15.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Rilindja e Shqipes. Zjarri i harruar i një proteste – Ervin Hatibi

Më të lexuarat

Rilindja e Shqipes
Zjarri i harruar i një proteste

Nga Ervin Hatibi

Gjithnjë e më thellë në Shqipëri, gjithnjë e më tepër sa përparojmë me fillimvitet ’90 nëpër tranzicionin kapitalist, aq më tepër vëren buzë xhadesë, anash hekurudhës, ndërtesa shtetërore në dekompozim, çati eterniti të thyera magazinash, stacione pyjore të fundosura. Të gjitha me dyert rregullisht të mbyllura. Udhëtimi për në Shqipërinë e thellë bie përherë në mug; nisjet bëhen në mëngjes, e ndoshta përkimi i përkryer i distancës gjeografike me përfundimin e orarit zyrtar dhe epokën e rënies ekonomike njëkohësisht, puqet me muzgun në dyer të mbyllura me dryn. Para pak orësh, ndoshta, para pak vitesh, dikush ka ardhur ta hapë me çelës derën që bllokon sa mundet tani historinë, ndoshta ka pasur hyrje e dalje edhe këtu, po fakti është se asgjë nuk po nuk lëviz më tani, as nesër në mëngjes, në kthim. Kur nisin dyert e mbijnë dhe një herë të mbyllura nëpër kthesa. Krijesa lëvrijnë tej xhamave nënujorë të dritareve, hithra a bimë të tjera të braktisjes që modulojnë errësirën duke vërshuar nga plasaritjet e dyshemesë, tavanit.

Po çka automatikisht mbushte me jetë ndërtesa të tilla pas derës së mbyllur, ishte pamundësia për të frenuar mendjen të shfletojë veten e vet e të shohë, fluturimthi, si nga treni, se në po atë çast, dikush po rrotullon midis tufës së tij të çelësave në unazë edhe atë që hap derën e duhur, ose po e prek pa e njohur në ndonjë skaj sirtari, sa herë rrëmon për veglat e rrojës, apo ndoshta ka kaptuar gabimisht detin me çelësin, në një xhep të brendshëm, dhe e ka marrë me vete në emigrim – shko e thuaj po deshe që deri dhe e kanë varrosur njeriun me çelësin në xhep, me çelësin që hap ende derën e barrakës së gëlqeres të sektorit të shkurtuar prej vitesh të mirëmbajtjes së shenjave rrugore etj, etj. Sa kohë që një bravë është kyçur diku, qoftë dhe në mes të pyllit, shpresa është se ka një çelës që do kthehet ta hapë, t’i japë ujë farës që të çelë sy, sado e gjatë të jetë odiseja midis, kuptimi që mban kyçur brava jeton në distancën e çelësit, po aq sa brenda asaj që po mbahet mbyllur – magazinës së nënstacionit të PTT-së ku nuk ka mbetur më asnjë tra pa u vjedhur, për shembull, ku mbase nuk ka mbetur më as tavan, e ndoshta edhe muret kanë rënë. Pak rëndësi sa ka ndryshuar brendia, prej aktorëve të rinj që kanë hyrë për dritaresh: çelësi ende mban ngrehur perimetrat e planimetritë e vjetra.Tingullin e panjohur që shtrëngon mes dhëmbësh brava, ditë e natë, në pritje, çelësi e mban si hieroglif, kriptuar në majë të gjuhës, duke vezulluar së largmi.

Ngrehinat e kyçura të një shteti të mundur, në pritje për t’u privatizuar, për t’u rikthyer tek ish-pronarët e para-revolucionit, për të strehuar në muret e vjetra një treg të ri, të madh tashmë sa bota.

Shumë prej ngrehinave u ngjanin hyrjeve të harxhuara në fjalorë, fjalëve të diskredituara që kishin magazinuar deri më tash harenë, dhunën, rrenën. Nuk dihej a kishte më shpresë ripërdorimi për to. Kështu Shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë, ku përgatiteshin përçorët e sistemit, u zaptua pikërisht nga të pashpresët, varfanjakët e të përndjekurit politikë pa strehë të sistemit. Sipas shtypit , ende sot, në ndërtesën quajtur Geto e Tiranës – një xhungël lagështire e kabllosh ilegale elektriku që të varen mbi kokë – dyqind frymë fukarenjsh (fiks numri i themeluesve të Partisë) ndajnë si në burg nevojtore të përbashkëta, e ndërtesës nuk i afrohesh dot nga kutërbimi. Se sot është e lejuar ta ndjesh aty kutërbimin.

Të parat lokale a punëtorì të socializmit që u çshtetëzuan rrufeshëm si kategori, ishin ndërtesa ish-kishash, ish-xhamish, që patën shërbyer vite me rradhë pahiri në detyra sekulare. E para punë, kishat e xhamitë e rigjetura (ish-magazinat, pra, ish-sallat e sportit), u plotësuan me këmbanare e minare, dikur të shkulura; çelësi i solit erdhi të hapë derën e padukshme të tempullit; restaurimi i tingullit, shpalli edhe me zë rikthimin në vendndodhje të kuptimit të përzënë. Pak a shumë si aroma në Shkollën e Partisë, zëri erdhi të saktësojë hyrjen e vet në fjalor.

Kishat e xhamitë e shndërruara pas shtetëzimit kishin qenë hapi i fundit i vendosjes së gjithë territorit dhe fjalorit nën një autoritet të vetëm. Kumtet publike nuk duhet të jepeshin nga asnjë burim i dytë, dhe asnjë derë e mbyllur nuk mund të krijonte më ndonjë publik të dytë. Vetëm kësisoj mund të vendosej totalisht diktatura.

Të kthyera në punishte, shtëpi agjitacioni, kishat e xhamitë u bënë pjesë e qarkut të mbyllur të mallrave dhe fjalëve shtetërore, brenda një zone të izoluar gjithnjë e më pastër nga bota e madhe apo dora private. Duke modeluar në një markë të vetme shtetërore fjalët e mallrat, shpresohej dhe modelimi dikur i përdoruesit të tyre, si Njeri i Ri, në seri.

“Sa bukur duhet të jetë këtu, për ata që s’dijnë të lexojnë!” – paska thënë Bernard Shaw, në vizitën e tij të parë në New York, me fytyrën që i fikej dhe ndizej mes neonit naiv të parrullave në reklama. Në fakt, edhe në Shqipëri, prodhimi i të njëjtit lloj analfabeti kërkohej, teksa retorika elektrike e instaluar nëpër fjalë duhet të lëbyrte jo thjesht kuptimet e fjalëve, por sidomos lidhjen e tyre logjike me mallin kallp që monopoli shtetëror reklamonte. “Humbja e lirisë, – shkruan poeti i vetëvrarë polak Aleksander Wat, – tirania, shpërdorja, uria mund të duroheshin më lehtë, po të mos kishte qenë detyrimi për t’i quajtuar liri, drejtësi, mirësi për popullin”. Rreshtuar në një fjalëkryq 3D, kokë për kokë nëpër popull, si në enët komunikuese varg, përkufizimet kontradiktore të fjalorit mbanin peng njëri-tjetrin, kapërthyer si në ndonjë mundje kolektive greko-romake, nën zërin e paplakur të spikerit të Radios: “Liria është skllavëri!”;“Diktatura (e proletariatit) është demokracia e vërtetë!”.

Po sigurisht lufta për kontroll të plotë nuk mbaron dot aty, duke gardhuar fjalorin dhe territorin. Çdo fjalë ka shumë dyer dhe cilado prej tyre të shpie në një territor të ndryshëm, prandaj shteti duhet të kujdesej të lejonte të hapur ndër to vetëm derën e madhe, “populloren”, atë që çon në socializimin shtetëror, në sheshin e zhveshur të kolektivit, ku të gjithë luftojmë të mbesim barabar. Poeti Moikom Zeqo kujton sesi para pak dekadash e kanë vënë me shpatulla për muri për vargje si “Stina me sandale gjethesh/ kërcente mbi ajër”. “(M)ë kanë bërë pyetje pa fund. Çdo të thotë kjo, pse, qysh? Ishte absurditet, dhe unë shpjegohesha me aq sa mundja. Metafora trajtohej egërsisht politikisht… ”. Se duke i veshur fjalët me gjethe metaforike, kush e di ç’fsheh aty -Robin Hood-ë të vegjël, diversantë me kamuflazh, të aftë të sharrojnë shtyllat e telegrafit. Metaforat pyllëzojnëterritorin, shtetasit vidhen mes gjelbërimit, shteti humb kontrollin.

Pakkush e kujton sot se një nga xhamitë më të njohura në Tiranë ka shërbyer nën diktaturë si atelie dekori për qytetin. Nën kupolën e saj ikonoklaste në vite u pikturuan portretet gjigande të udhëheqësve te partisë e të klasikëve të revolucionit, banderolat e pankartat me parrulla eksituese e mobilizuese, që duheshin vendosur nëpër fasada të varfra ndërtesash si nuska, për të përshpejtuar ardhjen e komunizmit. Kurse vetë fasada e ish-xhamisë ishte e mbështjellë jo me parrulla (këpucari ka përherë këpucë të grisura), po me një kulpër romantike të dendur që harlisej cep më cep, si mjekër disidente. Kështu deri ditën kur ndërtesa u rikthye sërish në xhami, minarja u ringrit me ezanet, besimtarët u shtuan, dhe kulpra e vjetër vishte muret me po ato afreske kufike arabeskash kugjithkush lexontetekstin që donte, deri sa e shkulën. Në vend të ezanit të gjetheve, taninë fasadë ndërrohen postera apo pankarta me mesazhe frymëzuese fetare, të planifikuara për një të mesme të përpjesshme të kalimtarëve që s’i kuptojnë metaforat.

Një burrë i mirë (mund t’ia vendosja dhe inicialet këtu, të mos ishte kaq e vogël Shqipëria) tregon sesi nuk i bëhet dot as të hyjë në xhaminë e madhe të qytetit të vet, ku dikur, i ri, ka punuar si muzikant estrade, në vitet kur ajo ishte shndërruar në “pallat kulture”. Atë çka kërkon të përjetojë si besimtar, përpiqet ta gjejë larg në një xhami tjetër, nga e cila duhet përfytyruar sesi shmanget kush ka punuar aty më parë si magazinier – ky shkon tek xhamia e parë. Kurse unë vetë pata vështirësi në këto dy fjalitë e fundit, sapo desha të shkruaj “ xhamia në të kaluarën ishte shndërruar”, se “e kaluara” këtu kërcet, prapavepruese, në kujtesën time dhe të muzikantit të vjetër, e salduar me cilësorët e propagandës: njësi e ngopur me denoncime për kohën negative, të pashëlbyer të “regjimeve antipopullore” që lexonim përditë ne tekste, që recitonim përditë në shkollë. A mundesh ta përdorësh të njëjtën fjalë, në të njëjtin kontekst si e ka shpërdoruar propaganda, pa vjellë? Pranoj se edhe ndajfolja “dikur” që zgjodha për t’u shmangur, më vjen e athët, prej të njëjtës paradigmë, edhe sot. Imagjino pastaj ngërçet e zgjedhjes ditët e para pas diktaturës, kur fjalët e botuara ishin sinonimi për fjalët e sabotuara (si do mund të thoshte Agron Tufa)……

(Të plotë shkrimin e Ervin Hatibit e gjeni në “Medius”, Nr. 5)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit