17.4 C
Pristina
Monday, June 17, 2024


Rrezikon të dëbohet nga Italia për disa mesazhe private pro Palestinës

Më të lexuarat

Mësuesi algjerian, preja e radhës e islamofobisë në vendin fqinj: e godet shteti, e duan nxënësit!

Il Post

Më 16 maj, Seif Bensouibat, një mësues algjerian që jeton prej 10 vjetësh në Itali me statusin e  refugjatit, u mor nga shtëpia e tij nga policia në Romë dhe u transferua në Qendrën e Përhershme të Riatdhesimit (CPR) për emigrantët e paligjshëm në Ponte Galeria, në periferi të kryeqytetit italian.

Atje iu njoftua vendimi për dëbimin e menjëhershëm nga territori italian dhe për anulimin e statusit të refugjatit. Kjo për shkak të disa fjalive që ai kishte shkruar disa muaj më parë në një bisedë private, në të cilën ai kishte kritikuar Izraelin për luftën në Gaza, duke shprehur solidaritet me popullin palestinez dhe me Hamasin.

Bensouibat u lirua nga burgu të hënën e 20 majit, pasi gjykatësi e cilësoi të paligjshëm ndalimin e tij administrativ në Qendrën e Përhershme të Riatdhesimit. Megjithatë, nuk është marrë ende një vendim mbi dekretin e dëbimit të tij. Ndaj Bensouibat rrezikon riatdhesimin, teksa është edhe nën hetim për akuzën e nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore.

Bensouibat, 38 vjeç, punonte deri para pak muajsh si mësues në shkollën e mesme franceze Chateaubriand në Romë, e cila administrohet nga Agjencia për Arsimin Francez Jashtë vendit, e kontrolluar nga Ministria e Jashtme franceze. Mbi rastin e tij ka pasur shumë reagime, përfshirë atë të Ilaria Cucchi, senatore e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë. “Masa ndaj Bensouibat është një e tepruar në krahasim me faktet e diskutueshme. Po ashtu ajo përbën një shkelje e të drejtës themelore për lirinë e shprehjes së mendimit”- ka deklaruar ajo.

Mesazhet që për autoritetet janë të diskutueshme, Bensouibat i ka shkruar që nga janari në një bisedë private në WhatsApp. Në bisedën ku përfshiheshin disa miq dhe kolegë të shkollës, ai komentoi me tone shumë të ashpra bombardimet izraelite në Rripin e Gazës dhe shprehu mbështetjen për Hamasin.

Ndër të tjera, ai publikoi një foto të zëdhënësit të Hamasit, dhe e krahasoi grupin me rezistencën algjeriane që kishte luftuar dikur për pavarësinë e vendit nga Franca. Më pas një koleg e denoncoi tek drejtori i shkollës së mesme, i cili nga ana e tij vuri në dijeni ambasadën franceze dhe më pas policinë.

Bensouibat tha më 17 janar për portalin Fanpage se DIGOS (Divizioni i Përgjithshëm i Hetimeve dhe Operacioneve Speciale të Policisë) shkoi në shtëpinë e tij për të kryer një kërkim për armë ose eksploziv (nuk u gjet asgjë). Po atë ditë drejtori i shkollës i telefonoi për ta lajmëruar se do të pezullohej për disa ditë.

Megjithatë, pas një jave, ai u pushua nga puna, u thirr në komisariatin e policisë dhe u informua për hapjen e një hetimi penal kundër tij, për procedurën e heqjes së statusit të refugjatit, dhe për thirrjen para komisionin territorial të ngarkuar me njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare.

Bensouibat kërkoi falje publike për mesazhet, të cilat ishin gjithsesi biseda private, duke thënë se ai ishte “shprehur keq” dhe se “kishte bërë një gabim”. Më 16 maj, pas dy muajsh liri, policia u kthye në shtëpinë e tij për ta njoftuar për dispozitën për heqjen e statusit të refugjatit dhe dëbimin e tij nga Italia, për shkak se konsiderohet si person i rrezikshëm për sigurinë e shtetit. Për këtë arsye iu nënshtrua ndalimit administrativ në Ponte Galeria.

Tani për tani Bensouibat është i lirë, por ai rrezikon ende të dëbohet nga Italia. Avokatët e tij kanë njoftuar se do të apelojnë heqjen e statusit të refugjatit, me argumentin se fjalët për të cilat akuzohej janë “shprehje jo publike, pa ndonjë karakter propagandistik dhe pa elemente shoqërues apo ndonjë gatishmëri për të kryer akte dhune”. “Pra ishte një reagim momental, ndoshta jo i matur, por asgjë më shumë se kaq”- theksojnë ata.

Ndërkohë, prindërit dhe nxënësit e shkollës së mesme Chateaubriand, kanë mbledhur dhjetëra firma online në mbështetje të mësuesit algjerian. “Ai ka qenë gjithmonë i vlerësuar nga fëmijët dhe prindërit. Ne shprehim të gjithë solidaritetin tonë me Seif-in për këtë makth që po përjeton, dhe kërkojmë që ai të përfitojë të gjitha të drejtat e tij të parashikuara me ligj (migrimit, lirisë së shprehjes dhe të punës). “Rreziku i dëbimit të një refugjati është një veprim jo-proporcional, që rrezikon seriozisht jetën e një të riu”- thuhet në peticionin e firmosur prej tyre. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit