1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

SHBA-ja paralajmëron Gjermaninë për sanksione të mundshme

Më të lexuarat

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka paralajmëruar Gjermaninë për sanksione të mundshme për shkak se ka lejuar ndërtimin e tubacionit të gazit rus “Rrjedha Veriore 2”. Blinken tha se ky projekt është kundër interesave të vetë Bashkimit Evropian. “Presidenti (Joe) Biden ka qenë shumë i qartë, ai beson se tubacioni është një ide e keqe, për Evropën, për Shtetet e Bashkuara. Ky projekt në fund të fundit  është në kundërshtim edhe me qëllimet e sigurisë së BE-së “, tha Blinken, më 23 mars, pas takimit Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel. Gjermania po e shtyn përpara përfundimin e ndërtimit të tubacionit, pavarësisht kundërshtimit të gjatë të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se gazsjellësi do ta bëjë Evropën shumë të varur nga furnizimet e energjisë ruse. Ky tubacion parashihet se do të transportojë 55 miliardë metra kub gaz natyror çdo vit direkt nga Rusia në Gjermani. Ai gjithashtu do të anashkalojë Ukrainën, një vend aleat i Perëndimit. Në deklaratën e tij, Blinken përmendi një ligj, sipas të cilit, SHBA-ja është e detyruar të vendosë sanksione ndaj kompanive pjesëmarrëse në projektin “Rrjedha Veriore 2”. SHBA-ja vlerëson se ky projekt do të minojë “interesat e Ukrainës, Polonisë dhe një numri vendesh aleate “. Blinken tha se për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Gjermanisë ai do ta paralajmërojë edhe homologun e tij gjerman, Heiko Maas, në takimin e tyre më 23 mars. Deri më tani, Uashingtoni ka vendosur vetëm sanksione ndaj ndërmarrjes ruse KVT-RUS, e cila operon me anije për vendosjen e tubave. Sanksionet u shpallën nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, pak para përfundimit të mandatit të saj në janar. Rreth 95 për qind e punës në ndërtimin e gazjellësit  tashmë është përfunduar. Sipas ekspertëve, projekti mund të përfundojë deri në shtator. Mbështetësit e ndërtimit të këtij gazjellësi kanë akuzuar prej kohësh Shtetet e Bashkuara për pengimin e projektit, duke thënë se Uashingtoni po synon shitjen e gazit të lëngshëm në Evropë.

/REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit