PayPal i ka bërë publike kohët e fundit kushtet e reja të përdorimit të shërbimit të tij, dhe ata pak persona që i kanë lexuar ato rregulla, ndoshta duhej të lexonin disa herë një nga artikujt për t’u siguruar që dikush nga PayPal e kishte shkruar me të vërtetë dhe e kishte futur në kushtet e përdorimit.
Dhe ky rregull, i cili çoi në një makth të vërtetë PR për kompaninë, thotë se PayPal do t’i ndëshkojë financiarisht ata që përhapin mesazhe, përmbajtje dhe materiale që promovojnë dezinformata që përbëjnë rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e përdoruesve përmes shërbimit të tyre.
Besoni apo jo, dikush në PayPal ka vendosur që për çdo përhapje të tillë të lajmeve të rreme, ata do të marrin deri në 2500 dollarë nga llogaritë e përdoruesve të tyre. Është e qartë se një informacion i tillë shkaktoi mjaft tronditje, dhe jo vetëm tek përdoruesit e PayPal.
Hashtag #deletepaypal u përhap menjëherë në Twitter dhe disa përdorues e njoftuan mbylljen e llogarive të tyre në atë shërbim financiar.
Edhe ish-presidenti i saj, David Marcus, u trondit nga një veprim i tillë i kompanisë, i cili komentoi në Twitter se fakti që një kompani private vendosi t’u merrte para përdoruesve të saj nëse ata thonë diçka që nuk u pëlqen, është një çmenduri.
Ndër të tjera, me të u pajtua edhe Elon Musk, qëllimi primar i të cilit kur shpalli blerjen e Twitter (i cili u ndërlikua shumë me kalimin e kohës) ishte ta mundësonte lirinë e fjalës në atë platformë.
PayPal e kuptoi se ata bënë një gabim dhe tani po përpiqen ta zbusin imazhin e tyre, gjë që sigurisht nuk do të jetë e thjeshtë apo e lehtë për ta. /kallxo