1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rëndësia e edukimit për brezin e ri

Më të lexuarat

 

Duke pasur parasysh se familja është institucioni i parë ku njeriu merr edukatën, atëherë është me rëndësi të flasim rreth obligimeve që kanë prindërit në edukimin e fëmijëve të tyre. Allahu xh.sh., pasi krijoi njeriun e parë, Ademin a.s., me bashkimin e pjesëve apo elementeve të dheut, nuk deshi që ta linte të vetmuar, prandaj i krijoi edhe bashkëshorten e tij, Nënën e parë të njerëzimit, Havën. Prej Ademit a.s. dhe Havës filloi shtimi i popullsisë. Ademi a.s. është babai i njerëzimit, kurse Hava është nëna e njerëzimit. Nuk ka dyshim se fëmija është dhurata më e çmuar që Allahu i fal një çifti bashkëshortor. Kjo dhuratë duhet ruajtur dhe edukuar më së miri. Së pari duhet ta dimë se fëmija lind në formën e një krijese me premisa për ta njohur Zotin e vet të Lartmadhërishëm. Allahu xh.sh. e krijoi në atë natyrshmërinë që kërkon me këmbëngulje njohjen e Allahut, pastaj pasimin dhe zbatimin e asaj që përmban kjo njohje. Mirëpo, kjo natyrshmëri ka mundësi të ndryshojë a të devijojë nga esenca e saj e vërtetë dhe ajo që përmban. Nëse ndikojnë faktorë nga jashtë, mund të prishin këtë intuitë të tij.
Këtë çështje ka sinjalizuar edhe Pejgamberi s.a.v.s., me thënien e tij: 
“Çdo i porsalindur, lind në natyrshmërinë e vet, intuitën, dhe më pastaj prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë apo zjarrputist”. 
Në hadithin e lartcekur thuhet në mënyrë decidive se prindërit janë ata që ndikojnë në fëmijët e tyre dhe i devijojnë ata nga natyrshmëria e tyre. Mund të përfundojmë se, nëse ndikimi i prindërve tek fëmija i tyre është në atë nivel siç e përshkruan hadithi, derisa arrijnë për t’ia ndërruar natyrshmërinë e tij, mund ta devijojë atë nga besimi në fenë e vërtetë. Pra, ndikimi i prindërve tek fëmija i tyre për ta urdhëruar që të kryejë detyrimet fetare, qenka shumë lehtë dhe më e efektshme. 
Nga ky këndvështrim, përgjegjësia e prindërve në formësimin e fëmijës, zhvillimin dhe edukimin e tij me një edukatë të vërtetë islame, është përgjegjësi e madhe. Nuk mund të mohohet fakti se prindërit janë faktori më i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, prandaj kësaj pune duhet t’i qasemi doemos me një seriozitet të duhur, për të korrur sukses. 
E dimë që prindërit kanë obligime të shumta ndaj fëmijës, siç është sigurimi i ushqimit, i veshjes, i strehimit dhe i nevojave të tjera materiale (brenda mundësive që kanë). Mirëpo, para së gjithash, nga detyrat më të rëndësishme të njeriut, është që fëmijëve t’u sigurojë një edukatë të shëndoshë. Një prej detyrave duhet të sigurohet ende pa lindur fëmija: zgjedhja e bashkëshortes së edukuar në frymën islame, në mënyrë që pasardhësit e tij të rriten me edukatë islame. Babai është orientuesi i fëmijës, ndërsa nëna është shkolla për të. 
Për këtë na ka porositur edhe i Dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s: 
“Gruaja merret (zgjidhet) për katër gjëra: Për pasurinë, autoritetin, bukurinë dhe fenë e saj, zgjidhe atë që është fetare, se do të jesh më i lumturi në këtë botë, po edhe në botën tjetër”. 
Pra Pejgamberi s.a.v.s. na ka tërhequr vërejtjen se me të vërtetë si pasuria, bukuria po ashtu edhe autoriteti, janë nganjëherë edhe mashtrim për njeriun, por, mbi të gjitha, njeriu duhet të bindet se më e mira për gruan e tij do të ishte të jetë besimtare, me edukatë të pastër islame, sepse prej saj do të ketë dobi më shumë se prej atyre që kanë tri cilësitë e tjera, që i cekëm më lart. 
Ne e dimë se edhe bukuria edhe pasuria janë gjëra të përkohshme, kurse feja (besimi) është e rrënjosur në zemrën e njeriut. InshAllah do Allahu dhe njeriu vdes me atë besim që ka lindur. Përkujdesja dhe edukimi i fëmijës kërkon maturi, shkathtësi, durim dhe moral. Kjo i takon më shumë nënës, ngase juristët islamë kanë pikëpamjen që më të rëndësishme për edukimin janë gratë, sepse ato janë më të dhimbshme, dinë të edukojnë më së miri, janë më durimtare për të zbatuar këtë obligim, dhe janë më të afërta më fëmijët. 
T’i jepet përparësi nënës në edukim, është synet i Pejgamberit s.a.v.s. Transmetohet se kishte ardhur një grua tek Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: 
“O i Dërguar i Allahut, vërtet barku im ka qenë vendi ku e kam bartur birin tim, e kam ushqyer prej vetes time, e babai i tij është shkurorëzuar nga unë dhe dëshiron të ma marrë atë”. 
Pejgamberi a.s. iu përgjigj: 
“Ti je më meritore për këtë, përderisa nuk je martuar me dikë tjetër” 
Pra, familja është shkolla e parë ku fëmija mëson për të ditur se çka është e mirë e çka është e keqe. Këtë detyrë kaq të rëndësishme, Allahu xh.sh. ua ka besuar prindërve. Ai na ka porositur përmes ajetit kuranor: 
“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. (Sure Etahrim, 6) 
Nga ky verset mësojmë se Allahu urdhëron për të ruajtur vetveten dhe familjen nga zjarri i Xhehenemit. Meqë prindërit kanë përgjegjësi të madhe ndaj familjes, për të shpëtuar nga ky dënim duhet të punohet sipas porosive kuranore dhe haditheve të Pejgamberit s.a.v.s.. Muhamedi s.a.v.s. i porosit prindërit duke thënë: 
“Posa të lindë fëmija, duhet t’i thirret ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në të majtin, duhet pagëzuar me emër të mirë me kuptim të mirë dhe të përshtatshëm për fëmijën e vet”. 
Sipas studimeve, emri i zgjedhur për një person luan rol në përcaktimin e personalitetit të tij / të saj. 
I dërguari i Allahut, s.a.v.s thotë: 
“Emrat më të dashur të Zotit janë Abdullah dhe Abdurrahman”. 
Mandej duhet të organizohet akika, d.m.th. të theret kurban në ditën e 7. Po këtë ditë i hiqen flokët dhe maten sa gramë peshojnë ato. Pastaj pyetet se sa kushton një gram argjend, dhe aq të holla duhet të jepen sadaka, d.m.th. për vlerën e atyre flokëve të fëmijës. 
Kur fëmija fillon të dallojë të mirën nga e keqja, atëherë duhet ndikuar tek ai, që të fitojë shprehi për namaz. Pejgamberi s.a.v.s. thotë: 
“Urdhëroni fëmijët tuaj ta falin namazin në moshën 7-vjeçare, ndërsa ndëshkoni për të në moshën 10-vjeçare dhe ndajini në shtretër”. 
Të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë për dashuri, mirësi dhe ngrohtësi, pavarësisht nga mosha a gjinia e tyre. Mirëpo, fëmija ka nevojë shumë për dashurinë e prindit. Dashuria është një prej elementeve që mund të prishin edhe rehatinë në mesin e fëmijëve, sidomos nëse prindi bën dallime midis tyre. Qoftë mashkull a femër, duhet të trajtohen të gjithë njësoj a në mënyrë të barabartë, se përndryshe kjo bën që të lindë edhe urrejtja në mes tyre. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: 
“Kini frikë Zotin dhe mbani drejtësi ndaj fëmijëve tuaj”. 
Sa i përket dhënies përparësi djalit ndaj vajzës, që është edhe traditë e popullit tonë, Pejgamberi s.a.v.s. thotë: 
“Kush ka fëmijë femër dhe nuk e lëndon e nuk i jep përparësi djalit ndaj saj, Allahu do ta fusë në Xhennet”. 
Për sa i përket rëndësisë së femrës, mund të kuptojmë më së miri nga Kurani dhe hadithet e shumta të Pejgamberit s.a.v.s., Islami e ka lartësuar femrën në Kuranin e madhërueshëm, saqë e ka veçuar ndër suret e gjata të tij. Një sure e ka quajtur me emrin e femrës, sure “En-nisa” dhe në të përmend të drejtat e saj, ndërsa, sa kohë që nuk ka ndonjë sure që të jetë quajtur “Burri” a “Burrat”. 
Kurse Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: 
“Kush ka tri vajza a tri motra, ose dy vajza a dy motra dhe tregohet i butë me to, duke u përkujdesur për to dhe duke i martuar mirë, – e ka merituar Xhennetin”. 
Pastaj thotë: 
“Të edukosh një mashkull – ke edukuar një individ, kurse të edukosh një femër, ke edukuar një brez”. 
Pra, prindërit duhet të kenë kujdes në veten e tyre për sjelljet e tyre, sepse ata janë pasqyrë e fëmijëve të tyre. Ngase fëmija nuk do të jetë i mirë, nëse nuk mbahet në mbikëqyrje, duke pasur gjithnjë parasysh faktin se tek ai ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë. Ata janë: rrethi, ambienti, shoqëria, kinemaja, televizori, radio etj. Nëse lejojmë që këta faktorë të ndikojnë negativisht tek fëmija, atëherë ai do të jetë jashtë normave të moralit islam dhe do të mbetet i paedukuar në frymën islame. 
Nga ky paedukim do të pësosh edhe ti një ditë, dhe do të pendohesh. Këtë realitet mund ta kuptojmë nga një ngjarje e udhëheqësit të besimtarëve. Njëherë një prind shkoi tek Omeri r.a. për t’u ankuar për fëmijën e tij, se ai nuk sillej mirë ndaj tij. Omeri r.a. e këshilloi që ta dënonte. 
Djali i tha: “O prijës i besimtarëve ! A nuk ka detyra prindi ndaj fëmijës?”
Omeri i tha: “Po si jo!” 
Atëherë djali i tha: “Cilat janë ato?” Omeri i tha: “Që, kur të martohet, të gjejë një grua të mirë; kur të lindë fëmija, t’i vërë një emër të mirë, t’ia mësojë librin, Kuranin”. 
Djaloshi tha: “O prijës i besimtarëve, ai nuk ka bërë asnjërën prej këtyre”.
Nëna që më ka lindur, ka qenë zjarrputiste e emrin ma ka vënë “Xhealën” (emër jo i mirë), dhe nuk më ka mësuar nga Kurani asnjë shkronjë”. Omeri e shikoi prindin dhe i tha: 
“Ke ardhur të ankohesh për mossjelljen e mirë të djalit tënd, e ti qenke fajtori kryesor”. 
Sidoqoftë, prindërit duhet të bëjnë durim në edukimin e fëmijëve për t’i dhënë shoqërisë dhuratën më të madhe e më të lartën dhunti: fëmijë të udhëzimit e të rrugës së drejtë; fëmijë të diturisë dhe të besimit, e, për të qenë ndihma dhe një dorë për ta në pleqëri, thesar për ta pas vdekjes, meqë me ta do të shtohen të mirat e tyre dhe me ta do të rriten shkallët në Ahiret. 
Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith thotë: 
“Vërtet njeriut, qoftë baba a nënë, do t’i ngrihet shkalla e tij në Xhennet aq lart, saqë thotë: 
“O Zot, prej nga kjo për mua?” 
I thuhet atij:
 “Prej fëmijëve të tu, të cilët kanë bërë dua për ty dhe kërkojnë falje gabimesh”. (Transmetojnë Ahmedi dhe Ibn Maxhe). Pra, nga kjo përfundojmë se prindi duhet të pëkujdeset për edukimin e fëmijës, sepse Pejgamberi s.a.v.s na ka tërhequr vërejtjen se fëmijët nuk do të na vlejnë nëse i lëmë t’i edukojë koha, pa mbikëqyrjen dhe kujdesin tonë. 
Ai thotë: 
“Atë që nuk e edukojnë drejt prindërit, do ta edukojë koha”. 
E nëse i lëmë fëmijët në mëshirën e kohës, jemi dëshmitarë se në mesin ku jetojmë ne, është vështirë që fëmija të edukohet si duhet. Nëse hapim ekranin televiziv, do të vërejmë se shumica e emisioneve a serive që transmetohen, qofshin edhe sosh që vijnë drejtpërdrejtë, ndikojnë në prishjen e moralit të fëmijës, po edhe të të rriturit. 
Kur fëmija të arrijë në moshën e martesës, prindi duhet të kërkojë për të bashkëshort a bashkëshorte besimtar/besimtare, më përpara sesa të bukur, me autoritet apo të pasur, ngase duhet të kihet parasysh se martesa është bashkim dy vetash e jo shitblerje, po nëse tek një person gjenden pasuria dhe besim, të dyja, atëherë kjo është një prej mirësive të Zotit. 
Krahas obligimeve dhe të gjitha këtyre të mirave që na i dhuron All-llahu i Madhëruar, ekziston edhe mundësia e sprovimit me më të dashurit tanë, në këtë rast, pra me fëmijët, siç mund të jenë sëmundje të ndryshme ose edhe marrja e jetës së tyre dhe sprova të llojllojshme. 
Mirëpo, me çfarëdo sprove nga e cila goditemi, duhet t’i shprehim respekt Allahut, ta falënderojmë Atë, ngase Allahu në shumë vende në Kuran na tregon qartë se Allahu i sprovon ata që i do dhe gjithashtu u garanton për shpërblimin e madh që i pret në botën e ardhshme. Secili nga ne duhet ta kemi parasysh se jeta e kësaj bote është mashtruese dhe e shkurtër, do të kenë fund si hidhërimi ashtu edhe gëzimi, andaj mos ta ndërrojmë lumturinë e përhershme me atë të përkohshme. 
Në lidhje me këtë, kemi edhe hadithin që transmetojnë Imam Ahmedi dhe Nesaiu nga Muaviu, që një njeri kishte ardhur tek Pejgamberi s.a.v.s. me fëmijën e vet. 
Atë Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti: 
“A e do ti fëmijën tënd?” 
Ai u përgjigj:
 “Për Zotin, të dua ty, siç e dua atë”. Një kohë ai nuk u paraqit fare dhe Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti për fëmijën e tij, dhe i thanë se kishte vdekur, prandaj ai iu drejtua babait të tij duke i thënë: “A do të dëshiroje që në secilën derë të Xhennetit që hyn, ta shohësh duke të pritur?” 
Njeriu i tha:
 “A është kjo diçka e veçantë, apo është për të gjithë ne?” 
Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj:
 “Jo për të gjithë ju”. 
Pejgamberi ynë thotë: 
“Kur dikujt i vdes fëmija, Allahu i Madhëruar melaikeve u thotë: A e morët fëmijën e robit tim, e ata i përgjigjen, Po ! Pastaj Zoti u thotë: A e morët frytin e zemrës së tij?, kurse ata i përgjigjen: Po ! Pastaj Ai i pyet: Ç’tha robi im? E ata i përgjigjen: Të falënderoi dhe deklaroi: 
“Të gjithë jemi të Allahut, dhe tek Ai kemi për t’u kthyer”. 
Allahu xh.sh. thotë: “Ndërtoni për robin tim një shtëpi në Xhennet dhe emërtojeni “Shtëpia e Falënderimit”. 
Në përfundim të tërë kësaj që u tha deri më tani, kisha porositur të gjithë prindërit që t’i marrin për dore pasardhësit e tyre e t’i shpien drejt rrugës së mirë dhe të vërtetë. Ta kenë parasysh hadithin e Pejgamberit s.a.v.s., i cili thotë:
 “Ju të gjithë jeni kujdestarë dhe të gjithë do të përgjigjeni për atë që ju është dhënë për ta ruajtur – për përkujdesje”.

 

Përgaditi: Fehime Gashi-Jusufi
Dituria Islame 211

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit