9 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Shamia dhe territori i inferioritetit

Më të lexuarat

26 Shtator 2011

Shkruan: Agim Baçi

Edhe këtë vit, me rifillimin e shkollave dhe në prag të nisjes së mësimit në universitete, nuk mund të mungonte debati për shaminë, mbulesën e vajzave të besimit islam. Duket si një skenar përsëritjeje, ku debati është i njëjtë, por vetëm ndryshojnë aktorët.Por, më e trishtë sesa moszgjidhja në bazë të të drejtave themelore të njeriut, që është A-ja dhe ZH-ja e ligjit, është kërkimi me ngulm i mjaft aktorëve për t’i futur besimtarët myslimanë në një territor inferioriteti ndaj qytetërimit. Duke i paraqitur si të paaftë për të përqafuar modernizmin (modernizmin sipas versionit të tyre, për jetë të hapur publike, veshje ekstravagante, pije, apo argëtime të tjera), janë montuar pa fund situata të tilla, të cilat i paraqesin myslimanët si një komunitet me kërkesa minimale për jetën, duke i përjashtuar nga të qenit aktorë publikë, ose edhe shembull publik përmes asaj çka përçojnë simbolet.
Krijimi i një numëratori si ata të fillores, kur mësojmë shtimin e numrave, ashtu numërohen edhe pamundësitë e atyre që shfaqen si besimtarë, duke i paraqitur, gati-gati, si relikte, si pjesë e pamundur për të ecur me vrapin e ndryshimeve. Këtë imazh e ka ndihmuar edhe agonia e zgjatur e zyrtarëve të Komunitetit Mysliman, të cilët prej vitesh përbëjnë lajm në publik ose për ndonjë debat pronash (ku zakonisht vihen në sfond dy pleq me qeleshe në derën e Komunitetit Mysliman), ose thjesht duke i dhënë dorën politikës për festa, pa pasur asnjë rol publik. Për më tepër, pavarësisht qëndrimit të palëkundur kundër terrorizmit që kanë pasur myslimanët shqiptarë dhe ky komunitet, pakkush nga zyrtarët e këtij institucioni është munduar të shpjegojë se ata që tentojnë veprime terroriste në emër të islamit, janë së pari të dëmshëm për vetë myslimanët, të cilët duhet të bartin në përditshmërinë e tyre një peshë që nuk e kanë në thelbin e asaj që besojnë, që nuk është as e tyre e as në dëshirën e tyre.
Pozicioni inferior që ka mbajtur zyrtarisht Bashkësia Islame dallohet qartë edhe në zvarritjen që ka pasur në vite çështja e ngritjes së një xhamie, ndërkohë që komunitetet e tjera, pa asnjë zhurmë, i kanë ndërtuar objektet e tyre të kultit atje ku kanë kërkuar që ta kenë.
Duke ngritur, në fakt, të njëjtat probleme paralele së fundi edhe në Kosovë, duket sikur kemi të njëjtin binom inferioriteti të shoqërisë, e cila veçse përforcon qëndrimet kundërshtare të disa vendeve jo dashamirëse ndaj shqiptarëve lidhur me integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në strukturat europiane.
Por, në thelb, çfarë humbet shoqëria duke tentuar t’i izolojë myslimanët, duke i futur në qarkun e inferiores?
Së pari, myslimanët janë qytetarë të këtij vendi, pjesë e pandarë e shoqërisë. Në historinë e këtij vendi ata kanë treguar atdhetarizmin, kulturën dhe kanë qenë promotorë të zhvillimit, pa bërë asnjë dallim se cilit besim i përkisnin. (Nëse ne krenohemi me tolerancën, nuk mundemi të anashkalojmë rëndësinë që ka pasur qëndrimi i shumicës myslimane në këtë vend. Sepse, fundi i fundit, nuk toleron pakica shumicën, por vetëm e kundërta mund të ndodhë). Duke tentuar futjen e besimtarëve në territor të inferiores dhe duke provokuar në jetët e tyre atë çfarë ata besojnë, shoqëria rrezikon të ketë një pjesë ta pakuptueshme me veten, që rrezikon nga çasti në çast të jetë e pakontrollueshme, qoftë edhe përmes refuzimit. E, për më tepër, duke i paraqitur myslimanët si një rrezik brenda shoqërisë, nuk ka pse të habitemi që europianët të na shohin rrezik për veten e tyre. Në këtë këndvështrim, projektuesit e lajmeve duhet të mbajnë përgjegjësinë e “ujit” që çon mulliri i lajmeve të tyre, pasi nuk kemi të bëjmë me turistë që kalojnë në Shqipëri, por kemi të bëjmë me një shumicë të konsiderueshme, që e sheh besimin si vlerë.
Ndërkaq, vetë myslimanët mbajnë përgjegjësinë e moskuptimit të rëndësisë së dialogut, të jetës në publik, për t’iu treguar anëtarëve të shoqërisë thelbin e asaj çka ata besojnë, që të mos jenë thjesht objekt për lajm. Mbajnë përgjegjësinë e mosdaljes së duhur në jetën publike, për të shpjeguar realisht vlerat e asaj çka përfaqëson ajo që kërkojnë të përfaqësojnë. Mbajnë përgjegjësinë e mosshpjegimit se asnjë çast demokracia nuk bie në kundërshtim me besimin, por sidomos me detyrën për të kërkuar diturinë. Vetë besimtarët e dinë se sa e rëndësishme është ta fitosh betejën në shoqëri duke debatuar me të tjerët, duke treguar vlerat në bashkëjetesë me të tjerët, e jo duke u veçuar dhe duke u strukur në vetminë që tashmë u ofrohet me bollëk nga projektuesit e territoreve inferiore.
Vetëm një ndërthurje e aktorëve imazhformues dhe vetë myslimanëve do të bënte që të mos ndërtonim geton e rrezikshme të territorit të inferioritetit, që mund të jetë më së paku një ngarkesë sociale për shoqërinë, ose një argument dashakeqës ndaj atyre që dëshirojnë të na shohin si pikturë e keqe orientalizmi që nuk mund të ekspozohemi në Europë.Ndërkohë, ata që kanë marrë përsipër të drejtojnë përmes institucioneve jetën e besimtarëve, duhet të marrin përgjegjësinë sipas dijeve që jep Islami, e jo të jetojnë sikur janë mbyllur në një bunker nga ku nuk shohin asgjë se çfarë ndodh në horizont. Sepse të paraqitesh si besimtar i një libri që i ka të gjitha zgjidhjet, për çdo kohë e për çdo vend, e të mos shfaqësh asnjë zgjidhje, do të thotë se nuk ke kuptuar asgjë nga ajo që ke marrë përsipër të përfaqësosh, ose edhe më keq, që je qëllimisht pengesë./panorama/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit