0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Prishtinë, marshim multietnik me moton “Solidarizim me Demokracinë” për 15 Korrikun

Më të lexuarat

Pjesëmarrësit në mënyrë të qetë marshuan deri në sheshin “Zahir Pajaziti” duke mbajtuar në duar pankarta me shënimin “Jemi me Ju” si dhe flamuj të Kosovës, Turqisë dhe të Shqipërisë

PRISHTINË (AA) – Me rastin e përvjetorit të parë të tentimit për grusht shteti në Turqi anëtarët e shoqërive civile si dhe qindra qytetarë të Kosovës organizuan marshim në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, me moton “Solidarizim me Demokracinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra qytetarë të Kosovës ku në mesin e tyre ndodhej edhe ministri në largim i Administratës Publike Mahir Yağcılar, ministri pa portofol Rasim Demiri, ambasadorja turke në Prishtinë Kıvılcım Kılıç, konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren Selen Evcit, kryetari i komunës së Mamushës Arif Bütüç, deputetët turk të Parlamentit të Kosovës Fikrim Damka dhe Müferrah Şinik si dhe përfaqësuesit e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, me moton “Solidarizim me Demokracinë” u tubuan në sheshin “Skenderbeu” të kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë.

Pjesëmarrësit në mënyrë të qetë marshuan deri në sheshin “Zahir Pajaziti” duke mbajtuar në duar pankarta me mbishkrimin “Jemi me Ju” si dhe flamuj të Kosovës, Turqisë dhe të Shqipërisë. Pas marshimit, përfaqësuesit e shoqërive çivile si dhe ambasadorja Kılıç mbajtën një fjalë rasti.

Ambasadorja Kılıç në fjalën e rastit tha se mbështetja e treguar e popullit të Kosovës për popullin turk dhe demokracinë e këtij vendi janë shumë të vlefshme dhe se ky është shembulli më i fuqishëm i miqësisë dhe vëllazërisë mes këtyre dy popujve. “Ne edhe në natën e puçit të pabesë të 15 korrikut të vitit të kaluar morëm forcë nga mesazhet dhe lutjet tuaja. Unë nuk i harroj këto por edhe populli turk nuk do t’i harrojë”, tha ajo.

Liridon Bllaca, i cili ka përfunduar studimet në Turqi duke shprehur se 15 korriku është një datë e rëndësishme për gjithë botën tha se këtu ndodhen për t’u solidarizuar me popullin e Turqisë. “Urojmë që bota në të cilën jetojmë të jetë vend ku zëri kundër padrejtësisë dëgjohet më tepër se tanket, helikopterët dhe avionët luftarak;”, tha ai.

Munafis Hoxha nga Shoqata Kulturore nga Gora tha se populli turk dhe ai kosovar kanë lidhje vëllazërore dhe miqësore, duke shtuar se “Dhimbja e Turqisë është edhe dhimbja jonë, gëzimi i Turqisë është edhe gëzimi ynë”.

Duke rikujtuar se populli turk ka dalur nëpër rrugë vetëm me një thirrje të presidentit Erdoğan, Hoxha tha se “Shikoni dallimin në mes të Erdoğanit dhe rivalëve të tij të cilët dëshirojnë ta rrëzojnë atë. Strategjia e tyre është që ushtria të përdoret kundër popullit, në të kundërtën Erdoğani ka shpëtuar popullin nga terroristët të cilët kanë mbajtur uniformën e ushtrisë turke. Dhe kjo është një shenjë e një lideri të vërtetë”.

Kurse Birol Urcan nga qendra Liberale Demokratike në Kosovë tha se kjo tentativë për grusht shteti ka pasur për qëllim dhënien e së ardhmes së Turqisë në duart e forcave të errëta dhe reaksionare. “Po të ishte e suksesshme kjo tentativë mos mendoni që kjo do ta ndikonte vetëm Turqinë. Jam shumë i bindur se efektet e këtij puçi do të përhapeshin në mënyrë direkte apo indirekte edhe në shtet fqinje, përfshirë edhe Kosovën”, tha ai.

Marshimi përfundoi në mënyrë të qetë.

Kujtojmë se në tentativën për grusht shteti në Turqi të kryer nga organizata terroriste FETO më 15 korrik ishin vrarë 250 qytetarë kurse më shumë se 2 mijë të tjerë ishin plagosur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit