15.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

ARTI PËR TË SHARË TË KALUARËN – Ardian Vehbiu

Më të lexuarat

ARTI PËR TË SHARË TË KALUARËN

Ardian Vehbiu

Fill pas rënies së regjimit totalitar në Shqipëri, në fillim të viteve 1990, një fjalë e re zuri të shfaqej në shqipen publike të politikanëve dhe të mediave: bllokmen , e përftuar nga tema emërore bllok- dhe prapashtesa -men, që formon emra vepruesi.

Tema bllok-, i referohet asaj lagjeje rezidenciale të Tiranës në vitet e komunizmit, ku jetonin udhëheqësit kryesorë të PPSH-së dhe të shtetit totalitar. Lagjja e kish zanafillën në planet rregulluese të Tiranës, hartuar prej arkitektësh italianë para vitit 1945: e projektuar si “quartiere giardino”, atje ndërtuan vilat e tyre disa të besuar të mbretit Zogu I në vitet 1930 dhe më pas ndonjë dinjitar fashist gjatë periudhës së pushtimit italian. Pas luftës, në vitin 1951, në bllok u vendos lideri komunist Enver Hoxha dhe pas tij të tjerë udhëheqës të lartë të Partisë dhe të shtetit.

Me kalimin e viteve, “blloku” erdhi duke u shndërruar në një komunitet të gardhuar (“gated community”) ose “qytet të ndaluar”, mu në zemër të kryeqytetit; atje banonin anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të KQ të PPSH-së dhe ministra, Presidenti i Republikës, me familjet e tyre shpesh të zgjeruara. I ruajtur me ushtarë të Gardës së Republikës, “blloku” mbetej hermetikisht i mbyllur për qytetarët dhe vizitorët.

Si emër i kësaj lagjeje dhe në kuptimin “grup ndërtesash”, kjo bllok i përgjigjet italishtes blocco dhe frëngjishtes bloc; ndoshta edhe rusishtes dhe serbo-kroatishtes блок, me po atë kuptim – një fjalë, pra, ndërkombëtare. Në shqipe e ndesh edhe në togfjalëshat bllok apartamentesh, bllok shtëpish banimi etj.; dhe etimologjikisht fjala lidhet, në fjalët burimore, me konceptin e diçkaje masive dhe solide (bllok mermeri).
Megjithatë, të paktë kanë qenë ata që nuk e kanë shoqëruar në mendje, këtë bllok ndërtesash në mes të Tiranës, me konceptin e bllokut si pengesë për lëvizjen – sa kohë që lagjja mbetej e bllokuar për publikun; ose e rrethuar me postë-blloqe rojash. Kështu i rietimologjizuar, blloku vinte dhe përfytyrohej si një tromb në arteriet e Tiranës, si një masë që bllokonte, duke ia ndërprerë qytetit karakteristikën e vet ndoshta kryesore: vijueshmërinë e qarkullimit publik ose lirinë hapësinore. Qytet i ndërprerë, displazi në indin urban, blloku përfaqësonte antipubliken, si skaj të tretë të një trekëndëshi të përftuar nga publikja – e mishëruar më së miri prej Bulevardit të madh përbri – dhe privatja, e mbijetuar në zonat e vjetra të Tiranës, në trajtë shtëpish të ulëta dhe kopshtijesh.
Në vitet 1990, bllokut ia hoqën rojat dhe e hapën për publikun, teksa familjet e hierarkëve të lartë të regjimit të vjetër i liruan vilat që u ishin dhënë për përdorim; vila që u përshtatën pastaj për kafe, bare, restorante, hotele dhe shërbime të tjera; kështu edhe Tirana u zhbllokua deri në atë masë sa hapësira deri dje e mbyllur dhe misterioze të shndërrohej në zemrën e kryeqytetit, ose në qendrën jozyrtare të jetës publike, por edhe të jetës së natës në kryeqytet.

Si emanacion i mbrapshtë i atij të djeshmit, blloku sot përfaqëson zonën e konsumit të spikatur (conspicuous consumption) në Tiranë, ku të rinjtë, dhe jo vetëm, kryesisht shihen dhe mërzejnë në kafetë, baret, klubet dhe restorantet me emra joshës, vatra eksperiencash sa intime, aq edhe socializuese. Megjithatë, blloku i sotëm e ka ruajtur, nga i vjetri, natyrën e të qenit sërish “i gardhuar”, ose i ndarë nga pjesa tjetër e Tiranës; por duke e transpozuar gardhin në një përmasë tjetër, më sublime. Nga një vend dikur i fshehtë dhe i fshehur, ai funksionon tani si serrë për riprodhimin e brezit të të rinjve të elitës kryeqytetase postkomuniste.

Në këtë kontekst social dhe sociolinguistik, bllokmeni në shqipen politike dhe publicistike të viteve 1990 dhe më vonë do të ishte dikush që “vinte” prej bllokut të periudhës totalitare – ish-anëtar i nomenklaturës së lartë të pushtetit, pjesëtar i familjeve të hierarkëve të lartë, ose person që u shërbente këtyre, i mësuar me privilegjin dhe ekskluzivitetin.
Edhe prapashtesa -men meriton vëmendje. E hyrë në shqipen publicistike relativisht vonë, me anglicizma të tilla si supermen, rekordmen, biznesmen, kongresmen, ajo fitoi një farë gjallërie duke shënjuar një mënyrë “amerikane” të konstituimit të personit në jetën publike. Megjithatë, bllokmen është fjalë e formuar brenda shqipes, si pseudoanglicizëm, që i përgjigjet gjuhësisht përfytyrimit të një shqipfolësi për një huazim nga anglishtja, por nuk ka lidhje me ndonjë blockman të mundshëm në anglishte.

Se kush e përdori i pari fjalën bllokmen në shqipen politike, kjo mbetet për t’u zbuluar.

Gjasat janë që fjala të jetë shfaqur në ligjërimin publik, si cilësim sharjeje dhe akuzë, në diskursin politik të Sali Berishës, politikan i njohur, një nga udhëheqësit e lëvizjes që çoi në përmbysjen e sistemit totalitar në Shqipëri, kryetar i Partisë Demokratike si e para parti opozitare në vitet 1990 dhe më pas kryeministër dhe president i Republikës për disa legjislatura. Mjek kardiolog, ish-anëtar i PPSH-së dhe i specializuar në Perëndim, Berisha e ndërtoi karrierën e tij politike të suksesshme mbi imazhin e atij që i kish dhënë dërrmën “komunizmit” në Shqipëri – duke i mëshuar kështu identifikimit si antikomunist dhe lider i dekomunistizimit të Shqipërisë: me nxitjen, frymëzimin dhe këmbënguljen e Berishës, një numër i madh hierarkësh të lartë komunistë u nxorën para gjyqit dhe u dënuan – edhe pse zakonisht lehtë – për krime të kryera gjatë periudhës kur ishin në pushtet.
Për këtë arsye, fjala bllokmen në gojën e Berishës do t’u referohej më pas të gjithë atyre që, me prejardhje nga kasta politike totalitare, kërkonin ta ndalnin dekomunistizimin, ta rrëzonin Berishën nga pushteti dhe t’ia rikthenin, në forma të reja, privilegjet pasardhësve të nomenklaturës së djeshme; paçka se, në kontekstin e ri të Shqipërisë postkomuniste, këto privilegje filluan të përfytyrohen si ekskluzivisht ekonomike ose të mirëqenies, jo si të titullimit dhe të të qenit në krye të punëve. Me gjasë, kjo zhvendosje konotative u bë me qëllim dhe për arsye politike – për një Shqipëri të përçarë nga pabarazia ekonomike dhe hendeku midis atyre që pasuroheshin brenda natës, nga njëra anë, dhe të varfërve dhe të papunëve kronikë, nga ana tjetër, koncepti i privilegjit politik dhe aristokratik nuk do të përdorej dot me të njëjtin efikasitet propagandistik.

Si kundërshtar i betuar i Berishës, bllokmeni i angazhuar në politikë sillte me vete titullimin dhe një kompleks superioriteti të trashëguar. Në fakt, pinjollët e ish-nomenklaturës së lartë totalitare jo vetëm kishin pasur mundësi të edukoheshin më mirë, shpesh edhe duke u dërguar me studime universitare ose pasuniversitare në Perëndim; por edhe një pjesë e tyre i mbajtën lidhjet me segmente të caktuara të ish-Sigurimit të Shtetit, që fill pas 1990-ës ishin përfshirë në veprimtari ekonomike dhe kishin përfituar të parët nga privatizimet e mëdha; më në fund, ndonjëri mbase nuk do t’ia falte kurrë Berishës përndjekjen që ua bëri prindërve.

Në krye të herës, damka e bllokmenit par excellence i shkoi Fatos Nanos, kryetar i Partisë Socialiste herët në vitet 1990 dhe kryeministër i vendit në hyrje të tranzicionit; djalë i një zyrtari të lartë të regjimit të Hoxhës dhe frekuentues i qarqeve dhe mjediseve elitare të fëmijëve të nomenklaturës në Tiranë. Me kalimin e kohës dhe ndërrimin e brezave, i njëjti distinktiv, bllokmen, i kaloi pastaj Edi Ramës, ministër i Kulturës në qeverinë e fundit Nano, kryetar i bashkisë së Tiranës me votat e PS-së, më pas kryetar i Partisë Socialiste dhe aktualisht kryeministër i vendit. Njëlloj si Nanoja, edhe Rama nuk kish jetuar ndonjëherë në bllok, por vinte nga një familje relativisht e privilegjuar – si bir i Kristaq Ramës, skulptor i besuar i regjimit, autor i një numri të madh veprash monumentale të kohës dhe mbajtës titujsh dhe postesh politike honorifike.

Për të kuptuar konotacionin e fjalës bllokmen në gojën e Berishës, ndihmon edhe biografia e këtij të fundit: me prejardhje nga një zonë malore e largët dhe e prapambetur në veriperëndim të Shqipërisë, Berisha ishte një “self-made man”, që i hapi vend vetes mes elitave intelektuale të Tiranës në vitet 1980 me përpjekje titanike. Si student dhe më pas si kardiolog dhe pedagog në Universitetin e Tiranës, Berisha do ta ketë ndier, ndoshta edhe për shkak të sjelljes disi ceremoniale dhe akcentit dialektor që nuk e mënjanoi dot kurrë, përbuzjen folklorike të qytetarit të Tiranës për dikë “të zbritur nga mali”, të cilësuar jo rrallë dhe në mënyrë fyese si malok. Ky term, malok, përdoret sot e kësaj dite në shqipen bisedore dhe në zhargonin politik, për të përqeshur një lloj të caktuar politikani arrivist, të mishëruar prej Berishës vetë.

Në vitet 1970-1980, Berisha – falë kompetencës në profesion, përkushtimit dhe ambicies së pafre – ia arriti të përfshihej në ekipet e mjekëve që kujdeseshin për liderët e plakur të regjimit totalitar, ndonjëherë edhe duke i shoqëruar në vizitat dhe trajtimet e tyre në spitale jashtë Shqipërisë; kështu, ai pati mundësinë të vinte drejtpërdrejt në kontakt me privilegjin e bllokut dhe të shihte nga afër si jetonin familjet e nomenklaturës. Si edhe shumë të tjerë profesionistë në rrethana të ngjashme, ai u shërbeu përulësisht aristokratëve të regjimit, por pa u bërë dot ai vetë pjesë e kastës. Ky familjarizim i Berishës mjek me jetën në bllok gjatë viteve të regjimit totalitar ndihmon për të kuptuar konotacionin e fjalës bllokmen, të përdorur më pas prej tij si sharje dhe akuzë ndaj armiqve politikë të momentit, në një përpjekje, herë-herë patetike, për ta konstituuar veten si dëshmitar të kupolës totalitare.

Në vitet 2000, në diskursin politik të së djathtës shqiptare, e njëjta fjalë, bllokmen, filloi të përdorej edhe në kontekstin e një elaborimi konspiracist për të ashtuquajturën “Katovicë shqiptare” – ose një plan të supozuar të ish-nomenklaturës së lartë komuniste, me gjasë të formuluar në fund të viteve 1980 nga Presidenti i asaj kohe Ramiz Alia, për t’ia ruajtur privilegjet kastës ish-komuniste pas rrëzimit të detyruar të regjimit. Me gjasë, ky plan ishte bashkërenduar me udhëheqës të tjerë të Lindjes Komuniste dhe, veçanërisht, me udhëzimet e liderit sovjetik, Gorbaçovit, në një takim sekret me krerët e regjimeve të tjera të Lindjes, mbajtur në Katovicë të Polonisë dikur në fund të viteve 1980. Gjithnjë sipas këtij plani, bllokmenët – ose pasardhësit e kastës së djeshme – do të mund të trashëgonin pushtetin dhe privilegjet, veçanërisht privilegjet ekonomike dhe rolin udhëheqës dhe vendimmarrës në jetën shqiptare, duke u përfshirë aktivisht në restaurimin e “kapitalizmit” në Shqipëri. Për t’u shënuar se, sipas kësaj teorie komploti që qarkulloi dhe ende qarkullon ethshëm në tabloidët dhe në forumet e komenteve në internet, vetë Berisha ishte njeriu i zgjedhur prej Ramiz Alisë, në fund të vitit 1990, për ta pilotuar Shqipërinë drejt sistemit pluralist dhe ekonomisë kapitaliste, duke u vënë në krye të lëvizjes së studentëve të dhjetorit të atij viti. Si njeri i afërt dhe i besuar i nomenklaturës komuniste: Berisha rezultonte kështu edhe ai vetë bllokmen, një karakterizim dyfish i rëndë për dikë që kujdesej ta paraqiste veten në publik si njeriun dhe burrin e shtetit që e kish nxjerrë me dorën e vet Shqipërinë nga errësira totalitare.

Në vitet 2000 e më tej, kur Berisha u rikthye në pushtet pas débâcle-it të shoqërive financiare dhe krizës politike të 1997-ës, çdo diskurs dhe akuzë për bllokmenët në gojën e tij do t’i shërbente tash e tutje rikonstituimit të llogoreve në konfliktin politik: nga njëra anë e majta, e mishëruar në Partinë Socialiste si vazhduesja de facto dhe de jure e PPSH-së; dhe, nga ana tjetër, e djathta, e cila vazhdonte të investonte rëndë në monedhën antikomuniste, edhe në mungesë të ideve të reja politike. Mirëpo PS-ja kujdesej edhe ajo që të distancohej nga e kaluara totalitare dhe trashëgimia enveriste; veçanërisht kur drejtimin e saj e mori Edi Rama, një piktor që e kish filluar karrierën e vet politike si denoncues radikal i totalitarizmit dhe i Enver Hoxhës vetë dhe duke u deklaruar i gatshëm për ta shkallmuar sistemin e vjetër. Prandaj edhe çdo diskurs për bllokmenët jo vetëm i shërbente kompaktësimit të radhëve të së djathtës shqiptare si forcë politike e organizuar rreth qëndrimit ndaj së shkuarës së afërt (periudhës totalitare), por edhe i kujtonte së majtës të kaluarën e vet të padenjë, ndaj së cilës ajo nuk ish distancuar dot, ose nuk kish dashur të distancohej, për të mos humbur votën e nostalgjikëve të komunizmit.

E majta dhe mediat e afërta me të u kundërpërgjigjën duke i kujtuar Berishës se ai vetë u kish shërbyer familjeve të bllokut , madje duke bërë publike një fotografi ku ky kish dalë duke shëtitur me barkë, në shoqërinë e fëmijëve të Enver Hoxhës dhe që duhej të konfirmonte, mes të tjerash, edhe profilin e Berishës si parvenu, i ardhur nga provinca dhe shërbyes i kastës komuniste (kjo fotografi duhej edhe të kundërpeshonte një fotografi të Edi Ramës lakuriq, në një plazh nudistësh, që u vodh prej arkivit të tij personal dhe u hodh në qarkullim pak a shumë në të njëjtën kohë).

Grotesku i kësaj përleshjeje me fotografi private dhe gjysmëprivate do të kuptohet edhe më mirë po të kihet parasysh se, edhe vetëm 15-20 vjet më parë, diskursi politik shqip në Tiranë e pranonte sharjen vetëm kur bëhej ndaj armikut të mirëfilltë, si rregull të jashtëm; dhe se, përtej fyerjeve dhe sulmeve tejet të koduara kundër imperializmit amerikan, kapitalit ndërkombëtar, socialimperializmit sovjetik, revanshizmit të Bonn-it e kështu me radhë, nuk gjeje në atë diskurs asnjë gjurmë antagonizmi të paritualizuar. Qoftë edhe për këtë arsye, klasa politike që u shfaq në vitet 1990 e më pas, në kushtet e pluralizmit politik dhe të lirisë së shprehjes, nuk zotëronte ndonjë langage të debatit, ku të artikulohej në mënyrë racionale pasioni kundërshtues dhe denoncues. Në mungesë të kësaj kompetence të ligjërimit publik, fjalët e politikanëve gjithnjë do të tingëllonin të shtirura dhe teatrale, aq sa të dukej sikur jo vetëm teksti, por edhe emocioni i oratorëve të vinte në skenë i skriptuar.

Në vitet 2000 e më pas, diskursi për bllokmenët, edhe në gojën e Berishës dhe të eksponentëve të së djathtës (PD-së), edhe në mediat e shkruara dhe elektronike e më pas në rrjetet sociale, u konsumua kështu në skenën e një teatri politik, para një “publiku” që duhej të zgjidhte midis kësaj apo asaj force politike, në një situatë politike të radikalizuar. Duke iu drejtuar kundërshtarëve të vet si bllokmenë, folësi publik e konstituon veten si antikomunist dhe antiprivilegj, duke u identifikuar me të gjithë të përjashtuarit dhe të përndjekurit prej regjimit totalitar në Shqipëri. Bllokmen sinjalizon kështu virtytin antikomunist si virtyt populist, të trashëguar nga fillimvitet 1990, demonstratat dhe protestat antinomenklaturë dhe kërkesat për t’i dhënë fund totalitarizmit.

Kuptimisht, bllokmeni i kundërvihet malokut, një epitet relativisht i vjetër, por që u rigjallërua për të tipizuar të gjithë ata që zbritën në Tiranë dhe gjetiu nga zonat e thella dhe ekonomikisht të prapambetura të veriut sapo fituan lirinë e zgjedhjes së vendbanimit, që Enver Hoxha deri atëherë ua kish mohuar: privilegjit të njërit i përgjigjej nënprivilegji i tjetrit. Tensioni mes këtyre dy sharjeve u referohej disa prej dikotomive konstitutive të konfliktit politik dhe social në Shqipëri: veriut dhe jugut, qytetit dhe fshatit, qendrës dhe provincës. Imigrantët nga zonat e Veriut që u vendosën në periferi të Tiranës u quajtën ndonjëherë edhe çeçenë, me gjasë në referim ndaj pamjeve televizive për konfliktin në Çeçeni; më pas u përdor gjithnjë e më shpesh sharja shpellar (me kuptimin “ata që jetojnë ose kanë jetuar në shpella”, “njerëz të paqytetëruar”, khs. anglishten caveman, cave dweller ose troglodyte), gjithnjë në bashkëlidhje me malokun. Për t’u shënuar që një fjalë tjetër sinonime e shqipes, malësor, që shënjon edhe ajo banorin e malësisë (sërish nga tema mal-, por me një prapashtesë tjetër), u shpëtoi këtyre rekrutimeve diskursive dhe vijon të përdoret me një farë konotacioni pozitiv, duke iu shoqëruar virtyteve të imagjinuara të trimërisë, besës dhe patriotizmit. Përndryshe, edhe malokët, edhe çeçenët, edhe shpellarët përfaqësojnë sot, për një kategori folësish, gazetarësh dhe politikanësh populistë, ata imigrantë të periferive që, për arsye të kushteve ekonomike të vështira, përdoren si mish për top prej segmenteve të caktuara të politikës.

Si bllokmenët, ashtu edhe malokët (a shpellarët) përçmohen për shkak të origjinës së tyre: të parët nga një shtresë sociale mbi të cilën rëndon sa përgjegjësia e krimit totalitar, aq edhe padrejtësia e privilegjit; të dytët nga një shtresë sociale margjinale, që nuk arrin a nuk dëshiron të modernizohet dhe t’i përshtatet jetës në qytet (“jetës së civilizuar”); paçka se edhe blloku gjatë viteve të regjimit totalitar nuk ishte ekzaktësisht pjesë e Tiranës qytet dhe as e jetës urbane. Gjithsesi dhe përtej çdo lloj konsiderate etike, kjo aksiologji tregon se qyteti tashmë mishëron virtytin e perceptuar të jetës publike dhe politike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, malok dhe më e reja shpellar mbeten sharje tejet ofensive, ndryshe nga bllokmen, që gjithnjë e ruan elementin e teatralitetit; dy të parat shprehin urrejtje në kufi të racizmit, ndërsa e treta i shkel syrin publikut dhe orientohet ndaj efektit propagandistik.
Në vitet 2010, gjatë tranzicionit dramatik nga sundimi i PD-së së Berishës tek ai i PS-së së Ramës, përdorimi i sharjes dhe i akuzës bllokmen në diskursin politik shqip jo vetëm u ritualizua, por edhe u pasurua me nuanca të reja. Është dokumentuar një shkëmbim batutash në Parlament, i datës 23 dhjetor 2010, kur Berisha ishte ende në pushtet. Batutës së këtij, se “këlyshët e bllokut mund të lehin, por nuk kafshojnë”, G. Ruçi, një eksponent i lartë i PS-së, iu përgjigj duke e quajtur Berishën “bllokqen”. Tani, bllokqen është fjalë e përngjitur: bllok + qen, që nuk i përgjigjet ndonjë modeli fjalëformues të shqipes, por i referohet drejtpërdrejt sharjes qen (po atij qeni që aludon Berisha kur thotë se “këlyshët e bllokut që mund të lehin, por nuk kafshojnë”), gjithë duke rimuar me bllokmen. Ky shkëmbim, një nga të shumtit në Parlament, konstituon dy lloj bllokmenësh: ata që janë me prejardhje nga familjet e bllokut (“këlyshët”) dhe ata që u kanë shërbyer atyre familjeve (“qentë”); e gjithë kjo brenda semantikës së fjalës qen si fjalë sharëse e rëndomtë e shqipes.

Autorësia e kësaj bllokqen mbetet gjithashtu e paqartë: fjalën mund ta ketë krijuar Berisha, në një moment frymëzimi “leksikor”, në orvatje për ta rikuperuar forcën detyrimisht të humbur të origjinalit bllokmen. Megjithatë, përdorimi në rritje i kësaj fjale, në diskursin politik dhe mediatik, e risolli në vëmendje të opinionit publik faktin që regjimin totalitar e mbanin në këmbë jo vetëm familjet e kastës, por edhe të gjithë ata të tjerët, që asaj kaste i shërbenin me devotshmëri – dhe këtu doemos vjen në vështrim edhe Berisha vetë, si mjek i familjeve të bllokut. Por edhe ky neologjizëm, bllokqen, e mban debatin dhe konfliktin politik të lidhur pas së shkuarës – duke e ruajtur bllokun e dikurshëm si vatër primordiale të mëkatit politik, për të cilin u dashka vazhduar të paguhet haraç i rëndë.

Por bllokqen bashkon në vetvete dy modele të kundërta sharjesh: nëse blloku vjen me një semantikë tejet të koduar dhe i shërben poshtërimit të tjetrit vetëm përpara një publiku – meqë gjithnjë kërkon një të tretë për të funksionuar, qen bën pjesë në sharjet më elementare, në mos primordiale të shqipes. Qeni është ai që leh, ai që kafshon, ai që bën zhurmë, ai që i shërben padronit, ai që ruan, ai që bindet verbërisht. Shkrimtari Kiço Blushi, duke diskutuar në një ese të vetën fjalën bllokqen, citon një malësor t’i ketë thënë kështu: “Në diktaturë na shtinë lepurin në bark, në demokraci na hoqën lepurin, por na shtinë qenin.” Frika (lepuri) dhe agresiviteti (qeni) si dy anë të së njëjtës medalje: të ketë qenë vërtet ky thelbi i tranzicionit social në Shqipëri?

Edi Rama u bë kryeministër i Shqipërisë në vitin 2013; ose pikërisht në momentin kur vendi kish filluar t’i vuante pasojat e shumëfishta të kriminalizimit të ekonomisë dhe të jetës sociale, veçanërisht për shkak të lulëzimit të ekonomisë së drogës (hashashit). Një nga akuzat kryesore që vazhdojnë t’i bëhen Ramës sot e kësaj dite prej kundërshtarëve të vet, është se e ka lejuar veten dhe qeverinë e tij të kapen nga kriminaliteti i organizuar dhe se një pjesë e investimeve publike sot në Shqipëri janë, në fakt, pastrim i parave të drogës. Në këto rrethana, vokabulari politik i shqipes u pasurua me një neologjizëm tjetër: drogmen. Edhe drogmen është formim i brendshëm i shqipes, nga tema drogë dhe prapashtesa -men; paçka se ka vajtur dhe ka zënë vend në familjen e pseudoanglicizmave të kësaj gjuhe (duke rimuar edhe me bllokmen). Drogmeni është edhe përdorues i drogës (zakonisht i kokainës, që parapëlqehet nga shtresa e pasur), edhe adikt, edhe trafikant, edhe njeri që përfiton nga tregtia e drogës, edhe i kapur nga kriminaliteti ose, në rastin e Ramës, dikush që, me gjasë, qëndron në pushtet me paratë e drogës, ose duke u krijuar lehtësi trafikantëve të hashashit.

Sërish, drogmeni nuk do të funksiononte dot mirë, në diskursin politik dhe publicistik të shqipes së sotme, pa referencën e kryqëzuar ndaj bllokmenit (që tani shfaqet edhe në formën neobllokmen, për të kompensuar për gati 30 vjet që e ndajnë të sotmen nga përmbysja e sistemit totalitar dhe fundi i nomenklaturës komuniste); aq më tepër që bllokmeni, si njeri i rritur në privilegj, nuk e ka për gjë të shkelë parimet morale dhe të jetojë në mënyrë të zvetënuar, duke marrë drogë ose duke bërë orgji a duke eksperimentuar seksualisht ose duke qenë homoseksual a biseksual. Ka një segment tejet konservativ të opinionit publik në Shqipëri që ushqehet dhe konstituohet duke përcjellë dhe ripërcjellë akuzat dhe sharjet ndaj Edi Ramës si njeri pervert, i dhënë pas drogës (kokainës) dhe praktikave homoerotike; pse i përkëdhelur që fëmijë, i papjekur dhe i pamësuar me nevojën, madje imperativin për t’i mbajtur tundimet nën kontroll. E gjithë kjo pritet të shkojë në favor të imazhit të Berishës, si njeri me namuz, pater familias dhe i virtytshëm në jetën private, ose burrë në kuptimin tradicional të fjalës: dhe ja ku erdhëm sërish te kundërvënia arketipale mes qendrës dhe provincës, qytetit dhe fshatit; dhe kritikës politike ndaj qeverisë së Ramës si instrument për të ngritur profilin etik, ose për të marrë atë që e kanë quajtur high moral stand.

Nga një këndvështrim tjetër, neologjizma dhe pseudoanglicizma si bllokmen dhe drogmen i referohen tërthorazi edhe një lloj kulture të degjenerimit që vjen nga Perëndimi dhe që kërkon t’i zëvendësojë traditat sociale, kulturore dhe morale të shqiptarit me kozmopolitizmin, depravitetin dhe rrëgjimin moral të të gjithë atyre që “janë shitur tek të huajt” qoftë edhe vetëm simbolikisht, ose duke përqafuar kulturën e filmave dhe të televizionit. Edhe pse filoamerikanizmi funksionon sot si fe politike zyrtare për të gjitha forcat e spektrit politik në Shqipëri, kjo nuk e përjashton mbijetesën e një rryme të nëndheshme, konservatore, nëse duam edhe “nacionaliste”, që e sheh ndikimin “amerikan” a në përgjithësi Perëndimor si rrezik për identitetin shqiptar dhe që, në rrethana të tjera gjeopolitike, mund të dalë në sipërfaqe.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit