22.5 C
Pristina
Saturday, May 25, 2024

Rruga e gjatë e lirisë

Më të lexuarat

Nga: Lajme te ngjashme CEZ Shpërndarje, gatishmëri për furnizim pa probleme gjatë f

Rruga e gjatë e lirisë

Tashmë lufta e Libisë, pavarësisht se po zhvillohet pothuajse në brigjet e Europës, po rrezikon të kthehet në një nga të shumtat  luftera të harruara që kanë gjakosur kontinentin afrikan në gjashtëdhjetë vjetët e fundit. Ajo që filloi si një dallgë revolucionare që dukej se do ta fshinte Gadafin në pak ditë, është kthyer në një betejë bjerrëse në hapësirën midis Tripolit ku vazhdon mbretërimin e tij personazhi më ekscentrik i të shumtëve që kanë gjalluar në këtë kontinent, dhe Bengazit, ku lëvrijnë ish- ministra e ushtarakë të regjimit; kryetarë fisesh; dishepuj të Al Kaedës dhe operativë të shërbimeve sekrete të gjithë botës. Këputja e gjunjëve të momenteve të para, duket se i kaloi Gadafit. Nën tingëllimën e floririt, plotësoi me mercenarë radhët e dezertorëve dhe gjeti specialistët e kalitur në luftërat e njëzetvjeçarit të fundit që janë bërë në botë. Me zhvendosjen e luftës brenda qendrave të banuara, për të kompensuar dobësinë në ajër, po e kthen në një luftë asimetrike. Ndërkohë, koalicioni nuk është më i fortë se kurrë, pasi tërheqja e SHBA-së nga roli lider, iu dha zjarr sherreve që vlojnë prej pesëqind vjetësh në hapësirën europiane: Gjermania, e zënë tashmë me administrimin e asaj që quhej dikur Mitle Europë, dhe përfshin kombet që dikur ishin nën suazën e Perandorisë Gjermane e asaj Austro-Hungareze, po interesohet më tepër për mbrothësinë ekonomike, se për çfarë ndodh tej ujërave që lagin kontinentin e vjetër. Atë që nuk arriti dot në dy luftëra botërore me ushtarët e Wermahtit, duket se po ia del me financierët e Dojçe Bank-ës, me krijimin e një “hapësirës jetike” ekonomike që e lejon të prosperojë në prodhimin dhe eksportin e produkteve “Made in Germany”. Është vendi që ka rritje ekonomike më shumë se çdo anëtar i BE-së, ndërkohë nuk i interesojnë trazirat e Libisë, pasi raportet e privilegjuara me Putinin i kanë siguruar naftën e gazin. Në krahun tjetër Franca dhe Anglia, ashtu si në vitin ‘56 të shekullit të kaluar, në luftën me Egjiptin për Kanalin e Suezit, treguan se nuk kanë më forcën e perandorive të dikurshme dhe të ngjallin frikën e pasojave të parikuperueshme për kundërshtarët e tyre. Megjithëse në Washington mbretëron një Obama, i cili nuk ka aspak qejf të merret me problemet jashtë SHBA-së dhe jo një Ajzenhauer xheloz i primatit amerikan, kjo duket se nuk ndihmon. Anglia shëmbëllen pa entuziazmin e parë, pasi përjashto arsyet humanitare, kur shumëkush nga europianët u neverit nga gjuha që përdori në intervistën e fundit djali i Gadafit, Saif Al Islam, i cili premtoi një masakër të stilit mesjetar, ndërkohë që forcat besnike ishin në dyert e Bengazit, tashmë britanikët nuk kanë më interesa direkte, përpos rolit të mëkëmbësit të SHBA-së, rol i dhënë prej kohësh dhe i forcuar me ardhjen e Obamës në fuqi. Ndërsa Franca, ngjan se nuk ka më letra të tjera për të hedhur në tavolinë, që të mund të ndryshojë impasin ku ka hyrë beteja e Libisë. Nëse do futë trupat tokësore, kjo do ishte një vetëvrasje, pasi nuk do jenë nën simbolin e NATO-s. Ndërkohë, luftërat asimetrike tashmë janë një eksperiencë që mund ta përballojnë vetëm kombe me resurse të mëdha njerëzore dhe financiare, ku nga pjesëtarët e NATO-s i ka vetëm SHBA-ja, dhe jo një fuqi e mesme si Franca. Bombardimet inteligjente kanë efekt mbi tanke dhe artilerinë e kundërshtarit, por jo mbi njerëz që në mijëra vjet janë mësuar të jenë të pakapshëm në mes të shkretëtirës. Besnikëria e fiseve të mëdha doli më e epshme ndaj parasë të Gadafit, se thirrjeve për të drejtat e njeriut që lëshonte koalicioni. Kjo ka sjellë që kryengritësit në terren mos kenë njerëzit e nevojshëm për të zhvilluar ofensivën, ndërsa aleanca e vullnetmirëve, të bëjë me mijëra orë fluturimi mbi Libi, duke shënuar si sukses kur godet ndonjë tank që ka humbur rrugën, por e pafuqishme të japë një zhvillim rrënjësor betejës. Franca, pas vrullit të parë, ka mbetur një ndër të paktat fuqi në përplasje direkte. Kjo ka sjellë rizgjimin e dyshimeve për një iniciativë të saj neokoloniale; për qëllimet e saj në krijimin e një zone ekonomike franceze dhe burimi energjie hidrokarburesh, si dhe rrugë për rikonfirmimin e Sarkozi si president, parë që në fushën e brendshme presidenca e tij ka rezultuar skadente. Ndërkohë italianët po ndjejnë bërrylat si në hapësirën franceze, ku shoqëritë e sigurimit, ato tregtare dhe të modës po nxirren nga tregu, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku dobësia italiane për të shoqëruar politikat e saj edhe me forcën e armëve, po rezulton jo produktive. Gjashtëdhjetë vjet fushatë me synimin që Italia të kishte rolin e liderit në Mesdhe, e shoqëruar me investime dhe ndihma pa interes, rezultojnë zero, me hyrjen në lojë të armëve. Thellë-thellë, Italia, është i humburi i madh i kësaj lufte. Rrëzimi i Gadafit, do të thotë humbje e miliardave italiane të investuara dhe e pozitës ekonomike dhe politike që ky vend kishte bërë mbi kolonelin. E gjitha do të jetë një rifillim i lojës nga e para në këtë rajon, por me Italinë e pa besueshme, që është në gjendje të mbrojë interesat dhe të privilegjuarit e saj. Duke folur me gjuhën e realpolitikës, Italia ose duhet ta rrëzonte vetë Gadafin dhe të ishte iniciatorja e betejës, ose duhej ti ishte kundërvënë fuqishëm Francës, njëkohësisht duke ushtruar presion mbi kolonelin për moderim të politikave. Asnjërën nga këto Italia nuk e bëri dot, duke humbur shansin që të ishte një forcë e re në Mesdhe, rol i harruar që nga koha e romakëve, dhe i pretenduar rishtazi por i pa fituar, as me metodat rokamboleske të Musolinit dhe as me metodat e matura e të ndrojtura të republikës së tanishme. Që të ndodhte kjo, duhej që politika italiane të kishte vendosur me kohë disa parime dhe piketa dhe për mbrojtjen e tyre mos ndruhej në përdorimit të mjeteve të forta. Mungesa e tyre ka sjellë që SHBA, Anglia, Franca dhe Gjermania, ta përjashtojnë në takimet që zhvillojnë për fatin e Mesdheut, ose ta pranojnë vetëm pasi janë bërë takimet e para dhe janë marrë vendimet, thjesht për t’i kënaqur sedrën një aleati i cili realisht ka kontribute më të mëdha në iniciativat e aleancës jashtë kufijve të saj, edhe se Gjermania dhe Franca, dhe po përballon kostot e jashtëzakonshme të cunamit njerëzor që po i vjen nga vendet e Magrebit, e për të cilët aleatët mbyllin dyert dhe kyçin fondet. Veç faktorit histori, ka ndikuar në pozicionin ndërkombëtare të Italisë, edhe kriza e brendshme politike: Ngjarjet e kryeministrit Berluskoni; një opozitë në krizë identiteti, mungesa tradicionale e zjarrit militarist tek italianët, japin jashtë kufijve perceptimin e një Italie e cila nuk ka fuqi të mbyllë problemet e brendshme, lere më ato të jashtme. Ndërkohë, frenimi i ndryshimeve në Libi, ka sjellë një ridimensionim jo fort demokratik të fuqimbajtësve të rinj në Tunizi dhe Egjipt, dhe një rritje të rezistencës së presidentëve-mbretër të Jemenit, Sirisë e Jordanisë. Me siguri ky ndryshim i vrullshëm që shpesh dukej se do dilte nga kontrolli, nuk ju ka pëlqyer as izraelitëve, që do kenë ushtruar në heshtje ndikimin e tyre për ti vënë fre entuziazmit perëndimor për demokratizimin e menjëhershëm dhe përkrahjen pa kushte e pa kontroll ndaj revolucionarëve të botës arabe. Ditë përpara në një mur të Bengazit, një kryengritës kishte shkruar: “Kam lindur në Tunizi, rritur në Egjipt, po burrërohem në Libi, nuk do vonoj në Palestinë. Emri im është Liri”. Me sa duket, rruga e lirisë është shpesh me shumë të papritura. Ishallah nuk e vrasin në Libi./balkanweb/ 

Rating: 4.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit