13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Musai a.s dhe altruizmi mes vëllezërve

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Musai a.s dhe altruizmi mes vëllezërve

Hyrje
 
Njeriu udhëhiqet nga lidhjet e adhurimit me Zotin e tij, lidhje nënshtrimi me gjithësinë, lidhje besueshmërie me veten dhe drejtësie me njerëzit e tjerë. Duke pasur parasysh lidhjet e drejtësisë me të tjerët, vëllazëria dhe altruizmi konsiderohen si dy vlera të rëndësishme në jetën e njeriut. Në islam, egoja dhe injorimi i të tjerëve janë të refuzuara.
Në historinë e Musait a.s dhe vëllait të tij Harunit a.s, dallojmë përkushtimin dhe dashurinë e vëllait ndaj vëllait. Aty hasim dëshirën për t’a bërë vëllanë pjestar në shpërblim dhe mirësi. Në historinë e tyre, shohim që Musai a.s i pranon veçoritë dalluese dhe karakteristike të vëllait të tij Harunit.
Diçka e tillë duhet të ndodhë si në vëllazërinë e gjakut, atë të fesë dhe vëllazërinë njerëzore.
 
Musai a.s, nuk e harron vëllanë
 
Këtë e shohim, kur Zoti i madhëruar e ngarkoi me detyrën e përcjellësit të mesazhit hyjnor tek populli i Egjyptit dhe tek Faraoni në veçanti “Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi” (Taha, 24)
Përgjigja e Musait a.s ishte:”(Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim  lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”. (Taha, 25-35)
Me këto fjalë, Musai a.s i kërkoi Zotit të madhëruar që t’i japë një person tjetër që t’a ndihmojë në këtë mision kaq të rëndësishëm dhe të vështirë. Për t’a ndihmuar dhe për t’iu bërë krah, Musai a.s kërkoi të vëllanë e tij Harunin. Ai e kërkoi të vëllanë, që t’a ketë shok dhe koleg në mbartjen e mesazhit me të cilin e ngarkoi Zoti i madhëruar.
Transmetohet se Ibnu Abasi ka thënë:” Haruni u bë profet në atë moment që u bë dhe Musai a.s.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit, 3/197)
Haruni kishte disa cilësi dhe tipare dalluese nga Musai a.s. Ai ishte orator, i qartë në të folur dhe i matur, fjalët i kishte të bazuara dhe të argumentuara, ishte më i gjatë se Musai, më i madh se ai në moshë, më i mbushur në trup, më i bardhë dhe më i ditur.” (Dur menthur 5/567)
Në një ajet tjetër, Musai a.s i drejtohet Zotit me këto fjalë:”Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”. (Kasas, 33-35)
Kështu, shohim që Musai a.s e pranonte që vëllai i tij Haruni është më orator dhe më i qartë në të folur se ai. Me fjalët:” andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia.” Musai a.s i kërkonte Zotit që t’a dërgojë edhe Harunin bashkë me të tek Faraoni. Kjo, me qëllim që t’a besonin kur t’u fliste mbi Zotin dhe besimin e vërtetë. Dy persona janë më të besueshëm se një i vetëm. Kurse disa dijetarë thonë se me fjalët ” që të vërtetojë fjalët e mia” Musai a.s kishte qëllim që t’ua bëjë fjalët me të cilat do u drejtohem unë, më të lehta dhe të kuptueshme.
Si përgjigje të kësaj kërkese, Zoti i tha:” “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi.”
Pra, Zoti ia pranoi këtë kërkesë dhe lutje, duke e dërguar Harunin a.s me Musanë. Për këtë, dijetarët muslimanë thonë:”Askush tjetër nuk ka vlera ndaj vëllaut të tij, siç ka Musai a.s ndaj Harunit a.s. Ai ndërmjetësoi tek Zoti i madhëruar, që vëllai i tij Haruni, të jetë profet dhe i dërguar, për tek Faraoni dhe suita e tij.” (Tefsir Ibnu Kethir 3/516)
Transmeton Urve ibnu Zubejr – Zoti qoftë i kënaqur me të – se nëna e besimtarëve Aisheja ka thënë:”Një herë, isha në udhëtim për në Meke. Gjatë rrugës u ndala tek një familje encacakësh në shkretëtirë. Aty dëgjova një burrë që pyeti personat e pranishëm:”Kush ka qenë vëllai më i dobishëm për të vëllanë?”
Dikush u përgjigj:”Për Zotin, nuk e dimë.”
Burri u tha:”Unë e di.”
Tregon Aisheja:”Unë me vete thashë:”Ai e din kush ka qenë vëllai më i dobishëm për të vëllanë.”
Burri u përgjigj:”Ka qenë Musai a.s i cili kërkoi që edhe vëllai i tij të jetë profet.”
Unë thashë:”Ashtu është.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit 3/197)
Transmeton Enesi – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Nuk e keni besimin e plotë derisa të donin për vëllanë, atë që doni për veten tuaj.” (Buhariu 1/14, hadithi 13)
Transmetohet se Ibnu Abasi – Zoti qoftë i kënaqur me të – ka thënë:” Duaj për hatër të Zotit, urre dhe shpall armiqësi për hatër të Tij. Ti nuk mund t’a meritosh përkujdesjen e Zotit, veçse në këtë mënyrë. Askush nuk do e shijojë besimin, edhe sikur të falet dhe agjërojë shumë, veçse me sa përmendëm. Shumica e njerëzve miqësohen dhe vëllazërohen në bazë të interesave, gjë e cila është e padobishme për ta.”
Më pas, Ibnu Abasi lexoi:” Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Zuhruf, 67)
Një i ditur u pyet:”Kë don më shumë, vëllanë apo mikun?”
Ai u përgjigj:”Unë nuk mund t’a dua vëllanë, veçse nëse e kam mik.”
Kurse një tjetër thotë:”Një njeri pa miq, është si e djathta pa të majtën.” (Ujun El-akhbar 7/7-6)
Profeti Daud a.s i tha një ditë djalit të tij, Sulejmanit:”O biri im! Mos të duket pak një armik i vetëm dhe mos të duken shumë një mijë miq. Kurrë mos e ndërro një mik të vjetër me një të ri, përderisa ai vazhdon t’a ruajë këtë miqësi.”
Disa të ditur thonë:”Miku, është pasqyra e cila të tregon të mirat dhe mangësitë. Mik më i mirë është ai që të vjen, kur të kanë braktisur të tjerët.”
Disa të tjerë thonë:”Katër nuk njihen veçse në katër raste: Nuk njihet trimi veçse në luftë, nuk njihet i urti veçse në rast gjaknxehtwsie, nuk njihet i besueshmi veçse në dhënie dhe marrje dhe nuk njihen vëllezërit veçse në raste fatkeqwsie.”
Një sulltan u pyet:”Sa miq ke?”
Ai u përgjigj:”Nuk di ç’të të them. Tani që kam të mira dhe pushtet, të gjithë i kam miq. Mund të të përgjigjem, vetëm kur të mos i kem këto privilegje.”
Thotë Xhafer ibnu Muhamed:”Miqtë më të dashur janë ata që në shtëpinë time hanë më shumë dhe përtypin kafshatat më të mëdha. Kurse më të urryerit, janë ata që më detyrojnë t’i nxis të hanë.”
Kur vdiq Ubade ibnu Samit – Zoti qoftë i kënaqur me të – vëllai i tij Eus ibnu Samit, e qau. Dikush i tha:”Si e qan, ndërkohë që ai ka dashur të të vrasë?”
Ubade u përgjigj:”Ajo që më bëri t’a qaj është se na ka mbajtur i njëjti bark dhe kemi pirë nga i njëjti gji.”
Kurse Ebu Derda, lutej çdo natë për vëllezërit e tij.” (Sajdul Hatir 1/19)
 
Nivelet e dhënies
 
1 – Kur nuk e ke të vështirë të japësh.
2 – Kur të shumtën e jep, kurse të paktën e mban për vete
3 – Kur u jep të tjerëve, edhe pse ke nevojë për vete.
 
Vizita mes miqve
 
Kajs ibnu Sad ibnu Ubade, një nga shokët e Profetit a.s, u sëmur. Ai njihej për bujarinë dhe zemërgjerësinë e tij. Megjithatë, kur u sëmur vuri re se ata që e vizituan ishin të pakët. I çuditur, pyeti mbi këtë fakt. Dikush i tha:”Njerëzve u vjen turp të vijnë të të vizitojnë, pasi kanë marrë prej teje shumë borxhe.”
Kajs tha:”E ç’vlerë ka një pasuri, e cila pengon miqtë të më vizitojnë?” Më pas urdhëroi një tellall të dalë në rrugë dhe të thërrasë:”Kajs ibnu Sad ua fal të gjitha borxhet që i kanë njerëzit.”
Thuhet që atë ditë u shqye pragu i derës së shtëpisë së tij, nga vizitorët e shumtë. (Elmustatref 1347)
 
Altruizmi familjar
 
Në historinë e Musait a.s me Harunin a.s, gjejmë vlera të tilla si dashuria mes vëllezërve, vlerësimi dhe altruizmi. Aty shohim vëllanë që i vlerëson aftësitë e vëllait të tij, dhe kërkon që ai t’a ndihmojë për të përmbushur misionin. Diçka e tillë duhet të ndodhë mes të gjithë vëllezërve të gjakut, të fesë dhe miqve.
Është për të ardhur keq që shpesh herë marrëdhëniet mes vëllezërve karakterizohen nga fryma e konfliktit. Kjo, për arsye nga më të rëndomtat. Shpesh herë këto konflikte përfundojnë edhe në gjykatë.
Thotë imam Shafiu:
Sa të shumtë janë vëllezërit kur i numëron
Por në fatkeqësi, asnjërin nuk e shikon
 
Format e altruizmit familjar mes vëllezërve:
1 – Distancimi nga konflitket për ndarjen e pasurisë. Madje, kemi shembuj të shumtë, ku vëllezërit me gjendje ekonomike më të mirë, ua falin pjesën e tyre të trashëgimisë, vëllezërve më të varfër.
2 – Kur secili nga vëllezërit i pranon vlerat, suksesin dhe aftësitë e vëllait tjetër.
3 – Vizitat e herë pas hershme mes vëllezërve.
4 – Ftesat e shpeshta dhe tubimi mes vëllezërve, sidomos kur ndonjëri prej tyre ka nevojë për ndihmë.
Ne sot kemi nevojë t’a ndjejmë dhe t’a shohim prezente ndihmën dhe altruizmin mes vëllezërve dhe atë familjar.
 
Musai a.s, e bën të vëllanë pjesëmarrës në mision
 
Musai a.s i deshi të mirën vëllait të tij. Ai i kërkoi që t’a bëjë të vëllanë pjestar të misionit hyjnor. Kjo, pasi ishte i ndërgjegjshëm që shpërblimi për këtë do të ishte i madh. Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin famëlartë:” E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” (Fussilet, 33)
Transmetohet nga Ebu Umame El-bahilij – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Epërsia e një të dituri ndaj në adhuruesi, është si epërsia ime ndaj më të rëndomtit prej jush. Vetë Zoti i madhëruar, melekët e Tij, banorët e qiellit dhe të tokave, madje dhe milingona në folenë e saj, luten për atë që i mëson njerëzit gjërat e dobishme.”  (Sunen Tirmidhij, 5/50 hadithi nr 2685)
 
Përfundim
 
Nuk ka dyshim se mes vëllezërve ekzistojnë lidhje emocionale të fuqishme. Megjithatë, kjo botë me të mirat materiale të saj, i bëjnë disa vëllezër t’i harrojnë detyrat ndaj vëllezërve të tjerë. Ata ndjejnë zili, smirë dhe urrejtje për vëllezërit e tyre, në vend të dashurisë, altruizmit dhe vlerësimit.
Qëndrimi i Musait a.s ndaj të vëllait, na kujton ne muslimanëve komunikimin pozitiv që duhet të kemi me njëri-tjetrin. Gjë e cila e shton më shumë dashurinë, lumturinë dhe harmoninë mes nesh.
Mos vallë duhet të na vdesin vëllezërit, që të ndërgjegjësohemi për vlerat e tyre?!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Ejubi a.s
 
Transmeton Eub Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s thotë: ”Teksa Ejubi a.s po lahej pa rroba në trup, Zoti dërgoi një re karkalecësh, të cilët ranë pranë tij. Ejubi a.s  pa se ishin karkalecë floriri. Atëherë, ai mori rrobat dhe filloi t’i mbushë me karkalecët e florinjtë. Zoti i tha: ”O Ejub, a nuk të dhashë pasuri që të mos kesh nevojë për atë që shikon?” Ejubi a.s ia ktheu: ”Sigurisht o Zot, por unë nuk ngopem me bereqetin Tënd.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit 4/51)
 
Llojet e durimit
 
1 – Durimi për të zbatuar obligimet ndaj Zotit (agjërimi, namazi, respekti i prindërve etj…).
2 – Durimi për të përballuar gjynahet që i ka ndaluar Zoti (pirja e alkolit, kamata, veprat e ulëta etj…).
3 – Durimi për të përballuar fatkeqësitë (sprovat në fëmijë, pasuri, shëndet dhe familje).
 
Nivelet e durimit
 
Durim duke i kërkuar Zotit ndihmë për të përballuar sfidat dhe sprovat. Durim për hatër të Zotit, ku njeriu duron nga dashuria që ka për Zotin. Durim, ku njeriu ia obligon vetes të veprojë vetëm gjëra që kënaqin Zotin dhe ky është durimi më i vështirë.
 
Dispozita që kanë të bëjnë me durimin
 
Durimi është farz (obligim) kundrejt gjynaheve, është i pëlqyeshëm ndaj gjynaheve të vogla dhe është haram (kur dikush ngacmon bashkëshorten dhe ai nuk reagon).
 
Një bashkëshorte e durueshme
 
Ka diferencë mes jetës bashkëshortore tek një bashkëshort dhe me një bashkëshort. Ka shumë gra që jetojnë tek bashkëshorti, por nuk jetojnë me të. Ajo thjesht jeton tek ai, pasi atje ushqehet, vishet dhe jeton. Ndërkohë, ka bashkëshorte të tjera që jetojnë me fizikun e tyre, personalitetin, shpirtin, mendimet dhe shërbimet. Ajo merr pjesë në gëzimet e bashkëshortit dhe hidhërimet e tij, diskuton mbi problemet familjare me të, e ndihmon në përballimin e sfidave dhe në administrimin e shtëpisë. Prej gruas nuk pritet të luajë rolin e gjykatësit, të vihet në pozitat e atij që ka në dorë zgjidhjen e çdo problemi etj… Bashkëshortit i mjafton që e shoqja t’i japë një sinjal për zgjidhjen e duhur, t’a karikojë me dhembshuri, dashuri, sinqeritet dhe optimizëm.
Në çastet kur kthehet i raskapitur nga puna, burri ka nevojë për dikë që ia lehtëson lodhjen, dhimbjet dhe stresin. Ai ka nevojë për dikë që i fal dashuri dhe dhembshuri, të cilat ia harrojnë lodhjen e ditës dhe proekupimet e shumta. Ashtu siç ka nevojë gruaja për këto ndjenja, ka nevojë edhe burri. Është shumë e rëndë për burrin që t’i mungojnë këto ndjenja. Sidomos, duke ditur që ka shumë femra të tjera të cilat janë gati t’i ofrojnë ato ndjenja të cilat i mungojnë. Në një rast të tillë, ku bashkëshortit i mungojnë këto ndjenja, mund të bjerë pre e tundimeve dhe joshjeve. Kur të zgjohen bashkëshortet e tyre, mund të mos i gjejnë burrat pranë tyre më.
 
Përse bashkëshortët duhet t’a durojnë njëri-tjetrin?
 
Kjo bëhet për disa arsye:
Për të përftuar shpërblimin e Zotit të madhëruar – Pasi nuk kanë alternativë tjetër – Mund të jenë në emigrim – Nga dhe meraku që ka gruaja për veten dhe familjarët, për arsye nga më të ndryshmet – Besojnë tek parimi i kismetit dhe kaderit – Shpresa në ndryshimin dhe përmirësimin e palës tjetër.
 
Hadithet profetike dhe durimi
 
Transmeton Umu Seleme – Zoti qoftë i kënaqur me të – se e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë:”çdo muslimani që i bie një e keqe dhe thotë:”Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi! O Zot! Më shpërble për fatkeqësinë dhe pasoje atë me një të mirë!” Zoti do i japë një të mirë pas saj.”
Thotë Umu Seleme:”Kur më vdiq Ebu Seleme, unë thashë me vete:”Ku do të gjej më të mirë se Ebu Seleme unë?!” Megjithatë, e thashë lutjen e mësipërme të Profetit a.s. Ajo që ndodhi është se vëtë i dërguari i Zotit a.s, dërgoi Hatib ibnu Ebi Beltea për të kërkuar dorën time.
Unë i thashë:”Unë kam një vajzë dhe jam shumë xheloze.”
Profeti a.s tha:”Përsa i përket vajzës, e lusim Zotin që t’a pasurojë. Ashtu siç e lusim Zotin që t’ia largojë xhelozinë.” (Buhariu, 1/107, hadithi 275)
Transmeton Ebu Musa El-Esh’arij – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:“Kur i vdes fëmija një njeriu, i pyet Zoti melekët: “A e morët fëmijën e robit Tim?” “Po, o Zot”–i përgjigjen melekët. “A e morët frutin e zemrës së tij?” –i pyet përsëri Zoti. “Po, o Zot”–i thonë melekët. “Po çfarë tha robi Im?” –pyet Zoti. “Të falenderoi Ty, o Zot dhe tha që të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”. Atëhere do t’u thotë Zoti: “I ndërtoni atij një shtëpi në xhennet dhe quajeni shtëpia e falenderimit.” “Nuk ka shpërblim më të madh sesa xhenneti për dikë që Zoti e sprovon me vdekjen e një të dashuri në këtë botë dhe ai duron.” (Muslim, 2/631, hadithi nr 918)
Transmeton Enes ibnu Malik – Zoti qoftë i kënaqur me të – se e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Thotë Zoti i madhëruar:”Nëse e sprovoj robin tim me dy të shtrenjtat (me humbjen e shikimit) do ia kompensoj me xhenet.” (Sunen Tirmidhij 3/3441, hadithi 1021)
 
Histori e bukur mbi durimin
 
 
Një herë Urve bin Zubejri, ka qenë një nga fakihët, dijetarët dhe të përkushtuarit ndaj fesë së Zotit. Ai njihet si një ndër shtatë fakihët e Medines. Babai i tij ishte Zubejr ibnu Avami, një ndër dhjetë të përgëzuarit me xhenet. Nëna e tij ishte Esmaja, vajza e Ebu Bekrit. Urve ibnu Zubejri njihet për durimin e tij. Një herë, ai u nis për në Damask, për të vizituar Halifen, El-velid ibnu Abdul Melik. Me vete mori dhe djalin e tij të vogël, Muhamedin, i cili ishte shumë i bukur. Kur arritën në Damask, djali i kërkoi që të shkonte të shohë kuajt e Halifes, dhe Urve e lejoi. Teksa luante me kuajt, djali rrëzohet nga kali dhe vdes dhe e varrosin në Damask.
Pas ca kohësh, Urves i sëmuret këmba me gangrenë dhe doktorët e këshillojnë që ta presë, me qëllim që të mos përhapet sëmundja. “Që të humbasësh vetëdijen – i thanë – do të të japim të pish ilaç gjumi. ”
“Jo – u tha ai – nuk dua që të më hiqet një pjesë e imja nga trupi duke qenë në gjumë.” “Mirë – i thanë – të të japim pije dehëse, me qëllim që të mos ndjesh dhimbje.” Por Urve u tha:”Nuk do përdor haramin për të fituar shëndetin.”
Në këtë kohë, në dhomë hynë disa burra të cilët nuk i pëlqyen. I habitur e pyeti doktorin:”Kush janë këta?”
Doktori i tha:”I sollëm me qëllim që të të mbajnë, pasi do e kesh të vështirë t’a durosh dhimbjen.”
Urve u tha:”A tju rekomandoj diçka më të mirë? Më lini të falem dhe kur të bie në sexhde dhe të dukem sikur nuk jam në këtë botë, atëherë bëni çtë doni pasi jam me Zotin dhe nuk ndjej gjë. E pritën sa filloi të falej, ra në sexhde, dhe kur e panë se ndihej sikur nuk ishte në këtë botë, filloi doktori ti presë këmbën me sharrë. Kurse nga goja e tij nuk dëgjonin veçse “Subhanallahi vel hamdu lilahi, ve la ilahe il-la llahu va llahu ekber”.
Kur doktori e preu këmbën, e futi në vaj të valuar me qëllim që ti ndalej gjaku. Vetëm atëherë Urves i ra të fikët. Kur u përmend, u kërkoi ti jepnin këmbën e prerë. E mori në dorë dhe tha:”O Zot, ti e di më mirë që nuk kam ecur me të kurrë në haram.”
Më pas tha:”O Zot, pata dy këmbë dhe dy duar. Më more njërën këmbë dhe më le tjetrën dhe dy duart. Për ty është falenderimi. Kisha shtatë djem, më more njërin prej tyre dhe më le gjashtë të tjerë. Për ty është falenderimi. Të falenderoj për ata që më dhe, të falenderoj për ata që more dhe të falenderoj për ata që më ke lënë.”
 
Përfundim
 
Ajo që është më e rëndësishme në historinë e Ejubit a.s, është mëshira e Zotit të madhëruar, e cila demonstrohet fuqishëm tek njerëzit që i ka sprovuar dhe që e kanë përballuar atë me durim.
Kurse përsa i përket betimit të Ejubit a.s se do e kamzhikojë të shoqen njëqind herë dhe zgjidhja që i ofroi Zoti, duket sërish qartë mëshira e Zotit për të dhe për të shoqen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit