0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Raportet brenda familjes

Më të lexuarat

 

“Ne e kemi obliguar njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet…” (Ankebut, 8)

“Asnjë prind nuk mund t’i dhurojë fëmijës së tij diçka më të çmuar se edukata”( Tirmidhi, el-Birru, 33)

Familja është bashkësi e përberë nga nëna, babai dhe fëmijët, por nuk është vetëm kaq pak. Ajo është bashkësia më e vogël sociale, në të cilën lind, rritet, dhe zhvillohet njeriu, ku merr shkollën dhe edukatën e parë. Sado e vogël të jetë ajo, rëndësia e saj në shoqëri është shumë e madhe. Bashkësia familjare është formuar qysh me ardhjen e parë të njeriut në këtë botë. Ajo është formuar si një dëshirë e Krijuesit, që njeriu i parë të ketë një familje e jo siç pretendojnë disa sociologë se është krijuar, si rezultat instinktiv dhe i rastësishëm, në këtë bote.( Prof. Dr. Ahmet Yaman, Islam Aile Hukuku, f. 12)

Kurani i ka kushtuar thelbit familjar një rëndësi te madhe, me qëllim që nderi dhe vlera e saj të mbrohet me çdo kusht.

Allahu (xh.sh.), thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21)

Ne e falënderojmë në mënyrën më të veçantë, Krijuesin tonë, për këtë botë plot mrekulli, që Ai e krijoi për ne, me shije e pamje të ndryshme, me stinët dhe larmitë e tyre.

Të gjithë njerëzit në këtë jetë kanë një program për të cilin punojnë. Si muslimanët, ashtu edhe të tjerët, jo myslimanet, vrapojnë dhe përpiqen të krijojnë projekte të ndryshme, në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre. Por, shtrohet pyetja: deri kur dhe deri ku në këtë mënyrë? Në çfarë niveli i kemi raportet me Krijuesin, për të vazhduar dhe zbritur në familje, me rrethin e ngushtë e kështu me radhe? Si janë raportet tona në lidhje me ata që na lindën, prindërit tanë, që na rritën, na ushqyen me sakrifica, dhe ndërprenë gjumin e tyre të natës, braktisën shumë e shumë gjëra, vetëm e vetëm që fëmija i tyre të mos ndihet i vetmuar dhe të jetojë i lumtur…?

Mirësitë dhe zhvillimet që na rrethojnë, siç duket na e kanë zbehur dhe po vazhdojnë të dëmtojnë rrjetin dhe lidhjen tonë familjare. Gjithkush mundohet të arrijë diçka, por në anën tjetër është harruar se po shkatërron dashurinë shpirtërore dhe lidhjen prindërore. Sa shumë prindër vuajnë sot nga vetmia, ngaqë fëmija i tyre i braktisi, në mënyrë që të jetojë në një ambient “modern” pa e pasur barrën e prindërve. Ata i dërgojnë nëpër qendra të ndryshme rehabilitimi, i lënë në mbikëqyrjen e spitaleve apo organizatave që merren me mbikëqyrjen e të moshuarve. Ose, e kundërta e kësaj, sa e sa fëmijë sot jetojnë nëpër rrugë dhe jetimore, ku prindi i tyre i ka braktisur, me arsyen se ai fëmijë i lindur pa dëshirën e tyre, është i tepërt dhe pengon aktivitetin e nënës apo babait. Si rezultat i kësaj, në shumë vende të botës, e kohëve të fundit edhe tek ne, janë hapur qendra për mbikëqyrjen e këtyre dy kategorive njerëzore.

E para: prindërit që braktisen nga fëmijët e tyre dhe e dyta: fëmijët që braktisen nga prindërit e tyre.

T’i qasemi kësaj problematike dhe dukurie negative nga këndvështrimi kuranor dhe porositë e të Dërguarit, Muhamed Mustafa (a.s.).

A) Prindërit që braktisen nga fëmijët

I gjithë problemi qëndron se shumë fëmijë, pasi arrijnë një moshë dhe krijojnë një shoqëri, i harrojnë të gjitha shërbimet që i kanë bërë prindërit, kështu që arrijnë deri te ajo pikë, sa t’i braktisin ata. Për këtë shërbim kaq preciz dhe të palodhshëm që prindërit bënë për fëmijët e tyre, Allahu (xh.sh.), në Kuranin Fisnik thotë: “Njeriun e kemi porositur të jete i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “0 Zoti im! Më frymëzo që te të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem (Ahkaf, 15)

Si është e mundur që t’u kthejmë shpinën dhe të braktisim prindërit tanë në vetmi, kur me një mund të madh nëna na barti në barkun e saj për nëntë muaj me radhë. Babai u kujdes në mënyrë maksimale për të qëndruar afër saj, që fëmija të zhvillohet sa më mirë dhe më lehtë. Nuk e lanë vetëm me kaq, por siç u vërejt edhe nga ajeti kuranor, shërbimi për fëmijën zgjati edhe dy vite të tëra në gjidhënie, e me pas, deri në moshën dhjetë vjeçare nëna pati detyrë parësore edukimin dhe zhvillimin e fëmijës së saj. Prindërit, nga këshilla dhe urdhri i Pejgamberit (a.s.), mundohen që deri në moshën shtatë vjeç ta mësojnë atë në praktikimin e namazit, që fëmija të mos jetë pa njohuri fetare. Nëse edhe pas këtij shërbimi dhe kujdesi që kanë obligim prindërit për fëmijët e tyre, djali apo vajza i braktis ata, i dërgon në qendra kujdesi për të moshuarit, paguan shërbëtore që të merret me ta, atëherë ç’mund të themi, përveçse Allahu ua shtoftë dashurinë ndaj prindërve?

B) Fëmijët që braktisen nga ana e prindërve

Ekziston edhe aspekti tjetër i problemeve brenda në familje, ku në këtë rast viktimë janë fëmijët e gjorë. Siç duket, luksi dhe fitimi i pasurisë në mënyrë jo të lejuar, ka ndikuar që shumë nga qiftet e martuara të vendosin për të mos pasur fëmijë. Mirëpo, kur kjo ndodh pa dëshirën e tyre, atëherë kërkojnë zgjidhje të ndryshme që të lirohen nga kujdesi për fëmijët e tyre. Një pjese e këtyre prindërve mundohet ta gjejë zgjidhjen te aborti, një pjesë tjetër në braktisjen e fëmijës. Që të gjitha këto metoda janë të ndaluara dhe haram. Por, ekziston edhe një kategori tjetër që, pasi rritet fëmija, e dërgojnë nëpër çerdhe fëmijësh, që të mos e kenë obligim kujdesin ndaj tij. Kjo ndikon në shkëputjen e dashurisë së ndërsjellë. As fëmija nuk rritet nën mëshirën dhe dashurinë e një nëne e as nëna nuk ka ndjenjën e duhur ndaj fëmijës. A thua këto grupe njerëzish kane frikë furnizimin e tyre? Jo, kjo nuk duhet të ndodhë. Për këtë, Allahu (xh.sh.), ka thënë: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë. Ne u sigurojmë ushqim atyre dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.” (Isra, 31)

Në anën tjetër, nëse një fëmijë rritet larg vatrës familjare, as ai e as prindërit nuk mund të kenë dashuri ndaj njeri- tjetrit.

Transmetohet nga Aishja (r.a.): “Erdhën disa njerëz tek i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e i thane: A i puthni ju fëmijët tuaj?’ Ai iu përgjigj: ‘Po’. (Ata) Thane: ‘Ne, pasha Allahun, nuk i puthim!’ I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: Çfarë t’ju bëj unë ju, nëse Allahu e ka shkulur mëshirën nga zemrat tuaja”.

Lidhja familjare prind – fëmijë

“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mire me prindërit. Nëse njeri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjale respekti” (Isra, 31)

Të gjitha punët dhe veprat e mira në Islam, kanë shpërblime nga më të ndryshmet e, po ashtu, kanë dënime edhe veprat e liga. Për të pasur shpërblime çdo vepër, kërkohet që në fillim të besohet Allahu (xh. sh.) dhe të kryhen urdhrat e Tij. Pa besim, asnjë punë nuk ka ndonjë shpërblim. Pas gjithë këtij kushti që ka vendosur Allahu (xh.sh.), menjëherë ka caktuar kusht të prera respektimin e prindërve dhe bamirësitë e tjera, siç theksohen në ajet. Prandaj, respekti dhe mirësjellja ndaj prindërve janë domosdoshmëri për çdo person. E kur ata të ndërrojnë jete, të bëjmë dua – lutje bamirësie që Allahu (xh.sh.), t’i mëshirojë. Feja jone e bukur nuk ka lejuar asnjëherë kërcënimin e raporteve prind – fëmijë.

Ata duhet t’i respektojmë në çdo cep të jetës, përveç rastit ku na ka ndaluar Allahu (xh.sh.): “Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di, atëherë mos i dëgjo ata”( Ankebut.8)

Dhe më në fund, pas çdo respekti që u bëjmë prindërve, duhet bërë lutje bamirësie për ta, kur ata të jenë gjallë apo kur të ndërrojnë jetë. Të përkujtojmë se ata na mbështetën, kur ne ishim të paaftë për asgjë, kur ne qanim ata ishin pranë nesh, na bartën në kraharor dhe na ofruan çdo mundësi që të na bëjnë të lumtur.

Të gjitha modelet tjera familjare, që dalin jashtë kornizave dhe urdhrave kuranore, do të përballen me probleme të llojeve të ndryshme. Modeli familjar i shfaqur në televizione, nuk mund të jetë model i muslimanëve. E huaja le të mbetet gjithmonë e huaj dhe asnjëherë të mos bëhet pronë e jona.

Ma. Zymer Ramadani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit