-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Para 20 vitesh Alija Izetbegoviç fshikullonte botën muslimane: …ne nuk jemi më të mirët!

Më të lexuarat

Mirza Hajriç është ambasadori aktual i Bosnjes Australi. 20 vjet më parë ai ishte nga njerëzit e afërt të ish-presidentit Izetbegoviç dhe ka zgjedhur të sjellë në kujtesë një ndër fjalimet e tij më mbresëlënëse, atë të një konference në Teheran, ku i Izetbegoviç zgjodhi të fshikullojë botën muslimane, sidomos mbi qasjen ndaj Perëndimit.

“Me propozimin e presidentit, mblodhëm të dhëna mbi arsimin, analfabetizmin dhe çështje të tjera imediate që kanë pllakosur botën arabe dhe islame, dhe kështu u formulua fjalimi i tij të cilin ai qysh prej fillimit e konisderonte të veçantë. Në proces, u kristalizua fraza: “Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët”. Ndërsa po mbaheshin konsultimet, isha gjithnjë e më i shqetësuar se si do të pranohej nga të pranishmit një qasje e tillë e tij, pra para bretërve, emiratëve, sheikëve, presidentëve, dhe gjithë atyre personaliteteve të larta. Ata sigurisht nuk ishin mësuar të dëgjonin kritika të këtij lloji nga ajo foltore. ‘Nuk jam i sigurt nëse do të kem tjetër rast t’i drejtohem një tubimi kaq të madh të muslimanëve. Unë dua ta them atë që është në shpirtin tim’, po thoshte presidenti”, kujton Hajriç.

“Se sa vizionar ishte presidenti, tregon gjithashtu një pjesë e fjalimit të tij dedikuar alarmimit të botës për një luftë vendimtare kundër terrorizmit. Duhet të kujtojmë se ai e mbajti këtë fjalim katër vjet përpara 11 shtatorit 2001. ‘Terrorizmi është shprehje e impotencës sonë të tashme dhe të asaj të ardhshme. Ai nuk është vetëm amoral, por edhe joproduktiv. Është amoral sepse vriten njerëz të pafajshëm dhe joproduktiv sepse në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk ofron ndonjë zgjidhje. Terrorizmin e kanë hedhur poshtë të gjitha lëvizjet politike serioze në histori’ . Është i njohur mirë fakti se kjo pjesë e fjalimit citohet shpesh në qarqet amerikane dhe në shumë qarqe të tjera akademike dhe të politikës së jashtme”, vijon Hajriç

Më tej, ish-njeriu i afërt i tij kujton momentet e fjalimit:  “Po përcillja rrjedhën e fjalës së tij duke shikuar njëkohësisht në fytyrat e muslimanëve më të fuqishëm të botës. Po përpiqesha të lexoja shikimet e tyre, lëvizjet e fytyrës, mimikën. ‘Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por nuk jemi më të mirët’, kumbonte zëri i presidentit. Shikime të hutuara në të gjitha anët, konfuzion, ndonjë lëvizje koke në shenjë miratimi. Pasi përfundoi fjalimi, mbretëroi një heshtje. Askush nuk lëvizte, kisha përshtypjen se njerëzit kishin ndaluar së marri frymë. Presidenti, me të mbaruar fjalimin e tij, u kthye dhe u nis drejt vendit të tij. Filluan duartrokitjet. Pesë, dhjetë, pesëdhjetë, njëqind, dhe pothuajse të gjithë në sallë filluan të duartrokasin stuhishëm, në kohëzgjatje më të gjatë se vetë fjalimi”, shprehet ambasadori Harric.

Pjesë nga fjalimi i Alija Izetbegoviç:   

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit,

Të dashur vëllezër e motra!

E konsideroj një privilegj të madh mundësinë që më është dhënë për të folur në këtë takim të rëndësishëm të vendeve muslimane. Po kthehem nga një konferencë në Bon.

Duke respektuar kohën tuaj dhe programin e konferencës së sotme, do të përqëndrohem në një temë në prezantimin tim: Lindja dhe Perëndimi, dhe Bosnja ime midis tyre. Ideja për këtë temë më ka lindur gjatë udhëtimit tim të fundit, i cili ende nuk ka mbaruar. Gjatë javës që po e lëmë pas, fluturova nga Bosnja në Arabinë Saudite në një konferencë mbi arsimin, pastaj në Evropë në një konferencë mbi Bosnjën dhe jam këtu sot në Teheran në konferencën islame. Që i bie një itinerar: Lindje – Perëndim – Lindje.

Mendoj se njoh mjaft mirë të dyja këto skaje të botës. Gjatë udhëtimit tim kam mësuar disa fakte të reja, të mira dhe të këqija. Kam mësuar për faktin inkurajues të pesë milionë nxënësve dhe studentëve në Arabinë Saudite, por edhe atë pikëllues për rreth 68.5% analfabetë në një vend tjetër musliman. Një tjetër lajm i mirë për të cilin mësova së fundi, është se 20 milionë njerëz ndjekin njërën prej shkollave në Iran, ndërsa lajmi i keq është se analfabetizmi në mesin e grave, në pothuajse të gjitha vendet muslimane është në nivel të papranueshëm. Gratë përbëjnë gjysmën e racës njerëzore. Gratë e paarsimuara nuk mund ta ngrenë dhe edukojnë brezin që do të udhëheqë popujt tanë në shekullin e 21-të. Më falni, por do të jem shumë i hapur. Gënjeshtrat e bukura nuk ndihmojnë, ndërkaq të vërtetat e hidhura mund të shërojnë.

“Perëndimi i kalbur”, ky vetëmashtrim, i ka kushtuar shumë sistemit komunist. Perëndimi nuk është i kalbur. Ai është i fuqishëm, i arsimuar dhe i organizuar. Shkollat ​​e tij janë më të mira se tonat, dhe qytetet e tyre janë më të pastra se sa tonat. Niveli i të drejtave të njeriut në Perëndim është më i lartë dhe kujdesi social për të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara është më i organizuar. Perëndimorët janë kryesisht njerëz të përgjegjshëm dhe të saktë. Të tilla janë përvojat e mia me ta. Unë e di edhe anën e errët të progresit të tyre dhe nuk është se i kam harruar ato. Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët. Këto janë dy gjëra të ndryshme, që ne shpesh i ngatërrojmë.

Në vend që të urrejmë Perëndimin, le të garojmë me të. A nuk na urdhëroi Kur’ani Famëlartë: “Garoni në të mira…”? Me anë të besimit dhe shkencës, tani mund të krijojmë forcën që na nevojitet. Është e vërtetë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, është si një ngjitje në mal, siç thotë Kur;ani, por nuk ka rrugë tjetër.

Prandaj, le të ngremë fondet e arsimit kudo. Le të mos mbetet asnjë fëmijë ynë i pashkolluar. Vendet e pasura muslimane duhet ndihmuar të varfrit në këtë projekt të rëndësishëm. Le të bëjmë këtë tani, dhe ta caktojmë qysh sot një konferencë të veçantë për këtë.

Disa njerëz mendojnë se ky avantazh (ndaj Perëndimit) mund të arrihet përmes terrorit. Kjo është një ide e gabuar që po përhapet në mënyrë të rrezikshme. Terrorizmi është shprehje e impotencës sonë të sotme dhe asaj të ardhshme. Ai nuk është vetëm amoral, por edhe joproduktiv. Është amoral sepse vriten njerëz të pafajshëm, dhe joproduktiv sepse në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk ofron ndonjë zgjedhje. Terrorizmi është hedhur poshtë nga të gjitha lëvizjet serioze politike në histori. Unë mendoj se Kur’ani në mënyrë eksplicite e ka ndaluar atë me ajetin: “Kush vret një njeri të pafajshëm është si të ketë vrarë gjithë njerëzimin …”

Për fat të keq, ka njerëz që e harrojnë këtë…

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit