A e di Profesor Gjergj Sinani se ç’është “Bedër”-i?
Pak pasi referoi për një libër kushtuar Gulenit, me autorësi amerikane, Gjergj Sinani, një profesor i shkencave sociale, është zgjedhur Rektor i Universitetit Bedër.
Ky universitet, teorikisht njihet si “universitet islam” në Shqipëri, së paku nga fakti se si i tillë u ngrit pak vite më parë, në fund të qeverisjes së PD-së, duke u trajtuar si një shkollë e lartë e komunitetit të muslimanëve në Shqipëri, nga e cila do dilnin kuadro fetarë pa qenë nevoja për studime në botën islame, më saktë nga vende të Lindjes së Mesme. Ky lloj konteksti i parapriu krijimi të këtij universiteti. Dhe, me krijimin e “Bedër”-it, një emër që vjen në fakt nga historia islame – një betejë e famshme mes besimtarëve dhe jobesimtarëve me triumfin e të parëve – duket se komunitetit musliman (bashkësisë së besimtarëve) në Shqipëri iu plotësua një e drejtë.
“Bedër”-i menaxhohet nga Komuniteti Musliman Shqiptar, e ky institucion drejtohet nga sekti Gulen, i papranueshëm nga pjesa më e madhe e komunitetit të besimtarëve muslimanë e jo thjesht nga armiqësia me qeverisjen aktuale në Turqi, e cila shihet dhe si një mbrojtëse e kauzave islame në botë pos aspektit të sukseseve zhvillimore. Sekti i Gulenit kontestohet dhe për aspekte fondamentale të besimit. Ndaj, për rastin e emërimit të Gjergj Sinanit si Rektor i “Bedër”-it, vihet në dukje paradoksi i drejtimit të një universiteti islam nga një ateist.
“Rektori Universiteti islam në Shqipëri drejtohet nga një profesor i nderuar ateist, Prof. Dr. Gjergj Sinani.
Suksese!”, është një nga reagimet ironike në rrjete.
Për krahasim, fakultetet e Shkencave Islame në Prishtinë e Shkup nuk kanë asnjë ngjashmëri me “Bedër”-in e Tiranës, aq më pak në kokën drejtuese, që ai, si në rastin e universitetit islam të Tiranës(se Bedër-i të tillë e ka vulën), të mos ketë aspak formim fetar, edhe në mos qoftë ateist.
Çështja qëndron tashmë të emri: mirë është të mos e ketë Bedër!
Kuriozitet mbetet nëse Profesor Sinani e di se ç’është “Bedër”-i?! /tesheshi.com/