mirëpo kjo diferencë mes universales dhe individuales, karakteristike për njohjen njerëzore, nuk  ka vend tek Fjala e Zotit, pasi ajo është përtej kundërvënies universale – individuale, ndryshe thënë tek kjo fjalë gjithçka është njëherazi universale dhe individuale, çka në fakt dihet duke qenë se çdo pohim kuranor ka potencialin e një ligji apo kuptimi universal (përveç rasteve të ditura të naskhut – shfuqizimit).

Pikërisht prandaj, ky dallim mes Formës  së Vetme të Kuranit (pra Asaj Forme me të cilën e gjejmë në të gjithë mus’hafet), dhe rendit të zbritjes ajet pas ajeti përgjatë 23 viteve, është në funksion të të kundërtës: për të dëshmuar se çdo  gjë njerëzore, në momentin kur preket – bie në kontakt me hyjnoren, zbrazet nga tipare të tilla njerëzore si rëndomtësia, paqartësia, kotësia, iluzioni, parëndësishmëria dhe fitojnë një vlerë dhe rëndësi të padyshimtë dhe të përhershme. Pra fakti që sebepi i zbritjes së ajeteve kuranore nuk pasqyrohet formalisht në Formën e Kuranit do të thotë se çdo krijesë e Zotit që kontakton me Fjalën e Zotit, nga vetë ky fakt, gjatë kësaj kohe i ka kapërcyer kufizimet dhe mangësitë e veta dhe fiton vlerën e të qenit më i rëndësishmi mes gjithë krijesave të tjera.

Kjo rëndësi absolute është e vetëkuptueshme (e vetvetishme) dhe nuk ka nevojë për referenca dhe kontekst, prandaj ato nuk e kushtëzojnë Formën e Vetme të Fjalës së Zotit. Mirëpo, fakti që edhe pse të pabartura tek Forma e Kuranit, këto esbabe – sebepe, janë si rregull të njohshme (në mos të njohura për çdo rast), jashtë kësaj Forme – tek Përmbajtja e Kuranit apo në mos tek Sira e Muhamedit a.s., do të thotë se ekziston mundësia e madhe (në fakt madhështore) e gjurmimit të premisave, kontekstit dhe referencave të (as më pak ,as më shumë) asaj që është më e rëndësishmja, pas kësaj pikasjeje, duhet që këto gjurmë të barten nga besimtari përherë me vete, në mënyrë që  herët a vonë, në një mënyrë a tjetrën, këto gjurmë të rishfaqen në realitetin ku rron besimtari dhe ai ta mveshë këtë realitet me kuptimin e asaj pjese të Fjalës së Zotit, ku të bashkëlidhura referojnë këto gjurmë.

Siç thamë, kjo bashkëlidhje mes Fjalës së Zotit dhe referencave konkrete historike të tretura tek kjo Fjalë, nuk është e bartur tek Forma e Fjalës së Zotit, kështuqë e vetmja mundësi që kjo bashkëlidhje të jetë përherë e pranishme (pra me të njëjtin efekt sikur të ishte e shprehur tek Kjo Formë) është të barten me vete përhershmërisht nga besimtari, ndryshe thënë, këto referenca – pra esbabet, të bëhen pjesë e mendjes së besimtarit, pra të jenë të bartura tek kjo mendje, duke e ndryshuar dhe përcaktuar përfundimisht Formën e Mendjes së tij. Sepse  vërtet këto esbabe nuk është e nevojshme të jenë të bartura shprehimisht tek Forma e Kuranit si Fjalë e Zotit , ngaqë rëndësia absolute e asaj që thuhet aty nuk ka nevojë për historicizëm, por ama është e nevojshme të jenë të bartura shprehimisht  tek mendja e besimtarit (pra për pasojë  të jenë element konstitutiv i Formës së Mendjes së tij), sepse  marrëdhënia e besimtarit me realitetin  është brenda historisë por që të bëhet e rëndësishme ka nevojë për  kontakt me Fjalën e Zotit, për të cilin kontakt esbabet shërbejnë si adresë e sigurtë.

2.

Kur Muhamedi a.s. ndërroi jetë dhe shkoi tek Allahu, muslimanët e pranishëm në Medine jo vetëm u pikëlluan, por në njëfarë mënyre edhe u çoroditën pa mundur dot në ato çaste të para t’i jepnin fetarisht kuptim fatkeqësisë (mjafton të përmendim për këtë sesi Umri r.a. kishte nxjerrë shpatën duke kërcënuar se do të vriste këdo që do të pohonte se Muhamedi a.s. kishte ndërruar jetë). Ebu Bekri r.a., i cili një natë më parë, i gënjyer nga një përmirësim i përkohshëm i shëndetit të Muhamedit a.s., kishte shkuar ta kalonte natën në një pronë të vetën jashtë Medines, nuk qe për pasojë i pranishëm kur Muhamedi a.s. ndërroi jetë dhe kur erdhi atë ditë në Medine, i gjeti muslimanët në këtë gjendje dhimbje dhe konfuzioni. Hyri brenda në shtëpinë e Profetit a.s. dhe pasi e pa me sytë e tij doli dhe tha: Kush ka besuar Muhamedin ta dijë se ai ka vdekur, por kush ka besuar Allahun, ta dijë se ai nuk vdes kurrë. Dhe recitoi ajetin 144, të Sures Ali Imran: “Ve ma Muhamed il-la resulun kad halet min kablihi el-rrusul, e fe in mate ev kutile inkalebtum ala akabikum, ve men jenkalib ala akibejhi fe len jedurr-rra Allahe shejen, ve se jexhzi Allahu El-shakirin.”

“Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe para tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak,kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.”  3, 144.

Efekti i ndërhyrjes së Ebu Bekrit qe i menjëhershëm dhe vendimtar, sepse besimtarët menjëherë u kthjelluan se kuptuan se dhimbja duhej pasuar nga kurajoja, vendosmëria dhe ecja përpara në rrugën e Zotit. Umri vetë deklaroi më pas efektin inspirues së ndërhyrjes së Ebu Bekrit, duke thënë se kur dëgjoi ajetin kuranor, iu duk sikur po e dëgjonte për here të pare, megjithëse ai kishte të paktën 8 vjet që kishte zbritur.

Sepse ky ajet është pjesë e grupit të ajeteve të zbritura pas Betejës së Uhudit (dhe këto janë të vetmet ajete në Kuran që flasin për këtë betejë), në të cilin në një moment shumë kritik për muslimanët, Profeti a.s., u gjend me një numër shumë të vogël muslimanësh i vetëm përballë ushtrisë së idhujtarëve dhe madje u plagos dhe madje u përhap edhe lajmi që  ishte vrarë, si pasojë e të cilit muslimanët u demoralizuan dhe e braktisën fushëbetejën. Ky ajet qorton këtë sjellje të muslimanëve duke u kujtuar atyre që megjithëse I dërguar dhe më i afërti mes njerëzve tek Zoti, Muhamedi a.s. ishte i vdekshëm, por vdekja e tij nuk duhej t’i demoralizonte muslimanët. Ky është esbabi i këtij ajeti dhe siç mund të vihet re, në të mungojnë referencat historike tek Uhudi (muslimanët që kam pyetur rreth këtyre ajeteve që flasin për luftën, nuk kanë qenë në gjendje të thonë se bëhet fjalë për Uhudin), pra esbabi është i pabartur në tekst. Sigurisht që bashkësia e muslimanëve në tërësi, në momentin e zbritjes së këtyre ajeteve, as nuk ka pasur nevojë për esbab të shprehur, sepse prej vetiu e dinin se për çfarë bënin fjalë ato. Por me sa duket, me kalimin e viteve (pra rreth tetë vjet nga Beteja e Uhudit deri tek kalimi në Ahiret i Muhamedit a.s.)muslimanët janë kapluar nga harresa e natyrshme njerëzore dhe i recitonin këto ajete si një pohim universal, sikurse edhe padyshim çdo ajet kuranor është, duke mos e shoqëruar recitimin e tyre me praninë në mendje të esbabit – shkakut të zbritjes. Kjo zbehje në mendje e esbabit, nuk i lejoi të vërenin se ky ajet nuk kishte zbritur vetëm për një rast hipotetik të vdekjes së Profetit a.s., por edhe për vdekjen reale të Tij  sepse (pikërisht nga vetë fakti, pra që Ai kishte ndërruar tashmë jetë) ishte e vetmja referencë e drejtpërdrejtë kuranore që fliste për vdekjen e Profetit a.s.

Konfuzioni i muslimanëve në këtë rast, tregon mbi gjithçka, të vërtetën e madhe se muslimanët ishin mësuar t’i zgjidhnin çështjet në kohë reale me anë të Kuranit në zbritje e sipër, dhe ky qe rasti i parë që dukej se s’mund ta bënin më këtë (pra siç thamë nga vetë fakti: përcjellësi i Kuranit s’ishte më mes tyre) pasi nuk kishte më zbritje. Por për fatin e madh të tyre dhe të gjithë muslimanëve që kanë ardhur pas tyre, ky qe edhe rasti pare i dëshmisë se Kurani është Mrekulli Autentike, sepse përmes Ebu Bekrit u çel rruga për të kuptuar se kurani pavarësisht përfundimit të shpalljes dhe zbritjes, do të vazhdonte të ishte po Ai, Pajisësi me kuptim i ngjarjeve dhe realitetit të besimtarëve deri në Ditën e Kijametit. Zbritja e Drejtpërdrejtë qe deri në atë moment mënyra e vetme sesi Kurani modelonte realitetin, dhe ndërhyrja e Ebu Bekrit duke recituar ajetin kuranor dëshmonte se përmbyllja e Zbritjes nuk donte të thoshte edhe përmbyllja e modelimit të realitetit nga Fjala Autentike e Allahut, përkundrazi Kurani do vazhdonte të gjeneronte për muslimanët kuptimet e realitetit, cilido qoftë ai. Dhe si do të bëhej kjo?  Para së gjithash përmes një marrëdhënie mendore të pandërprerë me esbabet, në njëfarë mënyre nën shembullin e Ebu Bekrit e duke u munduar sa të munden të jenë si ai: ai qe i vetmi që e pati të gjallë në mendje esbabin e ajetit 144 të Sures Ali Imran, dhe përmes tij i dha kuptim fatkeqësisë së humbjes së Profetit a.s., pra që edhe ajo ngjarje s’bënte përjashtim, ishte sprova e radhës në serine e pandërprerë të së Njëjtës Sprovë, pra koherenca dhe skrupuloziteti në mospërzierjen e askurrfarë gjëje tjetër në marrëdhënien mes Krijuesit dhe Krijesave.

3.

Më parë ne thamë se Forma Autentike e Kuranit, potencialisht mund të shoqërohej (në rastin më të mirë,pasi kjo edhe mund të mos ndodhte)me tre profile perspektivash leximi në mendjen e besimtarëve (rendi kronologjik, grupimet tematike dhe rendi kronologjik i vetë jetës së besimtarit që lexon – për të cilën këtë të fundit premtuam të flasim pikërisht tani). Kjo mundësi e tretë për të lexuar Kuranin në Formën e Vet, është në fakt më kulmorja: së pari përmes esbabeve dhe së dyti përmes analogjive brendatekstuale, besimtarët (a besimtari) synon për çdo rast (dhe jo herëherë) t’i japë kuptim realitetit (kohës, vendit, kulturës, ideologjisë së shoqërisë ku bën pjesë) përmes Fjalës së Allahut në Kuran. Dhe edhe pse mund të mos ia dalë në të gjitha herët, ato herë që ia del sa më shumë qofshin, janë në thelb një profil mendor, intim i Kuranit në mendjen e besimtarëve, i cili ekzalton tek besimtari Mrekullinë e Formës Autentike të Kuranit.

 

Pasi Ebu Bekri r.a. recitoi ajetin kuranor, Umri r.a. deklaroi sikur e dëgjonte për herë të parë atë ajet. Ndryshe thënë, pas rendit të esbabeve bazë të ajeteve kuranore të përbashkëta për gjithë umetin, pasi i përkasin Zbritjes së Kuranit në Dunja përmes Dy Përcjellësve Besnikë, Xhibrilit a.s. dhe Muhamedit a.s., vjen rendi i esbabeve të prejardhur, pra i esbabeve të përbashkëta apo individuale të muslimanëve breza – breza deri në Kijamet, pra i shndërrimit të realitetit konkret në një trajtë adekuate për të qenë i interpretueshëm prej formulave të gjithëkohshme kuranore. Ky rend i dytë esbabesh, në thelb kalon përmes sensacionit se ajetet e radhës që lajnë me dritën e tyre realitetin po dëgjohen për herë të parë (pasi deri në një moment më parë nuk ishte zhbllokuar ndërlidhja e tyre me realitetin), pra sikur posa kanë zbritur, që mundëson të themi se ky është përvijimi i ri që lejon Forma Autentike e Kuranit, përvijim kronologjik i zbritjes së personalizuar të Kuranit ,për çdo besimtar që ndjek shembullin e Ebu Bekrit. Ndërsa profilimi kronologjik i Esbabeve Profetike, mundësohej pas Zbritjes  së Parë Tërësore të Kuranit në Leuhi Mahfudh, profilimi kronologjik i esbabeve të personalizuara mundësohet pas Zbritjes së Dytë Tërësore të Kuranit tek Muhamedi a.s. dhe ruajtjes së tij në kujtesën e hafizëve dhe në musafe.

 

Bëhet fjalë në një fare mënyre për një zbritje të tretë (në fakt një zbritje e pambarimtë, sespe sapoqë realiteti rrjedh pandërprerë kuptimësimi  i tij prej Fjalës së Zotit, duhet të jetë po ashtu i pndërprerë) të Fjalës së Zotit, e padukshme sepse është mes besimtarit dhe Fjalës së Zotit, (siç njësoj janë të padukshme shkaqet e Zbritjes së Dytë tek Forma Autentike e Kuranit e Zbritjes së Parë),e cila jo vetëm nuk e cënon Formën Autentike të Kuranit, por dëshmon për Të qenët e Saj Mrekulli (pasiqë Forma e Kuranit me të vërtetë nuk i bart esbabet e Zbritjes së Dytë, por e sugjeron fort njohjen e tyre dhe mbajtjen e tyre në gjendje permanence si element i Formës së Mendjes së Besimtarit – si garanci e pandërprerë për kuptimësim të padyshmtë të realiteti nga Fjala e Allahut dhe për mveshjen e besimtarit që e bën këtë, me të qenët më i rëndësishëm se çdo pengesë, moskuptim e armiqësi). Zbritje nga musafi apo nga kujtesa tek momenti historik i radhës, kur besimtari i përprekur nga Realiteti Hyjnor  i Fjalës së Allahut, ndjek rrugën e

Ebu Bekrit dhe ndjen në kohë reale se nga Prania e Gjallë e Kësaj Fjale, i mjafton Zoti edhe në qoftë i vetëm kundër të gjithëve, për të qenë ashtu i vetëm më i rëndësishëm se të gjithë ata bashkë, për ta ndryshuar realitetin në përputhje me Njësinë e Allahut manifestuar tek Fjala e Tij.

Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit