Disa të vërteta të trishta rreth një realiteti që u vjen era “meskinitet politik”
Nga Giorgio Cafiero, Responsiblestatecraft
Teksa po vazhdon lufta e tmerrshme në Gaza, po shtohen edhe reagimet kundër saj në të gjithë botën arabe. Protestat e mëdha të solidaritetit me Palestinën, po ndodhin në mbarë rajonin dhe kjo i tmerruar elitat qeverisëse, të cilat i frikësohen çështjes palestineze. Sepse ato e shohin atë si destabilizues të rrezikshëm, dhe duke filluar që në muajt e parë të konfliktit, një pjesë e vogël shtetesh arabe, përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Arabinë Saudite, filluan që të shtypnin lëvizjet pro-palestineze në vendet e tyre. Diçka e tillë nuk është e befasishme dhe duhet kuptuar në dy nivele. E para vlen për protestat në këto vende në një nivel bazë, ndërsa e dyta është specifike për çështjen palestineze.
Frika nga mobilizimi politik
Në përgjithësi, regjimet autoritare vuajnë shpesh nga krizat e legjitimitetit. Ndaj ato e shohin si potencialisht kërcënues çdo aktivizëm dhe mobilizim të qytetarëve. Kjo ndodh gjithmonë, pavarësisht se cila kauzë i bashkon njerëzit. Shumica e qeverive arabe duan të bashkëveprojnë dhe t’i menaxhojnë lëvizje të tilla, në mënyrë që t’i pengojnë ato të sfidojnë në ndonjë moment narrativat dhe interesat e mbështetura nga regjimi.
“Shumica e shteteve arabe, janë përgjithësisht alergjike ndaj protestave popullore. Ato kanë frikë se hapja e sferës publike dhe lejimi i protestave të solidaritetit ndaj palestinezëve, mund të nxisë protesta kundër qeverisë dhe politikave të saj në fusha të tjera”- thotë Marina Calculli, studiuese e Universitetit të Kolumbias në SHBA në Departamentin e Studimeve të Lindjes së Mesme, Azisë Jugore dhe Afrikës.
Ekspertë të tjerë janë në një mendje më të. “Çdo lloj mobilizimi apo aktivizmi popullor që i bashkon njerëzit, qoftë në internet apo rrugë, përbën një kërcënim për këto regjime”- deklaron Nader Hashemi, drejtor i Qendrës Princi Alualed për Mirëkuptimin Kristiano-Musliman në Universitetin Xhorxhtaun, SHBA.
Sipas Hashemit, shtetet arabe nuk e pëlqejnë nacionalizmin palestinez, pasi ai cilësohet si një burimi mobilizimi popullor në këto vende.
“Bota arabe i ka kthyer qytetarët e saj në konsumatorë. Ju mund të konsumoni gjithçka që doni. Për shembull, ka 25 lloje të ndryshme pulash të skuqura që mund t’i blini në shumicën e kryeqyteteve arabe, dhe kjo është në rregull. Sepse qeveritë duan që qytetarët të shpenzojnë kohën, paratë por edhe të fokusojnë mendimet e tyre tek konsumi.
Nga ana tjetër dekurajohet diskutimi mbi pushtetin politik, politikën publike dhe shpërndarjen e përfitimeve ekonomike. Kjo narrativë duhet të kontrollohet nga qeveria”- shprehet Rami G.Khouri, bashkëpunëtor i politikave publike në Universitetin Amerikan të Bejrutit, Liban.
Palestina ekspozon dobësitë e regjimeve
Çështja palestineze, mund të priret të ekspozojë dobësinë e shumë qeverive arabe. Nga njëra anë, regjimet arabe duhet të kujdesen për opinionin publik, duke kryer gjeste kryesisht simbolike në mbështetje të çështjes palestineze. Nga ana tjetër, asnjë shtet arab nuk dëshiron të përballet me Izraelin. Për shumë prej tyre, kjo ka të bëjë shumë me marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara, tek e cila ata mbështeten për sigurinë dhe në disa raste, si një burim ndihme financiare. Teksa vazhdon lufta në Gaza, po shtohen edhe presionet e brendshme mbi këto regjime. Kjo është arsyeja kryesore, pse këto qeveri janë unanime në thirrjen për një armëpushim në Gaza.
Por kjo thirrje nuk ka të bëjë aq shumë me mirëqenien e palestinezëve në vetvete, se sa me ruajtjen e stabilitetit, legjitimitetit dhe madje edhe mbijetesën e regjimeve arabe. “Palestina është një kauzë e drejtë. Megjithatë qeveritarët arabë nuk e kanë parë nga ky këndvështrim. Për ta gjithçka buron nga pyetja: Si mund ta mbroj regjimin tim?”- thotë Ghada Oueiss, gazetare libaneze.
Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më shumë qytetarë arabë do të ngrenë pyetjen se përse shtetet arabe, të cilat shpenzojnë shuma të mëdha parash për armë, nuk po i japin as edhe një plumb rezistencës palestineze. Pyetje të tilla i vënë jo pak në siklet këto qeveri, sidomos ato shtete arabe që i normalizuan pak kohë më parë marrëdhëniet diplomatike me Tel Avivin.
Në këtë moment të veçantë, kur shoqëritë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore po reagojnë ndaj asaj që shumica e arabëve dhe muslimanëve e konsiderojnë gjenocid në Gaza, nga ana e qeverive arabe ka një ndjenjë turpi që kanë punuar me Perëndimin dhe Izraelin në përpjekje për të varrosur çështjen palestineze, sipas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve.
“Shumica e regjimeve arabe, janë shumë të përfshira në përpjekjen për të shtypur synimin e palestinezëve për të qenë të lirë, si dhe për të normalizuar pushtimin e Palestinës nga Izraeli, të cilin ata e kanë përdorur prej kohësh si mjet për pazare për të marrë lëshime nga Izraeli dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në fusha të tilla si siguria, energjia dhe marrëveshjet tregtare”- nënvizon Calculli, duke shtuar se këto regjime rrezikojnë të shihen si bashkëpunëtore në atë që po ndodh sot në Gaza.
Po ashtu, duhen marrë parasysh faktorë historikë të rëndësishëm, të cilët lidhen me politikën e botës arabe të epokës së Luftës së Ftohtë dhe ngritjen e nacionalistëve populistë arabë, më pas të Vëllazërisë Myslimane, dhe mënyrën se si lufta palestineze ishte e rëndësishme për të dyja.
“Protestat e Palestinës janë të papëlqyera nga qeveritë, pasi ato janë shfrytëzuar historikisht nga dy forcat që janë më kërcënuese për qeveritë arabe, të cilat janë lëvizjet islame dhe ato të majta”- shprehet Khouri. “Që nga vitet 1950 ishin të majtët ata që e përdorën çështjen e Palestinës për të mbështetur dhe sfiduar qeveritë në fuqi. Së fundi ishin lëvizjet islame, dhe kjo u jep atyre një jehonë shtesë që nuk pëlqehet nga qeveritë”- shton ai.
Çështja e Palestinës, simbolizon një luftë më të gjerë për liri dhe dinjitet, e cila prek shumë arabë, myslimanë dhe njerëz të vendet e Jugut Global. Për shembull, muajin e kaluar qindra të burgosur politikë në Bahrein, kënduan në korr këngë në mbështetje të Palestinës dhe valëvitën flamujt palestinezë sapo u liruan pas një amnistie të firmosur nga mbreti.
Dhe kjo ndjenjë solidariteti midis palestinezëve dhe arabëve jo-palestinezë nuk është asgjë e re. “Liria juaj është e lidhur me lirinë tonë, dhe liria jonë është e lidhur me lirinë tuaj”-i thanë në vitin 2012 të burgosurit palestinezë Abdul-Hadi al-Khawajas, një të burgosuri politik në Bahrein, që kishte hyrë në një grevë urie.
“Çështja e Palestinës, ka të bëjë me luftën kundër padrejtësisë. Dhe ajo interpretohet më pas nga masat arabe si simbol i kërkimit për drejtësi kudo, gjë që përfshin gjithashtu kritikimin e regjimeve autoritare në botën arabe, të cilat janë dukshëm të padrejta”- thotë Hashemi.
Ai vë në dukje se shumë qeveri arabe, u mohojnë qytetarëve të tyre të drejtën themelore për vetëvendosje brenda shoqërive të tyre, gjë që ndihmon edhe në shpjegimin se përse elitat në pushtet në këto vende e shohin kauzën palestineze si një kërcënim dhe duan ta “shfryjnë dhe mbysin atë”. “Ajo që preferojnë ata, është një formë e nacionalizmit palestinez e mishëruar në politikën e Autoritetit Palestinez”-përfundon ai.
Shënim: Giorgio Cafiero, themelues dhe drejtues i Gulf State Analytics, një kompani e konsulencës gjeopolitike me qendër në Uashington. Ai është gjithashtu ndihmës/profesor në Universitetin Xhorxhtaun.