-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përkujdesja dhe edukimi i fëmijës në të drejtën islame

Më të lexuarat

Shprehja el-hadanetu, në kuptimin etimologjik do të thotë përkujdesje, edukim, ndërsa në shkencën e fikut, me përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës (el-hadanetu) kuptohet: “Edukimi dhe përkujdesja e fëmijës për atë që ka të drejtë të kryej këtë obligim”.

Përkujdesja dhe edukimi vlen për atë fëmijë, i cili nuk është në gjendje të dijë të dallojë të keqen dhe të mbrohet nga ajo, që nuk di të zgjidhë çështjen e ushqimit, pijes, veshmbathjes, pastrimit të trupit, pastrimit të rrobave etj. Pra, përkujdesja dhe edukimi i fëmijës (el-hadanetu) ka të bëjë vetëm për fëmijën, i cili nuk di të dallojë të mirën nga e keqja, si dhe për njeriun e çmendur, pavarësisht faktit nëse është në moshë të rritur apo jo.

Norma e përkujdesjes dhe e edukimit të fëmijës është diçka e domosdoshme, sepse lënia pas dore e këtij obligimi do të shkaktonte dëmtimin e fëmijës.

Përkujdesja dhe edukimi i fëmijës është obligim i domosdoshëm, ashtu siç është obligim furnizimi dhe mbrojtja e tij nga dëmet e jetës.

Përkujdesja dhe edukimi i fëmijës kërkon maturi, shkathtësi, durim dhe moral të lartë. Nëse dikush lutet për t’i ardhur vdekja fëmijës, te cilin e ka nën kujdes dhe edukim, kjo përbën diçka të urryer, ashtu sikundër është e urryer që njeriu të lutet kundër vetes, kundër shërbëtorit dhe pasurisë së tij. Për këtë kemi si argument fjalët e Pejgamberit (s.a.v.s.): “Mos bëni dua kundër vetës tuaj, kundër fëmijëve tuaj, kundër shërbëtorëve tuaj, kundër pasurisë tuaj…” (Muslimi dhe Ebu Davudi).

Ebu Musa nga Ibn Abbasi (r.a.) transmeton: “Vërtet Eus bin Ibadet el-Ensariu kishte hyrë te Pejgamberi (s.a.v.s.) dhe i kishte thënë: “O Pejgamberi i Zotit, unë kam shumë vajza, e lus Allahun qe t’u sjellë vdekjen atyre” e Pejgamberi (s.a.v.s.) u përgjigj: “Mos u lut kundër atyre, se vërtet në vajzat ka begati (bereqet), ato janë bukuri e begative, janë ndihmuese ne fatkeqësi dhe sëmundje, ato janë të vlefshme në tokë dhe furnizimi i tyre (rrisku) është te Allahu”.

Kush meriton te kujdeset dhe edukoje atë që ka nevojë për përkujdesje dhe edukim. Në lidhje me faktin se kush e meriton më shumë të përkujdeset për fëmijën dhe të merret me edukimin e tij, juristet islame (fukahat) i japin përparësi disa individëve ndaj tjerëve, gjë të cilën e bëjnë vetëm e vetëm për të mbrojtur sa më shumë interesin e atij që ka nevojë për përkujdesje dhe edukim. Kështu, mes meshkujve dhe femrave, ata mendojnë se femrat e meritojnë më së shumti përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, sepse janë më të dhembshme, dinë të edukojnë më mirë, janë më durimtare për ta zbatuar këtë obligim e në të njëjtën kohë janë më të afërta me fëmijët.

Por, edhe mes grave ka që e meritojnë më tepër se të tjerat kryerjen e një obligimi të tillë.

1. Nëna e meriton më shumë përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës. Nëna nuk mund ta kryejë këtë obligim nëse ajo është murtede (renegate), mëkatare e madhe si, f.v., nëse ajo është prostitutë, vjedhëse etj., sepse nëse ajo jepet pas veprimeve të tilla, mund të ndodhë që fëmija të ketë probleme në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij. Dhënia përparësi nënës në el-hadanetu është sunet i Pejgamberit (s.a.v.s.).

Transmetohet se ka ardhur një grua te Pejgamberi (s.a.v.s.) dhe i ka thënë: “O Pejgamber i Zotit, vërtet për birin tim barku im ka qenë vendi ku e kam bartur, gjinjtë e mi kanë qenë ushqim për të, këmbët e mia kanë qenë prehje për të, ndërsa babai i tij më ka shkurorëzuar dhe dëshiron të ma marrë!” E Pejgamberi (s.a.v.s.) u përgjigj: “Ti e meriton më shumë fëmijën, përderisa nuk je martuar (me dikë tjetër) “(Ebu Davudi, Bejhekiu dhe Hakimi) Po ashtu, në lidhje me këtë çështje Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: “Atë që ndan fëmijën nga nëna e vet, Allahu do ta ndajë prej dashamirëve të tij në Ditën e Kiametit.”(Ahmedi, Termidhiu dhe Hakimi)

2. Nëna e nënës (gjyshja). Gjyshja meriton ta zbatojë el-hadanetu për shkak të afërsisë që ka me nënën e fëmijës në aspektin e trashëgimisë dhe të lindjes.

Pra, gjyshja e meriton përparësinë në zbatimin e el- hadanetu, nëse ajo është e aftë dhe e gatshme për këtë. Në rast të kundërt ajo nuk meriton ta marrë këtë përgjegjësi.

3. Nëna e babait. Nëse ka vdekur nëna e nënës (gjyshja), apo nuk ka qenë gjallë, atëherë ajo që e meriton më shumë zbatimin e el-hadanetu është nëna e babait.

4. Motra.

5. Motra prej nëne. Motra e fëmijës prej nënës ka më shume përparësi në përkujdesje dhe edukim se motra prej babait.

6. Motra që e ka prej babait.

7. Motra e nënës (tezja) prej të dy prindërve.

8. Tezja e nënës.

9. Tezja e babait.

10. Vajzat e motrës.

11. Vajzat e vëllait.

12. Halla. Nëse nuk ka prej grave, të cilat u përmendën për përkujdesje dhe edukim, atëherë, këtë obligim duhet ta marrë ndonjëri prej burrave që radhiten sipas të drejtës në trashëgimi dhe sipas afërsisë së gjakut, por me të cilët ai fëmije nuk ka të drejte martese. Sipas të drejtës në trashëgimi janë:

1. baballarët, gjyshërit e kështu me radhë,

2. vëllezërit dhe bijtë e tyre,

3. xhaxhallarët, pastaj bijtë e xhaxhallarëve.

Nëse këta mungojnë, atëherë radha u bie burrave që janë të afërt sa i takon lidhjes së gjakut, të cilët janë:

1. Vëllai prej nënës.

2. Biri i vëllait.

3. Xhaxhai që është prej dy prindërve.

4. Xhaxhai që është vetëm prej nënës.

5. Xhaxhai që është vetëm prej babait.

6. Daja që është prej prindërve të njëjtë.

7. Daja vetëm prej nëne.

Kushtet që duhet të plotësohen për t’u zbatuar (për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës) janë:

1. Kujdestari apo kujdestarja, të jetë i/e mençur. Nuk lejohet qe t’i besohet përkujdesja dhe edukimi i fëmijës njeriut që është i matufosur apo i çmendur,

persona të tillë janë të paaftë për ta kryer këtë detyre.

2. Kujdestari-kujdestarja të jetë në moshë madhore. Personit që nuk e ka arritur moshën madhore, qoftë edhe i aftë për të dalluar të mirën nga e keqja, nuk i besohet kryerja e kësaj detyre.

3. Aftësia për të edukuar atë që meriton përkujdesje. Nuk i lejohet përkujdesja burrit apo gruas që nuk është në gjendje ta edukojë personin që ka nevojë për përkujdesje. Për shembull, i verbëri nuk ka mundësi ta edukojë personin që ka nevojë për përkujdesje. Po ashtu nuk lejohet ta marrë përsipër një detyrë të tillë as i sëmuri rëndë që vuan nga ndonjë sëmundje, e cila e pengon të angazhohet në edukimin e personit në nevojë etj.

4. Besueshmëria dhe morali. Është e domosdoshme që ai i cili ka marrë përsipër obligimin për përkujdesjen dhe edukimin (el-hadanetu), të jetë patjetër prej njerëzve të besueshëm, por edhe të pajisur me virtyte e moral të mirë. Personi, i cili e ka marrë përgjegjësinë për përkujdesje dhe edukim nuk duhet të jetë prej mëkatarëve të mëdhenj e as njëri i pabesë. Në këtë rast, nuk kushtëzohet që personi, i cili ka marrë përgjegjësinë për përkujdesje dhe edukim të jetë edhe i drejtë.

5. Kujdestari te jete musliman. Rreth këtij kushti dijetarët islamë kanë divergjenca. Disa mendojnë se ky kusht nuk është i domosdoshëm dhe konsiderojnë se nuk është e thënë që kujdestarja të jetë muslimane, por mund të jetë ithtare e librit, mushrike (politeiste), pavarësisht nëse është apo jo nëna e fëmijës. Si argument merret rasti i Pejgamberit (s.a.v.s.), i cili e ka lejuar fëmijën te beje zgjedhje mes babait musliman dhe nënës mushrike (politeiste), për të vendosur se cili do të kujdeset për edukimin e tij. Fëmija një herë ka anuar kah nëna, për çka Pejgamberi (s.a.v.s.) u lut: “O Zot, udhëzoje këtë fëmijë, i cili u kthye nga babai.” Ndërsa disa nga dijetarët mendojnë se ky kusht është i domosdoshëm, duke ngulmuar se fëmija nuk mund të lihet nën përkujdesjen dhe edukimin e një jomuslimani apo të një jomuslimaneje.

6. Kujdestarja të mos jetë e martuar. Kur kujdestarja martohet me ndonjë të largët që nuk është i afërm i fëmijës, atëherë ajo nuk mund të merret më me përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës. Mirëpo, nëse ndodh që kujdestarja të martohet me ndonjë të afërt të fëmijës si, fjala vjen me axhën e fëmijës, atëherë mund të vazhdojë të merret me përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës. Si argument për këtë mund të përmendim hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.). Një grua i ka thënë Pejgamberit (s.a.v.s.): “0 Pejgamberi i Zotit, vërtet për birin tim barku im ka qene vendi ku e kam bartur, gjinjtë e mi kanë qenë ushqim për të, këmbët e mia kanë qenë prehje për të, e babai i tij më ka shkurorëzuar dhe dëshiron të ma marrë!” E Pejgamberi (s.a.v.s.) u përgjigj: “Ti e meriton më shumë atë, përderisa nuk je martuar (me dikë tjetër)”(Ebu Davudi Behjekiu dhe Hakimi).

7. Kujdestari-kujdestarja të jenë të lirë. Robi apo robëresha nuk kanë mundësi të zbatojnë obligimin e përkujdesjes dhe të edukimit të fëmijës, ngase ata janë të ngarkuar me obligimet e zotërisë. Kushtet që duhet të plotësojë personi, i cili ka nevojë për përkujdesje dhe edukim: Personi që ka nevojë për përkujdesje dhe edukim duhet të plotësojë këto kushte:

1. të ketë nevojë për përkujdesje dhe edukim, për shkak të të qenit i paaftë të mbrohet prej të këqijave dhe dëmeve,

2. të jetë foshnje,

3. të jetë i matufosur,

4. të jetë i çmendur.

Përsa i përket personit që ka hyrë në moshën madhore e që është i aftë ta mirëmbajë veten, ai nuk meriton përkujdesje.

Pagesa për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës

Pagesa për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës është e barabartë me pagesën për gjidhënie. Nëna nuk meriton të paguhet për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës, e nëse është e shkurorëzuar dhe ende është në kohen e pritjes. Po ashtu, asaj nuk i takon pagesa ngase ende furnizohet nga burri i saj. Kur të kalojë koha e pritjes pas shkurorëzimit, atëherë asaj i takon shpërblimi, siç i takon edhe mëndeshës (gjidhënëses me pagese).

Është obligim për babanë që t’ia paguajë kujdestarit vendstrehimin, por edhe shërbëtorin nëse kujdestari i fëmijës është i nevojshëm për të, kuptohet me kushtin që babai të ketë mundësi materiale.

Përfundimi i kohës së përkujdesjes dhe të edukimit te fëmijës

Përkujdesja dhe edukimi i fëmijës mbaron atëherë kur ai bëhet i aftë dhe arrin moshën kur mund të jetë i pavarur dhe mund ta mirëmbajë veten, pra të ushqehet vetë, të vishet, të pastrohet etj.

Hanefintët mendojnë se kur fëmija arrin moshën shtatë vjeçare, ai nuk është nevojtar më për përkujdesje. Mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.): “Urdhëroni fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatëvjeçare” Disa nga hanefitët mendojnë se fëmija ka nevojë për përkujdesje deri në moshën nëntë vjeçare.

Ma. sci. Flamur Sofiu / Etika nr: 33, Dhjetor 2010

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit