14.7 C
Pristina
Sunday, May 26, 2024

Rrëfimi: si e ndryshoi lufta Ramazanin në Bagdad

Më të lexuarat

Mohamed al-Azawi dhe bashkëshortja e tij përshkruajnë për “Al Jazeera”-n sesi u ndikuan traditat e Ramazanit nga konflikti që vazhdon ende në Irak. Pas pushtimi amerikan, shumë familje nuk e përballonin dot më të ftonin miq për iftar, pasi shumë kryefamiljarë apo persona të tjerë që sillnin të ardhura në shtëpi, ishin ose në burg ose të vdekur….

Përpara sulmit të drejtuar nga amerikanët dhe për pasojë pushtimit të Irakut në vitin 2003, Mohamed al-Azawi punonte si profesor universiteti në Bagdad. Për arsye sigurie, ai u detyrua t’i linte pas gruan dhe fëmijët gjatë luftës. Ai u rivendos në Jordani, Siri, Bahrein dhe në fund në Doha të Katarit, ku ka jetuar që prej vitit 2010.

“Pra, ti dëshiron të dish për Ramazanin në Irak”, thotë Mohamed, duke qeshur, ndërsa hap derën.

Shtëpia është në qetësi. Mohamed jeton vetëm për pjesën më të madhe të vitit, por gruaja e tij, Hayfaa, ka qëlluar të jetë aty në një nga ato vizitat e rralla nga Bagdati. Ajo buzëqesh me entuziazmin e të shoqit.

“Unë mund t’ju tregoj për Ramazanin deri tek lufta, dhe nuk do isha në gjendje të jepja detaje për ushqimin”, shton Mohamed. “Gruaja ime mund ta bëjë shumë më mirë këtë pjesë”.

Mohamed merr telekomandën e televizorit për t’i ulur zërin duke mos pranuar ta fikë atë siç sugjeron gruaja, duke bërë shaka: “Eshtë traditë irakiane të mbajmë televizorin gjithnjë ndezur në sfond”.

Mohamed e ka kaluar fëmijërinë e tij në Bagdad, ku e gjitha familja mblidhej për iftar që shtrohej në dyshemenë e shtëpisë familjare: kubab që është lloj buke, një pjatë speciale me oriz dhe mahalabiya (mohalebi apo puding).

“Kur isha fëmijë, ne merrnim vazo bosh reçeli, vendosnim qirinjtë brenda tyre dhe i sillnim rrotull si fenerë”, thotë Mohamed për “Al Jazeera”-n. Ai sjell gjithashtu në kujtesë trokitjen në dyert e fqinjëve për të kërkuar karamele dhe ëmbëlsira. 

Drejt fundit të muajit, fëmijët prisnin me padurim Bajramin. “Përgatitnim rrobat tona të Bajramit gjatë Ramazanit dhe i mbanim gati për t’i veshur një natë përpara Bajramit”, thotë ai. “Të gjithë fëmijët shkonin në karnavale, me lodra dhe zbavitje dhe sigurisht që merrnim eidijat (para që u jepen fëmijëve gjatë Bajramit).

Pasi Mohamed u largua nga Iraku menjëherë pas pushtimit të vitit 2003, gruaja e tij dhe katër fëmijët mbetën në këtë vend.

“E lashë Bagdadin sapo nisi pushtimi, kështu që kujtimet e mia kanë ngrirë në atë kohë”, thotë ai, duke vënë në dukje se u largua midis kërcënimeve për ta vrarë dhe vrasjes së shënjestruar të qindra intelektualëve dhe akademikëve irakianë gjatë luftës.

“Traditat e Ramazanit në Irak sa mezi po i mbijetojnë konfliktit”, thotë gruaja e Mohamed, Hayfaa për “Al Jazeera”-n.

“Mund t’ju them sesi familjet dikur bashkoheshin, sesi shtëpiaket e lagjes përgatisnin mamulin (ëmbëlsira të mbushura me hurma arabie) dhe kubabin së bashku”, thotë ajo.

Hayfaa sjell në kujtesë sesi familja e saj dikur përgatiste aq shumë ushqim sa u duhej të merrnin hua tenxhere dhe tiganë të mëdhenj nga furrat e dyqanet e lagjes. “Ishte ushqim që do të ndahej me të tjerët”.

Gjatë luftës, rryma elektrike ndërpritej në mënyrë të vazhdueshme për disa orë në ditë, duke ua bërë të pamundur familjeve të gatuanin shumë nga pjatat tradicionale. Qeveria irakiane po ashtu nisi të reduktojë racionet bazike të ushqimit që u jepeshin familjeve, duke hequr prej këtyre racioneve gjithçka veç një orizi të cilësisë së dobët “që binte erë si plastikë kur gatuhej”, thotë Hayfaa.

Familjet nuk mund të përballonin më të ftonin miq për iftar pasi shumë nga njerëzit që sillnin ushqim në shtëpi, ishin ose në burg ose të vdekur.

“Pas pushtimit amerikan, nuk mund ta ndjeje vërtet lumturinë e Ramazanit kur kishe njerëz të familjes të zhdukur, dhe pjesa më e madhe e familjeve nuk ftonin të tjerë për iftar kur kryefamiljari i tyre nuk ishte më”, thotë Mohamed.

“Familjarët ende mblidhen e bashkohen për iftar, megjithatë. Në shtëpi hapet një shtrojë në dysheme në dhomën kryesore dhe familja, të rinj e të vjetër, burra e gra, hanë së bashku”.

Ndërsa çmimet e përbërësve ushqimorë kanë prekur qiellin, shumë familje nuk mund të gatuajnë më disa prej pjatave tradicionale

Një nga pjatat kryesore që Hayfaa e përgatiste në avancë është kibehh, një masë brumi e mbushur me mish të grirë. Ajo vendoset në ngrirje, kështu që çdo ditë mund të merret nga pak dhe të skuqet.

“E kupton se është Ramazan në Bagdad vetëm 10 minuta përpara iftarit, kur sheh fëmijët tek vrapojnë derë më derë me pjata në duar”, thotë Hayfaa duke i buzëqeshur këtij imazhi. “Ishte një rrymë e vërtetë pjatash nga shtëpi të ndryshme, kështu që kur vinte koha për t’i kthyer, nuk e dije se kujt i përkisnin ato. Tani njerëzit nuk e përballojnë dot të jenë kaq bujarë”, thotë ajo.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, pak njerëz mund të shohin njoftimet për nisjen e Ramazanit në televizion, thotë ajo. Në vend të kësaj, ka vullnetarë që vërtiten nëpër lagje duke thirrur: Ramazani është nesër. Xhamitë po ashtu transmetojnë frazën “Allahu Akbar” (“Zoti është i madh”)  nga megafonët e tyre për të mirëpritur nisjen e muajit të madhërishëm.

Për shkak të mungesës së energjisë dhe frigoriferëve që nuk mund t’u besohet, familjet detyrohen të gatuajnë me nxitim bukën dhe ta konsumojnë atë brenda ditës – një proces rraskapitës, pohon Hayfaa.

Por, edhe shumë tradita të tjera janë zbehur për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë, thotë Mohamed. “Mund të jesh duke shkuar në xhami apo në shtëpinë e një miku për iftar dhe një makinë-bombë mund të shpërthejë”, vëren ai. “Ka zhdukje të vazhdueshme të njerëzve, po ashtu, kështu që banorët janë të prirur të sigurojnë mbijetesën”.

Megjithatë, irakianë me të ardhura të mira vazhdojnë të përgatisin ushqime për t’ua dhënë të varfërve gjatë Ramazanit.

Një tjetër traditë që ka mbijetuar është loja muhabis, në të cilën burrat ndahen në ekipe në ndonjë kafene. Një person një ekip fsheh një unazë në ndonjë hurmë arabe, ndërsa ekipi tjetër duhet ta gjejë se ku është fshehur ajo.

Loja e unazës ende bashkon njerëzit, pavarësisht konfliktit dhe ndasive në Irak

Gratë e lagjes mblidhen së bashku për të përgatitur embëlsira tradiconale.

Irakianët nuk donin të largoheshin nga vendi i tyre, thotë Mohamed. Ai tregon për një iftar në Doha ku serviret një pjatë e ngjashme me atë të Bagdadit, por irakianët e konsumojnë me kanellë dhe sheqer sipër. “I kërkova mikpritësit nëse mund të më sillte kanellë bashkë me këtë pjatë dhe ai qeshi”, kujton Mohamed.

“Eshtë e çuditshme të jetosh kaq kohë larg Bagdadit”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit