Zv.zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha se Guterres po ndjek me “shqetësim të thellë” zhvillimet e fundit në Gaza, përshkallëzimin e vazhdueshëm dhe rrezikun e humbjeve të mëtejshme të jetëve
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kërkuar ndaljen e menjëhershme të humbjes së jetës civile “të papranueshme” në Rripin e Gazës në mes të tensioneve në rritje në territoret palestineze, transmeton Anadolu.
Zv.zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha se Guterres po ndjek me “shqetësim të thellë” zhvillimet e fundit në Gaza, përshkallëzimin e vazhdueshëm dhe rrezikun e humbjeve të mëtejshme të jetëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, të paktën 21 palestinezë janë vrarë dhe 64 janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në Gaza.
“Izraeli duhet të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë përdorimin proporcional të forcës dhe marrjen e të gjitha masave paraprake të mundshme për të ruajtur civilët dhe objektet civile në kryerjen e operacioneve ushtarake”, tha Haq.
Ai tha se shefi i OKB-së gjithashtu dënon lëshimin pa kriter të raketave nga Gaza në Izrael, që “shkel ligjin ndërkombëtar humanitar dhe vë në rrezik civilët palestinezë dhe izraelitë”.
Guterres u kërkoi të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të punojnë për të ndaluar menjëherë armiqësitë.
Ushtria izraelite tha se sulmet ajrore në Gaza ishin pjesë e operacionit “Mburoja dhe Shigjeta” në përgjigje të lëshimit të raketave nga Gaza pas vdekjes javën e kaluar të një palestinezi që ishte në grevë urie në një burg izraelit.