3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Prezantohet projekti strategjik për qendrën e skive Kodra e Diellit, përveç teleferikëve edhe borë artificiale

Më të lexuarat

Kodra e Diellit planifikohet të rikthehet në një atraksion turistik. Kompania italiane Techno Alpin, ndonëse e vetmja që u paraqit në tender për të investuar në 9 teleferikë të rinj, do të instaloj pajisje edhe borë artificiale dhe shtigje për ski. Në fazën e parë do të investohen 55 milion euro, nga i gjithë investimi kapital prej 180 milion eurove.

“Është kënaqësi e madhe që arritëm të marrim një ofertë serioze nga një kompani e njohur evropiane nga Tiroli i Jugut, TechnoAlpin, e cila është udhëheqëse botërore në prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale, një ekspert i njohur në projektimin e fushave dhe zonave të skive. Faza e parë e investimit është në vlerë prej 55 milionë euro në fazën e parë të zbatimit, dhe një investim total prej më shumë se 180 milionë euro në 6 fazat e ardhshme të realizimit të këtij investimi serioz”, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Naser Nuredini në konferencën e sotme për shtyp në të cilën u prezantua ofertuesi për zbatimin e projektit strategjik për zhvillimin e qendrës së skive Kodra e Diellit, kompania TechnoAlpim dhe planet e ofruara investive dhe zhvillimore.

Ministri Nuredini theksoi se zona e Kodrës së Diellit si pjesë e PK Mali Sharr, është parashikuar të jetë një bufer zonë, me synim zhvillimin socio-ekonomik dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron qendra e skive Kodra e Diellit.

“Kodra e Diellit në të kaluarën ka qenë sfidë për emrat kryesorë të sporteve dimërorë, por fatkeqësisht mosinvestimi afatgjatë ka sjellë një vonesë serioze dhe nënshfrytëzimin e mundësive dhe kapaciteteve të shumta për zhvillimin e turizmit që ofron ky lokacion malor shumë i vlerësuar si në nivel evropian ashtu edhe në botëror. Qëllimi dhe përpjekjet tona janë të drejtuara për të mbrojtur maksimalisht vlerat natyrore, por edhe për të siguruar kushte për zhvillim socio-ekonomik dhe mundësi që bukuritë tona natyrore të jenë tërheqëse, evropiane dhe të tërheqin turistë nga e gjithë bota, për t’i sjellë të ardhura shtetit, dhe qytetarët të hapin vende të reja pune dhe mundësi të reja ekonomike”, theksoi Nuredini.

Investitori i ofruar, kompania TechnoAlpin nga Italia, prezantoi masterplanin e projektit, që përbëhet nga 7 faza të realizimit, dhe e para është planifikuar në 5 vitet e ardhshme me integrimin e kapaciteteve ekzistuese të Kodrës së Diellit dhe ndërtimin e pistave të reja të skive dhe teleferikut.

“Do të integrohen pistatekzistuese dhe më tej do të ndërtohen 16 pista të reja skive dhe do të zhvillohet qendra e skive drejt pjesës veriore. Do të ndërtohen 9 teleferikë të rinj dhe dy prej tyre do të ndërtohen në fillim të zbatimit të projektit. Në fazën e parë do të ndërtohen sistemet e bores artificiale, plotësisht të automatizuara dhe të lidhura me softuerin e kompanisë TechnoAlpin, që do të garantojë hapjen e sezonit në fillim të dhjetorit, dhe mbylljen e sezonit të skive në fund të muajit mars. Për më tepër, plani ynë përfshin ndërtimin e 2 shtëpive malore me kapacitet 160 shtretër. Është e rëndësishme që të shfrytëzohet jo vetëm stina e dimrit, por edhe ajo e verës, ndaj do të investonim në ndërtimin e teleferikut alpin që do të jetë pranë liqeneve si dhe shtigje të reja biçikletash, thekson kompania TechnoAlpin.

Plani i investimit përfshin ndërtimin e një teleferiku të ri (gondolë) nga Tetova deri në Kodrën e Diellit, si dhe tre parkingje të reja, të cilat do të zgjidhnin çështjen e transportit të sigurt deri tek qendra e skive dhe do të shmangnin bllokimet e trafikut.

Konferenca për shtyp organizohet për të informuar publikun në një fazë të hershme të realizimit të këtij investimi strategjik, i cili duhet të mundësojë ndërtimin e një qendre skive në rangun e qendrave më të mira evropiane dhe botërore të skive, gjë që realisht e meriton të jetë, nga një kompani që ka besueshmëri, burime financiare dhe përvojë botërore.

/Motilokal.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit