21.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Prindërit e mirë në historinë e Musait a.s

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Prindërit e mirë në historinë e Musait a.s

Hyrje
 
Fëmijë të mirë, rrjedhin nga prindër të mirë. Madje thuhet që Zoti i madhëruar e shpërblen një prindër të mirë, duke ia bekuar pasardhësit deri në brezin e shtatë. Për këtë, flet dhe ajeti i Kuranit:” Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.” (A’raf, 196)
Në detajet që jepen gjatë udhëtimit të Musait a.s me Hidrin dhe ndodhinë kur Hidri e rindçrtoi murin e shembur të dy jetimëve, duket qartë bereqeti dhe mirësia e prindërve të mirë. Gjatë trajtimit të kësaj ndodhie, ne do të flasim dhe mbi rëndësinë e të qënit prind i mirë dhe i ndershëm, si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe do të përmendim disa nga gabimet më të përhapura të prindërve me fëmijët e tyre adoleshentë.
 
Shkaku i takimit të Musait a.s me Hidrin
 
Transmeton Ubej ibnu Kab – Zoti qoftë i kënaqur me të – se e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:””Një ditë Musai po predikonte para hebrenjve. Ai u foli dhe i këshilloi, saqë filluan t’u rrjedhin lotë dhe i preku emocionalisht. Një nga të pranishmit, u ngrit dhe pyeti Musanë: ”O i dërguar dhe profet i Zotit! ”Kush është njeriu më i ditur mbi tokë?” Musai a.s u përgjigj: ”Unë”.
Për këtë  përgjigjje, Zoti e kritikoi pasi nuk tha se dituria i përket Zotit. Kështu Zoti i tha se është një rob në vendin ku takohen dy detet, i cili është më i ditur se Musai. Musai [alejhis-selam] e pyeti Zotin: ”Si mund të takohem me të, o Zot?”
 Zoti i tha: ”Merr me vete një peshk dhe vendose në trastë. Atje ku do të humbësh peshkun do të takohesh me të.”
Menjëherë, Musai mori peshkun dhe u nis. Atë e shoqëronte dhe shërbëtori i tij, Jusha ibn Nun. Kur arritën pranë një shkëmbi, u mbështetën pranë tij dhe i zuri gjumi.
Teksa ishin mbështur për të fjetur, peshku që ishte në trastë, filloi të lëvizë, doli nga trasta dhe u hodh në det.
Zoti e ngriu ujin që linte pas peshku dhe ai dukej si një shkëmb. Kur Musai a.s dhe shërbëtori i tij u zgjuan, ky i fundit harroi t’i tregojë mbi peshkun që u hodh në det. Kështu, të dy vazhduan rrugën gjatë gjithë ditës dhe atë natë. Të nesërmen, Musai a.s i tha shërbëtorit:”Na sill drekën pasi jemi lodhur nga ky udhëtim!”
”Musai [alejhis-selam] nuk filloi të ndiejë lodhje, vetëm pasi kaloi vendin, ku duhej të ndalonte.”
Kur Musai a.s i kërkoi djaloshit ushqimin, ky i fundit u kujtua mbi ndodhinë e peshkut, që u hodh në ujë, dhe i tha: ”Kur u mbështetëm tek shkëmbi, unë e harrova peshkun. Përveç shejtanit nuk më bëri kush ta harroj dhe të mos e kujtoj. Ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën për në det!” (El-Kehf: 63)
Menjëherë u kthyen duke u orientuar nga gjurmët që kishte lënë peshku në det: “Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre duke ndjekur gjurmët.” (El-Kehf: 64)
Me të arritur tek vendi ku kishte kërcyer peshku për në det, ata panë një burrë të shtrirë dhe të mbuluar me një rrobë të gjelbër. Musai a.s e përshëndeti me fjalët: “Selamu alejjkum” (Paqa qoftë me ju).
Por Hidri iu përgjigj: ”Ku ka paqe në tokën tuaj?”
Musai a.s menjëherë i tha: ”Unë jam Musai!”
Hidri e pyeti: ”Musai i hebrenjve?!”
 “Po”, – iu përgjigj Musai [a.s. “A pranon të vijme ty, që të më mësosh nga dijet e tua?” (El-Kehf: 66)
Hidri a.s iu përgjigj: ”Ti nuk do të mund të kesh durim me mua!” (El-Kehf: 67)
Hidri posedonte dije dhe njohuri që ia kishte mësuar vetë Zoti i madhëruar dhe këto dije Musai a.s nuk i kishte.
“Ti nuk do të mund të kesh durim me mua! Si mund të durosh për diçka mbi të cilën nuk ke dije? (Musai) Tha: Do të më gjesh të duruar në dashtë Zoti dhe nuk do të thyej asnjë urdhër tëndin.” (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (El-Kehf: 67-70)
(Buhari, 4/1752 hadithi nr 4448)
 
Musai a.s, Hidri dhe dy djelmoshët jetimç
 
Mes Musait a.s dhe Hidrit ndodhën disa gjëra të çuditshme dhe të papranueshme për Musain a.s. E fundit, ishte se të dy hynë në një fshat ku u kërkuan banorëve t’i presin si miq dhe t’u japin për të ngrënë. Por fshatarët refuzuan t’i presin në shtëpi dhe t’i nderojnë si miq.
Hidri shkëputet nga Musai dhe fillon të rindçrtojç një mur që ishte gati duke u shembur. Edhe pse Hidri i kishte kërkuar Musait të mos ndërhynte dhe të mos e kundërshtonte, Musai a.s nuk e mbajti dot veten.
“Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi. (Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (Kehf, 77)
Hidri ia sqaroi Musait a.s se si qëndronte puna. Ai i tha se Zoti e kishte frymëzuar se ky mur i përkiste dy djelmoshave jetimë në atë fshat. Ata ishin të vegjël dhe të pamundur për të administruar pasuritë e tyre. Babai i tyre kishte qenë besimtar i devotshëm dhe njeri i mirë. Duke e ditur kopracinë dhe zemërngushtësinë e banorëve të fshatit, ai kishte fshehur një thesar për dy fëmijët e tij, para se të vdesë. Këtë thesar, ai e kishte fshehur mu tek themelet e këtij muri që gati po shembej. Këtë e bëri për t’a ruajtur nga hajdutët dhe duart e liga të fshatit.
Kur Musai a.s dhe Hidri kaluan pranë murit dhe e panë se po shembej, Hidri ndërhyri dhe filloi t’a rindërtojë. Nëse do të ishte shembur, thesari do të dilte në dritë dhe do të binte pre e lakmitarëve dhe njerëzve të ligë. Kështu, do të humbiste pasuria e dy jetimëve, të cilët kishin patur një baba të ndershëm dhe besimtar të devotshëm. Për hir të babait të mirë të dy jetimëve, Zoti i mbrojti ata të dy dhe pasurinë e tyre. Për këtë, Zoti e urdhëroi Hidrin që t’a rindërtojë vullnetarisht murin ku ishte fshehur thesari, derisa fëmijët të rriten dhe të bëhen të aftë për t’a adminstruar këtë pasuri. Thotë Zoti në Kuran:
“E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (Kehf, 82)
Me këtë rast, kujtojmë thënien e Gazalit:”Nëse do të zbulohej e fshehta (gajbi) patjetër që do të zgjidhje situatën në të cilën ndodhesh momentalisht.”
 
Si t’i mbrojmë fëmijët tanë?
 
a) Fetarisht. Thotë Zoti në suren Nisa, duke përmendur mënyrën si mund t’i mbrojmë fetarisht:” Le të druajnë nëse ata lënë pas vetes fëmijë të mitur, duke u brengosur për ta, le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejt.” (Nisa, 9)
Kështu, mënyra përmblidhet në fjalë “le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejt.”
Thotë Seid ibnul Musejjib:”Teksa jam duke u falur, më kujtohet fëmija dhe e shtoj përkushtimin dhe kohëzgjatjen.”
Kurse Sehl ibnu Abdilah Teseturij kujdesej për të ardhmen e fëmijës, edhe pse vetë ishte akoma beqar. Këtë e bënte duke vepruar punë të mira, me shpresë se prej tyre do të fitonte fëmija i tij në të ardhmen. Ai vetë tregon:”Unë e respektoj besën që Zoti mori prej meje në botën e atomit. Unë kujdesem për fëmijët e mi edhe pse nuk kanë lindur akoma.” (Hashijetu ibni Abidin 1/53)
Pasardhësit e mirë dhe të ndershëm, do jenë të dobishëm për prindërit e tyre edhe në Botën Tjetër. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur, 21)
Kurse Ebu Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – transmeton se i dërguari i Zotit a.s thotë:”Kur vdes një njeri, i ndërpritet shpërblimi për veprat që vepronte, përveç tre gjërave: Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila përfitojnë njerëzit dhe një fëmijë i cili lutet për të.” (Muslimi 3/1255 hadithi nr 1631)
 
b) Moralisht. Kjo bëhet duke:
I edukuar dhe duke u mësuar ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Gjithashtu, duke i udhëzuar dhe duke ua bërë të dashur të mirën.
U mësuar normat morale në mënryë praktike dhe duke i stimuluar të jenë të respektueshëm.
Caktuar një kalendar kohor të përshkallëzuar, i cili e ndihmon në realizimin e objektivave fetare dhe shoqërorë me fëmijët. Sa herë që fëmijët arrijnë një nga objektivat, prindi është mirë t’i shpërblejë dhe nderojë.
 
Efekti i moraleve të prindit, tek fëmijët
 
Le të shohim dallimin mes dy fëmijëve, njëri prej tyre ka prindër të mirë kurse tjetri jo.
Fëmija që ka prindër të mirë, e sheh babanë gjithmonë në bindje ndaj Zotit dhe përkujtim (dhikr). Babai i tij e dërgon ndonjëherë për t’u dërguar të varfërve sadaka dhe lëmosha, e merr me vete tek vizitat e të afërmve dhe të varreve të paraardhësve. Gjithashtu, ai e sheh nënën të sillet mirë me vëllezërit e saj dhe motrat. Ai e ndjen përkujdesjen dhe dashurinë e saj për fëmijët.
Kurse fëmija i dytë që nuk ka prindër të mirë, e sheh babanë gjithmonë të zemëruar dhe dëgjon nga goja e tij sharje nga më të ndryshmet. Babai e dërgon natën t’i blejë një paketë cigaresh. E dëgjon babanë duke folur me të ëmën në mënyrë të pahijshme. Gjithashtu, ai e sheh nënën e cila i ka ndërprerë lidhjet me motrën e saj apo vëllanë dhe që nuk kujdeset fare për fëmijët e saj.
Vallë cilat do të jenë moralet e secilit nga këta dy fëmijë kur të rriten?!
Me qëllim që prindëri të jetë pasqyrë e mirë e fëmijës, Profeti a.s na nxit të namazet sunete t’i falim në shtëpi dhe poashtu të lexojmë Kuran. Duke i parë prindërit duke vepruar punë të mira dhe të dobishme, edhe fëmijët do të përpiqen t’i imitojnë.
 
Dhjetë gabime që bëjnë prindërit me fëmijët adoleshentë
 
1 – Dështimi që të jenë shembulli dhe modeli më i mirë për fëmijët e tyre.
Nëse u kërkojmë fëmijëve të veprojnë në një mënyrë të caktuar, ne duhet të jemi modeli më i mirë përsa i përket asaj vepre. Të jesh i qëndrueshëm në parimet e tua, është gjëja më e rëndësishme për një adoleshent. Nëse prindërit i respektojnë familjarët e tjerë, e respektojnë eprorin e tyre, e duan atdheun dhe i binden Zotit, të njëjtën gjë do të bëjnë dhe fëmijët e tyre.
2 – Dështimi në pranimin e gabimit.
Çdo njeri është i prirur të gabojë dhe të harrojë. Një njeri i mençur është ai që ka guximin të pranojë gabimin.
3 – Dështimi në dhënien e një përgjigje të caktuar, pçr një pyetje të caktuar.
Sa herë që adoleshenti na pyet:”Përse është kështu, cila është arsyeja…?” Ne i përgjigjemi:”Sepse ne jemi më të mëdhenj dhe e dimë më mirë se ti.” Ose mund t’i themi:”Kur të kërkoj diçka, duhet t’a zbatosh menjëherë pa diskutime dhe sqarime.”
Diçka e tillë është një gabim trashanik në edukimin e adoleshentëve. Nëse ata na pyesin diçka, duhet t’i përgjigjemi drejt.
4 – Dështimi në dhënien e rastit që të ketë personalitetin e tij të veçantë.
Ne as që tentojmë të mendojmë ashtu siç mendon një adoleshent, nuk i respektojmë dëshirat e tyre personale dhe as hobet e tyre, nuk i krijojmë hapësira adoleshentit që t’a zhvillojë personalitetin e tij dhe të ketë besim në vetvete. Ky është një gabim i madh dhe i qartë.
5 – Dështimi në vlerësimin e çështjeve.
Shumë probleme të parëndësishme, nuk duhen ekzagjeruar dhe nuk u duhet kushtuar vëmendje më shumë s e ç’e merritojnë. Familjarët duhet t’i kenë parasysh dallimet mes një adoleshenti dhe një fëmije. Një adoleshent, ka memorie të dobët dhe shpesh herë i neglizhon përgjegjësitë. Ai për shembull, të premton se do të të telefonojë me të arritur tek shtëpia e shokut të tij. Por me të arritur atje, ai angazhohet me shoqërinë dhe harron premtimin. Ai dëfrehet dhe argëtohet, kursi ti merakosesh për të dhe për shkakun pse nuk telefonoi.
6 – Dështimi në shfaqjen e simpatisç ndaj adoleshentit.
Fëmija dhe më pas adoleshenti, kanë nevojë të madhe për t’u dhënë zemër dhe për t’u inkurajuar. Ashtu siç kanë nevojë për t’u falenderuar për arritjet apo ndihmën që të ofruan. Diçka e tillë e ndihmon të shpikë metoda të reja, ia shton besimin në vetvete dhe këmbënguljen. Prandaj, prindërit duhet të shfrytëzojnë çdo rast që t’u shprehin simpatinë dhe vlerësimet, duke mos u marrë vetëm me anët negative dhe gabiet.
7 – Dështimi në pranimin e shokëve të adoleshentit.
Është shumë e dobishme që babai t’i ftojë shokët e djalit të tij adoleshent në shtëpi, gjë e cila ia bën kontrollin e fëmijës  më të lehtë. Kurse në sytë e adoleshentit, tregon rrespekt për zgjedhjet e ti. Adoleshentit nuk i duhet thënë:”Nuk dua të shoqërohesh me filanin” pa asnjë shkak. Një mënyrë e tillë e komunikimit me adoleshentin, e bën të ndihet i kontrolluar dhe i imponuar prej teje. Një sjellje e tillë mund t’a bëjë inatçor.
8 – Dështimi në dhënien rast qç të gabojë.
Nuk ka asnjë njeri të pagabueshëm në këtë botë, i vogël qoftë apo i madh. Me gabimet e adoleshentit, duhet të sillesh në këtë formë: Ta falësh gabimin, sidomos në rast se ai e pranon. Nëse gabimi duhet ndëshkuar (vetëm nëse është i tillë që të ndëshkohet) tregoji djalit apo vajzës adoleshente se ti e don dhe se dëshiron t’a harrosh gabimin që ka  bërë.
9 – Dështimi për të hapur një bisedë në çështjet delikate.
Ne e kemi të vështirë të bisedojmë mbi disa tema dhe detaje, me adoleshentët. Tek këto tema, mund të përmendim: Seksin, drogat, vdekjen e një njeriu të afërt dhe të dashur, divorcin etj… Babai e ka obligim që të ulet me djalin e tij – sidomos adoleshentin – (të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe nëna me vajzën) dhe të flasin hapur mbi disa çështje. Kjo e bën adoleshentin t’a ndjejë dhe t’a prekë komunikimin konstruktiv me prindërit dhe i jep besim në vetvete se e ka të mundur të hapë tema për diskutim me prindërit.
10 – Dështimi në kalimin e një pjese kohe të mjaftueshme me adoleshentin.
Çdo orë dhe minutë që kalon me fëmijët e tu, do të ketë ndikim të madh në të ardhme. Frutat e një edukimi të tillë, do i vjelësh kur të rriten.
 
Përfundim
 
Të jesh prind është një pasuri e vyer dhe përmban domethënie dhe vlera të mëdha. Moralet e prindërve dhe besimi i tyre, ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e fëmijëve. Madje, për hatër të besimit dhe përkushtimit të tyre, Zoti i mbron fëmijët e tyre nga çdo e ligë. Kjo u pa qartë në fundin e historisë së Musait a.s me Hidrin a.s.
Le t’a kenë parasysh prindërit përgjegjësinë që kanë për formimin e fëmijëve të tyre. Le të përpiqen mesa munden që t’i edukojnë siç duhet. Prindërit janë një thesar i madh, kurse fëmijët janë xhevahiret e këtij thesari. Zoti na dhashtë sukses në këtë mision fisnik!
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit