-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pozita e familjes në këndvështrimin Islam (1)

Më të lexuarat

Trajtimi i një problemi nga këndvështrimi Islam, nënkupton referimin në burimet primare dhe unanime të të drejtës islame, Kur’anin dhe traditën profetike, gjegjësisht nxjerrjen e argumenteve nga tekstet e këtyre dy burimeve për t’i mbështetur tezat, vlerësimet dhe përfundimet për çështjen në fjalë. Më pas, vinë në shprehje krahasimet, analogjia dhe analiza e teksteve të ndryshme. Në këtë konsiston metodologjia islame e kërkimit shkencor. Së këndejmi, pozitën e familjes në këndvështrimin islam do ta trajtojmë duke u thirrur në tekste të këtyre dy burimeve, dhe vlerësimi ynë për pozitën dhe rolin e familjes, do të ndërtohet pikërisht mbi reflektimin e këtyre dy burimeve për çështjen në fjalë.

Prolog

Trajtimi i një problemi nga këndvështrimi Islam, nënkupton referimin në burimet primare dhe unanime të të drejtës islame, Kur’anin dhe traditën profetike, gjegjësisht nxjerrjen e argumenteve nga tekstet e këtyre dy burimeve për t’i mbështetur tezat, vlerësimet dhe përfundimet për çështjen në fjalë. Më pas, vinë në shprehje krahasimet, analogjia dhe analiza e teksteve të ndryshme. Në këtë konsiston metodologjia islame e kërkimit shkencor. Së këndejmi, pozitën e familjes në këndvështrimin islam do ta trajtojmë duke u thirrur në tekste të këtyre dy burimeve, dhe vlerësimi ynë për pozitën dhe rolin e familjes, do të ndërtohet pikërisht mbi reflektimin e këtyre dy burimeve për çështjen në fjalë.

Ndërkaq, familja është definuar si “një grup njerëzish të bashkuar nga lidhjet fisnore, pjesëtarët e rritur të cilit kanë përgjegjësinë e kujdesjes për fëmijët” (Giddens, 2004:371).

E drejta islame e trajton mirëqenien e njeriut në tre nivele:atë individual, familjar dhe shoqëror. Për këtë, ka siguruar dispozita për mbrojtjen dhe zhvillimin e njeriut në të tre nivelet e përmendura dhe, kjo tregon se islami e sheh zhvillimin e njeriut si tërësi dhe në mënyrë të barasvlershme reflekton me mësimet dhe dispozitat e veta në të tre nivelet për të dokumentuar se islami ka qasje gjithëpërfshirëse për jetën dhe rrjedhat shoqërore. Së këndejmi, interesimi gjithëpërfshirës i të drejtës islame për jetën e njeriut duke vënë instruksione të përgjithësuara a të detajuara, në kulm të interesimit të vet e ka vënë jetën familjare, e që mbështetet në dispozitat e detajuara të cilat u referohen jetës familjare, gjë që nuk është rast me asnjë sferë tjetër të jetës shoqërore (En-Nexhar, 2005:68).

Pozita e familjes në Islam

Për të sqaruar pozitën e familjes në Islam, do të thirremi në disa tekste nga burimet autoritative islame, që besojmë se do të jenë dëshmi e mjaftueshme për qasjen që i bëhet familjes në mësimet islame.

-Fillimi i gjinisë njerëzore:Për dallim nga teoria evolucioniste, mësimet islame pohojnë se gjinia njerëzore ka filluar prej familjes, gjegjësisht i gjithë njerëzimi kanë prindër, baba dhe nënë, Ademin dhe Havanë. Edhe përskaj asaj se Zoti është i gjithëfuqishëm dhe ka pasur mundësi që të krijoj një numër të madh njerëzish, vërehet se ka qenë caktim i Zotit që të krijoj fillimisht një mashkull dhe një femër, të cilët i bën bashkëshortë, dhe pastaj prej këtyre dy bashkëshortë, përmes rrugës së njohur të lindjes, të lindin fëmijë e të vazhdoj jeta dhe gjinia njerëzore. Fakti që vetë Zoti vendosi që shumimi i gjinisë njerëzore të bëhet përmes familjes, dhe forma e parë e zanafillës së njerëzimit të jetë pikërisht familja, flet qartë për pozitën e familjes në këndvështrimin Islam. Kjo, ngase fetarisht është e njohur maksima se Zoti në çdo vendim dhe përcaktim të Tij ka një urtësi, e edhe zhvillimi i gjinisë njerëzore nga një familje, gjegjësisht familja e Ademit, babait të njerëzimit, tregon për urtësinë e Zotit në theksimin e vlerës dhe pozitës së familjes. Në Kur’an thuhet: “O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kinie frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është2 mbikëqyrës mbi ju (1)”.3 Komentatori bashkëkohor i Kur’anit, Sejid Kutub, përkitazi me këtë ajet ka nënvizuar:”Ky ajet aludon edhe në atë se baza e jetës njerëzore është familja. Ka qenë vullnet i Zotit që kjo gjini në tokë të fillojë me një familje. Fillimisht e krijoi një shpirt, pastaj prej tij e krijoi bashkëshorten e tij, dhe kështu u formua një familje prej dy bashkëshortëve… Sikur të kishte dashur Zoti, në fillim do të krijonte shumë meshkuj dhe femra dhe do t’i bashkonte mes veti, ashtu që do të bëheshin familje të ndryshme që në fillim, pa pasur mes tyre farefisni…por deshi Zoti që gjinia njerëzore të fillojë prej një familje…Nisur nga kjo, shihet kjo përkujdesje e madhe ndaj familjes në sistemin islam…”(Kutub, 1993:574).

Me këtë rast, është me rëndësi të nënvizohet fakti se në këtë ajet përmendet edhe gruaja, që është tregues se gruaja në Islam ka rol thelbësor e jo anësor, si që tentohet të manipulohet shpesh herë në opinion. Po në këtë kuptim, edhe në një ajet tjetër kur’anor tregohet gjeneza e njerëzimit nga një familje, gjegjësisht nga familja e Ademit, duke krijuar në këtë mënyrë një klimë tolerance dhe mirëkuptimi mes popujve. Në Kur’an qëndron: .4

-Familjet e përmendura në Kur’an: Në drejtim të theksimit të pozitës së familjes në Islam, vlen të përmendet edhe ajo se në Kur’an janë përmendur disa familje, si:familja e Ibrahimit. Familja e Imranit, familja e Davudit etj. Në Kur’an qëndron: “Allahu e zgjodhi (pejgamber) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë (të asaj kohe) (33) Që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu dëgjon gjithçka dhe i di të gjitha (34)”.5 Kështu, përmendet Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili, Davudi dhe Sulejmani, Jakubi dhe fëmijët e tij, etj. Pra, Kur’ani i ka përmendur familjet e këtyre njerëzve të zgjedhur, që tregon për rëndësinë që ka familja në mësimet islame.

-Të dërguarit e Zotit, njerëz familjar: Mesazhi i Zotit tek njerëzit nuk ka ardhur në ndonjë formë magjike, por përmes rrugës natyrore të të deleguarve, gjegjësisht mesazhi hyjnor u ka ardhur njerëzve përmes të dërguarve të Zotit të cilët janë njerëz të zgjedhur nga Zoti për ta kryer këtë funksion madhështor. Në tekstet fetare bëhet thirrje që të dërguarit e Zotit të merren shembull nga popujt e tyre, ngase ata janë dërguar që të jenë bartës të mesazhit dhe në të njëjtën kohë të jenë edhe shembull që do të ndiqen nga njerëzit. Po qese analizohet biografia e tyre, do të shihet se ata kanë qenë njerëz familjar, gjegjësisht kanë pasur familje, fëmijë dhe bashkëshorte, bile martesa dhe formimi i familjes, nga aspekti fetar, koncipohet si ligj i të dërguarve të Zotit. Në Kur’an qëndron: “Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë. Asnjë të dërguari nuk i takoi të sjellë ndonjë mrekulli vetëm me lejen e Allahut. Për secilin afat ekziston evidencë e caktuar (38)”.6 Po ashtu, Kur’ani flet për të dërguar të Allahut të cilët janë lutur për familjet e tyre, si dhe e kanë falënderuar Zotin që ju ka falur fëmijë dhe familje. Ja si e përshkruan Kur’ani lutjen e njërit nga të dërguarit e Zotit, Ibrahimit, paqa e Zotit qoftë mbi të: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is-hakun! Vërtet, Zoti im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes (39) O Zoti im! më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mijë dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! (40) Zoti ynë! më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria (41)”.7 Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe fakti se Islami aq sa i kushtoi kujdes familjes, jo vetëm që e bëri tipar të të dërguarve të Zotit, por edhe e ndaloi murgërinë dhe ndalimin nga martesa. Adhurimi sipas mësimeve islame, assesi nuk nënkupton distancim nga familja dhe jeta intime me bashkëshorten, bile lidhjen intime legale me bashkëshorte e konsideroi formë të adhurimit marrë parasysh dobitë e shumta që vijnë prej kësaj, si:vazhdimi i gjinisë njerëzore; largimi nga lidhjet ilegale intime me femra që janë amoralitet; mbrojtja e nderit të njeriut; vënia e lidhjeve familjare mes njerëzve, etj. Transmetohet se i dërguari i Zotit, Muhamedi, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:”Martesa është tradita ime, e kush largohet nga tradita ime, nuk është në rrugën time”.8

-Mirësia ndaj familjes, vlerë fetare: Poqese kthehemi në traditën profetike, do të gjejmë një varg thëniesh profetike që i referohen familjes dhe kujdesit që duhet pasur muslimani ndaj familjes, e që janë dëshmi e qartë për pozitën e familjes në Islam marrë parasysh se thëniet dhe veprat e profetit Muhamed janë burim i dytë i të drejtës islame. Në fakt, është mjaft indikativ fakti se profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, e ka përvijuar njeriun e mirë si njeri që është i mirë për familjen e vet. Bile këtë e ka shprehur në superlativ. Transmetohet se profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:”Më i miri prej jush është ai që është ma i mirë për familjen e vet, e edhe unë jam ma i mirë për familjen time”.9 Në këtë hadith duhet nënvizuar dy momente:a) Vlerësimi profetik se ma i dobishëm nga njerëzit është ai që është ma i dobishëm për familjen e vet. Kjo është vërtet ashtu, ngase ai që nuk është i dobishëm për familjen e tij, si mund të jetë i dobishëm për tjerët?! Ai që e neglizhon familjen e vet, realisht nuk mund të jetë i dobishëm dhe të përkujdeset për tjerët; b) Praktika profetike e të qenit i dobishëm për familjen e vet. Po ashtu, transmetohet se në një rast tjetër, profeti ka thënë: ”Besimtarët me besim më të kompletuar, janë ata që kanë moral më të mirë, e më të dalluar nga ata, janë ata që janë më të dalluar ndaj grave të tyre”.10 Pra, çështja e familjes, edhe atë duke e theksuar kujdesin dhe mirësinë ndaj familjes ka qenë në qendër të thënieve dhe praktikës profetike.

-Shkurorëzimi vepër e urrejtur: Islami e merr parasysh natyrën e njeriut dhe problemet të cilat janë të zakonshme të lindin në një familje, e në veçanti mes bashkëshortëve. Nisur nga kjo, Islami e ka lejuar shkurorëzimin si një nga mënyrat për të përfunduar mosmarrëveshja dhe vuajtjet e një çifti bashkëshortor, në rast se absorbohen të gjitha mundësitë për të arritur në marrëveshje. Mirëpo, edhe në legalizimin e shkurorëzimit, Islami e ka pasur parasysh ruajtjen e kompaktësisë së familjes dhe e ka ngushtuar rrugën e mundësisë së keqpërdorimit të kësaj lejes. Kështu, profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, e ka definuar këtë çështje në thënien e tij: ”Gjëja e lejuar më e urrejtur te Zoti është shkurorëzimi”.11 Në të drejtën islame, ekzistojnë instruksione se si duhet vepruar në rast mosmarrëveshje mes bashkëshortëve. Shkurorëzimi është opsioni i fundit, e para kësaj duhet kërkuar zgjidhje përmes ndërmjetësve, njerëzve autoritativ, ligjëruesve fetar etj. E gjithë kjo është në drejtim të ruajtjes së familjes dhe shfrytëzimit të të gjitha mundësive sado të vogla që të jenë për pajtimin e bashkëshortëve dhe vazhdimin e kurorës së tyre me qëllim që mos të pësojnë fëmijët dhe të deformohet jeta familjare me ndarjen e bashkëshortëve.

-Ndalimi i prostitucionit dhe homoseksualizmit: Dimensioni moral është dimensioni ma i theksuar në Islam dhe Islami dallohet me dispozita konkrete për ta mbrojtur moralin në nivel individual dhe shoqëror. Në këtë drejtim, duhet theksuar se Islami ka ndaluar çdo formë të lidhjeve ilegale jashtë martesore mes meshkujve dhe femrave, si dhe e ka ndaluar edhe homoseksualizmin duke e trajtuar si deformim që e rrezikon mbarë shoqërinë. Në Kur’an qëndron: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe (32)”.12 Ndalimi i prostitucionit dhe homoseksualizmit, si dukuri negative mund të trajtohen në tre rrafshe:a) Rrafshi moral, që është e qartë se prostitucioni dhe homoseksualizmi janë tregues të një degjenerimi moral të njerëzve përkatës, e që reflekton negativisht edhe më gjerë në shoqëri; b) Rrafshi shëndetësor, ngase këto dy dukuri shkaktojnë edhe sëmundje trupore dhe shpirtërore. Statistikat mjekësore ma e mirë e ndriçojnë këtë të vërtetë; c) Rrafshi familjar, e që është edhe temë boshte e kësaj ligjëratë. Në fakt, krahas dëmeve morale dhe mjekësore, këto dy dukuri janë të dëmshme edhe për familjen, ngase njeriu që është i dhënë pas prostitucionit dhe homoseksuali, ose nuk ka aspak familje, ngase nuk është i aftë për të formuar familje, ose ka familje të shkatërruar. Së këndejmi, ndalimi i këtyre dy deformimeve, krahas tjerave, e dëfton edhe përkushtimin e Islamit ndaj familjes, ngase këto dy dukuri e prekin drejtpërdrejt familjen. Tradita profetike është përplot thënie dhe thirrje për të rinjtë që të martohen, ashtu që në këtë mënyrë ta ruajnë nderin e tyre, gjegjësisht mos bien në haram-atë që fetarisht është e ndaluar, si dhe të formojnë familje.

-Familja, bazament i shoqërisë: Familja është tulla e parë e shoqërisë dhe realisht zhvillimi dhe mirëqenia e një shoqërie varet nga ajo se sa e zhvilluar dhe e ngritur është familja. Nuk mund të flitet për shoqëri të shëndoshë, nëse ballafaqohemi me problemin e familjes së shpërbërë dhe të pa konsoliduar në shoqërinë e tillë. Së këndejmi, Islami familjen e trajton si çështje shoqërore nga e cila varet edhe ardhmëria e shoqërisë, për këtë edhe ia përkushtoi gjithë këtë kujdes të madh. Në këndvështrimin islam, familja ka rol biologjik dhe kulturor. Roli biologjik demonstrohet në vazhdimësinë e llojit njerëzor, gjegjësisht përmes familjes mbetet në jetë gjinia njerëzore. Ndërkaq, roli kulturor shihet në atë se familja është forca që bën transmetimin e vlerave kulturore dhe civilizuese prej një brezi në brezin tjetër. Familja e formuar dhe e konsoliduar bën kultivimin e vlerave kulturore të një populli dhe bartjen e tyre në gjeneratat e ardhshme. Së këndejmi, Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe edukimit të brezave dhe ka theksuar se trashëgimia më e vlefshme që mund t’ia le prindi fëmisë është edukata. Në këtë kontekst është edhe thënia e profetit Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të:”Kur vdes njeriu i ndërpriten të gjitha punët me përjashtim të tre punëve:lëmoshës së rrjedhshme; diturisë dhe veprave shkencore nga të cilat kanë dobi njerëzit dhe fëmisë të formuar drejtë i cili bën lutje për të”.13

-Ndalimi i abortit: Kur flitet për rëndësinë e familjes në Islam, nuk bën pa e përmendur edhe këtë element të rëndësishëm, gjegjësisht ndalimin e abortit. Me qëllim të mbrojtjes së familjes dhe të shoqërisë në përgjithësi nga rënia e natalitetit dhe plakjes së popullatës, Islami e ka ndaluar abortin, me përjashtim të rasteve të veçanta kur kjo është kërkesë e mjekut për t’u mbrojtur shëndeti i nënës.

-Zgjedhja e bashkëshortes: Islami në drejtim të mbrojtjes së familjes, ka paraparë edhe masa preventive. Kështu, për të mos ndodhur deformime familjare, Islami e thirr njeriun të mendojë mirë para se të martohet se çka do të zgjedh për veti. Në këtë drejtim, instruksionet janë të qarta se kriter për zgjedhje të bashkëshortes duhet të jetë morali. Kjo bëhet me qëllim që të sigurohet edukatore e denjë për fëmijët dhe shtyllë e shëndoshë e familjes e cila do të dijë të menaxhojë drejt me resurset njerëzore dhe materiale të familjes. Profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, në një thënie të tij këtë e ka shpjeguar qartë me fjalët:”Gruaja martohet për katër gjëra:”Motiv për t’u martuar me një grua mund të jenë katër gjëra:Pasuria, bukuria, pozita dhe feja-morali. Po ju zgjidhni të fundit, do të jeni fitues”.14 Marrë parasysh rëndësinë e familjes, profeti Muhamed, paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka urdhëruar që të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e bashkëshortes. Së këndejmi, shihet qartë se martesa në Islam, nuk e ka për qëllim thjesht kryerjen e një nevoje si që janë marrëdhëniet intime, edhe pse edhe ato e kanë funksionin e vet, por martesa ka një qëllim shumë ma madhor:vazhdimësinë e llojit njerëzor dhe formimin e familjes së shëndoshë, nga e cila varet edhe shoqëria. Për këtë, qe urdhër i profetit që të zgjidhet për bashkëshorte femra e moralshme dhe e përgjegjshme e cila do të jetë e aftë ta kryej rolin e saj si nënë dhe edukatore. Poqese ishte për qëllim vetëm kënaqja e epshit, atëherë do të thoshte të zgjidhet femra e bukur.

-Respekti familjar, edhe në rast dallimi në besim: Një pikë mjaft e rëndësishme që meriton të ndriçohet kur flitet për pozitën e familjes në Islam, është edhe ajo se Islami aq i ka kushtuar kujdes kompaktësisë së familjes, sa që edhe nëse anëtarët e një familje dallojnë në besim, gjë që ndodh, nuk guxon të prishet harmonia dhe të bie respekti në familje. Nëse një anëtar i familjes nuk është musliman, pra i takon një feje tjetër, kjo në asnjë mënyrë nuk e legjitimon sjelljen arrogante dhe mosrespektin ndaj tij. Në këtë drejtim instruksionet e teksteve fetare janë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Kështu, në Kur’an qëndron: “Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mirë ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të shpiejnë ty që të më përshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i dëgjo ata. Kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni vepruar (8)”.15 Pra, Zoti urdhëron mirësi dhe respekt ndaj prindërve edhe nëse janë të besimit tjetër, por urdhëron po ashtu mbrojtje të identitetit fetar, ashtu që nëse kërkojnë të ndërrohet feja, fjala e tyre nuk do të merret parasysh, por jo edhe të përbuzen e nënçmohen. Në këtë kontekst flet qartë edhe një ndodhi nga jeta e profetit Muhamed. Derisa profeti Muhamed ishte në Medine, kishte ardhur ta vizitojë gruan e tij nëna e saj. Mirëpo, pasi nëna e gruas ishte idhujtare, gruaja e profetit kishte pasur rezervë dhe nuk kishte pranuar të shihet me të para se ta pyes profetin. Me të marrë vesh për këtë, profeti e urdhëroi që ta pranojë dhe gostisë nënë e saj.

Marrë parasysh se familja më e ngushtë përbëhet prej prindërve dhe fëmijëve, pra bashkëshortëve dhe fëmijëve, Islami ka miratuar obligime të caktuara të të gjitha palëve për t’u mbrojtur harmonia familjare dhe për t’u evituar problemet që mund të shkaktojnë shthurjen e familjes. Kështu, Islami ka caktuar obligime reciproke të bashkëshortëve mes veti, po ashtu obligime të tyre si prindër ndaj fëmijëve dhe obligime të fëmijëve ndaj prindërve.

Përmbyllje

Në fund, do të theksojmë se kjo që e prezantuam para jush sot këtu, është vetëm një pjesë e vogël e asaj që mund të thuhet për pozitën e familjes në këndvështrimin Islam. Kjo çështje është trajtuar nga shumë autorë islamë dhe vazhdon të trajtohet, bile realisht duhet trajtuar çdo herë, marrë parasysh rëndësinë e familjes për shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Këtë elaborim do ta përmbyllim me propozimet vijuese:

-Marrë parasysh rolin e fesë në jetën e njeriut dhe në shoqëri në përgjithësi, duhet dhënë hapësirë e mjaftueshme në media për trajtimin e çështjes së familjes nga aspekti fetar.

-Nisur nga fakti se familja paraqet vlerë të pakontestueshme fetare, teologët duhet të bashkëpunojnë me të gjitha subjektet relevante në shoqëri për mbrojtjen dhe kultivimin e familjes.

-Institucionet fetare duhet të hartojnë programe adekuate për avancimin e familjes si vlerë të lartë shoqërore dhe fetare.

-Duhet bashkëvepruar me institucionet relevante në shoqëri, veçanërisht me ato politike dhe ligjvënëse në miratimin e ligjeve që mbrojnë familjen.

-Të veprohet në mënyrë efikase në vetëdijesimin e masës për rrezikun e legalizimit të disa gjërave në emër të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe mosdiskriminimit të minoriteteve gjinore, e që drejtpërsëdrejti e dëmtojnë familjen.

-Të trajtohet në mënyrë akademike pozita e familjes në Islam në kontekstin e integrimeve evropiane, pasi veç muslimanët janë pjesë e UE dhe e vendeve që aspirojnë për në UE. Më duhet të përmend se në këtë drejtim kontribut të shkëlqyeshëm ka dhënë Akademia Evropiane për Fetva dhe Gjurmime me qendër të Dablin të Irlandës.

-Bashkëpunimi dhe aktivizimi i shoqërisë civile në mbrojtjen dhe promovimin e familjes si vlerë shoqërore. Në këtë drejtim vlen të përmendet kontributi në nivel evropian i Federatës së Organizatave Islame në Evropë me qendër në Bruksel, e cila e shpalli vitin 2009 vit familjes dhe me këtë rast ndërmori një kampanjë të gjerë në nivel evropian.

Mr.Bashkim Aliu

[email protected]

www.bashkimaliu.com

——————————————

Literatura

KUR’ANI FAMËLARTË.

ABDULATI, Hamude. 1995. Struktura familjare në Islam. Përktheu prej anglishtes:Urim Poshka. Shkup: Logos-A.

GIDDENS, Anthony. 2004. Sociologjia. Përkthyen nga origjinali:Teuta Starova dhe Kastriot Myftiu. Tiranë: Fondacioni Soros.

HALID, Amër. 2008. Rëndësia e familjes në Islam. Përktheu:Elmaz Fida. Shkup: Furkan ISM.

KUTUB, Sejjid. 1993. Fi dhilali-l-Kur’an. Botimi i njëzetenji. Kajro: Daru esh-shuruk.

EN-NEXHAR, Abdu-l-Mexhid. “Mekasidu esh-sheri’a fi ahkami-l-usreti muvexhxhiheten li ahkami-l-usreti-l-muslimeti fi-l-garb”, në Scientific Review of the European Council for fatwa and research, nr.7, (Juli) 2005. Dublin-Ireland.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit