Feja si faktor dominant
Faktori më dominant që ndikon në martesën islame është feja. Në kulturën islame nuk ekziston koncepti i bigëzimit midis asaj që është sakrale dhe asaj që është sekulare. Përderisa çdo aspekt i jetës është krijim i Allahut, ai bart kuptim fetar. Ndonëse martesa nuk konsiderohet si një sakrament fetar, Islami e rekomandon atë për çdo mysliman. Në Kuran (30:20 ;33-24:32 ;13:38 ;7:107 ;29 ,4:1) dhe në literaturën e hadithit gjenden pasazhe të shumta në të cilat celibati (beqaria) dekurajohet dhe martesa inkurajohet. Për shembull, Pejgamberi a.s. raportohet të ketë mësuar: “Martesa është prej rrugëve (mënyrave) të mia”, si edhe “Kushdo që është i aftë për t’u martuar, le të martohet”.(1)
Feja garanton të drejta të caktuara dhe imponon përgjegjësi të caktuara mbi çiftin bashkëshortor. Si burri, ashtu edhe gruaja, konsiderohet se përftojnë përfitime substanciale prej institucionit të martesës, por ata gjithashtu janë të kufizuar ndaj obligimeve të saj, prej urdhëresave kuranore dhe interpretimit juridik të fragmenteve të shenjta.
Zakoni i të kërkuarit të gruas për martesë, mënyrë e sigurt për ruajtjen e prestigjit të saj.
Prej kohërave që s’mbahen mend, burri i ka propozuar gruas dhe ka kërkuar martesën me të. Është në natyrën e burrit që të propozojë dhe është në natyrën e gruas që të veprojë e vetëpërmbajtur. Ky ka qenë një ndër faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e prestigjit dhe nderit të grave. Sipas ligjit të krijimit, burri është krijuar si burim i kërkesës dhe i propozimit dhe është lutës, ndërsa gruaja është burim i asaj që tërheq dhe përgjigjet. Natyra e ka mbrojtur gruan me natyrën e një luleje dhe burrin me natyrën e një bilbili, gruan e ka bërë llambë dhe burrin flutur nate. Kjo është një nga skemat dhe planet e mençura të krijimit.(2)
Është në kundërshtim me respektin dhe nderin e një gruaje që të rendë pas një burri dhe t’i vardiset atij, ndërsa për një burrë është burrërore që ai t’i propozojë dhe t’i lutet një gruaje për këtë qëllim, madje edhe në qoftë se ai merr një përgjigje negative.
Ndërsa për një grua është e papërshtatshme dhe jo e lehtë që ta ftojë një burrë që të jetë bashkëshorti i saj dhe, nëse ndodh që kërkesa e saj të refuzohet, të shkojë në kërkim të një burri tjetër.
Pjesëmarrja e familjeve në zgjedhjen e çiftit bashkëshortor
Martesa në Islam, përveçse është bashkim i dy individëve, është edhe bashkim i dy familjeve. Për këtë arsye, një pjesëmarrje më e gjerë në zgjedhjen e partnerëve të martesës nga ana e grupeve familjare të përfshira, konsiderohet si më e përshtatshme dhe më e dobishme, sesa thjesht dëshirat e dy individëve, sado që kjo mund të tingëllojë si e papranueshme në një ambient bashkëkohor perëndimor.
Ndërsa pjesa më e madhe e feministeve perëndimore do ta nënçmonin pjesëmarrjen e familjes në martesën e një çifti si një influencë negative, për shkak të kufizimit të dukshëm të lirisë së tyre individuale, ne si myslimanë duhet të argumentojmë se pjesëmarrja e tillë është dobiprurëse edhe për individët, edhe për grupet brenda shoqërisë. Kjo jo vetëm i siguron martesat, që bazohen mbi parime më të shëndosha sesa ato të bazuara në magjepsjen fizike dhe tërheqjen seksuale, por siguron edhe masa të tjera ruajtjeje për vazhdimësinë e suksesshme bashkëshortore.
Shumë njerëz e konsiderojnë si të dëmshëm çfarëdo cenimi të individualizmit dhe të pavarësisë. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë se pikërisht nga ky fakt, se ata janë të varur nga të tjerët dhe të tjerët janë të varur nga ata, varet mirëqenia e tyre psikologjike dhe rregullimi i tyre në shoqëri – në fakt normaliteti i tyre mendor. Është e nevojshme një fushatë për të bindur njerëzit se madje vlera të tilla si liria individuale, bëhen objekt shpërdorimi dhe mbitheksimi.(3)
Islami u kushton kujdes të veçantë vlerave dhe artit familjar
Familja është institucioni më i vjetër nga të gjitha institucionet njerëzore. Qytetërime të tëra kanë lulëzuar apo kanë stagnuar varësisht prej asaj se sa ka qenë jeta familjare e tyre e fortë apo e dobët. Islami u kushton kujdes të veçantë vlerave dhe artit familjar, sepse kjo me të vërtetë është art dhe kërkon një përkujdesje më të madhe nga të gjitha lidhjet e tjera njerëzore.(4)
Familja e cila përbëhet prej dy elementeve përbërëse, mashkullit dhe femrës, fton për bashkëpunim reciprok dhe siguron nevojat e tyre. Realisht ata së bashku formojnë një organizëm, duke i mundësuar pemës së njerëzimit të zhvillohet dhe në fund të sjellë fryte. Përmes bashkëpunimit çifti bashkëshortor mund të rritë dhe të arsimojë farën e fryteve të tyre.(5)
Fëmija është fryt i drurit bashkëshortor dhe dëshirë natyrore e mashkullit dhe femrës. Martesa pa fëmijë është sikurse pema pa frute. Përgjegjësia më e ndjeshme e nënës është të edukojë fëmijën e saj. Nëse nënat i edukojnë si duhet fëmijët e tyre, atëherë i tëri kombi, madje edhe bota do t’u nënshtrohej ndryshimeve revolucionare.
Allahu i Gjithëdijshëm i ka dhuruar gruas fuqi të jashtëzakonshme. Përparimi dhe lumturia, si edhe shkatërrimi i familjes janë në duart e saj. Nëse familja është e shëndoshë, e tillë është e edhe e tërë shoqëria. Nëse në familje ndodhin shkatërrime dhe tronditje, themelet e shoqërisë minohen seriozisht.(6)
Kërkimi i mirësisë, i dashamirësisë dhe i nderimit midis bashkëshortëve shfaqet në mënyrë të përsëritur si në tekstet fetare, ashtu edhe në ato juridike. Raporti midis burrit dhe gruas nuk është një raport thjesht utilitar. Ky raport ka karakter shpirtëror dhe prej tij burojnë: dashuria, xhentilesa, mirëkuptimi, mbështetja, besimi reciprok, shpirti i sakrificës, përkrahja dhe ndihma. Vetëm në kontekstin familjar, këto potencialitete shpirtërore të burrit dhe gruas kthehen në realitete dhe bëjnë që brenda familjes të lulëzojë begatia dhe virtyti.(7)
Lidhja bashkëshortore, litari hyjnor që i bashkon zemrat
Martesa në fenë islame nuk është një marrëveshje afariste për të cilën bëjnë negociata dy partnerë, as nuk është kontratë shekullare ku përfitimet dhe obligimet çmohen në kontrast me njëra-tjetrën. Pastërtia morale, ngritja shpirtërore, integriteti social, stabiliteti njerëzor, paqja dhe mëshira, janë elementet kryesore të martesës. Kjo është një kontratë për të cilën vetë Zoti është Dëshmitari i Parë dhe Pala e Parë. Kjo kontratë nënshkruhet nën Emrin e Tij. Kjo është shenjë e bekimeve të Tij dhe një mëshirë e pafundme, siç thotë vetë Ai në Kuran (30:31).(8)
Lidhja bashkëshortore është një litar hyjnor që i bashkon zemrat, i qetëson ato kur janë të shqetësuar. Shtëpia është qendër dashurie, kujdesi dhe miqësie. Këto begati Allahu i Gjithëfuqishëm i përmend në Kuranin famëlartë: “Edhe një argument tjetër i Tij është se Ai, nga lloji juaj, krijon bashkëshorte që të gjeni prehje pranë tyre, dhe ndërmjet jush mbjell dashuri dhe mëshirë.” (30:21).(9)
Qëllimet e martesës
Së pari, myslimanët e konsiderojnë martesën si siguruese të balancës midis kërkesave individuale dhe atyre shoqërore. Si e tillë, ajo konsiderohet si një domosdoshmëri sociale dhe psikologjike për çdo anëtar të komunitetit.
Së dyti, martesa është një mekanizëm për kontrollin moral. Islami e konsideron aktivitetin seksual si një energji të rëndësishme dhe të shëndetshme, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Kështu ai nuk duhet të mohohet prej anëtarëve të cilësdo gjini.(10)
Së treti, qëllimi i tretë i martesës është parapërgatitja për një atmosferë të qëndrueshme për rritjen e fëmijëve. Islami e shikon këtë qëllim si lidhje të ndërlikuar të sistemit të zgjeruar familjar.
Së katërti, martesa siguron përfitime ekonomike kruciale për gratë gjatë viteve të mirërritjes së fëmijëve të tyre. Vetëmbajtja ekonomike gjatë kësaj periudhe, është e vështirë për nënat.
Së pesti, shoqërimi i afërt i bashkëshortëve siguron kënaqësi emocionale, si për gratë, ashtu edhe për burrat. Rëndësia e këtij qëllimi të martesës në Islam dëshmohet qartë prej referimeve të përsëritura në Kuran dhe në literaturën e hadithit për qetësinë (30:21; 7:189) dhe karakterin mbrojtës (9:71) të lidhjes midis burrit dhe gruas. Burri dhe gruaja konsiderohen të jenë kaq të afërt, saqë ata përshkruhen si veshje të njëri-tjetrit (2:187).(11)
Barazimi i statusit të burrit dhe të gruas
Në sferën e legjislacionit, Islami filloi me barazimin e statusit të burrit dhe të gruas. Muhamedi a.s. ka thënë: “Ju keni të drejta te gratë tuaja, por edhe ato kanë të drejta ndaj jush.” Kështu ai i vuri relacionet midis dy gjinive mbi një bazament juridik.(12)
Kurani na mëson se të dyja gjinitë kanë status dhe vlerë të njëjtë. Gratë dhe burrat janë krijesa të Allahut, në një nivel vlere dhe dobie të barabartë, megjithëse, rëndësia e njëllojtë e tyre, nuk vërteton pretendimin për barazvlefshmëri apo identitet të përkryer të tyre.(13)
Në pajtim me Kuranin, të dyja gjinitë ndajnë besimin e përbashkët, të dyja janë subjekte në kushte të njëjta ekzistenciale, me mundësi të njëjta dhe qëllim të njëjtë për ekzistim.(14)
Pejgamberi Muhamed thoshte: “Gratë janë gjysma tjetër e burrave.” Njësia themelore e njerëzimit nuk është as burri, as gruaja. Është burri dhe gruaja, të bashkuar përmes martesës që i bën ata familje.(15) Barazia e të drejtave të burrit dhe gruas, nga pikëpamja e vlerës së tyre materiale dhe shpirtërore, është një gjë, por identiteti i tyre është diçka tjetër. Ky ndryshim nuk është rezultat i faktorëve gjeografikë, historikë apo socialë, por ai është skicuar në vetë planin e krijimit.
Kurdo që shqyrtohet ndryshimi i karakteristikave dhe i natyrës së lindur të grave dhe burrave, një pjesë e njerëzve e interpretojnë këtë si mangësi të gruas dhe përsosmëri të burrit dhe si diçka që kërkon një sërë përfitimesh për burrin dhe një sërë privimesh për gruan. Skema e krijimit nuk ka synuar të krijojë njërin të përsosur dhe tjetrin të papërsosur.
Gruaja dhe burri janë dy yje në dy orbita të ndryshme. Kushti themelor për lumturinë e burrit dhe të gruas është që secili prej tyre të vazhdojë të lëvizë në orbitën e vet. Liria dhe barazia do të ishte në dobinë e tyre për sa kohë që asnjëri prej tyre nuk do të largohej nga orbita dhe drejtimi i tij apo i saj natyror.
Kurani mbështet në mënyrë mjaft elokuente statusin e barabartë të grave dhe burrave dhe, në të njëjtën kohë, ai pranon, përgjithësisht, ndryshimet e tyre përkatëse të natyrës dhe funksionit. Kështu, ndërsa pohon barazinë fetare, etike, intelektuale dhe ligjore të meshkujve dhe të femrave, Kurani kurrë nuk i konsideron dy sekset si identikë apo ekuivalentë.
Të drejtat dhe përgjegjësitë e një gruaje janë të barabarta ndaj atyre të një burri, por ato nuk janë domosdo identike me të tyret. Barazia dhe identiteti janë dy gjëra të ndryshme. Si rrjedhim burrat dhe gratë duhet të jenë më mirë plotësues të njëri-tjetrit, sesa të konkurrojnë me njëri-tjetrin.(16)
Është e vërtetë se ekzistojnë disa dallime ontologjike dhe fiziologjike midis femrës dhe mashkullit. Femra është xhentile, anon më shumë nga dashuria, është shpirtbutë, e dhënë pas estetikës, është më mbresëlënëse. Për këtë arsye gruas i thuhet “gjinia më e ndjeshme”. Burri është më racional, më i fortë fizikisht dhe më i ashpër. Por sipas Islamit, këto dallime nuk janë edhe aq të rëndësishme, sepse edhe natyrën e mashkullit edhe natyrën e femrës i lartësojnë faktorët transcendentale, si “fryrja e shpirtit” dhe “substanca hyjnore”.(17)
Burri dhe gruaja, për shembull, përshkruhen si mbulojë të njëri- tjetrit (2:187) dhe si bashkëshortë që jetojnë dhe banojnë në qetësi (33:21; 7:189). Burri dhe gruaja janë dërguar për të plotësuar njëri-tjetrin (9:71). Secilit i kërkohet të përmbushë përgjegjësitë e caktuara, që i janë ngarkuar për të mirën e të dyve dhe të mbarë shoqërisë.(18)
Gruaja është personalitet ligjor i mëvetësishëm
Gruaja ruan identitetin e saj ligjor të mëvetësishëm pas martesës, emrin e saj të vajzërisë, devotshmërinë e saj ndaj një shkolle të veçantë juridike dhe të drejtën e saj për pronësi të parave, të pronës apo të aksioneve të saj financiare.
Ndryshe nga situata në Perëndim, ku deri në shekullin e fundit ishte e pamundur për një grua të martuar për ta mbajtur pasurinë për veten e vet, për të kontraktuar me persona të tjerë, apo për të shfrytëzuar pasurinë e saj pa miratimin e burrit të saj.(19) Kurani shpalli të drejtën e çdo gruaje, për të blerë dhe për të shitur, për të kontraktuar dhe për të fituar(20) dhe për të mbajtur dhe menaxhuar paratë dhe pronën e vet asaj. Përveç këtyre të drejtave, Kurani i pohon gruas një pjesë në trashëgiminë e familjes (4:7,11) dhe paralajmëron kundrejt privimit të saj prej kësaj trashëgimie (4:19).
Islami specifikoi se gruaja duhet të jetë subjekt, e jo objekt në kontratën e martesës. Kjo kontratë duhet të jetë e ligjshme, marrëveshje e shkruar midis dy njerëzve, e cila bën të nevojshëm propozimin e njërës palë (‘ixhab), pëlqimin (kabul) e së dytës, dhe dëshmitarët.(21)
Në fenë islame gruaja është një entitet i pavarur dhe një qenie plotësisht përgjegjëse njerëzore. Islami i drejtohet asaj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk i qaset me ndërmjetësimin e meshkujve.(22)
Ky personalitet ligjor i mëvetësishëm i paracakton çdo gruaje të drejtën për të kontraktuar, për të drejtuar biznesin, për të fituar dhe zotëruar pasurinë në mënyrë të pavarur. Martesa nuk ka pasoja mbi statusin e saj ligjor, mbi pronën e saj dhe fitimet e saj. Ajo është një qenie ligjore që mund ta zotërojë dhe ta drejtojë vetë pasurinë. Pasuria e saj mbetej e vetë asaj edhe kur martohet. Asaj i është dhënë e drejta nga Kurani për të siguruar jetesën dhe për të pasur të ardhura si një individ i pavarur (4:32).
Sfidat bashkëkohore
Mosbalancimet e shkaktuara prej ndryshimeve të vrullshme sociale janë faktorë të pashmangshëm në çdo shoqëri. Në këto periudha të historisë, ato janë veçanërisht sfiduese.
Numri në rritje i grave të punësuara, arsimi në rritje për gratë dhe për burrat, zhvillimi i vetëdijesimit islam dhe identitetit midis myslimanëve në të gjitha pjesët e botës, lëvizshmëria në rritje, përqendrimi i popullsisë në qendrat urbane, kontakti në rritje me kulturat e huaja, si dhe shumë fakte të tjera të jetës bashkëkohore, kërkojnë rregullime të caktuara në praktikën martesore në çdo shoqëri. Nëse rregullimet e tilla do të rezultojnë negative ndaj institucionit të martesës islame, apo thjesht produktive prej një sinteze të re të influencave të shek. XXI me premisat esenciale, kjo do të varet nga aftësia e shoqërisë për të reaguar me një vetëdije të fuqishme dhe inteligjente sociale.
Çdo periudhe i është dashur të bëjë “paqen” e vet me këto ndryshime të kushteve, për të marrë atë që është e pranueshme sipas esencës islame dhe për të mos pranuar ato, të cilat janë kulturalisht dhe fetarisht “të patretshme”.(23) Kjo është sfidë bashkëkohore, jo vetëm për shoqërinë myslimane, por për çdo shoqëri tjetër në botë.
Myslimanët duhet të jenë të aftë të marrin nga tradita intelektuale islame për t’u siguruar përgjigje sfidave të shtruara nga teori e praktika të ndryshme filozofike dhe shkencore që burojnë nga bota moderne.
______________________________
1. Lois Lamja Faruki, Gratë, shoqëria muslimane dhe Islami, përktheu Mimoza Sinani, Logos-A, 2007, f. 133. Shih dhe Gamal A. Badawy, “Woman in Islam”, Islam: Its Meaning and Message, ed. Khurshid Ahmad , London: Islamic Council of Europe, 1975.
2. Murteza Mutahari, The rights of women in Islam, Teheran, 1980, f. 21.
3. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 62, 118-119.
4. Ruqayyah Waris Maqsood, Fshehtësia e një martesë të lumtur, Shkup,
2006, f. 19.
5. Lois Lamya’el-Faruki, Muhammed Xh. Bahonari, Muhammed Sharif,
Femra nën mbrojtjen e Islamit, Gjilan, 199, f. 56
6. Ibrahim Amini, Etika bashkëshortore, Tetovë, 2003, f. 6, 14, 15, 21.
7. Ahmed Hurshid, Familja dhe Islami, Tiranë, 1999, f. 19. Shih dhe Arthur Jeffery, “The Family in Islam,” The Family: Its Function and Destiny, bot. Ruth Nanda Anshen (NewYork: Harper dhe Row), 1959.
8. Hamudeh Abd-Ul-Ati, Islami në fokus, Shkup, 1992, f. 215.
9. Ibrahim Amini, po aty, f. 11.
10. Hammudah ‘Abd al ‘Ati, The Family Structure in Islam (Indianapolis:
American Trust Publications, 1977), f. 50.
11. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 136.
12. Ali Bulaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, Logos-A, 2005, f. 275.
13. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 81.
14. Dr. Murad Hofmann, Islami si alternativë, Shkup, 2000, f. 170.
15. Hassan Hathout, Leximi i mendjes së muslimanit. Tiranë, 2005, f. 96.
16. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 66, 88.
17. Ali Bulaç, po aty, f. 273.
18. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 89.
19. Monard G. Paulsen, “Women, Legal rights”, Encyclopedia Americana
(Danbury, Conn.: Americana Corp., 1980), Vol. 29, f. 108-109.
20. “… burrave u takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon
hise nga ajo që fituan ato…” (4:32)
21. Asaf A. A.Fyzee, Outlines of Muhammadan Law, (London: Oxford
University Press), 1955, f. 74.
22. Dr. Hasan Turabi, Gruaja në Islam, Prishtinë, 1997, f. 9.
23. Lois Lamja Faruki, po aty, f. 153. Shih dhe Hammudah ‘Abdal-‘Ati, “Modern Problems, Classical Solutions: An Islamic Perspective on the Family”, Journal of Comparative Family Studies (1974) 5 (2); 37-54.
Mimoza Sinani