9.1 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Nga Ali PAJAZITI: Kriza e vlerave në shoqëritë e tranzicionit (I)

Më të lexuarat

Tranzicioni si fjalë do të thotë kalim prej një gjendjeje në tjetrën, kurse si term shënon procesin e demokratizimit ose praktikën e kalimit të regjimeve jodemokratike në sisteme demokratike. Ky proces së pari është shënuar në Amerikën Latine, kurse pas vitit 1989 në Europën e mesme, lindore dhe juglindore, dhe në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor. Si elemente kyç të tranzicionit shfaqen lidhja pas identitetit kombëtar, ksenofobia, “shteti i papjekur”, pseudodemokracia, abuzimi në sferën e privatizimit, ndryshimet rrënjësore në sferën e shtresimit social, lindja e klasës së re të të pasurve (rasti i Kroacisë: teza për shoqërinë kroate të 200 familjeve të pasura), kthimi i të shenjtës (shpesh të abuzuar), trauma sociale shumëpërmasore, etj. Nga vitet 1960 në Perëndim, kurse ndër ne qe disa dekada flitet për krizë, për degjenerimin e përhapur dhe shkeljen e shfytyrimin e vlerave, pra, për një lëkundje morale që mbizotëron thuajse në të gjitha sferat e jetës.

Sipas Winnail-it (2000), gjysma e fundit e shekullit XX ka shënuar një zhvendosje thuajse të pabesueshme të vlerave kulturore të botës perëndimore. Sot televizioni dhe filmat shfaqin skena të seksit, tradhtisë, dhunës, vulgaritetit, që kanë qenë të pamendueshme dhe të palejueshme para 35 viteve e më parë, vazhdon i njëjti autor. Lajmet tanimë raportojnë si rutinë krime dhe tema brutale e të pandjeshme, që historikisht kanë qenë tabu, si martesat homoseksuale, gej grupimet që paradojnë hapur, feministet radikale që bërtasin deri në kupë të qiellit se kurora  tradicionale është vegël e shtypjes mashkullore ndaj gruas, e keqpërdorimit të fëmijëve, e bllokimit të karrierës dhe vetërealizimit femëror, e burgut femëror. “Mësimdhënësit tani fëmijëve ua përshkruajnë si normale sjelljet që tradicionalisht janë parë si perversitet, që madje edhe sot nga shumë njerëz shihen si të tilla. Sot shoqëria e pranon si një gjë të pranueshme gënjeshtrën nëse e njëjta i shërben një qëllimi. Për disa njerëz, përdhunimi është bërë formë e rekreimit. Rinia e xhindosur ndjen se krimi është diçka që duhet bërë nëse jeni i mërzitur, i shqetësuar ose nëse doni të shfaqni një qëndrim a deklaratë!”

Dy hulumtues nga Shkolla e Lartë e Ekonomiksit të Universitetit Hulumtues Kombëtar të Shën Petersburgut të Rusisë kanë dhënë një diagnozë trazuese të gjendjes shoqërore atje: shkallë të larta të anomisë, të indiferencës dhe të mungesës së normave shoqërore. (Worldcrunch, 2013) Nëpër mediat europiane hasen mes të tjerash edhe tituj si ky: “Europa ballafaqohet me krizë sociale dhe morale (Europe facing ‘social and moral crisis’)”. Në rrjetet sociale gjejmë edhe shënime si, “Jetojmë në një kohë kur babai e vret djalin e vet, a ka më keq se kaq?”

Kanë kaluar më tepër se tre dekada nga rënia e Murit të Berlinit (1989) dhe për shumicën e qytetarëve të Ballkanit kjo periudhë është një “film i rrëmujës së madhe“. Sistemi politik dhe ekonomik i shumicës së vendeve të kësaj pjese të Europës është transformuar; në këto ose në ato përmasa rajoni është inkuadruar në ekonominë globale, edhe atë në një shkallë të paimagjinueshme në fillet e tranzicionit. Efektet e tranzicionit në ndryshoret ekonomike, si bruto prodhimi vendor (BPV), papunësia, investimet dhe eksporti, janë dokumentuar ekzaktësisht. Ajo që nuk është kuptuar sa duhet është fakti se si tranzicioni ka ndikuar në qëndrimet dhe vlerat e njerëzve. (EBRD, 2011:19) Megjithatë, edhe në këtë subjekt ka ca xixa kërkimore që na ndihmojnë për të kuptuar relacionin tranzicioni-vlerat. Sipas një hulumtimi të realizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me respondentë nga 29 shtete tranzicionale, vetëm 43% e qytetarëve të vendeve në tranzicion janë të kënaqur me jetën, vetëm 34% e njerëzve besojnë te tjetri. (op.cit., 88)

Kriza e vendeve në tranzicion është vërtet një krizë vlerash. Këtë e vërejmë nga mediat, nga shënimet në rrjetet sociale, po ndoshta edhe nga fqinjësia. Gazeta serbe Blic e datës 19 prill 2014 flet për rastin e mjekut i cili familjes së një plake të verbër që kishte thyer belin i kishte kërkuar ryshfet, dhe me të dhënë 400 euro kishte shtuar, “Vetëm kaq?” Një medium kroat mes të tjerash ka publikuar edhe këtë prononcim: “Kudo që të mihësh mbi sipërfaqe ose më thellë, do të gjesh nepotizëm, korrupsion, arrogancë politike. Pyetja është se kush do ta zgjidhë këtë karcinom? Pse pyes? Kur në Kroaci një pjesë e mafias politike, financiare, mediale, të marrëdhënieve me publikun, në vend që të merret me atë se çfarë po bën ajo si e korruptuar, të tjerëve u thotë, ‘Kapeni hajdutin!’” (HF, 2010) Një hulumtim i realizuar mbi perceptimet tregon se në vendin e sipërpërmendur si vlerë e parë është vënë paraja, më pas suksesi, fëmijët në vendin e shtatë, kurse familja në të tetin. Është interesante të shënohet se altruizmi është pozicionuar në vendin e tetëmbëdhjetë, empatia në të nëntëmbëdhjetin, kurse vetedukimi në vendin e njëzetë. (Rogić, 2014) Edhe në Bullgari problemi i degradimit të vlerave është prezent. Partia ksenofobike ATAKA (që do të thotë Sulmi), si dhe lëvizjet e tjera nacionaliste (ekzistente ose rishtaz të krijuara), shfrytëzojnë diskursin nacionalist ekstrem, fjalorin ultraradikal, duke kërcënuar kështu paqen etnike dhe fetare, duke nxitur ksenofobinë dhe dhunën kundër minoriteteve, migrantëve dhe kërkuesve të azilit. Sipas një ankete të European Values Study të vitit 2008, më tepër se 80% e qytetarëve bullgarë nuk kanë shprehur besim ndaj tjetrit. (Nikolov, 2013) /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit