16.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Posti që të “djeg”: 23 ministra të brendshëm në 25 vjet

Më të lexuarat

Shkarkimi i Saimir Tahirit, që njihet si ministri i rendit më jetëgjatë në 25 vitet e fundit dhe arsyet e vendimit të papritur. Kush janë 23 ministrat e brendshëm nga fundi i sistemit komunist dhe deri më tani. Posti i vështirë që nga disa personazhe u përdor për të njohur ngjitje dhe nga të tjerë që e mbajtën me “pahir” në kohë të vështira.

Nga Sebi Alla

E sulmuan, deri në urrejtje, të tjerë e deshën deri në adhurim, por Saimir Tahiri zgjodhi të mos ndiqte një rrugë brenda të “mesmes së artë”, me profil të ulët, por protagonist i pashmangshëm, emri i të cilit përmendej edhe më shumë se ai i kryeministrit. Në ditën e fundit si një ministër i shkarkuar, ai shkoi edhe një herë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. U prit me emocion, brohoritje e ndonjë përlotje të lehtë nga shumë efektivë policie dhe staf ndihmës duke i treguar para një banderolë: “Faleminderit Saimir Tahiri”. Janë punonjës të strukturave të rendit, që me këtë ministër, të paktën xhepin e kanë më të mbushur, pasi rrogat për një kategori gati ua dyfishoi, por la pas një punë që nga një pjesë lëvdohet shumë, ose kritikohet fort. Deri dje Rama e mbronte Tahirin më shumë se veten, ndërsa në mëngjesin e 12 shkurtit, firmosi shkarkimin e tij, e bashkë me Tahirin edhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe dy figura të tjera “mbushëse”, që nuk po bëzanin, Blendi Klosin dhe Bledi Çuçin. Fati i ministrit më të rëndësishëm, aq fort të anatemuar nga opozita, por edhe nga partia bashkëqëverisëse, LSI-ja, varej vetëm nga një firmë e Ramës dhe në fund vendosi ta shkarkonte, me motivacionin që Rama u përpoq ta kalonte me një batutë, për ta ngarkuar me punët e organizimit të PS-së. Nuk dihet ende nëse shkarkimi i Tahirit ishte një dhuratë që Rama u bëri PD-së, LSI-së, apo një pjese të ndërkombëtarëve të pakënaqur me punën e luftës kundër drogës, veçanërisht në vitin që lamë pas, apo ishte një tentativë e Ramës për të shpëtuar veten. Fatet e shumë ministrave të brendshëm kanë qenë të ndryshme, duke njohur nga personazhe me profil të ulët teknik, apo partiakë pa shumë brumë, deri në figura të forta politike. Duke dhënë “arsye” për largimin e Tahirit, Rama e konsideroi ministrin si: “kampioni ynë që riktheu besimin te policia e shtetit, nga një institucion i korruptuar që ishte”. Mirëpo një “vegjë” do ia vendoste shtambës së thyer dhe këtë largim e justifikoi me angazhimin e Tahirit në fushatën për zgjedhjet e 18 qershorit. I ardhur nga investimi i fortë publik personal, Tahiri krijoi profilin e tij sidomos gjatë kohës kur PS-ja ishte në opozitë. Një nga zërat më kritikë dhe i artikuluar në ato që denonconte. Paçka largimit, Tahiri mbetet ministri i Brendshëm më jetëgjatë i 25 viteve të fundit. Drejtoi këtë post nga shtatori 2013 deri më 12 mars, duke lënë pas shumë zhvillime, që nëse shqyrtohen ka nga ata që e sulmojnë fort, duke renditur edhe fakte, sidomos çështja e rritjes në nivele mjaft të larta të drogës për vitin 2016, por balancohet edhe nga të tjerë që mendojnë dhe gjykojnë se policia ka ndryshuar, duke e kthyer në sytë e opinionit publik si një institucion të besueshëm. Megjithatë rëndojnë shumë tonelata drogë prodhim “Made in Albania”, të kapura kryesisht në Itali dhe Greqi dhe kjo mbetet një pikë e errët, që mund të ketë ccuar edhe në largimin e ministrit.

Në 25 vite tentativë për një sistem të mirëfillte demokratik, janë 23 ministra të shkarkuar dhe dorëhequr. Pas ministrit të fundit komunist Hekuran Isai, që vegjetoi në ujërat e trazuara të momenteve të fundit të diktaturës, më 22 shkurt 1991, postin e ministrit të Brendshëm e merr Gramoz Ruçi, sot e në të shkuarën, një nga eksponentët kryesorë të Partisë Socialiste. Kohë e vështirë për të dhe vendin në periudhën kur mori postin e rëndësishëm dhe më pas në kohë të ndryshme, gati pak javore, pozicioni i ministrit të Brendshëm kaloi tek Aredin Shyti, Bajram Yzeiri dhe Vladimir Hysi. Këta ministra thjesht shtynin javët në zyrën e atij sistemi që po rrënohej nga brenda duke pasuar njëri-tjetrin, deri në rënien përfundimtare të sistemit komunist. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike dhe forcat e tjera të djathta morën pushtetin dhe nga ai moment, historikisht njihet si një tjetër erë e re në politikë. Ministër i Brendshëm u vendos Bashkim Kopliku, nuk zgjati shumë në këtë detyrë dhe nga lufta e brenda llojit në PD, do kishte lëvizje në qeveri dhe në vend të tij u emërua Agron Musaraj. Postin, Musaraj e mbajti për një kohë të gjatë, për tri vite, deri më 1996, periudhë disi e qetë, për t’ia lënë më pas detyrën Halit Shamatës. Ky i fundit, pak muaj do e drejtonte qetë, sepse në vend nisën trazirat e vitit 1997. Kjo ishte kohë kur askush nuk ofrohej me dëshirë në pozicionin e ministrit të Brendshëm, madje ai që do e pranonte, mund të konsiderohej jo i privilegjuar, por një njeri “hero” që merrte përsipër shumë risk. Në katrahurën e atyre ditëve në vitin 1997, Ministria e Brendshme merrte e jepte ministra të rinj dhe pasuesi i Shamatës qe Belul Çela, që për pak muaj do rrinte në detyrë, ndërsa në kalim të pushteteve ai do jepte dorëheqjen, duke ia lënë “stafetën” për vetëm një muaj Ali Kazazit. Pas qershorit 1997 nisi epoka e të majtës në qeverisje, por sërish në një kohë mjaft të vështirë për ministrat e brendshëm. Në duart e shqiptarëve krekoseshin mijëra armë të rrëmbyera në depot ushtarake dhe shpesh shkreheshin në mes të rrugës, duke kthyer çështjen e rendit në sfidën kryesore, madje jetësore për vendin. Teksa hapej edhe me aleatët, kryeministri i ri Fatos Nano, detyrën e ministrit të Brendshëm e shpërndante sa nga të tijtë, deri te partitë në koalicion. Këtë pozicion të vështirë në atë situatë të trazuar ia ofroi arkeologut dhe profesorit të njohur Neritan Ceka. E drejtoi për disa muaj dhe më pas u ofrua Perikli Teta. Më vonë Ministria mbeti në duart e Petro Koçit, që e drejtoi deri në shtator të vitit 2000. Në pesë vitet në vijim kjo Ministri do njihte Spartak Poçin, Ilir Gjonin, Stefan Çipën, Luan Ramën dhe në fund Igli Toskën. Që të gjithë lanë diçka, dikush njihet për dorë të fortë, e të tjerë u larguan me vërshëllima bilbilash, apo edhe ikën nga pushteti duke u ankuar se opozita u vodhi mandatin në zgjedhjet parlamentare…

Me rikthimin e PD-së dhe aleatëve të saj në pushtet në vitin 2005, kryeministri Sali Berisha vendosi që t’i jepte rëndësi këtij pozicioni, duke emëruar në këtë detyrë Sokol Olldashin. Në dy vjet që mbajti këtë post, Olldashi la shenjë në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, aq sa nga e djathta u pa si kandidati me potencialin më të madh për të “mposhtur” në krye të bashkisë së Tiranës Edi Ramën. Vendin e Olldashit e zuri Bujar Nishani, (sot president i vendit) ku edhe kësaj radhe Berisha zgjodhi ta mbajë këtë ministri me profil disi të lartë politik, madje si një “zyrë instruktazhi” për të mundur në Bashkinë e Tiranës Edi Ramën. Në vitin 2009, pas zgjedhjeve të reja të përgjithshme, Berisha rikonfirmoi mandatin dhe në qeverinë e re Ministrinë e Brendshme ia besoi Lulzim Bashës, pozicion të cilin e mban deri në vitin 2011. Sërish kjo ministri “lindte” kandidatë të mundshëm për të mposhtur Ramën nga kryebashkiak i Tiranës dhe Basha mundi të fitonte, edhe pse me shumë kontestime, bashkinë e kryeqytetit. Me gjasë “kostumi” i ministrit të Brendshëm që “veshi” Basha para përballjes me Ramën e ndihmoi disi që të dilte fitues. Me ikjen me “ngritje” të Bashës, Nishani rithirret në detyrën që mbajti më parë, por e la me “dëshirë” në vitin 2012, pasi u zgjodh President i Republikës. Ndër të gjithë këta figura të PD të gjithë ikën për të shkuar më lart, por në vitin e fundit të qeverisjes, PD e “prishi” këtë rregull, kur Ministrinë e Brendshme ia besoi Flamur Nokës, një personazh politik që në fillim u pa me skepticizëm edhe nga deputetë të PD-së, por përsëri për një vit iu besua pozicioni mjaft i rëndësishëm. Ndryshimi i pushtetit solli qeverinë e re dhe ndër emrat e parë që dolën për postet ministrore, ai që u artikulua qartë dhe pa “kandidaturë rivale” ishte Saimir Tahiri. Hyri në atë zyrë dhe qëndroi për 3.5 vite dhe u detyrua ta linte jo me dorëheqje, por me heqje… Fatet e ministrave të brendshëm u kushtëzuan shpesh nga gjendja politike dhe në shumë raste kokat e para të “prera” politike janë ato të ministrave të brendshëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit