4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pengesat martesore (1)

Më të lexuarat

Pengesat martesore janë rrethana dhe fakte që nuk duhet të ekzistojnë në momentin e lidhjes së martesës. Pengesat martesore janë ndalesa apo kufizime nga të cilat nuk mund të kryhet martesa në mes kategorive të lidhjeve të caktuara shoqërore,

Kuptimi i pengesave martesore

Të gjitha këto kufizime të martesës janë të parapara në ajetet kuranore dhe si të tilla janë të përhershme dhe vlejnë për të gjitha kohërat, pa marrë parasysh rrethanat e ndryshme shoqërore, periudhat e caktuara kohore, apo kushtet jetësore. E drejta e Sheriatit edhe pse e ligjësoi martesën, porositi dhe nxiti për martesë, ajo ka caktuar rregullat, dispozitat për martesë dhe nuk lejoi lidhje të martesës kur ekzistojnë pengesa martesore.

Në të drejtën e Sheriatit pengesat martesore janë:

• Pengesat e përhershme martesore;

• Pengesat përkohshme martesore.

Pengesat e përhershme janë ato pengesa që ia ndalojnë personit lidhjen martesore përgjithmonë, ndërsa pengesat e përkohshme janë kur personave iu ndalohet për një kohë të caktuar lidhja e martesës për një shkak apo arsye dhe me eliminimin e atij shkaku eliminohen edhe pengesat martesore.

Pengesat martesore të përhershme

a) Pengesat për shkak të afërsisë së gjakut;

b) Pengesat për shkak të afërsisë së qumështit-gjirit;

c) Pengesat për shkak të afërsisë së krushqisë (miqësisë).

Këto pengesa janë të përmendura në ajetin e mëposhtërn kuranor:

“Ju ndalohet martesa me nënat e tuaja, me vajzat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me vajzat e vëllezërve dhe vajzat e motrave, me nënat (gratë) që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja, që kanë thithur prej një gjiri, me nënat e grave tuaja, me vajzën e gruas suaj që gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, e nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa. Ju ndalohet martesa me gratë e djemve tuaj … ” (En-Nisa, 23).

Nga ky ajet kuranor rrjedhin qartë përkufizimet juridike të ndalimit të martesës me kategorinë e caktuar të femrave sipas lidhjes së gjakut, gjirit dhe të krushqisë.

Pengesat sipas gjinisë së gjakut – Lidhur me pengesat e përhershme, nga afërsia e gjakut, Zoti i Lartësuar thotë: “U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, vajzat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, vajzat e vëllait, vajzat e motrës … “(1)

a) Pengesat martesore për shkak të gjinisë së gjakut janë:

• Paraardhësit e personit dhe loza e tyre siç janë: nëna, nëna e nënës, nëna e babait e me radhë;

• Pasardhësit e personit si: vajza, vajza e vajzës, vajza e djalit e me radhë;

• Pasardhësit prej prindërve ose njërit prej tyre siç janë motrat prej babait dhe nënës, ose motrat vetëm prej babait ose vetëm prej nënës dhe vajzat e tyre, vajzat e vajzave të tyre, vajzat e vëllezërve e të motrave e kështu me radhë;

• Pasardhësit prej gjysheve dhe gjysh ërve të shkallës së parë, e që janë: hallat, tezet, qofshin ato halla apo teze të vetë personit, apo janë halla ose teze të babait apo nënës ose të njërit prej gjyshërve.(2)

Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të) i nxiste shokët e vet duke iu thënë: “Largohuni (në martesë), mos u dobësoni.”(3)

Prandaj, duke u bazuar në thënien profetike, në traditën pozitive dhe nga trashëgimia jonë tradicionale, jemi të rekomanduar që sa më shumë të largohemi në lidhjen e martesës me personat e gjinisë së gjakut.

b). Pengesat sipas gjirit (gjidhënies)

Zoti i Madhëruar personat që janë të ndaluar sipas gjirit (qumështit) i ka përmendur në fjalët: “…edhe nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, edhe motrat nga gjiri…”(4)

E ndaluar sipas gjirit (qumështit) është krejt ajo që është e ndaluar sipas afërsisë së gjakut, siç ka thënë i Dërguari i Zotit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi tël) “Ndalohet në vijë nga qumështi, gjithçka që ndalohet nga afërsia e gjakut.”(5)

Ajeti kuranor dhe hadithi që cituam më sipër, kanë shërbyer për bazë që juristët e të drejtës së Sheriatit të konstatojnë se kush konsiderohet i afërt nga gjiri. Prandaj rregull i përgjithshëm është që gjithçka që ndalohet nga afërsia e gjakut, ndalohet edhe nga afërsia e qumështit. Afërsia nga gjiri (qumështi) krijohet atëherë kur gruaja i jep gji një fëmije të tjetërkujt drejtpërdrejt me gji ose duke e shtrydhur gjirin dhe atë qumësht t’ia japë me diçka tj etër.(6)

Pengesat martesore sipas afërsisë se gjirit (qumështit) janë:

• Gruaja që i ka dhënë gji, e cila konsiderohet nënë e tij nga qumështi;

• Nëna e gruas që i ka dhënë gji, pasi ajo konsiderohet si gjyshja e tij;

• Vjehrra e nënës së qumështit, e cila konsiderohet gjithashtu si gjysha e tij;

• Motra e nënës së qumështit, pasi ajo konsiderohet si tezja e tij;

• Motra e burrit të nënës së qumështit, pasi ajo konsiderohet si halla e tij;

• Vajzat e djemve, dhe vajzat e nënës së qumështit, pasi ato konsiderohen si vajzat e vëllezërve dhe motrave të tij;

• Motrat nga qumështi, qofshin ato motra nga njëri ose të dy prindërit.(7)

• Sasia e qumështit – Sa i përket sasisë së qumështit që ndikon në këtë ndalesë, shumica e juristëve islam konsiderojnë se ajo sasi, qoftë edhe fare e vogël, ndikon në ndalimin e martesës.

Juristët e shkollës juridike hanefite deklarojnë: “Nëse qumështi arrin në brendi të fëmijës vërtetohet afërsia, qoftë edhe nëse sasia është shumë e vogël.” Argumenti i tyre janë fjalët e Zotit të Lartësuar: ” … edhe nënat tuaja që ju kanë dhënë gji. .. “(8) Ndërsa juristët e shkollës juridike shafite dhe hanbelite thonë: ”Afërsia krijohet vetëm pas pesë thithjeve që e kanë ngopur fëmijën”, në bazë të thënies së profetit në të cilin thuhet: “Nuk fillon ndalimi për shkak të një apo dy fyteve.”(9)

Mosha për gjidhënie – Mosha e cila bëhet shkak ndalimi në martesë është kur foshnja nuk e ka kaluar moshën dy vjeçare. Zoti i Lartësuar thotë: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota …. “(10)

Fëmija në këtë moshë është i vogël dhe qumështi i gruas i mjafton atij për ta ushqyer dhe për zhvillimin e trupit dhe ai konsiderohet pjesë e trupit të saj të gjidhënies, për këtë arsye bëhet shkak ndalese në martesë si fëmijë i saj i vërtetë.

Në qoftë se fëmija ndahet nga gjiri para se t’ i mbush dy vjet dhe ushqehet me gjëra të tjera, pastaj një grua i jep atij qumësht nga gjiri i saj, kjo gjidhënie sipas shkollës juridike hanefite dhe shafite konsiderohet shkak ndalimi në martesë duke u mbështetur në fjalët e Profetit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi tël), “Gjidhënia konsiderohet atëherë kur fëmija pi nga uria.”(11)

Dëshmia për gjidhënie – Shumica e juristëve studiues të Sheriatit janë të mendimit se nuk mjafton dëshmia e një gruaje sepse ajo konsiderohet dëshmi për vetvetën. Hanefitë kushtëzojnë dëshminë e dy burrave ose një burri dhe dy grave për gjidhënie dhe nuk pranojnë dëshminë e vetme të grave, për këtë ata bazohen në fjalën e Zotit të Madhëruar: “ … kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk gjeni dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që pëlqeni … ”(12)

Qumështi i përzier me diçka tjetër – Në qoftë se qumështi i gruas përzihet me diçka tjetër si p.sh.me ushqim, pije, ilaç, qumësht kafshe etj., dhe me këtë ushqehet fëmija, atëherë qumështi i gruas bëhet shkak ndalimi vetëm nëse sasia e qumështit të gruas e përbënë sasinë më të madhe.(13)

Ushqimi me qumështin e gruas është shkak ndalimi, pa marrë parasysh nëse ai thithët nga gjiri apo i hidhët foshnjës në gojë ose në hundë pasi me të gjitha mënyrat foshnja ushqehet dhe e largon urinë e tij. Ushqimi me qumështin e gruas në këto mënyra kryen funksionin e gjidhënies dhe ndikon në rritjen e trupit të foshnjës, prandaj ato konsiderohen të barabarta për sa i përket ndalimit.(14)

c) Pengesat sipas krushqisë (miqësisë)

– Këta persona janë përmendur në fjalët vijuese të Zotit të Madhëruar: “ … edhe nënat e grave tuaja, edhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj të grave tuaja, me të cilat keni pasur marrëdhënie intime, e nëse nuk keni pasur marrëdhënie intime me ato (gra), atëherë nuk ka pengesë (që të martoheni me ato vajza), dhe gratë e djemve tuaj.”(15)

Dhe në fjalët e Zotit të Lartësuar:

“Dhe mos u martoni me gratë me të cilat kanë qenë të martuar prindërit tuaj … “(16)

Gratë e ndaluara për shkak të krushqisë janë:

• me nënën e gruas (vjehrrën), me nënën e vjehrrës;

• me gruan e babait (njerkën):

• me bashkëshorten e djalit, të nipit etj.;

• me vajzën e asaj gruaje që është bashkëshorte e jona dhe ne me të kemi pasur marrëdhënie intime.(17)

Të gjitha këto ndalesa, të cilat u përmendën në ajetin kuranor të lartcekur, mbetën përgjithmonë të pandryshuara, pa marrë parasysh kushtet e jetesës dhe kohën, sepse kjo është një dispozitë kuranore, së cilës besimtarët duhet t’i përmbahen me korrektësi maksimale.

__________

1. Ibid, ajeti: 23.

2. Fahrudin Ebibi, Irfaan Abazi, Taxhedin Bislimi, Jusuf Zimeri “E drejtafamtijare në islam”, Shkup 2004, fq.. 24.

3. Hadithin e transmeton Terbijetul Evlad, 1/39.

4. Kuran, Eli-nisa, ajeti: 23.

5. Hadithin e transmeton Darimiu, hadithi nr: 2/156.

6. Resul Rexhepi, “E drejta martesore islame”, Prishtinë. 201o fq. 38.

7. Sejid Sabik, “Legjislacioni i traditës së Profetit a.s.”, Tiranë 2007, fq. 146.

8. Kuran, En-Nisa, ajeti: 23.

9. Sahih el-Xhami. Albani. hadithi me nr: 7241.

10. Kuran, El-Bekare, ajeti: 233.

11. Hadithin e transmetojnë Buharin dhe Muslimi.

12. Kuran, El-Bekare, ajeti: 282.

13. Sejid Sabik, op. cit. fq. 148.

14. lbid,fq. 148.

15. Kuran, En-Nisa, ajeti: 23.

16. Ibid, Kaptina En-Nisa, ajeti: 22.

17. Resul Rexhepi, op. cit. fq. 39-40.

Argjent Xheladini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit