10 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Qafmolla: Vuajtjet e më të dobëtëve nuk zgjidhen duke përqafuar pemë apo duke marshuar për çdo çështje në shesh

Më të lexuarat

Emri i Ervin Qafmollës shpesh shoqëron shkrime të kripura me një dozë humori, dozë pa të cilën ato do të tingëllonin të zakonshme. Nuk është fjala për një humor të tepruar, por për diçka që u jep sharm artikujve. Por kush është Ervini në të vërtetë? Biografia e tij na thotë se ai është i lindur në Tiranë në vitin 1979. Se ka qenë fëmijë i prapë që nga shkolla fillore e deri pa hyrë në universitet. Se ngaqë nuk dinte çfarë studimesh të vazhdonte pas shkollës së mesme, u regjistrua në Agrobiznes, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ngaqë atje themeloi gazetën e përdyjavshme të studentëve, i hyri gazetarisë pa e kuptuar dhe pa e ushtruar asnjë ditë profesionin për të cilin kishte studiuar. Punoi në vijim si gazetar dhe më vonë redaktor në disa media të shkruara dhe televizive si gazeta Biznesi, Shekulli, Shqip, revista Mapo, Top News, Top Channel, Birn etj., përfshirë këtu edhe tri vite punë në Prishtinë. Aktualisht punon si Menaxher i Marrëdhënieve me Publikun te McCann Tirana, një kompani marketingu, gjithashtu, një sektor ku Ervini ka rreth 10 vite përvojë.
Po të doni të kuptoni më gjatë rreth pikëpamjeve të Ervinit për sa i përket pavarësisë së shtypit, tranzicionit nëpër të cilin po kalon në përgjithësi gazetaria, pastaj çështjeve që kanë të bëjnë me demokracinë, lirinë, konservatorizmin, liberalizmin etj, thjesht lexojeni këtë intervistë të tij të dhënë për Gazeta e Re, dhe do të mësoni shumë.

GER: Ervin, a është cektësia ajo që na karakterizon si shoqëri (këndej e andej kufirit)? Apo ky do të ishte një konkluzion i ngutshëm?

Qafmolla: Nuk di të them për cektësinë specifikisht, por me siguri mund t’i referohem paditurisë. Këtu hyn arsimi formal, por edhe dituria e kultivuar në një kuptim më të gjerë, si një kulturë e të jetuarit në mënyrë të qytetëruar. Shqiptarëve u kanë munguar të dyja, kjo e dyta më shumë ndoshta. Jemi popull injorant në një sërë aspektesh. Por edhe historia jonë ka qenë aspak ndihmëtare. Nuk po e them për vetë justifikim punën e historisë, por është fakt. Fakt që na justifikon për dje, por nuk mbulon dot të zezat e sotme. Kjo qasje velen për të dyja anët e kufirit, sipas disa ndryshimeve përkatëse.

GER: Para se të dalim te gazetaria (të cilës nuk mund t’i shmangemi, siç mund ta merrni me mend), na e lejoni një pyetje rreth gjuhës: a e radhisni veten me puritanët e standardit, ose më saktë, ç’pikpamje keni ndaj dialektit gegë?

Qafmolla: Jam njëqind për qind kundër dhe pro standardit. Standardi që kemi është imponuar në mënyrë arbitrare dhe jo pastërtisht mbi një proces akademik, për arsye preferencash krahinore dhe ideologjike. Jo vetëm që është thuajse tërësisht jugor duke shpërfillur veriun, por përmban edhe disa mangësi të specifikuara. Nga ana tjetër, ky është i vetmi që kemi. I kuptoj ata që bërtasin për bojkot, por të tillët bëhen qesharakë kur vjen puna te zbatimi në praktikë. Personalisht flas një miks të korruptuar mes shqipes standarde dhe dialektit tiranas. Më vjen krejt natyrshëm. Kur vjen puna te të shkruarit formal, jo në nivel postimesh në rrjete sociale, por për arsye profesionale dhe të lidhura me to, përdor pothuajse ekskluzivisht dhe me përjashtime jashtëzakonisht të rralla, standardin. Kjo sepse një bolenjot dhe një viçidolas duhet të kenë një standard ku të dyve u rriten gjasat për kuptim të ndërsjellë. Në rastin konkret kemi diskriminim, por sa kohë institucionet nuk ngrihen ta rishikojnë standardin, jemi të detyruar të përdorim këtë që kemi. Te Kosova çështja bëhet interesante. Standardi i Shqipërisë ka edhe më pak lidhje me gegnishten e sllavizuar të Kosovës. Por nga ana tjetër, a i ka Kosova kapacitetet akademike për të ngritur një standard të ri? Kur u referohem akademikëve, nuk po flas për albanaologë, dardanologë e pellazgologë, por për shkencëtarë të gjuhësisënë numra përfaqësues.

GER: Në një intervistë të paradokohshme aktori Denzel Washington, ndër të tjera pat thënë se kriteri i vetëm i medias së sotme është shpejtësia e informimit dhe jo saktësia. Si redaktor me përvojë, a mendoni që megjithatë ka një çelës nëpërmjet të cilit do të ndalohej shfytyrimi i mëtejmë i gazetarisë tek ne? Meqë, siç e dimë, trendeve globale, nuk u kanë shpëtuar as mediat tona.

Qafmolla: Është e vërtetë që media po shkon përmes një tranzicioni tejet të dhimbshëm dhe që nuk i duket fundi. Është shqetësuese nga një pikëpamje strikte profesionale. Por nga ana tjetër, po dëshmojmë edhe përmbysjen e një hegjemonie të një pakice të establishmenteve. Çfarë njëkohësisht argëton dhe acaron, ështëkori vajtues për atë epokë të perënduar të gazetarisë, i cili shpërfaqet në forma kolumnesh, ku në foto vihet ndonjë makinë shkrimi dhe ku teksti përgjithësisht përmban hartime, prozë poetike për gazetarinë. Domethënë, nuk është gazetari. Përtej ironisë, sfidat janë të qarta dhe të mëdha. Por, sikundër sot po gjen përhapje përherë e më të madhe edhe fast-food-i i shëndetshëm, ashtu besoj që ka vend edhe për lajmet tepër të shpejta që i përmbajnë 5 W-të. Meqë i përmendëm këto, të siguroj që janë të panumërta rastet kur nga media apo gazetarë të “mëdhenj” jemi përballur me mungesën e pyetjeve themelore të gazetarisë. Këta janë të njëjtët që dënesin me violina dhe kurora funerali për “gazetarinë e vërtetë” që sot po e kanibalizojnë portalet. Por po, është problem. Dhe po, nuk e di askush se ku do të ndalet. Nuk kemi cekur as teknologjinë. Prej këtu, është thjesht çështje imagjinate se cila do të jetë e ardhmja e të ‘vërtetës së shpejtë, të standardizuar’. Në fund të fundit, kjo është gazetaria.

GER: Sa janë shqetësuese dyshimet që një pjesë e mediave financohen nga qarqe të ndryshme greke? A do të ishte befasi që nesër, pasnesër të zbulohej se nuk janë vetëm grekët që kanë gisht në këtë punë, por për shembull edhe serbët e rusët?

Qafmolla: Media e pavarur është një batutë shumë e mirë. Ka media që vendosin ca vija të kuqe që nuk i shkelin, por se ku është kufiri, ky mbetet një ushtrim në thelb fakultativ. Ka shumë pak media të pavarura, në kuptimin klasik dhe romantik të fjalës. Kur flasim për influencë financiare, është tejkaluar koha e parave që jepen me zarfe poshtë tavolinës. Në rrjetet e sotme të ndërthurura dhe të ndërlikuara të interesave dhe financave, me pak përjashtime, është luks të punosh në media dhe ta dish me siguri se nga vijnë paratë me të cilat ushqehesh.

GER: E keni të njohur thënien që shkrimtarët e mirë janë edhe gazetarë të mirë. (Ta zëmë se këtë radhë e kemi parasysh tregimin: Dinamikat ideologjike të mbarështimit njerëzor në fshatrat bashkëkohore të Shqipërisë së Mesme), ti ku ndihesh më i sigurt? Në cilin terren?

Qafmolla: Kjo është pyetje e vështirë sepse askush nga ne nuk e di sesa gazetar i mirë ka qenë Heminguej, për shembull. Por ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Ndoshta duke qenë të dyja ushtrime intelektuale me një themel të fortë narrativ, gjasat janë që hipoteza të jetë e shëndoshë. Në një nivel personal, thjesht duke marrë këto referenca, hapësira për të thënë diçka për vetën ngushtohet shumë. Përveç ndonjë teksti argëtues, si ai të cilit i jeni referuar, nuk jam shkrimtar. Ndoshta bëhem një ditë, sidomos nëse arrij moshën e pensionit.

GER: A ka autorë shqiptarë, tekstet e të cilëve i lexon me dëshirë?

Qafmolla: Janë disa, të kohëve, vendeve, stileve dhe disiplinave të ndryshme. Fatos Kongoli, Migjeni, AliPodrimja, Martin Camaj, Ismail Kadare, Eqerem Vlora, Faik Konica, Nezim Frakulla e të tjerë.

GER: Edhe një pyetje,mbase pak politike: Kemi përshtypjen që ju shfaqeni liberal në shumë raste, por për t’i çrrënjosur të gjitha dyshimet, na e thoni edhe vet që nuk mund ta imagjinoni veten si anarkist, por as si konformist në raport me pushtetin? Apo s’është kështu?!

Qafmolla: Në fakt, e gjej veten liberal në nivel të identitetit njerëzor dhe të drejtave individuale, por konservator në një nivel analitik. Besoj që duhet kurdoherë të shkojmë me mendje dhe zemër të hapur në përballjen me çdo argument apo rrethanë, sidomos kur bëhet fjalë për gjëra të reja. Nga ana tjetër, metoda që ndjekim duhet të jenë konservatore, bazuar mbi fakte dhe prova.

Problemi i liberalëve është që shpesh argumentojnë me parulla, duke anashkaluar faktet dhe argumentet objektive. Kjo i shtyn konservatorët, madje edhe fashistët, që të përdorin të njëjtat metoda. Parullë kundër parulle përkthehet në përplasje spekulimesh, jo faktesh dhe argumentesh.

Më ndodh që has në konflikt kur vjen puna te zbatimi konkret i parimeve dhe vlerave. Mendoj që armiku më i madh aktual që i kanoset demokracisë liberale është sanksionimi i vlerave në nivel të ligjësive pozitive, qofshi këto zyrtare apo si korrektësi politike. Le të marr si shembull një rast që më është përsëritur. Gjatë debateve të nxehta me liberalët ‘universalë’ dhe deklamativë, gjërat janë automatikisht të vështira nga ngarkesa e lartë emocionale e palës së indoktrinuar. Ti i flet që duhet një ligj i mençur për vjeljen e taksave, ndërkohë që pala tjetër të bërtet në fytyrë se ka njerëz në botë që vdesin urie. Ndërkaq, vuajtjet e më të dobëtëve nuk zgjidhen duke përqafuar pemë apo duke marshuar për çdo çështje në shesh me grushtin përpjetë, sa kohë që nuk kemi zgjidhje të mençura strukturore.

Gjërat vështirësohen edhe më shumë nëse personi i indoktrinuar me të cilin debaton është grua. Nëse pala tjetër shpërfill argumentet por kufizohet në parulla emocionale, nuk mund t’i kujtosh që po tregohet emocionale, sepse diçka e tillë nuk lejohet t’ua thuash grave sot; konsiderohet si diskriminim gjinor, seksizëm apo një tjetër prej këtyre etiketave të reja që dalin çdo ditë. Të sqarohemi, nuk po i thua “je emocionale sepse je grua”, por sepse çka të thotë janë parulla emocionale, që nuk ndërlidhen me asnjë proces analitik.

As joracionale nuk i thua dot, si dhe një sërë termash të tjerë nga lista e ‘harameve’ të feminizmit modern. Por lejohet t’ua thuash burrave. Ja ku ramë në diskriminim gjinor – vetëdiskriminim në rastin konkret. Ky është paradoksi i kronikës rozë të të drejtave të njeriut që shkruhet nga më të indoktrinuarit e kampit liberal. Dhe problemi është se nëse deklarohem si liberal, dikush që nuk më njeh, mund të mendojë që jam një entuziast që shpërthen në parulla pa kontekst, proteston për gjithçka dhe urren shkencën.

Ndaj besoj fort që e vërteta nuk ështëçështje kahu ideologjik. Besoj që çdo analizë sistemike, qoftë mbi premisa liberale apo konservatore, do të çojë në të shumtën e rasteve drejt përfundimeve të ndershme dhe më pranë të vërtetës, sa kohë ka sinqeritet në hulumtim dhe diskutim. Pra, me ndonjë përjashtim ekstrem, problemi nuk është te sistemet ideologjike apo metodat përkatëse. Problemi është te mungesa e sinqeritetit në analizëdhe e integritetit empirik.

Prej këtej, fakti që mund të mos jem dakord plotësisht me një doktrinë apo tërësisht kundër një tjetre, mund të duket anarki, por në thelb mbetet një ushtrim i domosdoshëm i koherencës faktike dhe intelektuale. Të sfiduarit dhe tejkalimi i konvencioneve dhe normave fikse përmes fakteve dhe arsyes së shëndoshë qëndrojnë në zemër të progresit tonë si njerëz dhe shoqëri. Nëse kjo është anarki, atëherë besoj që secili prej nesh – përveç atyre thellësisht të indoktrinuar – është pak anarkist brenda vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit