0.3 C
Pristina
Friday, January 27, 2023

Qëndrueshmëria në Islam

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!
Një ndër gjërat më të rëndësishme për jetën e muslimanit, pasi ta ketë besuar Allahun për Zot, është qëndrueshmëria në fe, të jetë i fortë në fe, të jetë stabil dhe i qëndrueshëm në fe, të mos anojë as andej e as këndej. Çfarëdo stuhie që të fryejë, me çfarëdo sfide të ballafaqohet, me çfarëdo vështirësish e problemesh të përballet, ai duhet të jetë i qëndrueshëm në Islam.
Vëllezër të nderuar jetojmë në një kohë ku durimtari në fënë e tij është si ai që mban gace të ndezur në dorë.
Fitnet, haramet, problemet, dunjaja, na rrethojnë nga të gjitha anët. Si mund të shpëtojmë prej tyre dhe të bëhemi të qëndrueshëm në fenë tonë islame?
E lusim Allahun e Lavdëruar, e Madhëruar, I Pa të meta, që të na japi qëndrushmëri në fenë tonë deri në vdekje dhe kur të takohemi me Të të jetë I kënaqur me ne!
Së pari për të arritur qëndrueshmërinë duhet ti frikësohemi Allahut, sepse kush I frikësohet Allahut Ai e mbron nga fitnet, mundimet dhe fatkeqësitë dhe e forcon në udhëzimin e tij dhe e frymëzon të thojë fjalë të drejta dhe të punojë punë të mira.
﴿ يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آَمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآَخِرَةِ ﴾
“Allahu do t’i forcojë besimtarët me fjalë të fortë edhe në këtë edhe në atë botë…”, Ibrahim:27.
Thotë Katade në komentimin e këtij Ajeti: “Në këtë botë i forcon me hajr dhe me vepra të mira, ndërsa në botën tjetër i forcon në varr.”

Së dyti të mos harrojmë asnjëherë falenderimin (shukrin). Asnjë person ,të cilit Allahu I ka dhënë një mirësi dhe e falenderon Allahun për këtë mirësi, veçse Allahu ja shton, siç ka premtuar Allahu dhe Ai nuk e thyen premtimin.
Nëse dikush pyet e thotë unë nuk dua, nuk dëshiroj, nuk jam I kënaqur që ta ndërojë fenë time dhe dua që Allahu të më forcojë në këtë fe, i themi falenderoje Allahun që të ka udhëzuar dhe mos e harro kurrë mirësinë që të ka dhënë Allahu. Falenderimi bëhet me zemër, me gojë dhe me gjymtyrë.
Falenderimi me zemër bëhet duke hequr prej zemrës çdo ndryshim, forcë dhe mirësi përveç ndryshimit, forcës dhe mirësisë së Allahut I Vetëm I Pa shok.
Mos mendo dhe mos thuaj se ti je I udhëzuar sepse vjen prej një mjedisi besimi. Mos mendo dhe mos thuaj Pasha Zotin unë jam në hajr sepse prindërit e mi kanë bërë me mua kështu e ashtu, e harron që çdo mirësi vjen vetëm prej Allahut, gjithmonë ta keshë në zemër besimin se çdo ndryshim, forcë dhe mirësi vjen vetëm prej Allahut.
( وما بكم من نعمة فمن الله )
{Çdo mirësi që keni është nga Allahu}

E kështu e falenderon Allahun me zemër. Për këtë Allahu thotë për evlijatë (të dashurit e Allahut) kur hyjnë në Xhenet dhe shikojnë begatitë e shumta (Allahu na e mundësoftë ne, prindërve tanë dhe gjithë muslimanëve të jemi prej tyre) thanë:
وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي هَدَانَا لِهَٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِيَ لَوْلَا أَنْ هَدَانَا اللَّهُ
{Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim të udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.}
Le të jetë në zemrën tënde ky besim se ti nuk je i udhëzuar prej zgjuarsisë tënde, apo prej mirësisë tënde,apo prej mirësisë së dikujt tjetër, përveç mirësisë së Allahut.
بَلِ اللَّهُ يَمُنُّ عَلَيْكُمْ أَنْ هَدَاكُمْ لِلْإِيمَانِ
{përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim}

Allahu është Ai që udhëzon, dhe nuk mund të udhëzohet kush vetëm se me udhëzimin e Tij.
Falenderimi me gojë bëhet duke e pasur falenderimin e Allahut gjithmonë në gojë dhe kjo bëhet duke përmendur çdo mirësi që Allahu të ka dhënë . Ka prej njerëzve që Allahu I ka udhëzuar, nuk e shkëpusin falenderimin asnjëherë prej gojës së tyre. Kur çohen falenderojnë Allahun, kur ulen falenderojnë Allahun, kur u jepen ndonjë e mirë falenderojnë Allahun, kur u jepet ndonjë bela kujtojnë Allahun.
Ka prej njerëzve që kur falen në xhami dhe kthehen në shtëpi, nuk harrojnë ta falenderojnë Allahun dhe të thonë: kush jam unë që më mundësoi Allahu të dal prej shtëpisë natën e të falem në xhami, kush jam unë që Allahu më ka dhënë këtë përkushtim në namaz, të falem në safin e parë, të shijoj me kënaqësi këndimim e kuranit nga imami? Kush jam unë që jam I shëndoshë kur të tjerët janë të sëmurë në shtrat? Kush jam unë që Allahu më ka ruajtur prej harrameve? Kush jam unë që Allahu ma ka bërë risk të prezantoj në mexhliset e dijes dhe të dhikrit, mexhliset e melaikeve? Sa njerëz do donin të ishin si mua? Duke vepruar kështu do arrish në një përfundim:
Asgjë nuk mund të behet prej meje, por çdo gjë vjen prej Allahut, kështu goja e thotë dhe zemra mbushet plot besim tek Allahu.
Ky është falenderim I gojës dhe kur kjo vazhdon te personi (muslimani) vetëm se e forcon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën dhe e ngre në grada të larta derisa ti japë Xhenetin.
Nëse e falenderon Allahun me zëmër,me gojë pa dyshim se edhe gjymtytët e tu do ti pasojnë ato. Duke I përdorur gjymtyrët në bindjen ndaj Allahut dhe largimin nga çdo e ndaluar veçse ke falenderuar Allahun. Duke e përmendur Allahun veçse e ke falenderuar Atë.
Falenderim i Allahut është edhe ta lutësh Atë që të forcojë në fenë Islame dhe kjo është prej cilësive të besimtarëve të mirë të cilët i drejtohen Allahut me lutje, duke kërkuar që Ai t’i forcojë në Fenë e Tij, thotë Allahu duke treguar mënyrën se si luten besimtarët:
رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na I drejtove…” Transmetohet prej Aishes (radijAllahu anha) se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) shpesh lutej me këto fjalë: “O Ti që i rrotullon zemrat, ma forco zemrën time në Fenë Tënde.” Lutja e Allahut me këtë dua’ profetike padyshim se e bën robin të ndjehet çdoherë të mvarur prej Zotit të tij, bile e bën t’a kupton se udhëzimi dhe qëndrimi në Fe nuk janë në duart e krijesave.
Kështu Allahu të forcon në rrugën e drejtë, në atë rrugë përfundimi i të cilës është Xheneti.
Së treti duhet ta dimë se shkalla më e lartë e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë në fe është kërkimi I dijes.
Shkalla më e lartë e kërkimit të dijes është të mësosh fenë e Allahut, të punosh me të, tua mësosh atë të tjerëve dhe të këshillosh veten dhe të tjerët me durim. Kështu arrin të udhëzohesh dhe të udhëzosh (të bëhesh sebep) të tjerët dhe të bëhesh prej të lumturve për të cilët Allahu duke i veçuar nga të humburit, ka thënë: لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ
{Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!}. Allahu na bëftë prej tyre!
Allahu me madhështinë e tij I takon të betohet në çdo gjë, kurse krijesat e Tij nuk betohen vetëm se në Allah.
Kështu Allahu është betuar për kohën duke thënë:
وَالْعَصْرِ 1 إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ 2 إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ 3
{Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrin të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrin durimin.}
• përveç atyre që besojnë – kuptohet udhëzimi
• dhe bëjnë vepra të mira, – shtimi I udhëzimit dhe qëndrueshmëria në fe.
• I këshillojnë njëri-tjetrin të vërtetën e I këshillojnë njëri-tjetrin durimin. – pasi u udhëzuan për vetë, ftojnë edhe të tjerët që të udhëzohen.
Nëse Allahu do të të udhëzojë, ta bën risk kërkimin e dijes, duke arritur shkallët më të larta të edukatës me dije, edukatës me Allahun, edukatës me veten tënde, edukatës me dijetarët e gjallë dhe të vdekur, duke përfituar prej dijes së tyre drejtëpërdrejtë apo nëpërmjet librave të tyre dhe duke e ruajtur gjuhën prej fjalëve të kota dhe sharjeve të dijetarëve.
Nëse vazhdon gjithmonë kërkimin e dijes Allahu ka për të ngritur dhe do të jetë i kënaqur me ty. Duhet të jeshë i dashuruar me dijen në çdo kohë dhe në çdo situatë. Të kërkosh dhe mësosh çdo gjë që të bën dobi në fenë tënde. Të mësosh si ta falësh namazin në atë mënyrë që e ka falur Profeti a.s të agjërosh në atë mënyrë që e ka agjëruar Profeti. Pra të kërkosh çdo gjë që të afron sa më shumë me Allahun dhe të udhëzon në bindjen ndaj Tij dhe në qëndrueshmëri në këtë fe.
Nëse Allahu shikon te ty dashurinë për dijen dhe përpjekjet e tua për kërkimin e kësaj dije Allahu ka për ta mundësuar dhe lehtësuar kërkimin e dijes dhe nëpërmjet saj ka për të forcuar në këtë fe.
Por kërkimi I dijes nuk arrihet vetëm nëse plotësohen dy kushte:
1- sinqeriteti në kërkimin e dijes
2- vazhdimësia e kërkimit të dijes, duke mos u mërzitur, apo dembelosur por duke duruar . Si dhe duke e praktikuar atë dije që ke marrë dhe të shtoshë frikën dhe ndrojën nga Allahu pasi baza e dijes është frika dhe ndroja nga Allahu.
Së katërti nuk duhet të shikojmë se çfarë bëjnë njerëzit. Nëse Allahu të ka mbushur zemrën me dritën e besimit , kjo do të thotë se Ai do për ty hajrin,prandaj hape zemrën tënde për Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit dhe puno me ta në çdo aspekt të jetës tënde. Mjerë për ty shkatërimi! Shkatërim është të shikosh djathtas dhe majtas çfarë bejnë njerëzit dhe të thuash : pse unë I vetëm do bëj kështu, kurse njerëzit bëjnë ndryshe!? Njerëzit e kanë lënë, unë e bëj! Njerëzit e bëjnë , unë e kam lënë! Njerëzit më shajnë! Njerëzit tallen me mua!
Nëse ti je në rrugën e drejtë mos mendo ca bejnë njerëzit, ca thojnë njerëzit,por dije se Allahu është me ty, të ndihmon dhe të forcon sidomos kur është kohë fitnesh, prandaj kapu fort pas litarit të Allahut dhe forcohu në fe ,se nëse ti e forcon veten Allahu të forcon ty. Kur e shikon se Allahu të ka dhënë këtë mirësi – udhëzimin – falenderoje Allahun dhe qëndro gjithmonë i lidhur me Të, edhe pse njerëzit të shajnë ty, tallen me ty, edhe pse ata mundohen të të devijojnë nga rruga e drejtë. Nëse vazhdon kështu kjo nuk të shton vetëm se dashurinë për Allahun dhe dashurinë e Allahut për ty dhe qëndrueshërinë në këtë fe.
Arma jote më e fortë edhe nëse lëkundesh gjatë fitneve dhe vetja jote anon nga haramet, qoftë edhe disa herë, është istigfari dhe pendimi. Dera e pendimit tek Allahu është gjithmonë e hapur për ata të cilët pendohen. Me të vërtetë Allahu është Falësi i Madh dhe Mëshiruesi!

اللهم يا مقلب القلوب ثبت قلوبنا على طاعتك
“O Ti që i rrotullon zemrat, na forco zemrat tona në Fenë Tënde.”
رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنْفُسَنَا وَإِنْ لَمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ
(O Allah ne i bëmë padrejtësi vetes sonë, e nëse nuk do të na falësh e të na mëshirosh do të jemi prej të humburve)
رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na udhëzove, na dhuro nga ana Jote mëshirë, se vetëm Ti je Dhurues i madh”. (Ali Imran: 8)
“O Zot, mos na bën sprovë për zullumqarët dhe na shpëto me mëshirën Tënde nga jobesimtarët”. (Junus: 85-86)
“Zoti ynë, na i fal mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona, na i forco këmbët tona dhe ndihmona kundër popullit jobesimtar”. (Ali Imran: 147)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, dhe të mira në ahiret dhe na mbroj nga dënimi i zjarrit”. (El-Bekare: 201)
“Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët Ditën e llogarisë”
O Allah na forco në fenë Tënde dhe na bëj prej atyre që kanë përfundim të mirë . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . .A M I N . . . . .

Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin pasi Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit