Njësia për kërkim shpëtim e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë filluar kërkimet në terrenin malor për të kërkuar telefonin e njërit prej policëve të zhdukur nga aksidenti i së shtunës.
Kërkimet kanë nisur pasi kanë marr informacione nga Posta e Kosovës se në këtë zonë malore ka sinjale telefonike, njofton Klan Kosova.
Kërkimet tashmë kanë filluar nga FSK-ja, Policia në terenin lumor e malor.
Ndërkaq Bechtel Enka e Policia e Kosovës nuk po lejojnë gazetarët të kalojnë poshtë tek vendi i ngjarjes ku ka ndodhur aksidenti.
Ndërkohë është thënë se edhe sot do të ketë kërkim për dy policët që janë zhdukur të shtunën në mbrëmje.
Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se kërkimet do të rifillojnë sërish sot në mëngjes.
Në kërkim të dy policëve për fatin e të cilëve nuk dihet ende, janë vënë përveç Policisë edhe zhytësit e FSK-së, zhytës vullnetarë, banorë të zonës si dhe policia e Maqedonisë.
Malësor Dashi dhe Armend Trena, të dytë policë të stacionit të Kaçanikut dyshohet se me veturën e tyre zyrtare derisa po udhëtonin nga Hani i Elezit në Kaçanik kanë rënë në lumin Lepenc.
Që nga ai moment nuk është gjetur asnjë shenjë e dy policëve, përveç veturës e cila është nxjerr nga uji natën e aksidentit.