0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ramazani dhe hatri i Zotit

Më të lexuarat

Nga: Hoxhe: Sabaudin Jashari

Ramazani dhe hatri i Zotit

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe ihtisab (shpjegohet më poshtë) i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”. Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.
 “Kush fal namaz nate gjatë Ramazanit me besim dhe ihtisab i falen të gjithë mëkatet e mëparshme” Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.
“Kush falet natën e kadrit me besim dhe ihtisab i falen të gjitha mëkatet e mëparshme” Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.
Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun me duart e Tij. Sakaq është e drejta e Tij që njeriu ta ketë jetën e tij të gjithëorientuar kah Allahu. “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun Zotin e të gjithë botërave…” Kuran.
Kështu që, në bazë të sa thamw më sipër, vullneti i njeriut dhe iniciativa e tij për t’iu afruar Allahut me punën e mirë duhet të jenë, natyrshëm, të pashtershëm. S’ka dyshim se kjo është e mundur sepse ç’do sjellje e njeriut është një mundësi për punë të mirë e të sinqerte që e afron njeriun te Allahu.
Mirëpo natyra epshërore e njeriut, jeta materiale e kësaj bote dhe natyra humane e ngutshme kanë tendencë për ta tkurrur vullnetin e njeriut dhe iniciativën e tij për t’iu afruar Allahut me punën e mirë. Pra kanë tendencë për të ndërhyrë vazhdimisht mes aktivitetit apo sjelljes humane dhe hatrit të Allahut.
 Sakaq sjellja humane ndodhet mes dy efekteve: tkurrje të iniciativës për të bërë mirë apo prangosje nga kushtëzimi dhe ndryshimi i kahut.
Pranimi i agjërimit të Ramazanit dhe të ibadetit të kryer në këtë muaj të bekuar na paraqitet, në hadithet e mësipërm, i garantuar nga dy vlera së bashku: besimi në Allahun, në pozitën dhe rëndësinë e agjërimit dhe ihtisabi.
Hafidh Ibnu Haxheri, në librin e tij “Fet’hul-Bari”, Menaviju në “Fejdul-Kadir” dhe Imam Neveviu në “Sherhu sahihu Muslim” pohojnë se kuptimi i fjalës “Ihtisab” konsiston në kryerjen e veprës vetëm për hatër të Allahut dhe pritja e shpërblimit vetëm prej Tij.
Ihtisabi i jep punës së mirë dimension të pafund horizontal dhe vertikal.
Imam Ibnu Ashuri në tefsirin e tij “Tahrir Ve Tenvir” tërheq vëmendjen shumë bukur tek konteksti i rrethanave në të cilat ka zbritur ajeti kuranor “Ne ju ushqejmë vetëm për hatër të Allahut e nuk duam prej jush as shpërblim e as falënderim. Ne kemi droje prej Zotit tonë në ditën e zymtë e të vështirë ( ditën e kijametit)” Insan
Bilali, Amari dhe nëna e tij u torturuan dhe u masakruan nga  zotërinjtë e tyre politeistë sapo këta të fundit u njoftuan për Islamin e Bilalit dhe kategorisë së tij.
Baza e marrëdhënieve humane në Mekë ishte vetëm interesi, i shprehur në atë material dhe në atë virtual, famë… etj. Pra interesi ishte motivi i parë dhe i fundit.
Vjen Islami dhe ringjall një motiv të ri, i cili çliroi iniciativën dhe vullnetin e njeriut për punë të mirë nga çdo lloj kushtëzimi të padenjë.
Jetëgjatësia e standardit materialist në shoqërinë mekase natyrshëm e vinte në dyshim mënyrën e realizimit të standardit të ri.
E si mund të bësh një të mirë pa pritur prej tjetrit as edhe një falënderim apo nderim?!
Në ajetin kuranor, mekas, të sures Insan gatishmëria e punëmirëve, për të bërë mirë, na paraqitet e lidhur ngushtë me dy elementë tregues real të kësaj gatishmërie.
Elementi i parë ka të bëjë me shtresat ndaj të cilave shprehet kjo gatishmëri bamirësie dhe të cilat janë  më të paaftat për të shpërblyer dhe kthyer nderin dhe njëkohësisht falënderimi i tyre, sipas standardeve sunduese të asaj kohe, nuk kishte kurrë farë vlere. Bëhet fjalë për të vobektit, jetimët dhe robërit të cilët në themel ishin të diskriminuar dhe të keqtrajtuar.
Elementi i dytë konsiston në faktin se kontributi apo bamirësia ndaj kësaj shtrese është e shprehur me dhënien e sendeve të dashura dhe me vlerë “ala hubihi”.
Të dy këto elementë, lloji i kategorisë dhe lloji i sendit, janë tregues të çlirimit maksimal të punës së mirë nga prangat e ndryshkura të kushtëzimit të padenjë, gjë që nuk mund të ndodh vetëm se duke qenë e motivuar nga hatri i Allahut.
Ky verset kuranor dhe lloji i tij vijnë në shoqërinë humane për të krijuar një standard të ri sjelljeje i cili fillon tek “Vexhhullah” hatri i Allahut dhe përfundon po pwrswri tek Allahu, tek shpërblimi i Tij i shprehur me shpëtimin nga e liga e kësaj dite dhe dhurimi i dritës dhe lumturisë: “ Allahu i ruajti nga e keqja e asaj dite dhe u dhuroi dritë dhe gëzim” Insan 11.
Pra vetëm besimi, në Allahun e Plotë dhe në shpërblimin i Tij të plotë në botën tjetër, mund të bëjë të jetueshëm standardin e ri të sjelljes humane, atë të bamirësisë së pashkushtëzuar përveç se me hatrin e Zotit.
Çka e kushtëzon njeriun nga puna e mirë:
Profeti (a.s) transmeton se Allahu i Madhëruar thotë: “Kush më bën shok në punën e tij, dikë tjetër veç meje, e braktis atë dhe punën e tij” Transmeton Imam Muslimi.
Refuzimi i prerë dhe pa kompromis që i bën Allahu i Madhëruar çdo lloj pune që nuk është e pastër për hatrin e Tij, pra që nuk ka realizuar ashtu siç duhet dimensionin vertikal, tregon në vetvete dëmin e madh që i shkaktohet dimensionit horizontal, pra hajrit që përfitojnë shoqëritë e gjalla e të ngurta në faqe të dheut nga çdo punë e mirë në rastin e shoqërimit të dikujt tjetër veç Allahut.
Mungesa apo cenimi i hatrit të Allahut në çdo punë e kufizon dobinë e saj siç kufizon apo dobëson edhe vet iniciativën apo vullnetin për punë të mirë.
Le të kufizohemi për një moment tek aspekti shoqëror i sjelljes humane. Në këtë aspekt dy janë rastet kryesore kur njeriu frenon iniciativën për punë të mirë apo kufizon dobinë e asaj pune të mirë që bën, në rastin e stonimit të dimensionit vertikal.
Kur njeriu nuk e gjen të realizuar pritshmërinë materiale apo virtuale, psh: të paktën një falënderim, si shpërblim ndaj punës së tij të mirë, natyrshëm shokohet apo zhgënjehet. Pikërisht mu këtu iniciativa dhe vullneti i tij për vazhdimin e bamirësisë së tij rrezikon të frenohet apo të ndalojë krejt.
Iniciativa dhe vullneti për punë të mirë mund të përballet edhe me rastin tjetër, më ekstrem se i pari: mohimi i veprës së mirë apo bukshkelja. Rreziku i lartpërmendur në këtë rast bëhet akoma dhe më i madh.
Ebu Bekri dhe Hatri i Allahut.
Një nga personat që ndyu gjuhën e tij ndaj nderit të pastër të nënës së besimtarëve, Aishes (r.a), bijës së Ebu Bekrit, gruas së Profetit (a.s) qe edhe Mistah Ibnu Ethale, kushëriri i Ebu Bekrit, të cilin Ebu Bekri e kishte mbajtur me bukë, atë dhe familjen e tij, për vite me radhë.
Ebu Bekër Sidiku, i irrituar me të drejtë nga kjo sjellje, betohet se do ta privonte kushëririn e tij nga nderi që i kishte bërë vite me radhë.
Allahu i Madhëruar, në suren Nur, lë mënjanë të drejtën e Ebu Bekrit për qëndrimin privues ndaj kushëririt të tij dhe i mëshon fort dimensionit vertikal mes Ebu Bekrit dhe Allahut që tashmë ishte shumë i konsoliduar.
“Njerëzit e bujarisë dhe dorëdhënët nuk duhet të heqin dorë nga bujaria dhe bamirësia e tyre ndaj të afërmëve të tyre, ndaj të vobektëve, dhe muhaxhirëve në rrugë të Allahut. Le t’i falin dhe le të harrojnë të keqen e tyre. A nuk doni që Allahu t’ju falë. Allahu është falës dhe Mëshirues” Nur 22
Udhëzimi hyjnor në këtë verset kuranor e ngre marrëdhënien e myslimanit me bamirësinë në grada shumë të bukura e fisnike, të vështira për tu arritur e për tu mbajtur por të lehta për ata që kanë përvojë në marrëdhëniet e sinqerta me Allahun dhe kërkimin e faljes dhe mëshirës së Tij.
Allahu i Madhëruar kërkon jo vetëm vazhdimësinë e veprës së mirë dhe bamirësisë por trajton si fortifikatë të rëndësishme të dimensionit vertikal të sjelljes humane edhe harrimin e bukshkeljes që në këtë verset na paraqitet si më ekstremja, kushëriri përgojon rëndë nderin e kushëririt të tij i cili e ka ushqyer familjarisht për vite me radhë.
Shoqëritë e mirëfillta tokësore sado të përpiqen ta ngrenë dobinë dhe bamirësinë në nivele të tjera veç atij të interesit, e kanë të pamundur ta realizojnë. Nuk kanë ku ta çojnë sepse nuk kanë ku t’i vendosin skajet e dimensionit vertikal. Sakaq nuk mund të jetë përveçse horizontale. Kështu që filantropia e pretenduar është e pashpirt. Ky fakt bën, natyrisht, që baza e rëndomtë materiale e sjelljes humane të reflektojë edhe në elementet më të thjeshtë të bamirësisë dhe të dobisë.
Ramazani dhe hatri i Zotit
Ajo që tërheq fuqishëm vëmendjen në hadithet e mësipërme, përshkruese të pozitës dhe vlerës së punës së mirë në ramazan, është “ihtisabi”. Të gjitha punët e mira kryesore, agjërimi, namazi i natës, namazi i natës së kadrit janë të kufizuara me ihtisabin.
Këtu natyrshëm lind pyetja: ihtisabi këtu na paraqitet thjesht si kusht pranimi apo përmendet sepse ramazani me adhurimet e tij janë ambienti dhe atmosfera më e mirë e kultivimit të kësaj vlere thelbësore?
Profeti (a.s) na bën me dije se I Madhi Allah thotë: “Të gjithë punët e birit të Ademit janë për të, përveç agjërimit. Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë di ta shpërblejë atë” Transmeton Imam Ahmedi, Muslimi, Nesaiu
Hadithi kudsij na e paraqet çdo punë, përveç agjërimit, si të rrezikuar nga syfaqësia dhe mundësia e vazhdueshme për të marrë ndonjë lloj kompensimi, material apo moral. Ndërsa agjërimi na paraqitet i vetmi adhurim i ruajtur nga ky lloj kanceri i punëve të mira. Pra agjërimi është ibadeti kryesor që s’të krijon sikletin e dukjes dhe të shfaqjes. Agjëruesi e ka më se të mundur ta kryej këtë adhurim pa e ditur kush veç Zotit të tij. Sakaq agjërimi i bie të jetë shumë ndihmues për të kalitur zemrën, mendjen dhe trupin të sillen dhe veprojnë vetëm për hatër të Allahut.
Kështu që, ihtisabi, apo hatri i Allahut në çdo vepër, gjen tek muaji i ramazanit shkollën më të mirë të aftësimit. Kësisoj, agjëruesi laureohet në fund të ramazanit me dëshminë e aftësimit të ihtisabit për të vazhduar pandërprerë rrugën e tij drejt hatrit të Zotit të tij duke thyer të gjitha prangat e çdo lloj kushtëzimi të padenjë e për rrjedhojë dobia e të mirës së tij përfshin të gjallin dhe të vdekurin.
Veç fjalës së Zotit dhe profetit të tij, historia por edhe aktualiteti na tregojnë se ndryshimet për mirë në përgjithësi, dhe ato thelbësoret në veçanti, nuk mund të vijnë përveçse nga njerëzit muhtesibin, pra nga ata që nuk i lëviz apo i frenon gjë tjetër veç hatrit të Zotit të tyre Bujar dhe Mëshirëmadh.
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit