9.1 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Pikëpyetjet e atentatit terrorist të Nju Jorkut: si u kthye papritur në sebepin për anullimin e Lotarisë Amerikane

Më të lexuarat

Prej ditës së djeshme, jo vetëm opinion publik në SHBA por edhe në mbarë botën po debaton mbi atentatin terrorist që ndodhi në Nju Jork, ku një emigrant uzbek përplasi me komionçinën e tij një grup kalimtarësh dhe çiklistësh, duke vrarë 8 vetë dhe plagosur të tjerë.

Është quajtur menjëherë “akt terrorist”, pasi policia dhe FBI kanë gjetur brenda kamionit një pusullë të shkruar në arabisht, e cila i bënte jehonë ISIS-it.

Është alarmuar jo vetëm Nju Jorku si qytet-shtet, por edhe e gjithë SHBA, si dhe opinion publik ndërkombëtar.

Në SHBA, kjo ngjarje ka shërbyer për ringjalljen e politikës nacionaliste dhe antiemigrante të Presidentit Trump, i cili ndodhej në një periudhë shumë të keqe politikisht.

Prokuroria sapo ka regjistruar zyrtarisht të pandehurit e parë për ndërhyrjen ruse në fushatë elektorale.

Vetë Trump nuk e la ngjarjen të rrjedhë por ka gjetur menjëherë shkakun e saj që ndodhi në Nju Jork: është Lotaria Amerikane, një program i ngritur prej vitit 1990 dhe që ka sjellë në SHBA nga 55 mijë persona në vit nga një numër shtetesh, popullsia e të cilëve nuk ka qenë shumë e përfaqësuar në Amerikë.

Nga Lotaria kanë përfituar mjaft dhe shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia gjithë këto vite, të cilët kanë nisur një jetë të re në SHBA dhe përbëjnë një komunitet të konsoliduar shqiptaro-amerikanësh.

Trump e sulmoi Lotarinë si shkak, pikërisht se inicuesi i ligjit që e themeloi këtë proces quhet Chuck Shchumer, një senator nga Nju Jorku, lideri i demokratëve në Senat dhe një kandidaturë e mundshme për President në zgjedhjet e vitit 2020.

Kaq e thjeshtë është jehona e këtij atentati terrorist, i cili gjithsesi është i rëndë dhe po hetohet, pasi edhe autori Sejfulla Saipov, 29 vjeç nga Uzbekistani është arrestuar.

Fiks një muaj më parë, në Las Vegas, Stephen Paddock, një amerikan 64-vjeçar i shtresës së mesme dhe banor në Nevada, me precedentë psikokriminalë në familje, mbushi dhomën e një hoteli me 5 yje me një arsenal të madh armatimi dhe municionesh, dhe më pas nga dritarje zbrazi karikatorët ndaj një turme që po ndiqnin një koncert të muzikës country, ku vrau 50 vetë dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë.

Vetë Donald Trump shkoi në Las Vegas-Nevada, një shtet ku ka shumë përkrahës, lavdëroi emergjencat civile, mjekët, policinë, sherifin, por nuk tha asgjë për shkaqet e asaj katastrofe të tmerrshme.

Akti nuk u quajt “terrorist”, pasi autoritetet nuk gjetën lidhje të vrasësit me ndonjë organizatë politike apo që përdor terrorin për qëllime politike.

Megjithatë, ngjarja ishte një masakër që në SHBA ndodh shpesh.

Dhe mediat amerikane, shoqëria, por edhe përfaqësues të njohur të inteligjencës e shikojnë shkakun e kësaj dhune pikërisht tek atmosfera e rëndë e përçarjes dhe ndasive që ka kapluar Amerikën që prej ardhjes së Donald Trump-it, por edhe më shumë prej lehtësisë që ekziston në SHBA për të blerë armë zjarri.

Ata mund të blihen shumë lehtë, nga kushdo në magazinat e mëdha së bashku me municione. Kjo lloj tregtie mbrohet e lobohet fuqishëm nga Shoqata Kombëtare e Armëve që është edhe sponsori më i madh i republikanëve.

Në intervistën e fundit në televizionin publik të SHBA, PBS, Presidenti i atëhershëm Barack Obama, foli për shitjen e armëve dhe e krahasoi me marrjen e një patente për drejtimin e makinës.

“Ne për drejtim automjeti japim një leje të posaçme, pas disa kurseve, por edhe një sërë analizave apo kontrolli të kandidatit, dhe e bëjmë këtë natyrisht për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Por kur japim armë zjarri, ne i kërkojmë thjesht një kartë krediti, por as nuk dimë nëse blerësi është me precedentë penalë apo problem mendore;

as nëse ka ndonjë problem në përdorimin e armëve të zjarrit, të cilat janë më të rrezikshme sesa automjeti, për të cilin bëhet shkollë teorie dhe praktike”, tha Obama.

Presidenti në mbarim të mandatit dontë ta kanalizonte debatin politik për zgjedhjet presidenciale pikërisht tek problem real i sigurisë, siç janë armët e zjarrit.

Por Shoqata Kombëtare e Armëve e mbylli menjëherë këtë debat duke hapur një fushatë të tmerrshme raciste kundër emigrantëve, muslimanëve, njerëzve me ngjyrë por edhe të ashtuquajturve “jo-amerikanë”.

U vendos në krye të herës ideologjia “America First”, që nuk është gjë tjetër veçse një slogan përçarës dhe denigrues.

Por më e keqja është se ky debat tashmë po mbush të gjithë opinionin publik amerikan ku fake news-et janë thelbi i nisjes së debatit që nuk bëhet për atë që është problem real, por mbi një problem të stisur.

Nëse 29-vjeçari uzbek ishte terrorist, nuk ka pse të jetë fajtore Lotaria, pasi akte terroriste kanë kryer edhe qytetarë që kanë hyrë në SHBA në mënyrë të rregullt apo edhe shtetas e të lindur në SHBA.

Terrorizmi është një fenomen i lashtë sa vetë bota dhe ka qenë gjithmonë një instrument politik për të arritur një qëllim, i cili nuk arrihet me mjete të tjera.

Me terroristët ose ka luftë ose negociata, nuk ka gjetur bota deri tani një zgjidhje tjetër… /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit