12.7 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Reagim dhe demaskim ndaj artikullit „Një imam, shumë kundërthënie“

Më të lexuarat

Shkruan: Ardian Elezi

Në datën 18.01.2018 u publikua në gazetën „Tagesanzeiger“ një artikull për mua. Megjithëse me autorin e artikullit, Kurt Pelda, kishim rënë dakord që të më jepej mundësia të verifikoja saktësinë e citateve të mia dhe t’i plotësoja ato, gjë që unë e bëra, në thelb u botua versioni i pakorrigjuar dhe pa plotësimet e mia, gjë që solli si pasojë pohime të gabuara, të pathëna kurrë nga ana ime dhe të shkëputura nga konteksti. Shumë citate u përgjysmuan, e të tjerë u lanë fare pa përmendur. Duke qenë se pjesë të artikullit u morën pa u verifikuar edhe nga shumë medie të tjera, edhe përtej kufijve, duke dëmtuar kështu rëndë imazhin tim deri në atë moment shembullor si studiues i islamit, pedagog i fesë dhe imam, ndihem i detyruar të publikoj një kundër prezantim, me qëllim që në radhë të parë të saktësoj pohimet dhe qëndrimet e mia, por jo më pak edhe të vë në vend imazhin tim, të shtrembëruar pa të drejtë.

Nuk është më ndonjë çudi e madhe, që pikërisht gazetari Kurt Pelda tani më është vënë pas edhe mua dhe më sulmon. Ai vetëm vitin e kaluar (2017) në 51 nga 54 artikujt e botuar në „Tagesanzeiger“, është shprehur negativisht për muslimanët. Dhe ishte mu zotëri Pelda ai, i cili më parë kishte përkthyer në mënyrë të gabuar citatet e një imami, apo siç shprehet ai me eufemizëm, i ka riformuluar „duke i interpretuar“, duke nxjerrë kështu nga fjalë të parrezikshme si „merrem me“, as më shumë e as më pak, po fjalë të tilla si „asgjësoj“. Nuk dua të merrem këtu shumë me metodat e dyshimta gazetareske të Pelda-s, për të cilin duket se mjaftojnë disa targa të huaja të veturës para derës së një xhamie, që kjo të quhet një „vendtakim i parapëlqyer për rrethet e huaja salafiste“. Apo ai që jo më kot hyrjen për në një vendfaljeje sipër ndonjë restorani (imbiss) e përshkruan si „të fshehur më së miri në një skutë“, me qëllim që të mbajë gjallë mishngjethjen tek lexuesi.
Qëllimi im parësor është që të qartësoj realitetin në lidhje me pohimet dhe pikëpamjet e mia dhe të nxjerr kështu në dritë të vërtetën, të cilën çdo lexues dhe lexuese e meriton dhe ka të drejtë ta dijë.

📎Demantimi

Pohimi bazë i artikullit të tij të datës 18.01.2018 është që unë në dukje u shfaqkam si mendjehapur, i moderuar (mesatar) dhe tolerant, ndërsa „në skutat e fshehta“ shpërndakam ide ekstremiste dhe madje edhe fletushka të tilla, të cilat na qenkan në kundërshtim me Kushtetutën Federale. Këto janë akuzat e tij. Mirëpo faktet janë aq të dobëta, saqë ai detyrohet t’i shtrembërojë ato në një masë të tillë, sa të thyejë të vërtetën:

• Në fakt unë, ndryshe nga sa pretendon Pelda, nuk jam nga ata që rrinë në krye të stendave të shoqatës gjermane „Lexo!“(Lies!” të cilët e kan shpërndarë Kuranin falas), madje nuk kam marrë asnjëherë pjesë aktivisht në aksionet „Lexo!“ për shpërndarjen e Kuranit. Thjesht kam qenë një herë i pranishëm si vizitor në këto stenda, njësoj si mijëra të tjerë, muslimanë apo zviceranë.

• Shkrimet në xhami nuk janë vendosur nga unë, por janë vënë në dispozicion pa pagesë nga Kryesia e Xhamisë. Për këtë arsye, unë shumë prej tyre nuk i kam lexuar.

• „…Edhe për femrat gjysmë të zhveshura ai shprehet negativisht.“. Kjo gjë nuk është e vërtetë! Nuk jam shprehur kurrë negativisht për femrat gjysmë të zhveshura në citat, thjesht u kam dhënë një këshillë muslimanëve që, në rast se duam të ndjekim Kuranin dhe të respektojmë urdhrin e “ uljes së shikimit”, në kushte të caktuara është më mirë të mos dalim nga shtëpia. Me këtë këshillë unë as nuk kam degraduar femra, e as nuk jam shprehur në ndonjë mënyrë tjetër negativisht apo me përçmim për to. Thjesht jam përpjekur që të zgjidh një problem real, më të cilin ballafaqohen disa muslimanë.

• Fakti që në një video në gjuhën shqipe jam shprehur kundër homoseksualizmit (duke e bazuar këtë gjë në Islam) paraqitet si në kundërshtim me Kushtetutën, megjithëse është pikërisht Kushtetuta ajo që më garanton lirinë e besimit dhe më jep të drejtën të shpreh mendimin tim personal. Nuk është aspak mendjembylltësi, që unë t’i përdor këto të drejta, pasi edhe përkufizimi i tolerancës nuk është që duhet të pëlqejmë çdo lloj mënyre jetese, por kuptimi i saj është që të lejojmë mënyra të tjera jetese. Në asnjë mënyrë nuk kam bërë thirrje për luftë kundër homoseksualëve. Në lidhje me artikullin, pohimet e mia u verifikuan edhe nga këndvështrimi i ligjshmërisë së tyre, gjë që u konfirmua se un jam i pastërt, se un jam i pafajshëm në këtë aspekt. Në fund të fundit, ne të gjithë duhet t’i bëjmë seriozisht pyetjen vetes, se çfarë kuptimi ka realisht ai himn që ne të gjithë i thurim “pluralizmit”, kur ky nuk jetësohet dhe nuk zbatohet në praktikë? Pasi të gjithë ne e dimë, që ky sistem mundëson bashkëekzistencën e këndvështrimeve të ndryshme, të interesave të ndryshme, koncepteve të ndryshme mbi jetën dhe mënyrave të ndryshme të të jetuarit në një shoqëri. Nisur nga kjo, çdo komunitet fetar në këtë vend mund të ketë përfytyrimin e tij për “vlerat e moralit” apo “bindjet fetare”, duke pasur mundësinë t’i përfaqësojë ato, dhe në të njejtën kohë të konsiderohet si “i moderuar” apo “mendjehapur”. Këto nuk janë këndvështrime që bien në kundërshtim!

• Pastaj jam akuzuar për një fotografi, në të cilën shfaqem unë në ditën e festës së fitër bajramit me disa vajza të vogla të mbuluara.
Ato nuk janë fëmijët e mi, nuk jam unë përgjegjës për veshjen e tyre, dhe në asnjë moment nuk kam pretenduar që fëmijët e kan obligim të mbulohen. Pikërisht kjo ishte ajo që shpreha gjatë bisedës me gazetarin Kurt Pelda. Megjithatë, me fjalën e përdorur “pranoj”, në artikull nënkuptohet që unë në lidhje me këtë çështje paskam pasur vështirësi në një moment për të gjetur fjalët, megjithëse nuk kam gjë kundër, që vajzat atë ditë feste donin të vishnin rroba të veçanta dhe morën shembull nga modelet që ato ndjekin, të cilat në këtë rast mund të kishin qenë nënat e tyre. Kjo gjë në bazë perceptohet si “shtypëse” vetë kur gjithsesi pretendohet dhe paragjykohet nga fillimi se të gjitha gratë muslimane e mbajnë shaminë me imponim.

• Në lidhje me ISIS-in më përkufizojnë si “ambivalent”, megjithëse unë jam shprehur qartë dhe me bindje kundër ISIS-it, jam distancuar shprehimisht shumë herë dhe kam paralajmëruar shumë herët për rreziqet dhe devijimet e këtij grupimi.

• Me fjalinë “Në xhami është bota e shenjtë, ndërsa jashtë saj “llumi i pamoralshëm”, për të cilin ju paralajmëron predikuesi.”, zoti Pelda vë në gojën time fjalë, të cilat nuk i kam thënë kurrë. Në terminologjinë specifike kjo quhet “shpifje”. Pra ai shpifë për mua. Nëse gazetari në fjalë i përdorë thonjëzat vetëm e vetëm që të relativizojë formulimin e tij, nuk kemi pse të mos dyshojmë se ka dashur qëllimisht të shtrembërojë të vërtetën, pasi thonjëzat të lidhura me foljen “paralajmëroj” interpretohen nga shumica e lexuesve sikur po i referohesh një citati timi.

• Nisur nga targat e huaja para xhamisë, Kurt Pelda na del në përfundimin që “Klajnhyningeni (Kleinhüningen, një lagje në Basel në të cilën gjindet xhamija), dhe sidomos xhamia jonë na qenkësh “…një vendtakim i parapëlqyer për rrethet e huaja selefiste”. Nuk e justifikoj aspak këtë pretendim por e demantoj dhe e hedh poshtë me vendosmëri, të paktën për sa i përket xhamisë “Peace & Blessing”.

• Me pohime të tilla si: “…Ka vend për të spekuluar mbi arsyet që e sjellin këtë gjë. Njëra prej tyre mund të jetë qëndrimi liberal i kantonit kundrejt islamikëve radikalë” apo “në rrjetin social Telegram, i cili përdoret shpesh edhe nga selefistët, Elezi ka përmendur ndër të tjera…”, unë indirekt vihem në kontekst me përkufizime negative, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me personin tim, por që lënë asociime negative për mua tek lexuesi. Kjo është qartazi një përpjekje për të dëmtuar imazhin tim edhe përtej fakteve reale.

Lidhur vetëmbrojtjen dua të sqaroj si vijon: Nëse unë në xhaminë time jo vetëm “kinse” , por realisht bëj thirrje që të jemi mendjehapur dhe të matur, të mos luftojmë pjesëtarët e feve të tjera dhe të mos lejojmë që “mospëlqimi” i disa vepra apo mënyrave të caktuara të jetesës të na shpjerë drejt refuzimit të plotë të të tjerëve, dhe që në vend të këtyre veprimeve i nxisë dhe i udhëzoj për t’u sjellë në mënyrë shembullore, për të mësuar gjuhën gjermane, për t’u arsimuar, sidomos në shkencat e natyrës, me qëllim që të vihemi në shërbim të shoqërisë, dhe nëse nxis komunikimin me pjesëtaët e feve të tjera, për të mënjanuar paragjykimet dhe keqkuptimet, atëherë unë këtë gjë realisht e ndiej si pasurim dhe dobi për vendin. Për fat të keq nuk u shfrytëzua mundësia për të portretizuar një xhami, e cila është unike pikërisht për sa i përket transparencës dhe mundit që derdh për integrimin e vizitorëve të saj; një xhami, në të cilën mësohet dhe predikohet në gjuhën gjermane, me qëllim që të jetë e kuptueshme si për ata emigrantë, disa prej të cilëve kësodite flasin më mirë dialektin zviceran sesa gjuhën e tyre amtare, ashtu edhe për zviceranë, të cilët duan të krijojnë një tablo të tyren; një xhami, e cila përkushtohet për integrimin e anëtarëve të saj, qoftë duke i iluminuar kundër ideologjisë ekstremiste (siç mund të shihet edhe nga predikimet e shumta), qoftë duke zhvilluar fushata antiradikalizimi apo duke organizuar aktivitete të përditshme si kurse gjuhe dhe kurse plotësuese (në të ardhmen).

Ndërkohë e kam të qartë që edhe pa e bërë atë bisedë me gazetarin, një artikull negativ do të publikohej për mua. Me qëllim të mirë e pranova bisedën me zotëri Pelda, pasi doja që të jepja një shtysë për të hedhur dritë mbi Islamin dhe punën e Hoxhallarëve edhe nga një këndvështrim tjetër përveç atij të “terrorizmit të fshehur”, me të cilin asociohet shumë shpesh. Për fat të keq, i besova më shumë se ç’duhet integritetit gazetaresk të Kurt Pelda-s, pasi ky, sipas parimit “Ajo që dihet, dihet, e s’kemi pse ta ndryshojmë”, vendosi vetë të shpikë prej meje figurën e një armiku të ri, i cili mbështet ekstremizmin dhe islamin radikal, një figurë, e cila s’ka asgjë të përbashkët me realitetin; një figurë, e cila është absolutisht e gënjeshtërt; një figurë, e cila ndez frikë dhe urrejtje: për mendimin tim, një veprim i papërgjegjshëm, plotësisht joautentik dhe i pabesueshëm,, sidomos në këto kohëra gjithsesi të tensionuara, në të cilat islamofobia dhe armiqësia ndaj Islamit janë shtuar ndjeshëm. Person i ri, histori e vjetër. Dhe ja, tanimë, unë jam artikulli numër 52.

25.01.2018

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit