2.7 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Fatmir Baçi – Poezi

Më të lexuarat

Fatmir Baçi – Poezi

Lamtumirë

Lamtumirë, dhe më qofsh e lumtur.
Ti çerdhen do e thurrësh, diku ngrohtë.
Shtegtarët si unë, ngaherë rrugëhumbur.
Këmbejnë gaz për ndarje, bredhur nëpër botë.

Rrugët pa fund, shtigje pak përreth.
Të gjithë të qeshur, princër e princesha.
Unë rrugaç i lodhur, që kërkon e bredh.
Një plagë s’jua thashë, një tjetër jua fsheha.

Lamtumirë princeshë, s’jemi të një gjaku.
Në ëndrra më grishe, s’të lashë në ëndërr vetëm.
Lajthitëm çmenduritë, ishte natë e çartur.
Ika se më ikej, se veç ikjet mbeten.

Ndoshta prapë një ditë, do shihemi. Se kur… (!)
Në pranga prej ari, kur të jesh mbërthyer.
Vlaga prapë do feksë, e ikja pa zhurmë,
Sërish shkulm e ngrohtë, do trokasë në dyer.

Me fjalë të pafjala, do ta dehim heshtjen.
Zemrat do t’i ndalim, as frymë, as pipëtimë.
Unë princ i leckosur, kalorës buzëqeshjesh.
Ti rrugaçe fjetur, në mëndafshe ngrirë.

Mundet prapë do kemi, një natë prej magjie.
Ndonëse si dikur, s’do të jetë aq e lehtë.
Zjarr dhe prush i vjetër, dyfish çmendurie.
Natë, si gur i çmuar, njëqind fish e fshehtë.

Dhe prapë lamtumirë, princeshë e lumtur.
Me ikjet po iki, stuhisë ku era lot.
Shtegtarët si unë, ngaherë rrugëhumbur.
Këmbejnë gaz për ndarje, bredhur nëpër botë.

 


Ishin dy virgjëri

Dridhur drithma, derdhet shtatit.
Fjalë shërim, në sythe plagë.
Butë e bardhë, burojnë shtratit.
Endrra – dallgë, jastëkut paqë.

Dy lastarë të njomë si uji,
Thyhen e përdridhen njësh.
Gonxhe – çarë, petalet skuqin.
Drita ditën me to josh.

Lagën shirat shkretëtirat.
Pranverat u bënë bashkë.
Embël – vesë, vesuan dritat.
Shtegtoi nata, kërkon natë.

Dy lastarë të njomë harlisen.
Era fryn e lehtë, e ngrohtë.
Këngët gërxheve gremisen.
I dëgjojnë pushuar zogjtë.

Ndalojnë orët dhe minutat.
Muajt heshtin, stinët s’janë.
Nuk gugasin as pëllumbat
Përgjojnë tinëz dy lastarë.

Flakë e ankthit piu britmat.
Prush u shuan në dëborë.
U qëndisën trëndafilat.
Iku larg fëmijë i gjorë.

Dridhur drithma, u derdh shtatit.
Fjalë shërim në sythe plagë.
Butë e bardhë buruan shtratit.
Ëndrra – dallgë, jastëkut paqë.

 


 

M’i ke fshehur rrugët

M’i ke fshehur rrugët. Si të vij tek ty?
Netëve hyra dola, nga dhjetra dritare.
Territ nuk të gjeta. Gabim, e nga ta di?
Të lënët shpesh i ngrohin, lënesha qyqare.

Në shtretër të pagjumtë, ty të kam kërkuar.
U fekste dikush tjetër, atyre sigurisht.
Pa emër trokisja, e emrat më janë shtuar.
Pasthirrma lumturake, në çaste dalldish.

Tani çapitem shpresës, se rrugët m’i ke fshehur.
Kërkoj dikë të paktën, të ketë emrin tënd.
Më fshihet e vërteta, gënjeshtra fton e etur.
Rrugëve jam lodhur, do pres në ndonjë kënd.

Në pyetsh për mua. do them: “Jam i lumtur.”
E di, edhe ti…! Në mos, ashtu gënjemë.
Botën pambaruar, e gjetëm gati humbur.
Bujarisht plaguar, gjysmake do ta lemë.


 

Pa duar e këmbë

Rilindem dhe vdes butë,
Tërheq pa hir gjithçka,
Hapit gjarpër udhë,
Ku dhëmbë të helmët ka,
E kafshatë të hidhur.

Embëlsou pak,
O fat,
O vëlla.
Bindmu edhe ti,
Siç unë të jam bindur.

* * *
Stuhitë i lagur laga,
Acarit “Me” dhe “Pa”
Stolitë në natë i flaka
As t’i shikoj s’më la,
Nëpër terr harruar.

Butë, pak më butë,
O fat,
O vëlla.
Ndrysho dhe ti njëherë,
Mjaft më ke munduar.

* * *
Kush mallkim i rëndë,
Të solli bashkudhëtar?
Pa duar e pa këmbë,
Mbi kurriz si “TRA”,
Së prapthi i lexuar.

Zgjohu për një fjalë,
O fat,
O vëlla.
Ke një jetë që fle,
E unë një jetë zgjuar.


Prapë kam gaz

Gishtërinjve shkasin vitet,
Këngë te reja po më plakin.
Një vullkan në gjoks venitet,
Gjeth’ i tharë, stuhitë më flakin.

Piva zjarr, në ujë të ndezur,
Frymë inatesh, thitha akull.
Qesha ikjet, i përqeshur,
Veten palë, erës nën sqetull.

Mallin zbardh, dëborë e rënë,
Rrugës – rrudhë, nata më zbehu.
Asgjë s’mbeti për të qënë,
Ajo “Nesër…”, prapë gënjeu.

Shtretërve, ku ëndërra treta,
Në mëkat, mblodha nektar.
Pengje lashë ndër gra dhe mbeta,
I lënë, si mbreti hokatar.

Gaz kam prapë, gënjej vetminë,
Dimrat shtegut, lig përgjojnë.
Kur të ma shikojnë rininë,
Pleqërinë, do ma lakmojnë.


Lule dhurimi gjaku
(Anonimati)

Kur këto lule,
Të mos jenë si tani,
E vyshkja t’i ketë pirë,
Sikur duhet.
Ngrohini me ëndërr,
Do çelin përsëri.
Të mos thoni “Ishte”,
“Është” në to të thuret.

Se ditët janë ditë,
Si stinët dhe vitet.
Që shkasin e shkojnë,
Pa dert pleqërie.
Vyshken e çelin,
Minuti të grabitet.
Pa dje, deri nesër,
Një çast lumturie.

Sa t’ju hap një derë
T’ju përcjell në prag
S’janë kushedi,
Të tjera s’më ndodhen.
Dhe tinëz të iki
Të fshihem nga pak
Dritën ta le ndezur
Heshtur të largohem


Homazh poetit të panjohur

venash flakë,
natë në sy.
gaz e plagë,
pushon aty.

rrugën humbur,
bredh ngadalë.
flet i vdekur,
hesht i gjallë.

mbyti klithma,
gjoksit çjerrë.
u tret drita,
fsheh ylberë.

shok me mbretër,
të përzënë.
gra pa shtretër,
net pa hënë.

eh, pranvera,
shpesh gënjeu.
stinët era,
i rrëmbeu.

vit pa shekull,
varg pa emër.
trok në mjegull,
lot e zemër.

një mijë vjet,
si stalagmit.
pikon e pret,
duron pik – pik.


Një dru si unë

Të gjitha jua dhashë, të gjitha ç’kisha.
Nga unë të tjera, çdo kërkoni më?!
Degëtharë-bonjak, vjeshtës ndër shelgjishta.
Erërat më thyen, pa krismë e pa zë.

Buzë-zhurmash moçali, ujrash të lëna,
Ku lule nuk kish, e as fryte jo,
U treta – trishtë, mes degash të njoma,
Furtunës i pirë, e etur ajo.

Ç’doni më nga unë? Jam me degët tharë.
Tani as gënjeshtra, nuk do di të flas.
Në oxhak me mua, do digjen edhe fjalë.
Si tym do t’i ndaj, qiellit mbi pullaz.

Prej zjarrit të fundit, pak hi i bardhë,
Që shuhet butë, përgjumjet i thërret.
Ç’mbetet ëndërr feks, gjatë nëpër natë,
Me tymin që shkoi, në ag do të jetë.

Dhe prapë do rrëmoni, nëpër hi e prush,
Me shiun do prisni, prej tymit një lajm.
Reja që zgjodha, më barti larg jush,
Më hodhi dëborë, lëndinës në mal.

Dhe fjalët beharit, lule do qëndisen,
Në gishtërinj vajzash, do thurren kurorë.
Nëpër kurm e flokë, petal do harlisen,
Ndër gjinj virgjëreshash, do falin aromë.

Më kot do kërkoni, një lajm a nuk e di,
Një dru si unë, ju s’do ta keni më.
Në vjeshta mos prisni, nuk jam as në shi,
Në një vend rri fshehur, e s’jua them atë.


E fshehtë

Ka vetëm një fjalë,
Çast si fjalë që duam ta kemi.
Botëz e vockël,
Në zemër të një pikvese,
Ku ylberët,
Harlisen të paqtë, mëngjesit.

Çast si botë,
Sa një fjalëz.

Ledhatim uturimash mbi tinguj ullishtash ronitjeve ikin
.edhatim .turimash .bi .inguj .llishtash .onitjeve .kin

Ca gërma jetime si heshtje,
Mbesin të pakuptimta.
Të braktisura pështjellimesh,
Bien diku,
të pafajshme në pasigurinë e tyre.

Fjalë çast,
Që vetëm ishte.
Në “ISHTE” rrin e prehet,
Dhe mbetet atje.
E pashpjeguar,
Në llozhën e zgjedhur të kujtesës.

Ndërsa ylberët në vesë,
Shuajnë etjen e pamatë të diellit,
Që merr mëngjese në pakthim,
E të tjera zgjon.
Vetëm kur ikin,
Kujtohemi se i patëm.

Lodra-ushtimë me tallaz urtësuar rimon ikjet
… … … … … … … …

Dhe prapë ca gërma,
Ngjiten të na presin.
E ca fjalë pa lidhje,
Rrëzohen pa shpresë.
Si e qara në ditën e parë të lindjes,
Apo ndoshta,
Si një kujtesë e humbur.

E ikur për kthimin e premtuar.

Jetë qeni (Disa)

Vjen dita,
Dhe qentë e pranojnë mëshirën.
As lehin,
As kuisin,
As kafshojnë.
As bushtrave në stinë dashurie,
Nuk u afrohen më.

Nuk shkojnë si dikur,
Bishtundur
Pas të zotit,
Tërë gaz e shend.

Lëvizin ngadalë,
Sa një hije vapës,
Pas hijes së vapës.

Sy të rrethuar,
Nga sklepa lotësh të tharë,
Të ngulur diku,
Ashtu kot,
Nuk shikojnë asgjë.
Nuk thonë asgjë.

Apo ndoshta shumëçka.

Vjen dita,
Kur qentë pushojnë në mëshirë.
Më të gjatë,
Se netët e pagjumta me hajdutë.
Më të shkurtër,
Se gjumi i mëngjesit dikur.

Në pafundësi e harresë,
Të topitur,
Gjer në bezdi ashtu.

E kur sytë mbyllen përngaherë,
Themi: “Ishte plak”.

Aq jetojnë qentë.
15 vjet.

… dhe fajet m’i kurseni

Ç’ironi e ngrohu, kaq ligsht dashurinë?
Në cilin prehër, dremitjet i ka lënë?
Një çast më qafon, me dritë një vetëtimë,
Pastaj çap e terr, natës-kurth i zënë.

Do pres. Edhe sa? Pak vite më kanë mbetur.
Diku tjetër ngroh, tek unë dimrojnë premtime.
Rrudhë e thinjë më fali, vetë e re, e etur.
Ngaherë e mirëpritur, paftuar në kujtime.

Në zemër më derdh, ujvara mërzie.
Stërkala durimi, shpresa pi prej saj.
Më tret në harrim, një vezull përjetësie,
Stuhinë që mbolla, cikmë në buzë e mbaj.

Eshtë një vaj si këngë, pështjellohet hapit,
Më ndalon të rritem, as plakjen nuk ma do.
Udhës shkrirë kërkimit, çmendurak i fatit,
“Dje” që nuk më deshi, nesër larg më fton.

Zërat urtë më zvargen, mbeta i pashtruar.
I butë si një qengj, mallkuar si djajtë.
Stinët më këmbehen, i dobët kam qëlluar.
Të gjitha me të djathtën, mëngjërash me gratë.

Si kusar i rregjur, pres një kohë me diell
Tinëz nëpër re, kam lënë ditët, vitet.
T’i rrëmbej në këngë, yje, hënë e qiell.
Era lehtë e ëmbël, ëndrrës të fashitet.

Besoj puhizë premtimin, dhe do vdes i tillë.
Ura-hënë mbi ujra, po feks një dritë bekimi.
Ndaloj në kohë që s’ndalet, këpus dhe lidh një fill.
Thjesht, kërkoj një lutje dhe fajet m’i kurseni.

Gjermanisht e lirë dhe unë

Ti grua e fshehur, pas një mijë kotjesh.
Shkëlqen dhe shuhesh, në kujdesin për to.
Si një këngë e tretur, në harrime mortjesh.
As qesh me gaz, e as qan me lotë.

Kur një ditë të thinjesh (A thinjen flokëverdhat?)
Kujtesa ngrohtë do ndrisë, prag-dimrit suferinë
Përshpirtjesh pa shpresë, do treten të vërtetat.
Diku larg mërguar, flladiten me rininë.

Atëherë, edhe lulet do të jenë të trishta.
E ca gra të majme, do të bëjnë shoqëri.
Do t’i zgjidhni fjalët, si ngaherë të brishta.
Pendesës do rrëmoni, për një dashuri.

Ndoshta, dhe s’do jetë tamam kështu.
Mundet, e pse jo, jam unë i gabuar.
Lirinë kur e kam, e fal kuturu.
E kur jam pa të, bredh për ta kërkuar.

Gënjej, e s’më gënjeni, nxitoj për në dëshirë.
Rrugës sime shkoj, as pres, as paguaj.
Me miq të pasigurtë, rëndom ndjehem mirë.
Të ndalurit s’më joshin, për ta jam i huaj.


Njollat

Dy njolla të murrme ranë
Dhe qielli u çel.
Balta nën këmbë,
Ashtu si ngaherë,
Mbeti baltë.

Uji i verdhmët,
Si dritë lëkure nëpërkash në gusht,
M’i numëroi sërish vrimat në këpucë.
Pa harruar asnjërën.

Therja e vjetër e kockave,
U ringjall,
Ndërsa e dija të vdekur.

Rrobat i vesha të pastra,
Si gjithmonë pas larjes.

U laga nga shi i kulluar.
(Uji nga qielli binte i kristaltë)
Çadër s’kam patur kurrë,
Që kur babai më tregoi rrugën e vetmisë,
Dhe vdiq ashtu,
Pa ma thënë atë,
Fjalën e pritur,
Atë që para vdekjes
E thonë të gjithë zakonisht

Gjithçka ishte qashtër,
Dhe mirë,
Gjer tek nyjet e këmbëve.
Tamam aty fillonin këpucët e mia,
Plot vrima pabesisht të vogla.
E ku në kurthe hapash,
Uji i baltuar,
Mban lidhje të fshehta,
Me kockat e mia,
Që pas vdekjes së tim eti.

Dy ditë pa pushuar
Dy njollat e murrme shkarkuan.
Ranë dhe baltuan
Për këpucët e mia.

Dhembja në kocka ndoshta sjell barazi
(Askush e tha, as përgënjeshtrime ka).

Gjërat nganjëherë bëhen të thjeshta,
Vetëm nga keqkuptimi.
Ose nga të kuptuarit keq.

Harresë për kujtesën tuaj të pamatë.
Kujtesë për cifla harrimi me dritë.

Gëzimet ato pak,
I kam vënë në gishtërinj.
Në secilin nga një.
Kam edhe gishtërinj bosh.
I numëroj shpesh

Zoti na gjykoftë për harresat.

Kod gjaku për në zemër

Pak buzë këmishës, padashur më le.
E puthja m’u tremb, u tret fluturimit.
Qe mall, a peng? A veç ëndërr qe?
A dhembje paratha, petal i trëndafilit?

Durimi ka mërguar, nuk është më as shëndeti.
Zemra ime e thinjur, s’lodron si më parë.
Më ikën dallëndyshet, në mes i kripur deti.
Çerdheboshja stinë, e trishtë, e gjymtë, në plagë.

Kursemi mençuritë, mendja loz me vdekjen.
Butë rrëmbema kokën, gjinjve të më bjerë.
Thellë, më thellë verbimit, të lyp dritën, prehjen.
T’i prek natës skajet, ta ndez përngaherë.

Pastaj… S’ka pastaj! Asgjë e filluar.
Në çdo hap udhëkryqe, tregues të rremë.
Kapitje të eterta, gjithë rruga, (e gabuar).
Më solli tek ty, në je pa shpirt, përzemë.

Mos druaj për mua, tashmë jam mësuar.
Jashtë zemrave fjeta, ngrysur me bonjakë.
As bota nuk prishet për një mjeran harruar.
Që bredh i pamëri, bjen e ngrihet prapë.

Bler

Ajo dorë e bardhë, e butë, e lëmuar,
M’i bëri orët të blerta, pranverë.
I trokiti plakut tingull i premtuar,
Tani le të vdes, nuk do shkoj i mjerë.

Harresat dhe ankthet, të blerta u bënë.
Blerinë vërshuan ëndrrat, venave në gjak.
Mijëra pranvera, u shkrinë në një këngë
Sa buzëgaz i saj, a ndoshta dhe më pak.

Dimrat mërguan, u shuan stuhitë.
Ylberët të paqtë qiellin e prenë.
Qerpikët e shpresës, tani pulisin dritë.
Tallazi i stinës, gjelbërt po më vjen.

Çdo të bëj me të? Si do ta dua?
Të rilind i vdekur, nga një mirësi!
Zemra ime e dobët, a do mundet thua,
Pas puthjes së blertë, të rrahë përsëri?

Në se do të vdes, thuaj, vdiq i lumtur!
Në se do të rroj, tashmë e di për çfarë.
Syth i çarë lajthimi, s’ka më kohë të humbur.
Do përgjumem blertë, blertë do çohem prapë.


Të lashë një fjalë

Buzëve të lashë një fjalë,
Marrëzi, si verë e vjetër.
Ishte prush, e u ndez flakë,
Brodhi butë, na zgjoi të etur.

Ranë qepallat, fshehën dritë,
Ranë dhe ëndërrat, u bënë buzë,
Zbritën enkas, yllësitë,
Gjinjve varg, gjerdan në gushë.

Tretëm yje, ndezëm, shuam.
Pimë me fund “Rrugën e Qumështit”.
Qielli eshkë, u shuk në duar
Teproi dritë në ag prej ankthit.

Heshtje qe, nuk pati fjalë.
Paqë e marrë, si verë e fjetur.
U bë prush, e ishte flakë
Shtegtoi butë, na la të etur.


Më lini

Më lini të çlodhem, vetëm për pak.
Tretur ëndrrën, kujtimesh ta le humbur.
Urtë-pushuar njëherësh, i ri edhe plak.
Si maçok, pranë hirit i përgjumur.

Drutë në oxhak, lëvizini ngadalë.
E pse të më zgjoni? Bëni dhe pa mua.
Në zjarr do përzhiten, biseda dhe fjalë.
E janë po ato, i di dhe pa u zgjuar.

Të reja s’do ketë, as sot njëmijë vjet.
E majta, e djathta, hapa dhe hiç.
Shkopi nëpër natë, udhëve troket.
Mbretër dhe skllevër, zhurma mençurish.

Ju shkoni. Do pres, të çlodhem fare pak.
Do desha dhe unë, por ç’më doni më?
Do shihemi shpejt, nuk jemi dhe aq larg.
Dremitja e sfilitur, dhe një zgjim me të.


Ki mëshirë

Prapësitë e fëmijërisë,
Mos m’i zgjo, po prehen larg.
Më tremb shkulm i virgjërisë,
Ki mëshirë! Tashmë jam plak.

Aq mëkate sa mban fshehur,
Kurmi yt, i brishtë, i dlirë,
E bën shesh një mal të dehur.
E ç’jam unë…? Pra ki mëshirë.

Erë pa ndezur, dallgë me flakë,
Mos më grish, mos ngre stuhi.
Të butin breg, dhe një zjarr prapë,
E bën hi. A s’ke mëshirë?

Sa do desha…! Qoftë mallkuar,
Kushdo që shkroi mençuritë.
Vlen një çast, stuhisë harbuar,
Sa të gjitha mirësitë.

Lërma fëmijërinë dalldisur,
Atje larg, me dhëmbët mpirë.
Mos e ndill, një plak hazdisur,
Lermë të plakem, ki mëshirë.


Sytë e mi

Sytë e mi janë po ato,
Si të atyre që shkuan,
Kur më shumë i deshët.
Dhe fjalët si të tyret,
I kam kurthe plot,
Qendisur me gënjeshtër.

E ç’të keqe ka,
Jam skllav e fort i bindur,
Gjer tek buzë e shtratit.
Bëhem mbret pastaj,
Vullkan nga tokë e çarë,
Zjarr-llava e mëkatit.

Mbretëritë e mia,
Nuk duan kurorë.
Mbretëreshat fron s’më lypin.
Mbi pëlhurë të bardha,
Lëkurës theror,
Me buzë e bredh virtytin.

Pushtoj e më grabisin, siç dua.
Me dallgë çmendurake
I ngjesh mbretëritë.
Nuk e gjen në botë,
Një perandor si mua.
Ylberë harrese derdh nëpër dritë.


Rrethi i horizontit

Gati pisk ndaluar, në ngërçe diku larg.
Ashtu si nuk duhej, trazova kalendarët.
Ç’ishin mirësi, degdisur ikën prapë,
Hareshëm ku festojnë, xhelatët dhe vrastarët.

Brodha, nëpër kohë të ngrirë, i fillikat.
Hapova ku erërat, nuk frynin më tymnajë.
Harrim, me frone pleq, mëkate pa mëkat.
Heshtjes rrafsh i shtrirë, as hone e as majë.

Këmbët më lëpihen, nëpër hapa binjake.
Gjurmët më përzenë, për në tokë të virgjër.
Pak durim tepruar, në dëshira flake.
Të pagjumë më lanë, rrugëve pa shtretër.

Eci, por më kot, pejzazhet nuk lëvizin.
Ndaloj sa kockat dhembin, prapë në vend ato.
E di që jam harresë, ku harresat nisin.
Heronj askund përreth, varre kuajsh plot.

I mbyllur horizonti, kryeneç si unë.
Në çdo hap më shtyhet, në passhpinë më ndjek.
Iki i paikur, mbeta ca si shumë.
Vetëm pikë ku rrethi diametrat pret.

Ngutem gjer përtej, ku gjërat presin kthjellët.
Nuk duhet të jetë larg, se nga larg jam nisur.
Druaj mos vonohem, dhe dëm u zgjova herët.
Më ndal bonjak i mjerë, grish një mbret i krisur.

M’i dha ylberi ngjyrat, dikur, isha fëmi.
E si gjithë fëmijët, nuk munda të përzgjedh.
Tani shtegtoj dhe rri, me shpresë se kushedi.
Më shfaqet dhe një herë, buqetë në grusht ta mbledh.


Thonjtë

Në tëmtha më troket
Një orë e prishur,
Miku im.

Minuta sakate,
Ma përdhosën pakohësinë,
Për diçka pak.
Për thonjtë e prerë,
Që zakonisht humben pa dhimbje.
E aq më pak kujtesë.

Një orë e prishur,
Miku im.
Me minuta gjigande,
Gjykatës të rreptë,
Që presin në përtej harresë,
Kur zërat do të ndalen për gjithkohësinë.
Ku dhembin gishtërinjtë,
E ku të numërohen
Deri tek i fundit,
Thonjtë e prerë.

Një orë e prishur!
Tik-tak zjarresh përvëlues.
Rrëmbesa vrastare qëllimesh
Ngutje vocërrake minutash,
Me hapa të mëdhenj
Miku im.
Hapa që shkelin
Diku në nesër pa sot.
Këpucë me gozhdë,
Për gjurmët e hirit,
Që do mbeten pas.
Kujtesë për erën që vjen
E se ne
Ishim të paqenë.

Një orë e prishur miku im!
Me trokitje shiu,
Me furi stuhie,
Për tepricat tona të ngrata.
Për ikjet e përbaltura.
Pa kthim.
Pa dhimbje.
Pa kujtesë.
Si thonjtë.

Një orë e prishur miku im!
Më troket në tëmtha paprerë,
Ritmikisht pa fund: “Për-se, për-se”
Ndihem i dobët në përmbysje
I vogël,
I pafjalë
“Se – për”…
Thonjtë që lamë dhuratë
(Ndoshta dhe flokët)
Duhet të ketë një domethënie,
Përpara fundit.

Sikur vetëm për të treguar se jetuam,
Ndërsa vdisnim ngadalë.
Ashtu…
Me gjuhë flakësh ngrohur,
E me dritë të ftohtë argjendi.


Ku agu ëndrrën tjerr

Shkrirë-butë, në ledhkat e gishtërinjve të tu,
U zgjuan këngët, prej kohësh harruar.
Vërshuam në lajthime, u tretëm aty,
Bardhë-lëkurës dritë, stolisur, praruar.

Mërguan plagë të vjetra, me mall zbukuruar,
U shuan pa dhembje, shkuan në harresë.
Humbëm nëpër tinguj, kthjellët turbulluar,
Plasën-ngrohur sythet, të lara me vesë.

Nga natë e patrazuar, agu zu të zbresë,
S’e pikasëm mike, na erdhi i papritur.
Një shtëllungë me mjegull, na hodhi për mbulesë,
Na gjeti zbuluar, lodrës flakë-përzhitur.

Shtegtuan arratisjet, ndër miq një portë trokitur.
Trokthëruan kuajt, mjegullës pa kthim.
Dallëndyshja e zgjimit, nga ëndërr e sfilitur,
Erdh, i thurri çerdhen, stinës cicërimë.

Zgjimi, ngutur shtriqet, llavë e ngrohtë, rrëmbim.
Ikja, pleqërisht, tepricat humbur mbledh.
Pendesat çapheshtur, u fshehën pa rrëfim.
U vesh bota gjelbër, për ne s’teproi një gjeth.

Hesht flladi, gulçimën përgjon për nga rrjedh.
Stina merr të kuqtë, të ngjyrosë qershitë.
Lulet plasin ngjyrash, zilia i përkëdhel.
Lotë vese petalesh, fërgëllojnë në dritë.

Nga ngut i harlisur tepruan mirësitë,
Thërrmoi drita lulet, aroma dhe ylberë.
Pushoi heshtja gjatë, ku muzgu shkrin një ditë.
U tret lodhur nata, ku agu ëndrrën tjerr.


Do pendohesh

Do pendohesh mike, tamam për krenaritë.
E do krenohesh fshehur, për gjithë ç’qenë jashtë tyre.
Një mall çapkën, i ëmbël, kur të shkrepë një ditë.
Si romancë e nderë, në krisje pasqyre.

Netëve, xixë cigareje, s’do shohësh nga dritarja.
Kur ndoshta ta kem lënë, kursimi a shëndeti.
Harresa s’i don plagët, do dhëmbë e largët ndarja
Do plaket pa u mplakur, do rrahë si dallgë deti.

Mike s’jemi vonë, se s’jemi aq të mençur.
Të gjitha aq sa duhet, veç tepritë mungojnë.
Rrjedh e ngutur koha, tinëzisht e heshtur.
Në e bëfshim skllave, bashkë do mbretërojmë.

Pritmë mike pra, atje ku rruga ndahet.
Di një shteg të ngushtë, sa për dy mëkate
I fshehtë sa lajthitjet, i lartë mbi gjitha malet.
Më i butë se ëndërra, i fortë sa dy tërmete.

Nga shtegu që unë di, e që pas nesh do mbyllet.
Do rrjedhim të dy bashkë, për jetë, pa vit e stinë.
Ura përmbi ne, do ngrenë të lidhin brigjet.
Por të na ndalojnë s’do munden, s’do arrijnë.

Ndaj mike krenaritë në udhëkryqe flaki.
Të kthyerit qyqarë t’i mbledhin për stoli.
Larg të ikim ëndrrës ku të tjerë nuk pati.
Ku malli pret të shuhet, ta ndezim përsëri.

Në të mbajnë dyshimet, kujdesu dhe për fajin.
Gënjeshtrat e mia do të plakin një ditë.
Bajate të vërtetat, kujtesës do të falin,
Pendesë, e do pendohesh tamam për krenaritë.

 


 

Njerëzit plaken lehtë

Do plakemi një ditë, njerëzit plaken lehtë.
Disa fjalë të urta, dietë për sklerozë.
Lajthimet larg dhe kaq, thinjat dalin vetë.
Rrudha ca më shumë, e ca më pak xhelozë.

Kur muzgu të ketë rënë, i beftë dhe hënë e plotë,
Kur larg të jesh nga unë, shpëtuar e ikur,
Netëve pranë dritares, në xhamat e ftohtë,
Do shohësh ngjashmërinë, të vetme të drobitur.

Pastaj do ngushëllohesh, sikur xhamat gënjejnë.
Në dhomën e grimit do kërkosh shpëtim.
Një pasqyrë e madhe, e drita tej e tej.
Siç i deshe vetë, veç dhe një kujtim.

Mos më ler atje, jam ngushtë në kujtesë.
Vitet bënë të tyren, tani gënjej më mirë.
Tek një varg i humbur, këngët i ndërpres.
Të dëgjoj pak mall, të prushtë, të përtërirë.

Pas tij, nga krismë e xhamit, me erën do vij fshehtë.
Do ndaloj në krëhër, të derdhem nëpër flokë.
Mornica do mbjell qafës, gjinjve fllad të lehtë.
Veç të të jem pranë, vetëm s’të shoh dot.

Të iki pastaj larg, unë veç të iki di.
I vesh këpucët prapthi, vetëtimat përgjoj.
Darkoj herë-herë me to, në netët me shi.
Pas stuhisë në ag, më shuhen dhe unë shkoj.

Do plakemi një ditë, njerëzit plaken lehtë.
Disa fjalë të urta, dietë për sklerozë.
Lajthimet larg dhe kaq, thinjat dolën vetë.
Rrudha ca më shumë, e ca më pak xhelozë.


Dy vjeshta dhe dy gra

Asnjë varg nuk shkrep, as fjalë,
Ikën zogjtë e stinës këngë.
Gjeth i lodhur zbret ngadalë,
Verdh e zbehtë, si unë i lënë.

Erë pabesa e vërviti,
Hapash ngutur, ndër këpucë.
Kur ke mall, i trishtë është viti,
Shi, kujtime, e rrugët llucë.

Stinë e artë, kur qe e artë,
Mbeti larg, të mbahet mend.
Kishte ngut, dhe prush e zjarrtë.
Tani e ftohtë, e gjatë pa fund.

Kam të them, po si ta shkruaj,
Është një varg, mezi ta ndaj.
Vjeshta retë m’i mori mua,
Në m’i ktheftë, stuhitë do mbaj.

E njollosën Demostenin,
Lodër flakësh, brirë, a kreshtë.
Në mëkat ç’e do mallkimin,
Keq a mirë, me gra s’ka vjeshtë.

Vij për disa thinja rrotull,
Kurth më janë për mençuritë.
Një nishan marrok, mbi vetull,
M’i rrëzon, i shkund çdo ditë.

Flok-ar të qe ky makth i trishtë
Ndoshta plaga do fashitej.
Mundet vjeshta s’do qe vjeshtë,
Në dy gra, një mall do tretej.


Premtim

As nga dera,
As përtej xhamave të shoh.

Kam kohë që ulem,
Po në atë vend,
Në po atë orë.
Tashmë as ëngjëll, as djall.
Flas dhe flas,
Me po ato karrike bosh,
Përballë.

Po plakem ngadalë,
E ti ngadalë vonohesh.

S’di pse tani,
Më vjen keq për karriket.
Mërzisë së tyre i flas hapur.
Përgjigjet ia di që më parë.
Rrudhur nga vitet,
Janë vakur.
Fjalët i janë vakur.
E ashtu kot i pyes,
Edhe ato janë plakur.

Më buzëqesh ama
Një shpresë arrati.
Kur të mos jemi më,
Nëse fati nuk na shuan harruar,
Shumë vajza ndoshta
Do quhen si ti.
Por ty do të mallkojnë,
E mua do më duan.
Se edhe pas vdekjes
Do di të dashuroj.


Europa ose mercenarët e Hanibalit

Alpet në kurrize elefantësh ngarkuar,
E skelete elefantësh,
Në kurrize malesh të mbetura.

Gllënjka helmi,
Nga një unazë
Në portat e Romës.
Dhe Kartagjena u shkri atje larg.

U thërmuan në kokriza rëre,
Shekujsh buzëqeshjesh,
E parada fitoresh.
Ndoshta të përgjakura,
Të buta mundet,
Të dlira, ku dihet.

Kurrize elefantesh
Zbardhin, të thinjura Alpeve.
E male ankthi të ngrira,
Si drithërimë rinie
Pa rimë.

Në fakt,
Atëherë filloi të plakej kurvëria.
E kontinenti u rrudh i tëri.
Dëshirat mësuan
Dehjen e butë të shitjes.

Lumenj të vjetër,
Në shtretër të vjetër,
Befas bartën trungje të mëdhenj,
Për në det.
Ku kripa do t’i kafshojë,
Gjer dhe pas shterrjes,
Në të thatë.

Tepruan vetëm,
Disa popuj të vegjël.
Që akoma udhëtojnë lumenjve,
Me kujtimin e një epike të humbur,
Diku para Hanibalit.

Mbetjet e stërgjyshit
” Bind shqiptarët mos druejn dekën ”
Gj. Fishta

Shekuj mbi shekuj
E ca flokë të gjatë,
Dy mijë vjet të gjatë,
Nën tokë.
Të rritur dhe pas vdekjes.
Si një rrënjë shëmtuar e thatë,
Pijnë lagështirë,
Nëpër pafundësi të nesërmesh.

Një gur i sheshtë,
I bardhë,
Ku vitet kanë lëpirë veç shkronjat,
Nuk thotë asgjë.

Skeleti i një qeni të madh
Përbri,
Në varr pranë,
E i pa varr.
Tashmë edhe i paemër.

Unaza e argjentë,
Rrin lirë,
Në kockën e gishtit të skeletit.
Dashuri ndoshta…
E varr gruaje kurrkund afër.
As skelet kali nuk ka.
As stemë të familjes.

Në kohërat kur kishte shumë princër,
Ai ndër të paktit,
Nuk ka qenë princ,
siç duket.

Por sidoqoftë…
Ka ditur të vdesë i ri.
Dhëmbët i ka të gjitha,
Në kafkë.

Thembër si Akili

E di mirë tani,
Shpirti do më lerë,
Atje ku gjithmonë
Edhe kam dyshuar.
Nëpër fjalë të ëmbla,
Gjumi do më zerë.
Endërr apo grua,
Sajesë e mallkuar.

E më do mos zgjohem,
Për fajin e tyre.
Në u zgjofsha prapë,
Prapë ato kanë faj.
Më pinë e më thanë,
Gënjej i gënjyer.
Mallkojnë të mallkuarat,
E më mallkim nuk mbaj.

Shpirti kur nuk dua,
Do më lerë një natë.
Tamam atje,
Ku shpejt do harrohem.
Thjesht ashtu,
Se di të vdes për gratë.
Siç di për to,
Edhe të ringjallem.

Fshati im
(Baladë)

Nuk ka në botë si fshati im,
S’e gjen as në përrallë.
Burrat shkojnë, djemtë shikojnë shtëpinë.
Lodhen vajzat, ndihmojnë dhe gratë.

Shkuan burrat sedërtarë,
Fshati gati bosh.
Mbetën gratë dhe djem beqarë,
E vajzat hire plot.

Shkuan burrat që pa gdhirë,
Në punëra të mëdha.
Ato të voglat bëhen mirë,
Dhe pa qenë ata.

Nuset fshijnë, pastrojnë e dalin,
Sodisin tej pragut.
Djem çapkënë romuze falin,
I verës fllad sokakut.

Shkuan burrat në qytete,
Rrufisin kafetë.
Djemtë në fshat me hoje blete,
E kokën përpjetë.

Shkuan burrat që me natë,
Në mbrëmje kthehen vonë.
Gaz për lodhjen prap janë gratë,
Këtu në fshatin tonë.

Nuk ka në botë si fshati im,
S’e gjen as në përrallë.
Burrat shkojnë, djemtë shikojnë shtëpinë,
Lodhen vajzat, ndihmojnë dhe gratë.


Mushkëritë fosile të dheut

Nxitoj!
Nuk kam kohë për rrugë të gjata.

Edhe kur nisem për atje,
Më e shumta,
Arrij diku afër.

Vitet, përtej pëlhurash merimange,
Përkunden lehtazi,
Në erën e butë të kujtesës,

Dhe prapë qetësi në passhpinë.
Asgjë për të thënë për nesër.

Akrepat lëvizin në fusha bosh,
Pa minuta.

Njerëzit,
Edhe besojnë,
Edhe s’besojnë,
Në parashikimin e motit.

Stuhitë pothuaj gjithmonë befasojnë.

Atdheu kërkon …
Askush e di se çfarë.

Ishin këtu ata,
Këtu ishin.
Atdheu nuk i pa.

Të tjerët iu ndodhën nëpër duar.
Ishin këtu ata…

Tani mund të flasin mbi eshtra,
Me eshtra,
Dhe për eshtrat e një kohe që vjen.

Tradita e dheut ku linda,
Nuk është e butë.

Arkivolë të vegjël,
Fosile të pamishta,

Ndriçojnë karvane ditënetësh shekullorë,
E turma spazme që gjithmonë rifillojnë,
Nga po ajo ëndërr,
Kurrherë e korrigjuar.

Varri i heroit pa eshtra,
Pa armë,
Dhe varri i poetit pa pendë,
E pa eshtra,

Përcjellin heshturazi,
Eshtra të tjera përtej detit.

Ndërsa do t’u duhet,
T’i presin ndoshta,
Në arka të vogla sa djepi.

Heshtje,
Dhe harresë për heshtjen.

E lehtë si krah,
Zhurma e jetës ikën,
Ikën.
Ku dihet për në cilin fund

Kthehen rrallë ata.
Arritëm rrallë edhe ne.

Gjithë të tjerat,
Janë ashtu si ja vunë emrat.

Vetëm Atdheu kërkon …
Askush e din se çfarë.

Dhembjet e bardha

Kur vargjet më ikin, kushedi se ku,
Thërrime këngësh treten nëpër mjegull.
Zjarri nëpër eshtra, më bredh kuturu.
I akullt acari, lëkurës, një shekull.

Ngrij e nuk shuhem, gjer dhe buzë vdekjes.
Digjem e s’ngrohem, sikur për një çast.
Rinohem, rrëzohem dhe plakem hera-herës.
Ngrihem, lartohem, prapë pastaj shkas.

Ç’ më mbeti në fakt, nga stuhitë e shuara?
Prej paqes që shkoi, nuk është më asgjë.
Një fjalë nuk e gjej, në vargjet e shkuara.
Një tjetër kërkoj, a ndoshta po atë.

Frymëprerë, në ngërç, grish e nguc mëri.
U fsheh! Në cilën skutë? Kush e gjeti vallë?
Gënjehem ndonjëherë me fjalën “Dashuri”
Pastaj sërish ndërmendem, se nuk e dua fjalë.

Dhe vargjet tradhëtojnë, ikin s’di se ku.
Thërrime këngësh më treten në mjegull.
Zjarri në eshtra, më djeg prapë ashtu
I akullt acari, lëkurës, një shekull.

Si të gjithë

U ndamë ashtu, si ndahen të gjithë.
Unë një psherëtimë, ajo dy pika lot.
Një hije përtace u tret në mugëtirë.
Dhe mbi mua mugu, ra e pata ftohtë.

Dhe ikën ashtu si ikin të gjithë.
Pa ditur përse, pa shkak, fare kot.
Ajo ngadalë me erën në shpinë.
E unë i rënduar me erën në gjoks.

E më nuk u pamë, ashtu si të gjithë.
Mallin peng-kristal, me ar mbushur plot.
Rrëmbimthi e mori, shenjë për pleqërinë.
Dhe mua një të tillë, ma la sa se mbaj dot.

Tani kthehem shpesh, siç kthehen të gjithë.
Tek ai mug i lagësht, tek ai mug i ftohtë.
Padashur ngaherë fal një psherëtimë.
Në shkëmbim të saj, marr dy pika lot.

Gjyshi im

Gjyshi im ka pak kocka,
Fare pak,
E shumë lëkurë.
Aq shumë lëkurë,
Sa kudo,
E ka nga një grusht tepër.

Kur ishte i ri,
Hapi një pus pranë shtëpisë
“- Gabim – shpesh e thotë,
Duhej të qe pak më lart.
Më sipër…
E uji të vinte tëposhtë.
Por isha i ri dhe…

Kajsinë e vjetër e preva
Përse?
As unë nuk e di.
E nuk mbolla tjetër.
Jo se nuk pata kohë,
Por…

Edhe një peng e kam.
Të kisha këmbë,
Edhe njëherë.
Të të gjenja një vajzë,
Të të shihja dhëndër,
Kaq.

Gjyshi im,
Ka fare pak kocka,
Dhe pak gabime si këto.
A ndoshta vetëm këto.

Vdekja ime

Vdekja ime në tuajën kujtesë
Të më vijë dhe në qoftë e jotja,
Ashtu e qetë pa shaminë e zezë.

Si stinët për stinën që shkoi,
Gjallë, dhe mbuluar nga kotja.
Bri shtratit shterp të një përroi.

* * *

Ndaluar pres një gaz, si uji që iku.
Verë e thatë e piu a se çfarë.
Unë mbret i rrëzimeve, romantiku.

Me gurgullimën që rrjedh e po vjen,
I dashuruar, e përgjithmonë i ndarë
Rrugët humbas, të tjera hapi gjen.

* * *

E dua vdekjen, në kujtesën tuaj.
Në s’më ke harruar edhe ti harromë.
Nga e para prapë nëpër jetë të luaj.

I lënë diku pas, larg dhe i lirë.
“Qofsh i mallkuar” të tjerë të më thonë.
Ju më të lehtë, për mua dhe më mirë.

Në se…

Mos më shaj në se hutohem,
As për fjalët që humbas.
Nëpër flokë të ngatërrohem,
Dredhës shkoj, e më kthen pas.

Falmë që ti pashë dhe sytë,
Në shkëlqim, e ç’faj kam unë.
Nata ngroh nëpër qerpikë.
Zemra ndjell furi, furtunë.

Falmë dhe po më besove.
Burrat dinë dhe të gënjejnë.
E kur të gënjyer zgjohen.
Bëhen burra të vërtetë.

Deri këtu…

Engjëllushë si ty, as ëndrrave nuk pata
Shtigjeve në prita, më përgjumën djajtë.
Jetmime sa një lot, harruar, mbetën prapa.
Plangprishësi gaz’ humbur butë u kthye prapë.

Mijëra ndalesa në një hap m’u tretën.
S’e di pse kam qenë, për ku, dhe as çfarë.
Në dritë kursemi fjalët, të mos bredh i verbër.
Në fjalë kursema dritën, vij nga natë e gjatë.

M’u dhimbsën dhuratat, mbledhur nëpër vite.
Fshehur dhe nga vetja, fshehur nga të tjerë.
Premtime fëminore, në kokë më kalaviten.
I lumturi jam unë, e bota kaq e mjerë.

Kthehet kohë e humbur, a kohë e fituar?
Ligsht më gënjyen, të mpakur ikin djajtë.
Unë e di se ç’je, veç s’di si duhet shkruar.
Fjalët janë pa fund, e asnjë fjalë e artë.

Përzier agu, i kaftë e gjelbër-kthjellët.
Ajo dritë e lagësht, dhe pret dhe kthen mirësi.
M’i deshi lajthimet, ngrohtë m’i treti, ndjellët.
Fillimi qe buzë meje, fund, s’pashë në ata sy.

Këndova ngatërruar, si bilbilat meshkuj.
Në pikun e stinës, kur janë veç çmendurakë.
M’i numëroi tingujt drithërimë e heshtur.
Në deje më vërshoi çdo gaz nga buzë e saj.

As ëndërrave s’kam patur ëngjëllushë si ty.
Djajtë i sikterisa, pres në njëmijë prita.
Fillime, veç fillime, i zgjuar jam aty.
Ku zjarri gurët shkrin, e flaka ndrin dëshira.

Nesër

Mes miqsh, si miq, për të tjera vetmi.
Ditët kalendarëve klithin në gërshërë.
Një grimcë të kaluar, në ankth përsëri.
E presim në dëshira rrethuar me rërë.

Fisnikërisë sfilitur, bredhim shkretëtirës.
Diku larg oazit, kthim ngaherë e prapë.
Të lodhur nga e sotmja, qyqarë të lamtumirës.
Lypsarë të krenarisë, me një peng të artë.

Nuk ka më shpëtim, ne i thamë mallkimet.
Era fshiu gjurmët, dunat po mërgojnë.
Hapat e përzhitur braktisën fillimet.
U nisëm… Nga ku? Në ç’harresë po shkojmë?

S’i deshëm stuhitë, të bindura qëlluan.
Fjalë tek-tuk në belb, tani frymarrin flakë.
As vesë e as lotë, qiejve shterruan.
Dimra thatuqë nuk dirsin nëpër vapë.

Këngët e erës na thërrmohen ballit
Përzierë me dritë, qepallave pulitur.
Horizonti thellë, larg ndalesë e mallit.
Zhubrosur si përgjumjet, hapit sypafjetur.

Nëse rrugës vdesim, diç edhe do mbetet.
Dëshëruam, ecëm, zhgënjimet s’i pamë.
Ndalesat s’i gjetëm, të virgjëra vegimet.
Ia huajtëm s’di kujt, e s’di kujt ia lamë.

Miqtë, edhe vetmitë, na i morën lodrat.
Në margina ndjelljesh, qëndruan nëpër stinë.
Shkuan mbretëritë, ranë edhe kurorat.
Jehonave u shuan, për një shushurimë.

Pres pak mjegull

Në më ardhsh moj mike e vogël
Kam kaq kohë që pres pak mjegull
Ujk nuk jam, por di një lodër,
Dhëmb për dhëmb, të dy të dehur.

Kafshoj butë e s’do ndjesh dhëmbje,
Zjarr do rrjedhë nëpër damarë,
Netët pus me vajtje-ardhje,
T’i ndriçojmë si në përrallë.

T’i vemë ëndërrat në lëkurë
T’i zgjojmë thellë atje ku flenë,
Të shkojmë larg atje ku kurrrë,
Pendesat s’do mund t’i gjejmë.

Do të fryjë e ngrohtë stuhia,
Pika shiu përvëlim,
Tok në rrjedhë, ëndrrat e shkrira,
Gjumë nuk ka, nuk ka as zgjim.

Belbëzitur do të flasim,
Si fëmijë që fjalë nuk kanë,
Ëmbël humbur, do rrëshqasim,
Lart e poshtë, pa fund e anë.

Të ndalojmë mbi re të bardhë,
Të lodrojmë nëpër shtëllungë,
Çfarë është sot, tashmë ka ardhë
Ç’është për nesër, nuk do humbë.

Eja mike, flake drojën,
Kurrë s’gënjej për deri kaq.
Të dy bashkë ta shembim Trojën,
Luftojmë bashkë, e bashkë bëjmë paqë

Të vërteta nga fshati im

Rrugë ka pak në fshatin tim,
Por fëmijë janë shumë.
Gjer buzë muzgut, luajnë, rrinë,
Dhe herët shkojnë në gjumë.

Në mbrëmje burrat, një nga një,
Nga shtëpitë ngadalë,
Të gjithë bashkë në kafene,
Mblidhen si me fjalë.

Nga një gotë raki përpara,
E meze fare pak,
Majtas tring, tring nga e djathta,
Tring e tring, për natë.

Në shtëpi raki e verëra,
Por atje s’e pinë.
Zakon burrash kamerierja,
Kur ta bën sajdinë.

Apo s’është si dritë në natë,
Syri s’e merr dot.
Shkruar, lyer, qytetarkë,
Kafeneja plot.

Gotat sjell në tavolinë,
Burrat kokëpërdhe.
Se mos kushedi iu zenë,
Sytë në dekolte.

Fshehur pak, e shumë zbuluar,
Hidhen në tërmet.
Dy male të bardhë shtrënguar,
Në mes një rrugë humbet.

Zinxhir i hollë qafës lodron,
I lumtur si ai.
Krenar lëviz, kërcen, kërkon,
Harbon e zgjon zili.

Fustan i shkurtër, gjurit larg,
Ç’qiell ka mbuluar.
Këmbët ajkë e mjaltë, mëkat,
Nuk kanë të mbaruar.

Dredh i butë nën bel pas hapit,
Dallgë stuhie ngre.
Derdh të gjithë gotat e fshatit,
Tund një kafene.

Burrat heshtur pijnë rininë,
Kujtojnë kur qenë beqarë.
Të rinj buzqumësht pijnë e s’dinë,
Pse mbeten tek një “Ah!”.

Vonë kur kafene e mplakur,
Prej lodhjes zë përgjumet.
Burrat butë prej ëndrrës vakur,
Shkojnë dhe dera mbyllet.

Erdhën esëll, shpresëndezur,
Siç vijnë përnatë.
Kthehen kapedanë krekosur,
Ku zgjuar presin gratë.

Darkë e ngrohtë, të ngrohta gratë,
Në fshat ngrysen lehona.
Me burra çakërrqef në shtrat,
Kur zbardh, zgjohen shtatzëna.

Fëmijë ka plot në fshatin tim,
Porse rrugë janë pak.
Dhe një kafene – shpëtim,
Tring e tring përnatë.

Ndjesa e mëkatit

Më kanë mundur ligsht mëkatet
Në tym kërkoj një fill ngatërruar
Tretur janë të gjithë inatet
Humnerë në gjoks, vullkan i shuar.

S’ka më këngë në zemrën time
Era, thatë, më fryu pluhur
Gëzime-grimë, u bënë thërrime
Dhembjet-copë i mbledh përhumbur.

S’di për ku dhe sa do zgjasë
Drithmë-dyzimi, majtë a djathtë
Mes i lagësht, s’di të flasë
Grish symbyllur thellë në natë.

Ndiej që iki, dhe më ikin
Trishtë-nomad pa kalë e çadër
Hapat-çalë shoje zvarritin
Flakë në zheg, acar pa vatër.

Humbem shpesh në rrugë të lashta
Ku rinohet dhe më plaku
Lëmsh nën këmbë kallinj e kashta
Shkel mbi to njëlloj përbaltur.

Shkoi shkujdesja e nuk vjen prapë
Ç’do minut më dhemb nën thua
Pengjet plagë që lashë te gratë
Gjitha shpagë m’i kthen një grua.

Jo s’mjafton, s’mbaron me kaq
Klithmën mbaj në grushte fort
Për të një fjalë nuk mund ta flak
E fjalë nuk kam që ta mallkoj.

Ndarja

Është një qytet,
(Si mjaft të tjerë syresh)
Me të cilin
S’do ta pi më kafenë
Dhe mjaft të tjera si kafeja.

Në kotësi do t’i flak
( Pa dhimbje )
Të gjitha mençuritë bajate,
Të ngjashmet me to,
Dhe ato që s’janë të tilla.

Thjesht
T’i shpëtoj nga ruajtja dua
Lirinë lypsare t’ua fal
( Gjithashtu pa dhimbë ),
Kaq mund e meritojnë

Shkallët e zhurmshme mençurake
Pas kësaj
Të treten në eter
Pa humbje për në përhumbje
Deri tek e fundit mençuri
Pos vetëm disa pak lajthitjeve.
(Dhe të ngjashmet me lajthitjet)
Të gjitha ato pak
Ti skllavëroj në vargje
Pa mëshirë.

Me ganxha të trasha prej hekuri
Ti mbërthej
Ku ndryshku
Të mos ketë më
As shpresën e kohës që vjen
As atë të stinëve me lagështirë
Dhe asnjërën nga shpresat për liri.
Përjetë t’i ngujoj aty
Ndërmjet gërmash.

Fundja,
E kujt mund t’i duhen
Mençuritë e një qyteti (?!),
Me të cilin unë
S’do ta pi më,
As kafenë,
Dhe as të tjera,
Të ngjashme me kafenë.

Ndaj zgjodha lajthimet
Si peng,
Dhe premtim për ndarjen


Trembem të të dua si dikur

Më qenke plakur mikja e rinisë
As mua ajo shtrigë s’më ka kursyer
Në ç’dremitje ta ndjell, përgjum e vërvis?
Si t’ia zhvas, rininë që ka rrëmbyer.

Në mes nesh tani një pyll me thinja
Ndalen lajthimet në buzëhone rrudhash
Mbeta në prag, ku je dhe s’je e imja
Belbëzoj padashur, një këngë të ndyrë putanash.

E çfarë, se ti u ktheve? Ti dhe më braktise
Në erdhe për plagën, tashmë nuk ka shërim
Ajo që rrodhi trishtë që ditën kur u nise
Prej kohësh ka vërshuar, as ndalet, as ka kthim.

Na qenkan kësisoj dënimet kësaj bote
Ato që s’janë harresë zhurisin dhe një mal
E kur shkojnë harruar prej ngutit të një lodre
Kthehen gjithë njëherësh më zi se një vullkan.

Me stinë të begatuar, nuk jemi si dikur
Tepricat flasin trishtë, të më kuptosh, vështromë
Nuk ngjaj me atë tjetrin, gërmadhë, gur mbi gur
As ti s’i ngjan asaj, kaloi e nuk harrojmë.

Mike shko dhe lermë, të endem në vetmi
Në ca pak kujtime si engjëll i trazuar
Nuk mban më zemra ime, nuk jam prapë i ri
Mos më grish në ndarje, kam boll një të kaluar.

Sakaq, jemi plakur, mikja e rinisë
U shuan betejat, as marsh, as flamur
Ca relike thyer, mbetën, dot s’i ngjis
Dhe trembem të të dua sërish si dikur.

Po ndahen ata

Po ndahen ata që u deshën shumë
Atje ku stinët me stinë këmbehen
Ai nëpër erë, shpupurisur, furtunë
Ajo nëpër flokë me gjethet që dëfrehen.

Po ndahen ata, të lumturit dikur
Atje ku këngët heshtin për një peng
Ai përmbi hap, s’di “Ku?” e s’di “Kur?”
Ajo e pahapa, shkujdesur, gati rend.

Po ndahen ata, që gazin patën lodër,
Atje ku nata, nis ditën ta ngjyrosë
Ai pas hijes që zgjatet, ngjan i vogël
Ajo hijen pas, harresë në muzgun vjollcë.

Po ndahen ata, të zjarrtit në lajthim
Atje ku zgjimi pa dert, prish një ëndërr
Ai rreshk i mpirë, ngadalë për në pakthim
Ajo derdhur ikjes, me dritën shuhet ëmbël.

Po ndahen ata, ku dihet se për çfarë
Atje ku rrugët, të shikojnë në shpinë
Ai për në natë, drejt lindjes në do zbardhë
Ajo pas diellit, u tret në perëndim.

Po ndahen ata, se ndoshta ashtu duhet
Atje ku shirat i vizojnë peisazhet
Ai këpucët pellgjesh, as di, as ndjen se qullet
Ajo ngrohtë diku pranë zjarrit shkrin mirazhet.

U ndanë ata që u deshën shumë
Atje ku stina me stinën këmbehet
Ai nuk qe ai, ai këtu jam unë
Ajo është ajo, që kurrë më nuk do kthehet

E pastaj…

E pastaj që vuaj
Se s’më je më pranë
Asgjë nuk do të thotë
Dhe as të desha kurrë

E çfarë se gjumin humba
E nata lig më fshanë
Përgjumur gjithë një botë
Unë prapë jam si dikur.

* * *

S’ka gjë pse çmendur zemra
Rreh nxitur kur të shoh
Jo, s’është dashuri
As ishte ndonjëherë

S’është gjë as psherëtima
Që dehur më shpëton
Në prehje ngrej stuhi
Stuhisë për prehjen bredh.

* * *

E çfarë se prapë kaloj,
Nga rruga pranë shtëpisë
Eshtë vetëm thjesht zakon
Në fakt të kam harruar

E pastaj se ndalem,
Kur perdja dallgë lëviz
Dritaret gjithë ngjasojnë
Pushoj se jam rrugëtuar.

E fundmja këngë

Do të ndahem ndoshta, a do shkoj më tej (?!)
Pendimin kam shkruar, a mallkimin tim(?!)
Ujërat rrjedhin kthjellët, turbull i rrëfej.
Këtej zjarr që djeg, përtej një dritë-shpëtim.

Keqas rashë në grackë dhe brodha lirisë.
Pas ndjellash pa fund ku rrugët mbarojnë
Mbërrita dhe njëherë te shteg i fëmijërisë
Gëzim në thinjë-mëkati, vitet më rëndojnë.

Si zog i arratisur, as stinë, as miq shtegtarë
Hareshëm, lodrës fshehur, nga pezmi në pezm.
Përzënë nga drita dyersh, ku ndershëm ndrisin gratë,
Mirëpritur nga dritaret, terr-ngrohur pa mëngjes.

Klient i parë ku thuhej: ” Zvarrisur, edhe pak”.
Dhembjet që pa zbardhur i laga me harresë.
Qerthull me kafenë, me dehjen daljet larg,
I fundit vonë pagova. Nga kyçjet për në shpresë.

S’di sa rrugë të shkreta me hapa lumturova,
S’di as sa përqeshje më bënë të qeshem lehtë
Harroj, dhe kam harruar. Defekte që nga shkolla
Më thosh dikur nënë-mjera: “Prit, e gjen në jetë”.

Tani më kot shpjegohem, edhe ndarjet mbeten
Po zbres te varg i fundit, në të fundmen këngë
Teposhtë pendimin ruaj, dhemb, dhe pyes veten:
“A gjumëprishur brodha? A mos u zgjova vonë? ”

Sidoqoftë tashmë, i kam flakur çelësat.
Nga dera që dola i shuajta trokitjet
Braktisa sikur duhej, dilemat dhe kulisat
U tret në muzg i marri. I ruani lajthimet.

 

 

Pa duar e këmbë

Rilindem dhe vdes butë,
Tërheq pa hir gjithçka,
Hapit gjarpër udhë,
Ku dhëmbë të helmët ka,
E kafshatë të hidhur.

Embëlsou pak,
O fat,
O vëlla.
Bindmu edhe ti,
Siç unë të jam bindur.

* * *
Stuhitë i lagur laga,
Acarit “Me” dhe “Pa”
Stolitë në natë i flaka
As t’i shikoj s’më la,
Nëpër terr harruar.

Butë, pak më butë,
O fat,
O vëlla.
Ndrysho dhe ti njëherë,
Mjaft më ke munduar.

* * *
Kush mallkim i rëndë,
Të solli bashkudhëtar?
Pa duar e pa këmbë,
Mbi kurriz si “TRA”,
Së prapthi i lexuar.

Zgjohu për një fjalë,
O fat,
O vëlla.
Ke shekuj që fle,
E unë prej shekujsh zgjuar.

homazh poetit të panjohur

venash flakë,
natë në sy.
gaz e plagë,
pushon aty.

rrugën humbur,
bredh ngadalë.
flet i vdekur,
hesht i gjallë.

mbyti klithma,
gjoksit çjerrë.
u tret drita,
fsheh ylberë.

shok me mbretër,
të përzënë.
gra pa shtretër,
net pa hënë.

eh, pranvera,
shpesh gënjeu.
stinët era,
i rrëmbeu.

vit pa shekull,
varg pa emër.
trok në mjegull,
lot e zemër.

një mijë vjet,
si stalagmit.
pikon e pret,
duron; pik-pik!

E fshehtë

Ka vetëm një fjalë,
Çast si fjalë që duam ta kemi.
Botëz e vockël,
Në zemër të një pikëvese,
Ku ylberët,
Harlisen të paqtë, mëngjesit.

Çast si botë,
Sa një fjalëz.

Ledhatim uturimash mbi tinguj ullishtash ronitjeve ikin
. edhatim . turimash . bi .inguj . llishtash .onitjeve .kin

Ca gërma jetime si heshtje,
Mbesin të pakuptimta.
Të braktisura pështjellimesh,
Bien diku,
të pafajshme në pasigurinë e tyre.

Fjalë çast,
Që vetëm ishte.
Në “ISHTE” rrin e prehet,
Dhe mbetet atje.
E pashpjeguar,
Në llozhën e zgjedhur të kujtesës.

Ndërsa ylberët në vesë,
Shuajnë etjen e pamatë të diellit,
Që merr mëngjese në pakthim,
E të tjera zgjon.
Vetëm kur ikin,
Kujtohemi se i patëm.

Lodra-ushtimë me tallaz urtësuar rimon ikjet
. odra-. shtimë . e .allaz . rtësuar .imon .kjet

Dhe prapë ca gërma,
Ngjiten të na presin diku tjetër.
E ca fjalë pa lidhje,
Rrëzohen pa shpresë.

Gjithçka ngjan
Si e qara në ditën e parë të lindjes,
Apo ndoshta,
Si një kujtesë e humbur.

E gjitha që mbetet është boshësi,
Mungesë e një fjale.
E ikur prej nesh kaherë
Dhe që rrugëton ikjes,
Për kthimin e premtuar,
Për të na dhuruar mirseardhjen e paqtë,
Apo (Zot na ruaj),
Për lamtumirën e hidhur.


Ishin dy virgjëri

Dridhur drithma, derdhet shtatit.
Fjalë shërim, në sythe plagë.
Butë e bardhë, burojnë shtratit.
Endrra – dallgë, jastëkut paqë.

Dy lastarë të njomë si uji,
Thyhen e përdridhen njësh.
Gonxhe – çarë, petalet skuqin.
Drita ditën me to josh.

Lagën shirat shkretëtirat.
Pranverat u bënë bashkë.
Embël – vesë, vesuan dritat.
Shtegtoi nata, kërkon natë.

Dy lastarë të njomë harlisen.
Era fryn e lehtë, e ngrohtë.
Këngët gërxheve gremisen.
I dëgjojnë pushuar zogjtë.

Ndalojnë orët dhe minutat.
Muajt heshtin, stinët s’janë.
Nuk gugasin as pëllumbat
Përgjojnë tinëz dy lastarë.

Flakë e ankthit piu britmat.
Prush u shuan në dëborë.
U qëndisën trëndafilat.
Iku larg fëmijë i gjorë.

Dridhur drithma, u derdh shtatit.
Fjalë shërim në sythe plagë.
Butë e bardhë buruan shtratit.
Endrra – dallgë, jastëkut paqë.

Rrethi i horizontit

Gati pisk ndaluar, në ngërçe diku larg.
Ashtu si nuk duhej, trazova kalendarët.
Ç’ishin mirësi, degdisur ikën prapë,
Hareshëm ku festojnë, xhelatët dhe vrastarët.

Brodha, nëpër kohë të ngrirë, i fillikat.
Hapova ku erërat, nuk frynin më tymnajë.
Harrim, me frone pleq, mëkate pa mëkat.
Heshtjes rrafsh i shtrirë, as hone e as majë.

Këmbët më lëpihen, nëpër hapa binjake.
Gjurmët më përzenë, për në tokë të virgjër.
Pak durim tepruar, në dëshira flake.
Të pagjumë më lanë, rrugëve pa shtretër.

Eci, por më kot, pejzazhet nuk lëvizin.
Ndaloj sa kockat dhembin, prapë në vend ato.
E di që jam harresë, ku harresat nisin.
Heronj askund përreth, varre kuajsh plot.

I mbyllur horizonti, kryeneç si unë.
Në çdo hap më shtyhet, në passhpinë më ndjek.
Iki i paikur, mbeta ca si shumë.
Vetëm pikë ku rrethi diametrat pret.

Ngutem gjer përtej, ku gjërat presin kthjellët.
Nuk duhet të jetë larg, se nga larg jam nisur.
Druaj mos vonohem, dhe dëm u zgjova herët.
Më ndal bonjak i mjerë, sfidon një mbret i krisur.

M’i dha ylberi ngjyrat, dikur, isha fëmi.
E si gjithë fëmijët, nuk munda të përzgjedh.
Tani shtegtoj dhe rri, me shpresë se kushedi.
Më shfaqet dhe një herë, buqetë në grusht ta mbledh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit