Marrëdhëniet familjare luajnë rol të madh në forcimin dhe qëndrueshmërinë e lidhjes së anëtarëve të familjes dhe ka një ndikim në zhvillimin dhe formimin emocional të fëmijës.
Atmosfera emocionale, psikike e fizike që krijon familja, fëmijës i jep forcë serioze për t’u përshtatur me vetveten, familjen dhe me shoqërinë. Për këtë shkak familja ka nevojë për program edukativ që siguron ardhmërinë e saj, duke bërë shpërndarjen e roleve, përgjegjësive e detyrimeve vetëm e vetëm që fëmija të rritet i shëndoshë dhe i aftë në familje.
Fëmijët janë thesari dhe dhurata më e vlefshme me të cilën Allahu xh.sh.i shpërblen prindërit. Për t’u ruajtur ky thesar, përmes edukimit të tyre duhet t’u kushtohet kujdesi i veçantë që nga faza foshnjore, për të vazhduar në moshën e fëmijërisë, të shkollimit dhe të pjekurisë.
Çdo prind duhet të marrë obligim të rëndë që këtë përgjegjësi ta kryejë me nder e seriozitet dhe, krahas kësaj, duhet të ndiejë e të çmojë vlerën e qenies së re që do të bëhet pjesëtar i denjë i shoqërisë njerëzore, e prindi, si paraardhës i saj, duhet të tregojë kujdes që ajo shoqëri të mos jetë e prishur, që bartës të së ardhmes së saj të mos jenë breza të degjeneruar, po të jenë breza të kualifikuar me cilësi të pastra, në mënyrë që të kemi një shoqëri me vizion të shëndoshë e me vlera të larta njerëzore, shoqërore, patriotike-kombëtare. Në kohën tonë, kur çdo gjë sikur
ndodh me të shpejtë “fast time”, obligimet prindërore disi janë zbehur. Rol jetik në këtë mes po luajnë mediet dhe zbavitjet me lojëra të ndryshme kompjuterike. Një mungesë mbikëqyrjeje apo lënie e lirë që fëmijët të lundrojnë në rrjete të ndryshme sociale, zbeh edhe më imunitetin mendor të fëmijëve, të cilët po bien pre e pamjeve të rënda e të trishtueshme nga këto rrjete.
Prandaj prindi duhet të ketë nën kontroll sjelljen e fëmijës, të shohë me kë shoqërohet në internet, çfarë uebsajtesh hap dhe çfarë gjurmon në net. Fundja, kjo është edhe përgjegjësi me të cilën e ka ngarkuar Allahu. Prindërit duhet të përçojnë tek fëmijët dashuri, respekt e qetësi.
“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), kështu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rrum, 21).
Pra, këto veti mbjellin tek fëmija ekuilibër, qëndrueshmëri e dashuri të ekuilibruar. “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (El Kehf, 46). “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj.” (En-Nisaë,11).
“Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plotë.” (El Bekare, 233)
Po ashtu, edhe i Dërguari a.s. shtonte dhe përkujdesej vazhdimisht për fëmijët, qoftë edhe brenda në namaz.“Ai a.s. ishte duke u falur. Kur e bëri sexhden, Hasani dhe Husejni kërcyen mbi shpinën e tij. Kur njerëzit provuan t’i pengonin ata të dy, ai ua bëri me shenjë që t’i linin të qetë. Kur mbaroi namazin, i mori ata në prehrin e tij dhe tha: “Kushdo që më do mua, duhet t’i dojë edhe këta të dy”. (Ibn Huzejme në Sahihun e tij, me isnad hasen nga Ibn Mes’udi (887), dhe Bejhekiu në formën mursel).
Fëmijët tek çdo popull përbëjnë gjysmën e së tashmes dhe gjysmën e së ardhmes. Dhe një komb që mund të përballojë për të ndërtuar dhe ngritur fëmijët e tyre në përputhje me qëllimet dhe aspiratat e tyre, është një komb që mund të mbrojë praninë e vet dhe kontrollin në të ardhmen. Prandaj, shkencëtarët këshillojnë që fëmija i së ardhmes duhet të edukohet mirë dhe të zhvillojë aftësitë prodhuese për t’u përshtatur në botën e ardhshme dhe për t’u bërë ballë ndryshimeve të shpejta, qoftë zhvillimit psikologjik e mendor dhe ndryshimeve të jashtme, sepse përndryshe ai do të ndihet i tjetërsuar nga bota e re, ku ka mundësi të bjerë pre nga shokët dhe e ardhmja.
Prof.Ass.Dr. Rexhep Suma