Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti janë absolutisht në një mendje që Serbia jo vetëm duhet ta njohë Kosovën, por edhe duhet t’i kërkojë falje.
Në një intervistë televizive nga New York, Rama foli për marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës, ndërsa shtoi se “me Kurtin nuk jemi në një mendje se kur duhet të ndodh kjo”.
“Unë mendoj se njohja dhe kërkimi i faljes janë fundi i një procesi. Nuk fillon procesi me njohje dhe me kërkimin e faljes”, shtoi Rama.
Rama tha se raportet me Albin Kurtin janë fantastike.
“Kemi realisht një komunikim shumë të ëmbël, shumë miqësor. Komunikim i ëmbël do të thotë se flasim jashtëzakonisht shumë për tema të ndryshme, përballim opinione lidhur me filozofitë jo të njëjta politike. Komunikimi është realisht i ëmbël, vëllazëror, miqësor. Është ashtu si duhet të jetë, një raport shumë civil dhe miqësor. Nuk jemi të detyruar të biem dakord për të gjitha. Nuk jemi dakord për qasjen ndaj Serbisë, për mënyrën se si duhet të shkojmë te njohja dhe kërkimi i faljes, nuk jemi dakord për ‘Ballkanin e hapur’, por këto nuk na pengojnë të jemi dakord për shumëçka tjetër”, tha Rama, transmeton KP.
Ai informoi se në datën 12 tetor ka marrë të drejtën që t’i drejtohet Këshillit të Evropës me një fjalë.
“Çështja është shumë sensitive. Këshilli i Evropës ka shkruar një faqe shumë të zymtë duke miratuar raportin e Dick Martin. Sot ai raport ka rënë totalisht. Do t’i drejtohem Këshillit duke u bazuar edhe te fakti se parlamenti i Shqipërisë me konsensus ka kaluar një rezolutë që hedh poshtë rezolutën e Dick Martin. Këshilli i Europës duhet të distancohet nga ai raport kriminal që i ka bërë shumë dëm Kosovës. Kjo është iniciativa jonë”, tha Rama.