4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Revansh – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

RUDIAN ZEKTHI
1. Duhet të vetedukohemi me këmbëngulje me të vërtetën e vetme normale se çdo shoqëri është komponim grupesh për arsye race, kulture, koniunkture, bindjesh etj., sepse vetëm kështu do t’i japim thellësi ekuilibrit mes konfliktit politik brenda shoqërisë, me konfliktin gjeopolitik me shoqëritë e tjera. Përkundër kësaj që thamë, ekziston (edhe në Shqipëri) një diskurs utopik, sipas të cilit shoqëria është një organizëm homogjen ku diferencat mes grupeve janë sipërfaqësore.
2. Po ashtu, duhet të pranojmë (të arrijmë të kuptojmë qartë) sa më shpejt se konflikti brenda përbrenda shoqërisë që lind nga heterogjenia e natyrshme mes grupeve, e shndërron në një problem akut çështjen e pushtetit, se kush do të zotërojë mjetet e përbashkëta të dhunës dhe bindjes për t’i përdorur dhe për mbijetesën e shoqërisë si e tërë, por edhe për mbijetesën e grupit dominues mbi grupet e tjera. Kjo është gjendja e natyrshme e çdo shoqërie dhe në këtë kuptim sëmundja është gjendja e natyrshme e saj, simptomat e së cilës janë paqja dhe lufta: kur pasojat e sëmundjes mbahen nën kontroll, kemi paqe dhe kur sëmundja del nga kontrolli, kemi luftë. Në origjinë nuk janë të kundërta me njëra-tjetrën, sepse synojnë të njëjtën gjë: mbijetesën e shoqërisë nga sëmundja permanente.
3. Si paqja dhe lufta kanë repertorin e tyre të mundësive, teknikave, skemave, për të realizuar sipas rastit (a radhës) funksionin e tyre për mbijetesën e shoqërisë. Dhe secili prej dy repertorëve ka dy ndarje: teknika dhe skema të përshtatshme dhe teknika e skema të papërshtatshme. Vetëm këtu shfaqet i sigurt dallimi më esencial mes luftës dhe paqes: teknikat dhe skemat e papërshtatshme të luftës kanë pasoja ekstreme, të pakthyeshme, (të pakthyeshme, sepse fuqia shkatërruese e tyre është më e lartë se inkubacioni i prirjes familjarizuese të qenieve njerëzore) dhe mbi të gjitha, për këtë arsye lufta është e papranueshme. Ndërkohë që teknikat dhe skemat e papërshtatshme të paqes me gjithë shëmtinë dhe ngadalësimin degjenerativ të sëmundjes së shoqërisë, janë gjithsesi të pranueshme vetëm për arsyen dhe për aq sa si rregull e lejojnë inkubacionin e aftësisë familjarizuese të pjesëtarëve të shoqërisë.
4. Sidomos në këtë kuptim është e vërtetë teza e Mishel Fuko, që vetëm për aq sa ç’mund të jetë lufta vazhdim i politikës me mjete të tjera, është edhe politika vazhdim i luftës me mjete të tjera. (Që për sa na përket, do të themi: edhe paqja është vazhdim i luftës me mjete të tjera).
5. Sepse grupet që e përbëjnë shoqërinë nuk mund të konvertohen te njeri-tjetri gjatë paqes, pra një grup nuk mund të heqë dorë en bloc vullnetarisht nga identiteti i vet dhe të adaptojë identitetin e një grupi tjetër: edhe sikur të dojë nuk do ta lejojë grupi pritës, sepse s’mund ta kontrollojë dot asimilimin en bloc, i cili madje mund të kthehet në të kundërtën e vet. Ky konvertim – asimilim mund të synohet vetëm në kushtet e luftës, vetëm nëse paraprakisht grupi dominues ka sigurinë se do t’i ketë në kontroll mjetet e dhunës për një kohë aq të gjatë sa jeta e të paktën dy brezave (kohë e mjaftueshme për mpirjen e identitetit të një grupi).
6. Prandaj në kohë paqeje mes grupeve, e vetmja që mund të ndodhë është këmbimi i të konvertuarve individualë që në thelb edhe sikur të mos zerohet nga dykahësia, mund të pengohet dhe ndërpritet (e në fund të zerohet) nga ngathtësia e gradualitetit me të cilin kryhet. Ky zerim nuk jep asnjë shpresë që paqja mund të zgjidhë konfliktin (ta shërojë përfundimisht trupin social).
7. Por këtë konflikt nuk e zgjidh në mënyrë përfundimtare as lufta; po ta kishte zgjidhur, do ta kishte zgjidhur tashmë. Përse nuk e zgjidh? Sepse zgjidhje do të thotë që njëri prej grupeve më virulentë të synojë dhe realizojë asgjësimin fizik (amputimin) e një apo disa grupeve të tjera që përbëjnë shoqërinë. Nëse e bën këtë (sepse ndoshta s’është e pamundur të bëhet), atëherë futet në rrugën e vetasgjësimit: nëse konfliktin me çdo grup që përbën shoqërinë, njëri nga grupet (apo secili nga grupet) synon ta zgjidhë duke asgjësuar fizikisht atë, atëherë ka hyrë në utopi: kjo shoqëri në një moment s’do ekzistojë më, sepse e thamë që në fillim, nuk mund të ekzistojë ndonjëherë dot ndonjë shoqëri homogjene; dhe pasi të ketë asgjësuar gjithë grupet e tjera, do të nxitë dhe theksojë dallimet mes vetes, pra do të krijojë pambarimisht grupe të reja nga vetja (që të ushqejë sëmundjen e vet që e mban gjallë: heterogjeninë dhe konfliktin), derisa të mos ketë dot ç’të ndajë dhe të zhduket e tëra.
8. Prandaj mizoria, përdhosja, masakra janë teknikat e papërshtatshme të luftës: ose përmes tyre do të arrihet qëllimi e të zhduket grupi tjetër (si nisje e një riti vetëshkatërrues siç thamë), ose nuk do të arrihet qëllimi e do të helmohet dhe eksitohet paqja (kur të kalohet herët a vonë në paqe), duke nxitur fort tashmë edhe tek ajo mjetet e saj të papërshtatshme: segregacion permanent, agresivitet permanent, manipulim permanent, diskriminim permanent (që janë skemat dhe teknikat e grupit dominues ndaj grupit tjetër).
9. Po për këtë arsye, edhe lufta siç thamë mund të jetë e pranueshme, ose duke e thënë ndryshe: duke qenë herët a vonë e pashmangshme, duhet të synohet manifestimi i saj përmes mjeteve dhe skemave të pranueshme, siç mund të jenë beteja e hapur, strategjia (përdorimi inteligjent i fuqisë në dispozicion) taktika (blofi), improvizimi i aleancave, mëshira, respektimi i asaj ç’ka tek armiku është shenjë ngjashmërie me të etj. Sepse vetëm si e tillë, në alternimin me gjendjen e paqes, mund të induktojë tek ajo po ashtu formës e saj të përshtatshme: tolerim, konkurrencë, bashkëpunim, dhurim.
10. Nëse grupi që e ka fituar luftën e radhës përmes aplikimit të skemave dhe teknikave të papërshtatshme të luftës, atëherë ka dy mundësi kur kalon në gjendjen e radhës së paqes: ose (siç është probabiliteti më i vogël) t’i japë grupit të mundur mundësinë e revanshit (dhe vetëm duke i dhuruar mundësinë e revanshit mund të shlyejë ligësinë e luftës paraprirëse të papërshtatshme), ose (çfarë me siguri është më e mundshme) të vazhdojë luftën e papërshtatshme me paqe të papërshtatshme.
11. Revanshi në fakt është gjesti/ teknika/ skema më e lartë e marrëdhënies mes grupeve të shoqërisë në gjendje paqeje. Më lart, kur e përmendëm dhurimin (a dhuratën) si teknikë të përshtatshme të paqes, këtë patëm parasysh, revanshin, sepse, në thelb, ai është një dhuratë: t’i dhurosh tjetrit mundësinë që gjërat të rinisin pothuajse nga e para, pothuajse ashtu siç ishin, përveç një përjashtimi madhor: nuk vihet në dyshim se ai që fiton luftën dominon dhe për pasojë ka ekskluzivitetin e mjeteve të përbashkëta të dhunës dhe bindjes (pa këtë përjashtim lufta e mëparshme do ta humbte kuptimin dhe do të duhej të rifillonte fill, për ta gjetur atë kuptim). Revanshi, pra, i jep kuptim luftës: ajo-lufta, shërben për të dëshmuar raportin e fuqisë, për të legjitimuar të drejtën përmes forcës (përderisa paqja dështoi ta bënte këtë me një burim alternativ legjitimimi).
12. Sepse duam s’duam jemi përballë fatalitetit të një formule: lufta e bërë me mjete të papërshtatshme (lufta si masakër) ndjell paqe të mundësuar me mjete të papërshtatshme (paqja si diskriminim) dhe e anasjellta; sikurse lufta e bërë me mjete të përshtatshme (lufta si betejë) ndjell paqen e mundësuar me mjete të përshtatshme (paqen si revansh). Shmangiet nga formula janë shumë të rralla dhe duhen konsideruar në kufijtë e mrekullisë.
13. Në të kundërt, konceptimi i shoqërisë si një e tërë homogjene i jep çdo lufte civile një natyrë apokaliptike: ajo nuk është instrument i legjitimimit të së drejtës për dominim, por një gjest providencial, një përcaktim përfundimtar i së drejtës dhe të padrejtës, i të mirës dhe të keqes, i të denjës dhe të padenjës (i munduri në luftë, meqë u mund në luftë, nuk është më i munduri pra, por i padrejti, i keqi, i padenji). Dhe është afërmendsh që një eskatologji e tillë e luftës, e bën jo thjesht të pamundshëm, por madje të pamendueshëm revanshin. Dhe mungesa e revanshit në paqe e bën atë shoqëri më të keqen e mundshme: e sëmurë se e sëmurë prej heterogjenisë (gjenetikisht, pashmangshmërisht), sëmundja bëhet më e rëndësishme se trupi që e pëson – trupi ekziston të ushqejë sëmundjen dhe jo që të ripërtërihet përmes çdo mundësie që i jepet për ta dobë- suar atë sëmundje.
14. Edhe rasti i shoqërisë shqiptare të sotme shpjegohet si shmangie përmes normës. Lufta e parafundit civile në Shqipëri ndodhi në vitet 1943-1944 dhe përgjigjja për pyetjen nëse ishte betejë apo masakër është e lehtë: ishte masakër. Joparadoksalisht, prova për këtë më shumë sesa gjatë atij një viti lufte, gjendet te paqja që e pasoi (dhe paradoksalisht edhe te lufta, sepse qe prania e trupave luftarake të huaja që e amortizoi masakrën mes grupeve të shoqërisë shqiptare). Kjo paqe qe në formën e saj problematike, si diskriminimi ekstrem, në kuptimin që nëse i mëshohej edhe më, shndërrohej në sterilizim kulturor, një lloj masakre në gjendje paqeje.
15. Lufta e fundit civile në Shqipëri ndodhi në vitet 1990-1991 dhe mund të themi me siguri që qe një betejë (si disa beteja në Mesjetë, ku ushtritë dilnin në fushëbetejë për të matur me sy fuqinë dhe firmosnin pa gjak fitoren dhe humbjen përkatëse). Dhe megjithëse paqja paraprirëse qe diskriminim dhe jo revansh, për fat, mrekullisht, paqja e re ndodhi në formën e pranueshme të revansheve serialë dhe jo të diskriminimit (mrekullisht, sepse e kundërta ishte më e mundshme).
16. Por duke qenë se lufta si masakër dhe paqja si diskriminim zgjatën sa dy breza njerë- zorë, (pra, aq sa të rrezikojë seriozisht identitetin e çdo grupi nën represion), jo vetëm lufta e tillë u shndërrua në një gjest providencial, por edhe diskriminimi (në paqe) u incizua sikur bënte pjesë në rendin e gjërave, duke ngulitur, me sa duket, te fituesit e luftës së parafundit dhe ndërtuesit e paqes së parafundit, se çfarëdo paqeje tjetërlloj do të ishte një skandal përderisa do të binte ndesh me rendin e natyrshëm të gjërave (duke konfonduar të nguliturën me të natyrshmen, konfondim që i çon në padrejtësi).
17. Në një televizion njëri prej përfaqësuesve pasardhës të këtij grupi – të komunistëve-të majtës historike, i indinjuar pyeti retorikisht se mos prej tyre kërkohej të mohonin etërit. Në fakt jo, kjo thamë është e pamundur: konflikti i natyrshëm mes grupeve në shoqëri nuk zgjidhet duke i kërkuar një grupi të heqë dorë nga identiteti i vet. Por atë që duhet të kuptonte ky pasardhës, e duke mos e kuptuar mbitensionon gjithë shoqërinë, është se e drejta e tyre për të mos mohuar etërit nuk vjen ngaqë janë të pafajshëm, por nga e drejta e grupit, kurse e drejta e bijve të të masakruarve në tetor të 1943, e drejta e tyre për të mos mohuar bijtë e vet – në atë kohë ende të palindur, vetëm se i mbivendoset formalisht faktit se i përkasin të njëjtit grup, sepse, në thelb, buron nga një e drejtë më e madhe, pafajësia e tyre. Kjo është pandershmëria e parë e të majtës historike shqiptare, në diskursin publik shqiptar.
18. Pandershmëria e tyre e dytë qëndron në faktin që kolaboracionizmin e konsiderojnë fakt mortal, ndërkohë që si rregull të gjitha luftërat civile janë kolaborative, secili grup në luftë lidh nëse mundet aleanca me fuqi të huaja dhe lufta përfundon e palët ndajnë humbjen dhe fitoren, por jo diskutim moral të aleancave me të huajt, sepse kjo bën pjesë në natyrën e gjërave. S’ka asgjë më imorale në bashkëpunimin e ballistëve me gjermanët, sesa në bashkëpunimin e komunistëve me sllavët. Nazizmi ishte krejt i papranueshëm për anglo-amerikanët (dhe bolshevizmi disi i pranueshëm) vetëm e vetëm se i shpalli luftë pa kthim dominimit botëror të tyre, sepse, në të kundërt, nëse do të ishin bolshevikët që do ta shpallnin këtë luftë dhe nazistët jo, anglo-amerikanët do të bënin aleancë me nazistët kundër bolshevikëve. Pra, të qenët në krahun e anglo-amerikanëve është një koniunkturë dhe jo një referencë universale për drejtësi dhe vlerën e zgjedhjes së komunistëve shqiptarë.
19. Sepse as komunistët dhe as ballistët nuk i bënë zgjedhjet e aleancave të detyrueshme në një luftë civile, duke u nisur nga i njëjti kriter me të cilin anglo-amerikanët bënë aleancë me bolshevikët kundër nazistëve, por komunistët u gjendën në një anë me anglo-amerikanët, sepse kjo qe dhe aleanca e bolshevikëve që ishin modeli udhëzues i sjelljes së tyre politike, kurse ballistët në një anë me gjermanët, sepse këto (dhe jo anglo-amerikanët) ishin armiqtë e bolshevikëve, që për ballistët ishin rreziku kryesor.
Sepse ndërsa për anglo-amerikanët fitorja e luftës donte të thoshte për shoqëritë e tyre automatikisht vijim i të njëjtit sistem politik, për ballistët dhe në përgjithësi për klasën politike shqiptare të paraluftës, fitorja e luftës nga bolshevikët + anglo-amerikanët nuk donte të thoshte automatikisht ruajtje e të njëjtit sistem politik, por përmbysje radikale e tij, siç edhe ndodhi (lufta civile në Greqi pas Luftës së Dytë Botërore është provë e vërtetësisë së kësaj analize). Pra fituan komunistët, sepse bolshevikët qenë në aleancë me anglo-amerikanët dhe humbën ballistët, sepse gjermanët qenë në luftë me anglo-amerikanët, por anglo-amerikanët vetë i përcaktuan aleancat e tyre në funksion të interesave të tyre, dhe jo në emër të një sistemi vlerash universal, sipas të cilit dënohen përjetësisht humbësit dhe shpërblehen përjetësisht fitimtarët.
20. Padrejtësia e dytë është njëkohësisht edhe padrejtësia e tretë e të majtës ndaj përgjimit gjithë sy e veshë që po bën publiku shqiptar: gjatë paqes dyzetvjeçare, në formën e saj të papërshtatshme si diskriminim, fituesit e luftës i persekutuan humbësit dhe trashëgimtarët e tyre, pikërisht si aleatë të anglo-amerikanëve, e dëshmuar edhe doktrinalisht në veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Kështu i mundën gjatë luftës si aleatë të gjermanëve, pra si aleatë të kundërshtarëve të anglo-amerikanëve, dhe i diskriminuan gjatë paqes si aleatë të anglo-amerikanëve.
Nëse komunistët kanë pasur të drejtë në të dyja rastet, atëherë anglo-amerikanët nuk janë më kriter universal i vërtetësisë dhe të mos legjitimohen përmes aleancës me ta; nëse nuk kanë pasur të drejtë në të dyja rastet, por vetëm në njërin, atëherë nëse s’kanë pasur të drejtë gjatë luftës janë njësoj si ballistët dhe nëse s’kanë pasur të drejtë gjatë paqes, të kërkojnë falje për të pafajshmit, familjarët e pafajshëm që u sterilizuan politikisht dhe kulturalisht për dy breza, që është një nga padrejtësitë më të mëdha që ka pësuar kjo shoqëri.
21. Në këtë mënyrë, ligjërimi publik i atyre që mohojnë krimet e luftës së parafundit civile si masakër, mbështetet realisht tek imperativi i gjendjes permanente të konfliktit mes grupeve, skemë të cilën ato s’e pranojnë, sepse do të dilte që janë inferiorë ndaj grupit tjetër, sepse në luftë i masakruan (mund të bënin betejë) dhe në paqe i diskriminuan (mund të bënin revansh).
Mirëpo, siç thamë, ky mohim i të drejtës së viktimave për t’u rehabilituar, publikisht mbështetet te koncepti tjetër utopik, sipas të cilit shoqëria është homogjene dhe masakrimin në luftë dhe diskriminimin në paqe nuk e bënë ndaj një grupi tjetër të shoqërisë, por ndaj pjesës më të keqe të së njëjtës shoqëri, e cila duke qenë homogjene, funksionon si një e tërë, e cila që të shpëtojë nga pjesa më e keqe (e sëmurë) e amputon atë. Kjo është pandershmëria e katërt e të majtës historike shqiptare në raport ndaj grupit kundërshtar, por edhe ndaj tërë publikut shqiptar, edhe ndaj ne të tjerëve që nuk jemi pjesë e asnjërit ndaj prej këtyre grupeve (dhe ndoshta nuk janë as të vetëdijshëm që kjo pandershmëri tingëllon për të tjerët si kërcënim).
22. Pasi luftën e vet e projektoi si masakër dhe paqen si diskriminim, të majtës historike shqiptare i duket sikur ishte normale që e djathta luftën e vet e projektoi si betejë dhe paqen e saj si revansh. Asimetria në sjellje midis të majtës historike dhe të djathtës historike është aq e pafshehtë, saqë ka tri alternativa potenciale: ose e djathta historike do lumpenizohet, ose do të vendoset simetria përmes një lufte të re mes tyre, ose e majta të vetedukohet (ky shkrim këtë synon), vetedukim që do të thotë që e majta radhën e vet të revanshit t’ia kalojë të djathtës historike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit