Nuk ishte e vështirë për Samantha Losey, drejtoreshë menaxhuese e Unity, një firmë e marrëdhënieve me publikun në Londër, të bindte ekipin e saj që të punonte më pak orë për të njëjtën pagesë.
Por ishte një betejë e vështirë për të bindur bordin e saj që t’i bashkohej pilot projektit më të madh në botë të javës katërditore të punës.
“Më duhej të luftoja shumë që ne ta bënim këtë si biznes… askush nuk ishte i gatshëm. Të gjithë ishin shumë tradicional”, tha Losey për CNN Business.
Shqetësimi kryesor përqendrohej nëse një shkurtim prej 20 për qind i orëve javore të punës do të dërgonte në një rënie të prodhimit dhe do të shkaktonte largimin e klientëve.
Por pas një “udhëtimi shumë të vështirë” për të bindur bordin dhe një fillimi të vështirë, Losey tha se ekipi i saj ka arritur suksese të jashtëzakonshme.
Unity është një nga 70 kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që marrin pjesë në këtë pilot projekt. Për gjashtë muaj duke filluar nga muaji qershor, më shumë se 3,300 punonjës kanë punuar 80 për qind të orëve të tyre të zakonshme – për të njëjtën shkallë pagese – në këmbim të premtimit për të kryer 100 për qind të punës së tyre të zakonshme.
Programi drejtohet nga organizata jofitimprurëse “4 Day Week Global; Autonomia”, një think tank; dhe Fushata 4 Ditore e Javës në Mbretërinë e Bashkuar, në partneritet me studiues nga Universiteti i Kembrixhit, Universiteti i Oksfordit dhe Kolegji i Bostonit.
Tashmë, prova po jep fryte për punëtorët e uritur për më shumë kohë të lirë, transmeton Telegrafi.
Në gjysmë të rrugës së pilot projektit, 95 për qind e kompanive të anketuara nga “4 Day Week Global” thonë se nivelet e tyre të produktivitetit ose kanë mbetur të njëjta ose janë përmirësuar, ndërsa 86 për qind thonë se kanë vazhduar me rutinën e përhershme.
Për Gary Conroy, themelues dhe CEO i “5 Squirrels”, një prodhues produktesh për kujdesin e lëkurës në bregdetin jugor të Anglisë me 13 punonjës me kohë të plotë, rutina e re e punës bëhet “gjithnjë e më mirë dhe më e mirë”, tha ai për CNN Business.
Disa nga përfitimet ishin të papritura, thotë Conroy dhe shtoi se “Të gjithë kemi humbur shumë peshë…kemi qenë me mbipeshë më parë”, tha ai. “[Ekipi ka] më shumë kohë për të përgatitur ushqim, [të hajë] shëndetshëm. Shumë njerëz shkojnë shumë më tepër në palestër”.
E mirë për biznes?
Katër muaj pas provës, Losey tha se klientët e saj janë të kënaqur me performancën e tyre, ndërsa ekipi i saj është shumë më i frymëzuar dhe krijues.
Një studim i brendshëm në kompani zbuloi se produktiviteti ishte rritur me 35 për qind gjersa stafi tha se ndiheshin më të shëndetshëm dhe më të lumtur, krahasuar me kohën para testimit të projektit.
Tani, njerëzit po përpiqen të bashkohen me kompaninë.
“Ne po vdisnim në fillim të vitit duke u përpjekur të gjenim talent dhe po shpenzonim para majtas e djathtas për rekrutues”, tha ajo.
Por që kur Unity iu bashkua programit, Losey tha se ajo “kurrë nuk ka pasur kaq shumë aplikime”, duke i kursyer biznesit shumë para në kostot e rekrutimit.
Ndërsa bordi i saj është ende skeptik në lidhje me ndikimin në prodhimin e biznesit, klientët e Unity po luten që eksperimenti i tyre të shpërblehet me sukses, tha ajo – në mënyrë që ata të mund të bindin shefat e tyre që të miratojnë rutinën në vendet e tyre të punës.
“[Unë] fjalë për fjalë kisha një klient sot duke thënë… Unë këtë propozim do ta dërgoj në departamentin e HR (resurseve humane)”, shtoi Losey.
Juliet Schor, një profesoreshë e sociologjisë në Kolegjin e Bostonit, tha se java e punës katër-ditore ofron “një avantazh të madh konkurrues për firmat në tregun e punës”.
Kjo gjithashtu i bën punonjësit më të lumtur dhe më të shëndetshëm, tha Schor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh kërkesat e pandemisë që shtynë shumë njerëz thjesht të digjen.
“Amerikanët po zbulojnë se dy ditë nuk mjaftojnë për fundjavë. Ata nuk mund t’i kryejnë të gjitha detyrat e tyre duke përfshirë kujdesin familjar – t’i marrin fëmijët e tyre në aktivitete, madje edhe të kenë pak kohë për veten e tyre dhe të përgatiten për javën e punës”, tha ajo. “E gjithë kjo grumbullohet në dy ditë dhe thjesht nuk mjafton”.
“Java pesëditore thjesht nuk po funksionon më për njerëzit”, shtoi Schor.
Megjithatë, një javë pune katër-ditore nuk është një “zbulim epokal”, transmeton Telegrafi.
Në muajin qershor, një sondazh i Gallup me më shumë se 12 mijë punëtorë në Shtetet e Bashkuara zbuloi se ndërsa ata që punonin një javë katër-ditore raportuan mirëqenie më të lartë – veçanërisht në mesin e atyre që kërkohet të punojnë në terren – nuk kishte rritje përkatëse në nivelet e angazhimit në punët e tyre.
“Të kesh angazhim më të lartë varet nga mënyra se si je i menaxhuar dhe thjesht t’i japësh dikujt një javë pune katër-ditore nuk do të thotë domosdoshmërisht se je i menaxhuar mirë dhe se je i angazhuar në punën tënde”, deklaroi Jim Harter, studiues i punës dhe mirëqenies në Gallup.
Nuk ka “blues gjatë së hënës”
Megjithatë, për Loseyn, përshtatja me rutinën e re ishte e dhimbshme.
Ajo e përshkroi javën e parë si “Armagedon”, me pak kolegë në dispozicion për t’iu përgjigjur një urgjence të një klienti.
“Unë thjesht u ula në dyshemenë e kuzhinës dhe qava”, tha ajo.
Ngadalë, ekipi u përshtat dhe ka futur zakone të reja duke iu përshtatur ndryshimit. Tani, takimet e brendshme janë të kufizuara në 15 minuta dhe takimet e klientëve në 30 minuta. Email-et drejtuar kolegëve nuk lejohen të kalojnë më shumë se një të katërtën e totalit të emaileve në ditë.
Në veçanti, stafi i Losey tani aplikon një sistem “semafori” për të reduktuar shpërqendrimet në zyrë. Kolegët kanë një dritë në tavolinën e tyre – ngjyra e gjelbër do të thotë se kanë kohë që të bisedojnë, ngjyrë qelibari janë paksa të zënë, por të disponueshëm për të folur dhe e kuqja nënkupton se nuk duhet t’i ndërpritni.
“Nëse butoni [i tyre] është i kuq, kërkoni një person tjetër”, tha Losey.
Conroy tha se ai ka prezantuar “kohën e thellë të punës” ku, për dy orë çdo mëngjes dhe dy orë çdo pasdite, stafi i tij injoron emailet, telefonatat ose mesazhet e menjëhershme dhe përqendrohet në projektet e tyre.
Ekipi i tij madje ka filluar t’i shkëpusë telefonat e zyrës, pasi ata ishin shumë shpërqendrues. Klientët fillimisht u mërzitën, tha ai, por që atëherë janë përgjigjur duke dërguar më shumë email.
Losey tha se rreziqet për biznesin ia vlen të shihen.
“Pasi kemi pasur disa javë të qeta… na duket sikur ‘si do të ktheheshim?’ Si punuam pesë ditë?’ Duket kaq jo njerëzore”, tha ajo./buletiniekonomik